21/11/2024

“Kalaja e Prevezës”

0

Fragment studimi

Nga Timo Mërkuri

Preveza dhe krahina rreth saj, sidomos vija bregdetare gjer ne Pargë është vend e kala. Në gjithë  bregdetin epirot të Prevezës,  janë  ndërtuar  dhe rindërtuar së paku dhjetë kala, pa për-fshirë egzistencën e kalave antike gati në çdo ishull jonian e çdo qëndër të banuar, pavarësisht gjëndjes së tyre. Arsyeja është tepër e dukëshme, bregdeti dhe ishujt jonian, për vetë pozicionin e tyre strategjik kanë qënë objekt sulmesh nga agresorë të ndryshëm qysh në antikitetin e hershëm. Më von, ishujt Jonianë, pas rënies së Republikës së Venedikut në 1797,  pushtoheshin vazhdi-misht nga Franca, Rusia dhe Britania. Këto fuqi pushtonin ishujt për të ruajtur rrugët detare dhe jo se ju interesonin territoret kontinentale. Por ishujt u interesonin edhe  turqve, për mbrojtjen e kufijve të perandorisë së tyre, por  edhe Ali Pashës për dalje në det dhe këto rrugë mund ti ruanin vetëm me kalatë bregdetare. Kështu shpjegohet që vetëm në Prevezë dhe në zonën përreth  turqit, venedikasit dhe Ali Pasha ndërtuan dhe rindërtuan  një numër jo të vogël kalash, shpesh mbi rënojat e kalave antike ose më të herëshme, duke zgjuar kështu mite e legjenda apo këngë e histori trimërie. Por le të shohim kalatë, të cilat  janë:

a-Kalaja Laskaras (Φρούριο Λασκάρας)  ndodhet në majë të kodrës Laskar.

Është ndërtuar para luftës së 1897 si një vendvrojtimi i vogël por që shkaktoi atë që quhet “Lufta aksi-dentale” e vitit 1897. Aty ishte vendosur një top gjerman Krupp 0.8 cm  i cili shtimjen e tij të parë e ka bërë mbi një anie pasagjerësh “Maqedonia”  që udhëtonte nga Gjiri i Ambrakisë drejt Aktion . Anija u përfshi nga flakët porsa ariti në breg.

b- Kastro Pesë Pigadia ( greqisht… Καστρο Πέντε Πηγάδια…Pesë Puset) ndodhet në zonën Kli-sura të Prevezës

Është ndërtuar në fillim të shekullit 19 dhe është e përmëndur për dy beteja të zhvilluara rreth

saj. Në tetor 1821 forcat e Makrijanis  dolën fitimtare kundër Hurshit Pashës dhe beteja tjetër në tetor 1912.


    c- Kalaja e Shën Jorgjit (greqisht… Κάστρο Αγίου Γεωργίου) e ndërtuar në vitin 1807 sipas projektit të inxhinierit francez Frédéric François Guillaume de Vaudoncourt,  ndodhet në pjesën perëndimore të Prevezës dhe përballë  detit Jon.

Emrin e shën Jorgjit e mori në vitin 1912. Preveza  (kalaja e Bouka), u pushtua nga Venedikasit nën komandën e Françesco Morosinit në shtator 1684 duke e mbajtur Prevezën dhe kalanë për rreth 15 vjet, gjersa në  1699 , në zbatim të Traktatit të Karlovi Varit  ua dorzuan përsëri turqve. Përsëri, der sa në v itin  1718 me Traktatin e Passarovit e rimarin qytetin dhe rriparojnë kalanë e Shën Andreas. Në vitin 1798 Ali Pasha pushton qytetin dhe rindërton kalanë egzistuese duke ndërtuar edhe një kala tjetërnë majën jugore të qytetit të vjetër të Prevezës. Kjo quhet Geni-Kala (Neë Castle), Kalaja e Re..

ç)- Kalaja e Shën Andrea (greqisht… Κάστρο Αγίου Ανδρέα )   është brenda Gjirit  dhe përbëhet nga një grup i thjeshtë drejtkëndorësh i mureve. Kështjella ishte përfunduar në vitin 1702, filli-misht nga venecianet deri në 1701 dhe në vitin vijues nga turqit. Në  pushtimin e dytë venecian të Prevezës (1718-1797), kalaja është përmirësuar. Një Xhami që kishin ndërtuar turqit

në qëndër të kështjellës , u shndërrua në një kishë katolike  me  emrin  e  Shën Andreas, për nder

të admiralit venecian Andrea Pisani (1662-1718), i cili drejtoi marjen e Prevezës nga turqit  në vitin 1717 dhe vdiq një vit më von.

f)-Kalaja Pantokratoras (greqisht… Κάστρο Παντοκράτορα )   ndodhet rreth  400 m larg daljes së tunelit  nënujor Preveza-Aktio.  Kalaja mori emrin e një kishe të vogël që ndodhej brenda territorit të saj.. Evropianët e quajnë “Kështjellë “Venetike” ose “Veneciane”, turqit e quajtën “Uç Kala. Kalaja Pantokratoras u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga Ali Pasha, në     bazë të një plani të hartuar nga inxhinieri francez Vaudoncourt. Kontrollon  plotësisht vijën detare në hyrje të Gjirit të Ambrakikos.

g)- “Kalaja e Rogos”  (greqisht … Κάστρο Ρωγών ) mori emrin e fshatit ku është ngritur.

Ndodhet në një kodër të ulët midis Nea Kerasounta dhe Petra në krahinën e Filipiada të Preve-

zës. Mendohet të jetë ndërtuar në shekullin 13 ose  fillimin e shekullit 14.. Kalaja kishte pamje nga lumi, duke kontrolluar në këtë mënyrë lundrimin nëpër lumin Louros. U quajt  “Rogoi ose Arogoi”  për shkak të ndihmës që i dha popullatës bregdetare gjat sulmeve bastisëse  të sllavëve dhe bullgarëve  në mesjetë..
Fillimisht është ndërtuar në  rrënojat e kolonisë antike Helenike në shekullin e 5 p.e.s. shekull, kur filluan konflikte midis kolonistëve grekë dhe Kassopaia e Epirit.

gj)- Kalaja e Rinissa ( greqisht… Κάστρο Ρινιάσας) quhet edhe  Thomakastro me emrin e themeluesit të saj Thomait, despot i Epirit.

Ndaj thirret edhe Kalaja e Despotit (κάστρο της Δέσπως). Koha e ndërtimit të saj nuk dihet por , nisur nga emri, supozohet të jetë ndërtuar në kohën e Despotit  të Epirit, Thomai I (1296-1318).
      e)- Kalaja e Anthousës (greqisht… Καστρο Ανθούσας) është ndërtuar  mbi fshatin Anthousa.

Është ndërtuar nga Ali Pasha  në vitin 1814 për të kontrolluar Pargën. Ali Pasha ndërtonte kala të vogla rreth qytetevë që donte të pushtonte siç kishte bërë në  Sul, në Lefkadha (me kështjellat Griva dhe Plagia), por edhe në Paramithia dhe Margariti… 
      ë)-Kalaja e Pargës (greqisht… Κάστρο Πάργας). Banorët e Pargës gjatë gjithë egzistencës së tyre ishin përpjekur të fortifikonin qytetin, madje edhe duke  përfituar ndihmë nga normadët. Në vitin 1452 ndërtohet kalaja e Haxhi Beut, të cilën e ristrukuturojnë banorët në vitin 1454 por që e shkatëroi Hajredin Barbarossa bashkë me qytetin  në vitin 1537. Në vitin 1792 venedikasit e ndërtojnë kalanë  e cila mbeti e pathyeshme  deri në 1819 kur e mer Ali Pasha

ç)-Kalaja që na intereson në temën tonë  mendoj se është kalaja e Bouka (greqisht: Κάστρο της Μπούκας), nga fjala italiane bocca- gojë). Kjo kala ishte fortifika e parë e madhe osmane e Prevezës. Ajo u ndërtua nga osmanët në vitin 1478 për të  kontrolluar ngushticën e Gjirit të Ambrakisë.  Në vitin 1701, Venedikasit e hodhën në erë kalanë përpara se t’ia dorëzonin Prevezën turqve, sipas kushteve të Traktatit të Karloëitzit…

Kalaja e Bouka ndodhej në vendin që sot quhet “Paliosaraga” (Παλιοσάραγα,). Sot, ka

shumë pak rrënoja  të kështjellës së Bouka. Egziston vetëm një shtëpi që ndërtoi Ali Pasha.

Në  këtë kala mendojmë se është rizgjuar balada “Një kala Prevezës i ndërtojmë” me përmbajtje si më poshtë vijon:

Një kala Prevezës i ndërtojnë

Di ustallarë e dizet punëtorë

një kala Prevezës i ndërtojnë

Tre vjet kanë që pënojnë

Tërë ditën ata po pënojnë

5-tërë natën kalaja rrëzohet

mu në Prevezë na u paska zdrikur

nek po bijin kalan’ ustallarët.

Ati gjeti të di ustallarët

me të dizetë punëtorët ati pranë

10-Ustallarëve rëpara u ka dalë

u ka dalë rëpara e u thotë

-Puna mbarë juve mos u kloftë

se e kotë ishte puna juaj

Puna juaj nuku bën rëpjetë

15-as për sot as për njëqint vjetë.

Urdhëri ka i madhi zot ju thotë

“Puna mbarë juve mos ju kloftë

pa i vënë një njeri në botë

në themel ta vini ju kurban.

20-Dhe një dem t’e bëni ju kurban

Dhe një dash ta bëni ju kurban.

Pa i bënë ju këta kurbenë

nuku ngrihet dot kaha ju kalaja”

Ndaj si thotë zoti ju e nisni

25-dhe si thotë zoti e mbaroni.

Dhe kështu kalaja kurmin d’e rrit

dhe Prevezën do t’e llamburitë.

Kaq tha zogu edhe fluturoi

kaha mali i Kladhit ai shkoi.

30-Njëri usta na u patagos

edhe tjetri na u buxarros

Po të di e bënë besa besë

se ç’ish grua të sillte bukë nestër

se ajo që do te sill e para

35-në themele ata do ta vijnë

asaj gurë sipër do t’hidhnin.

Ku u gdhi dhe ata të di panë

se në radhë viheshin di gra.

Dhe kur erdhi gruaja e parë

40-Puna mbarë, u tha, o ustallarë

-Mbarë paç, ata të di i thanë

-Mori grua, i thotë buri i saj

se më ra ognaza nej aj guri

hjisu pak e merma e ma sill.

45-Si urdhëron o burrë, i tha e shoqja

Dhe sapo në themel nusja hiri

që të marë të shkretën ognazë

atë, kur ognazën ish duke gjuar

ustallarët me gurë e mbëluan.

50-Dhe nusja himën dikue rëkuar

shpirti i nuses ne zoti na shkoi.

E kalaja kështu riti kurmin

dhe Prevezën ajo llamburiti.

Ustallarët u gëzuan shumë

55-edhe lart në bedenë ata shkuan.

Po një sojesh na rij i mejtuar

i plagosur me shokun e tij

dhe ta hante doj me dhelpëri

tani që kalaja ishte bënë

60-se mbi portën e asaj kalaje

te një pllakë atje do skalitnin

emrat e atyre q’e ndërtuan.

Po ki vetë ish një ileqar

emri i shokut nuk doj që të vihej

65-që të njihej vetëm emri i tij,

t’e mir vesh kushtu i gjithë dheu

se ki vetëm e kish bërë kalanë.

Edhe shokut duart i ka vënë

te rrëzonte ka mala e kalasë.

70-Po ai shoku i tij s’u rrëzua

se për mesi duart ja ka hedhë

fort për mesi shokun ka mbërthyer

dhe me vete i ka rrëmbier hjimën.

Kështu bashkë duke u rotulluar

75-të di bashkë dikue u grrënjasur

në hallarmë plasën të di bashkë.

Në hallarmë mbiu garrufale

pranë saj na mbiu dhe një ferrë.

Garrufalja kle shoku i pafal

80-dhe ferra kle shoku falëtuar.

Po të dive emri u ka humbë.

Dhe kalanë s’dihet kush e bëri.

Po njerëzia në kala kur venë

garrufalen vetëm e mirisin

85-garrufalen gjithë e lëvdojnë

ferrën shtrigë gjithë e mallëkojnë.

Arpicë- Margëllëç

Vlorë 1954

Le të shohim karakteristikat e veçanta të kësaj balade me baladat e njohura të “Ndërtimit të Shkodrës” , “Urës së Artës” apo “Urës së Fshajt”

a)-Që në fillim kjo baladë na prezantohet krejt ndryshe nga balada e Shkodrës apo  varianti shqiptar i “Urës së Artës” dhe “Urës së Fshajt”, ku si ndërtues prezantohen tre vëllezër. Këtu na prezantohen si ndërtues… Di ustallarë e dizet punëtorë… Madje këta …di ustallarë… as nuk janë vëllezër me njeri tjetrin dhe as kanë ndonjë lidhje gjaku mes tyre. Këta janë dy mjeshtra, që kanë një brigatë ndërtimi me…dizetë puntorë… dhe kanë marë me akord (apo “me tender” do shpreheshim në gjuhën e sotme)… një kala Prevezës (t)i ndërtojnë…

Këta …di ustallarë…, që kanë ngritur një brigatë me …dizetë punëtorë…dhe kanë marë me “akord” të ndërtojnë një kala, i përkasin një kohe më të vonëshme se sa koha që tre vëllezër duan të ndërtojnë kalanë e Shkodrës, Urën e Artës apo Urën e Fshajt, sepse këtu kemi të bëjmë me një nivel organizimi shoqëror tip bashkim profesionistësh, që i përket fillimit të kohës së mesjetës. Ndërsa tre vëllezërit i përkasin një epoke të herëshme të zhvillimit shoqëror ku nuk ndiheshin gjurmët e egzistencës së shtetit apo organizmave të tjera civile. Prandaj ky variant, ndonëse ka element të baladës së Rozafës, është i mëvonshëm dhe është më i afërt me variantin grek të bala-dës së  Urës së Artës.

b)- Po të shohim në vetvete shprehjen …(ata) ..Një kala Prevezës i ndërtojnë’’…kjo  tregon një distancimtë ustallarëve dhe  punëtorëve  me objektin që ndërtojnë. Ata nuk e ndërtojnë për veten e tyre, por ja ndërtojnë dikujt tjetër(Prevezës”). Pra kemi një ndryshim të  ndjeshëm me kalanë e Shkodrës, ku tre vëllezër e ndërtojnë për vete kalanë. Kështu që mes ustallarëve dhe puntorëve nga njëra anë dhe kalasë nga ana tjetër mungon ajo lidhje shpirtërore, e cila e shndron ndërtimin e kalasë në një domosdoshmëri, të tillë që justifikon edhe flijimin. Humbja më e ma-dhe që mund të pësojnë këta…di ustallarë dhe dizetë punëtorë…është mosmarja e  fitimit fina-nciar të ndërtimit. Ndërsa vëllezërit që ndërtojnë Shkodrën janë gati për sakrificën më të madhe, pasi mos ndërtimi i kalasë së Shkodrës do të thotë mos përballim i sfidave të kohës dhe për pasojë, zhdukja e tyre si “familje”.

c)-. Sekreti i qëndrimit të kalasë nëpërmjet murimit të një femrë në themele (në botë-baltë) të kalasë, te kjo baladë vjen në formën e një urdhëri nga zoti… Urdhëri ka i madhi zot ju thotë/ Puna mbarë juve mos ju kloftë/ pa i vënë një njeri në botë… ndërsa te kalaja e Shkodrës, plaku i pyetur nga tre vëllezërit në se e dinte sekretin e qëndrimit të mureve përgjigjet…-Unë e di  por kam gjynah…  Në pamje të parë duket sikur midis dy varianteve  ka barazvlefshmëri. Por ndryshimi qëndron se, sekreti i plakut në Shkodër  hap themelet e “besës”, sjell kumtin e “besës” te tre vëllezërit , kur u thotë… -N’daçi drejt ju me punue/në konak mos bisedoni/vashave mos u kallzoni./Nesër nadje, t’zbardhmen drita/cila vashe t’ju bjerë bukën/at’ muronje n’mur t’kalasë … dhe ky kumt nuk vjen nga perëndia, por nga shpirti i popullit dhe duhet parë si përvojë jetësore. Gjithsesi shprehja e plakut në Shkodër është tepër njerëzore, madje në mënyrën si është formuluar, është edhe bindëse.

ç)- Te ura e Prevezës ka një kërkesë për kurban kafshësh… Dhe një dem t’e bëni ju kurban/ Dhe një dash ta bëni ju kurban…. identik me kërkesën te balada came e Urës së Artës… po ura s’u qëndron dot,/pa vënë një shpirt në botë (baltë),/e një dem të zi t’e vini,/e një dash të zi t’e vini,/ atje nek bëni themelin,…Pra kemi  flijimin e gruas me kafshët bashkë. Kjo na sjell ndërmënd “kinse” flijimin e Ifigjenisë në Aulidë, për të cilën folëm te “Ura e Artës”, pikërisht momentin kur thika prek qafën e vajzës së re për ta flijuar,  në këtë moment perëndesha Artemidë, e cila vetë e kishte kërkuar flijimin e Ifigjenisë, e heq vajzën nga altari i flijimit duke e zvëndësuar me një drenushë. Me të drejtë mund të themi se Ifigjenia është vajza (femra) e “fundit që flijohet”. Pas saj fillon epoka e flijimit të kafshëve.. Këtë kohë cilësojnë vargjet e mësipërme të baladës, kohën e ndërmjetëme të kalimit nga flijimi i njerëzve te flijimi i kafshëve, kohë kur sigurisht ka patur raste të flijimit të përbashkët njerëz e kafshë.. Kështu pra, kemi një datë epokale (periudhë) të përfundimit të flijimit të njerëzve dhe kalimit në epokën e flijimit të kafshëve, duke patur indirekt edhe një datë që cilëson kjo balade.

d)- Po të di e bënë besa besë/se ç’ish grua të sillte bukë nester/se ajo që do te sill e para/në themele ata do ta vijnë…Këtu balada nis e frymon shqip, nga vargu 32 duke vazhduar deri te vargu 50-51 që thotë… Dhe nusja himën dikue rëkuar/shpirti i nuses ne zoti na shkoi… Por , ndryshe nga baladat e tjera shqiptare të murimit, ku nusja e re lë amanetin për mënyrën e murimit, me qëllim që të mundësojë rritjen e fëmijës , te ky variant nuk thuhet asnjë gjë në këtë drejtim. Në se te balada shqiptare e “Urës së Artës” apo dhe e Shkodrës, flijimi i nuses së re mer gjithsesi ngjyrat festive dhe tonet e një triumfi të jetës, kjo baladë mer një drejtim tjetër, sa të papritur aq dhe të debatueshëm. Në kulmin e festës së inagurimit të kalasë… edhe lart në bedenë ata shkuan. Por…Po një sojesh na rij i mejtuar/i plagosur me shokun e tij/dhe ta hante doj me dhelpëri…Këtu nuk sqarohet se cili ishte njeri nga mjeshtërat që rinte i mërzitur me shokun e tij, por sqaron arsyen e mërzisë…se mbi portën e asaj kalaje/te një pllakë atje do skali-tnin /emrat e atyre q’e ndërtuan…emri i shokut nuk doj që të vihej/që të njihej vetëm emri i tij …Nga zhvillimi kuptojmë se ziliqari na qënka mjeshtri, gruaja e të cilit nuk pësoi gjë. Duke qënë se mjeshtri tjetyër kishte sakrifikuar gruan për kalanë, ishte normale që ai do gëzonte simpatinë më të madhe dhe për pasojë edhe shpërblimin më të madh. Prandaj shoku ziliqar…Edhe shokut duart i ka vënë/te rrëzonte ka mala e kalasë……Po ai shoku i tij s’u rrëzua/fort për mesi shokun ka mbërthyer/Kështu bashkë duke u rotulluar /në hallarmë plasën të di bashkë…

Rrjedha  dhe përfundimi i baladës është i pakuptim  për ne, por edhe kjo e ka një shpjegim. Te pika “ç” e trajtimit të baladës së “Urës së Artës” kemi shpjeguar se është pikërisht konkurenca dhe  zilia, forca që vë në lëvizje baladën duke e çuar atë drejt murosjes së gruas së kryemjeshtë-rit. Të njëjtët element të baladës greke të “Urës së Artës” gjejmë edhe te ky variant i baladës çame. Gruaja që muroset është bashkëshorte e njerit nga dy mjeshtërat, gruaja nuk ka fëmijë, lajmin e sjell një zog, dinakëria për futjen e gruas te themelet është e njëjtë, rrënia e unazës së mjeshtërit etj, etj. Pra variant çam i baladës së murimit në kala te balada “Një kala Prevezës i ndërtojmë” ka ndikime të theksuara nga balada greke e “Urës së Artës”, deri në atë stad sa që ajo nuk ka një fizionomi të plotë shqiptare tradicionale. Shpjegimi për këtë është shumë i thjeshtë. Në federatën Epirote, bashkëjetesa e komuniteteve greqishtfolëse-shqipfolëse ishte evidente. Por siç shpjeguam te “Ura e Artës”,  shqipfolësit (Thesprotët, mollosët etj) ishin shumica dhe për pasojë edhe shumë poste drejtuese të sferës së jetës ushtarake dhe civile i kishin ata. Kjo u jipte lehtësira dhe privilegje, por i bënte edhe objekt sulmesh ziliqare e kurthesh konkurence.

Thesprotët ishin mjeshtra ndërtimi dhe shfrytëzimi të materialeve të vendit. Psh ata gëlqeren e linin të shuhej për pesë vjet rresht, para se ta përdornin për llaç. Po në llaç hidhnin në doza të caktuara të bardhë veze dhe fije lesh dhie për ti dhënë llaçit fortësi në lidhshmërine e gurëve. Kjo përvojë dhe fakti që ishin puntorë të palodhur u jipte  gjithmon pozicionin primar në ndërtime. Por ndërkohë grekët kishin përvojën e ndërtimeve antike dhe ishin konkurentë të fortë me thesprotët për mjeshtërinë e ndërtimit. Bashkimi i dy mjeshtërive jipte rendiment të lartë në cilësinë dhe kohën e ndërtimeve, por prodhonte edhe konkurencë. Një konkurencë të tillë kemi te kjo baladë, e cila “del nga rruga e baladave shqiptare”.

Me siguri që edhe komuniteti i ndërtuesve greqisht folës ka patur një baladë për Kalanë e Prevezës, me element të cituar te “Ura e Artës’’ ku dalloheshin dy mjeshtrat dhe dyzet puntorët, gruaja pa fëmijë e një mjeshtëri, e cila muroset, zilia e mjeshtrit tjetër ndaj të parit dhe përpjekja fatale për vrasjen e njërit mjeshtër nga tjetri, tentativë që çoi në vdekjen e të dyve etj, etj.

Në ambientet e përbashkëta këndoheshin të dy baladat, por kjo tingëllonte më shumë si debat se sa si këngë në festë. Atëherë këngëtarë të njohur dhe prestigjiozë për kohën dhe vendin, kanë marrë nga varianti grek filiza vargjesh, që mbartnin problematikën e atij komuniteti dhe janë shartuar mbi variantin shqiptar. Po të shohësh baladën e mësipërme, është tepër e dukëshme që pjesa e dytë është e shtuar te varianti shqiptar, madje pasi janë bërë edhe disa retushime pjesore. Në kohën e ndryshimeve kjo nuk ka rrënë në sy, për vetë mardhëniet më se normale të dy komuniteteve

Ky shartim është bërë me qëllim përmirësimi, përsosjeje, përshtatjeje, afrimi me ambientin ku këndohej. Kjo baladë e shartuar është kënduar pastaj në ambientet greko-shqiptar, ku shqiptarët kanë heshtur në mënyrë opoturne për shartimin, sepse për ta kishte rëndësi vetëm

kalaja dhe jo kush u gremis nga bedenat e saj, ndërsa grekët e kanë aprovuar si të përsosur.

Mund të ketë ndodhur dhe e kundërtë – mund të thotë dikusht. Patjetër që mund të ketë ndodhur dhe anasjelltas, që pjesë të variantit shqiptar të jenë  shartuar mbi variantin grek. Por kjo mund të ketë ndodhur në një tjetër variant të baladës së murimit, jo te balada ‘Një kala Prevezës i ndërtojmë” për shkak se trungu i baladës (në këtë variant) është shqiptare dhe degët janë greke. Dhe shartohen degët (filizat) te trungu dhe jo anasjelltas. Baladat greke të murimit mbartin problematikën e shoqërisë greke në kohën e krijimit, problematikë që ishte e ndryshme nga shoqëria shqiptare. Ato kanë bukurinë e tyre të padiskutueshme, finesën dhe melodiozitetin e veçantë, janë më “moderne” si në subjekt ashtu dhe në veshje. Janë vërtet të bukura t’i dëgjosh. Ndërsa baladat shqiptare na vijnë nga hershmëria, me pamjen e gjysheve tona, me shami të ulura, duke mbuluar rrudhat e ballit dhe me fustane të zeza gjer në fund të këmbëve. Por nëpër xhepa mbajnë gjithmon një karamele a një llokume për ne fëmijët, që mblidhemi rreth tyre ti dëgjojmë. Prandaj janë të dashura për ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok