22/12/2024

Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës

0
Kozeta-Zylo-Cameria

Përmbi mal si shqiponjë/ zbriti Xhelo kapedani/ Tok me Asimin luftoi/ Në grykë të Mezhgoranit/ Populli s’do t’i harrojë/ Bijtë e ndritur të vatanit!

Borxhet duhen shlyer bija ime, më mësonte babai…

Nga Keze Kozeta Zylo

Jam rritur me bëmat e mëdha të heronjve të të gjitha epokave, jam rritur me Heronjtë Xheladin Beqiri “Karadaku” nga Gjilani i Kosovës dhe Asim Zenelin nga Progonati, ndoshta se aty në tokën e Brahim Gjonit (Atit tim) u derdh gjaku lum, u derdh gjaku i Heroit Asim Zenelit kundër pushtuesve fashistë italianë. Kur ishja e vogël kjo tokë përbënte një çudi, një mister, fantazi…

Mezhgorani kjo vatër e prushtë atdhetarie, plot mistere të çuditshme ka një pozitë gjeografike të shkëlqyer. Jo vetem që ka një bukuri të pashoqe e rrethuar mes dy malesh kryelartë si Trebeshina dhe mali Shëndëllia me emër të shenjtë, ku këmbët e tyre lagen nga lumi Vjosa, por është dalluar për kulturë dhe për heroizëm si gryka famëmadhe Mezhgorani.

Shumë prej brezit tim e dinë mirë këngën: Një zë po del nga gryka e Mezhgoranit, të interpretuar nga basi i madh lirik shqiptar Mentor Xhemali, me tekst nga shkrimtari Qamil Buxheli dhe kompozitor Mustafa Krantja, mjerisht nuk po njihet si duhet nga pasardhësit tanë.  Kjo këngë lindi në ditën që u vra Asim Zeneli nga Progonati balli i djemve, i cili ishte në krye të Çetës “Hajredin Tremishti” me komandant Birin e Gjilanit, djalin shqiptar nga Kosova Xheladin Beqir “Karadaku”.

Më 2 Korrik 1943 u shkrua Epopeja e Mezhgoranit, ku u zhvilluan luftime trup me trup kundër pushtuesve fashistë italianë, në këtë betejë që udhehiqej nga Asim Zeneli dhe Xheladin Beqiri.

Komandant Karadaku në Grykën e Mezhgoranit, para trupit të tij u betua:

“Fli i qetë Asim, se hakun do ta marrim, gjakun që derdhe ti për Shqipëri, shtrenjtë do

ta paguaj fashist italiani, ti je një Hero për Liri”.

Ky bir trim ky kapedan i Kosovë s dhe i Labërisë ku jetoi dhe banoi dëbuar nga genocidi serb të kujton thënien e Winston Churchill ish kryeministrit ë Anglisë i cili thotë për vendin e tij në kohën e Luftës së dytë botërore si: “Ne do të mbrojmë ishullin tonë, sido që të jetë kostoja, do të luftojmë në plazhe, do të luftojmë në terrene, do të luftojmë në fusha dhe në rrugë, do të luftojmë në kodra; nuk do të dorëzohemi kurrë”.

Në çdo festë pelegrinazhi të 2 korrikut kur ftonin im at per t’ju rrëfyer nxënësve të shkollave për këtë epope, ose në bisedat private gjithmonë ishja kurreshtare dhe cuditesha se si ishte e mundur që Heroi Xheladin Beqiri të gjendej në Mezhgoran?  Këto ishin pyetjet e një adoleshenteje dhe natyrshëm merrja përgjigjen e duhur.  Ai tregonte: Xheladin Beqiri lindi në Gjilan – Kosovë. Të atin ia vranë serbët. Për këtë arsye për të mbijetuar, ishte shtrënguar të punonte si shërbëtor që në moshën e fëmijërisë, duke shkuar nga krahina në krahinë, deri sa u vendos në Nivicë të Kurveleshit.  I rritur me urrejtjen për pushtuesit serb, për genocidin që kishin ushtruar, ai

rrëmbeu armët për të luftuar kundër pushtuesit fashist italian dhe gjerman.

Hyri në çetën e parë të Kurveleshit, më 1942. Pastaj kaloi komandant i çetës “Hajredin Tremishti” me komisar Asim Zenelin.  A e kupton bija ime rrëfente im at se kur populli i Mezhgoranit, Peshtanit dhe përreth panë këto çeta që erdhën nga Dragoti nga mbrapa malit të Shëndëllisë morën krah, zjarr, vrull për të luftuar trup me trup me fashistët. Ata ishin të bukur, në lulen e rinisë dhe të djalërisë.  I dolën Zot vatanit.  Ata dukeshin si shqiponjat e Lirisë, ata ishin Luan të vërtetë edhe pse përballeshin me një armik të madh në numër dhe me autoblinda super të sofistikuara.  Po ja që një popull kur lufton për Lirinë vjen një ditë që e fiton, sepse Liria nuk njeh çmim deri sa të fitohet.

Në tetor 1942, me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese, emërohet zv/komandant i batalionit të parë dhe më vonë të pestë.  Ra heroikisht, më 6 qershor 1944, në Qafën e Gjarprit.  Kur morëm vesh se Xheladin Beqiri Karadaku ra heroikisht në Luftë, shumë bashkëfshatarë tanë qanë, mbajtën një minutë heshtje.  Populli i Mezhgoranit i këndoi: Përmbi mal si shqiponjë/ zbriti Xhelo kapedani/ Tok me Asimin luftoi/ Në grykë të Mezhgoranit/ Populli s’do t’i harrojë/ Bijtë e ndritur të vatanit!  Ndërkohë shoku i tij i armëve, Heroi Asim Zeneli ndodhej i varrosur në Hojmodh në varrezat e Mezhgoranit ngase ishte luftë dhe s’mund t’i çonin eshtrat e tij në vendlindje në Progonat.

Xheladin Beqiri nderohet dhe përkujtohet me plot nderime si Bir I Kosovës dhe i Labërise atje ku jetoi dhe krijoi familjen e tij.  Nuk e lajmë dot borxhin e vëllait prej Kosove vazhdonte Ati im edhe pse vëllai i tij Ismet Gjoni i inkuadruar në luftë shkoi deri në Kosovë dhe u plagos tri herë në fushat e saj kundër pushtuesve.  Borxhet duhen larë në mos sot, mot, por jo kurrë edhe pse Xheladini e kishte në mish e në gjak dashurinë për tokën amë dhe jo për borxhe.

Sidoqoftë mbetemi borxhlinj gjithmonë.  Në mos t’jua shpërblejmë me pushkë ka forma te tjera.  Sa herë marrim mësuese nga Kosova apo aktivistë që i janë bashkuar Misionit Kombëtar të mësimit të Gjuhës Shqipe, gjithmonë më vjen në mendje Heroi i Kosovës dhe Labërisë Karadaku dhe më duket sikur shlyej sadopak amanetin e të parëve.

Të isha një natë në Hënë

Këto ditë dëgjova me shumë emocion këngën e kënduar me titull: “Sikur të ishja një natë në Hënë” të nipit të tij që e kanë pagëzuar me të njejtin emër si Gjyshi Hero: Xheladin Beqiri.

Kënga më e re: “Të isha një natë në Hënë” është një lirikë e mrekullueshme.  Fillon me nje instrument frymor fyellin, një nga veglat me origjinë të lashtë.  Eshte vegël që përdoret nga barinjtë, dhe në këtë rast ndjell të zotin e këngës per t’i dhuruar publikut një perlë nga viset e Labërisë.

Kënga shoqërohet me natyrën e bukur shqiptare, një ndër to është dhe e vendlindjes sime Tepelenës me kalanë hijerëndë dhe Vjosën që gurgullon poshtë saj.  Kënga shoqërohet nga orkestra Bledian Beqiraj dhe klarinet Artan Majko.  Dhe ja disa nga vargjet e këngës lirike: Të jesha një natë në brinjë/ bashkë me bejkën kërthinjë/ Si Helena mbi bedena/ për një vajzë nga Tepelena.

Strofa tjetër vazhdon me një ëmbëlsi të natyrës së qetë dhe dëshirore si: Të isha në Hënë një natë/ Të ma bënte zemra fap/ Aty do ja bëja fora/ Për një vajzë këndej nga Vlora.

Ndërkohë valëzat e ujit të detit të Vlorës që shfaqen në ekran janë në sinfoni harmonie me fjalët e përzgjedhura për vajzën labe.

Jam shumë krenare që kënga labe ruhet si diamant në botë nga UNESCO dhe kjo më jep një ndjesi të papërshkrueshme. Në vitin 2005 “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.

Kënga e kënduar vetëm nga artisti është dëshmi e civilizimit, shpirtbardhësië dhe e dashurisë së sinqertë për traditën popullore labe.

Nipi është shumë krenar për gjyshin e tij hero dhe natyrisht ka shkuar disa here për të vizituar rrënjët e të parëve të tij atje në Gjilanin e bukur. Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, rajoni i Anamoravës. Është njëra nga komunat e mëdha të vendit. Pozita gjeografike që ka, i mundëson asaj lidhje të mira me qendrat e tjera të Kosovës dhe të rajonit.

Cfare lidhje e hatashme shpirtërore është midis Labërisë, Nivicës dhe Bëncës atje ku u rrit nipi i tij Xheladini dhe sot në nderim të gjyshit të tij në qendër të Nivicës ndodhet busti i Heroit Xheladin Beqirit.

Në krah të tij është busti tjetër i Hodo Nivicës që ra heroikisht nga pushtuesit malazezë, pra një djalë i Labërisë shkon në Veri për të luftuar pushtuesit, ndërsa një djalë nga Gjilani i Kosovës vjen në Mezhgoran dhe lufton kundër pushtuesve italianë dhe gjerman në gjithë vendin ku bie heroikisht në “Qafën e Gjarprit”.  Varri i Kryekapedanit Hodo Nivica ndodhet në Shpuzë të Malit të Zi.

Bijtë e vërtetë nuk njohin dallime, nuk njohin Veri-Jug, gegë a toskë, por njohin se kanë vetëm një Atdhe: Shqipërinë etnike.  Ata janë dëshmi autentike e saj.  Këta heronj i përkasin qiellit shqiptar, janë një dashuri për gjithë botën e madhe, për gjithë popujt që luftojnë kundër klikave fashiste dhe skllavërisë.

Në betejën e Qafës së Gjarprit e Guri i Prerë, (Skrapar), midis forcave gjermane e ato partizane më 6 qershor të vitit 1944, dhanë jetën 32 partizanë, midis tyre edhe biri i Kosovës, komandant Xheladin Beqiri (Karadaku), Hero i Popullit. Pseudonimi Karadaku është mali i vendlindjes së tij që s’e harroi kurrë.

Kur populli dëgjoi për rënien e tij heroike i këndoi me ligje labërie:

Bir i tokës kosovare/ Karadaku me halle/ Maliherin tënd të rrallë/ gjithmonë mbushur e kam pare…

Nipi i tij i interpeton magjishëm këngët labe dhe është një nga bilbilat e këtij thesari botëror.  Kurse Golik Jaupi ky gjeneral i këngës labe që e shoqëronte në udhëtimin për në Nivicë për të nderuar Heroin Xheladin Beqiri, i këndoi:  Xheladin strall me rremba/ Bir i halleve të rënda/ Bonjaku me shumë nëna/ ndau zemrën në shumë zemra…

Karadaku, ky bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës dhe ra ne Qafën e Gjarprit në Skrapar nderohet dhe përkujtohet me plot respekt nga gjithë populli shqiptar. Ata do të jetojnë përjetësisht në zemrën e Kombit.

28 Janar, 2023

Staten Island, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok