21/12/2024
Sabile-Basha

Tregim nga Sabile Keçmezi-Basha

Rëndom ajo ishte e buzëqeshur dhe me plotë hirësi, por kohëve të fundit, disi vëreja një lodhje dhe një zbehje vjeshte të vonuar. E shikoja vjedhurazi në fytyrë, sytë e saj të zinj kishin humbur shkëlqimin e dikurshëm, pastaj edhe ajo grimë fytyre që i kishte mbetur, kishte filluar ti vyshkej dhe dal nga dal po merrte një pamje të trishtuar të gruas qejfprishur. Takoheshim shpesh aty, tek Kafet e Vogla dhe bënim biseda që ndoshta as njeriut më të afërt nuk do ia thoshim. Ishim mike, andaj edhe zbraznim mllefin qe na ishte grumbullonte me vite të tëra. Shpesh e akuzoja se ankohej pa arsye, dhe pas kësaj që i thosha, asaj në mllef, sytë i mbusheshin me lot, por kurrë nuk e shihja që të qante. Unë e admiroja për rezistencën edhe pse e dija se në kokën e saj tirreshin njëmijë e një probleme që i mendonte të pazgjidhura.

– Mbrëmë nuk kam fjetur fare,- më tha

– Pse, ishe gjë e sëmur ?- e pyeta

-Jo, jo ashtu kot thash, se gjatë tërë natës kam lexuar romanin e Alberto Bevilacquas. E di, se ai ka botuar tani një roman shumë interesant “E fshehta e grave”, dhe, çudi moj Martinë, pse romanet më të mira për gratë i shkruajnë burrat, e ne, thuajse nuk e njohim veten fare… –dhe heshti pa pritur… gjatë…

-Do ma huazosh, kur ta mbarosh romanin, -e pyeta, por ajo bëri, sikur nuk më dëgjoi. Nuk foli fare dhe as që reagoi me ndonjë gjest .

Aty pranë nesh kaluan një qift fort i lumtur, me një fëmijë që e mbanin pezull nga dy krahët. Ai çirrej sa mundke dhe donte me çdo kusht që të lirohej nga shtrëngimi i tyre. Besa e shikoi fëmijën, pastaj u kthye nga unë, dhe ofshau. Me duart e holla si të një pianisteje të talentuar, u shtrëngua fort për barku dhe lëshoi një zë fortë të dhembshëm.

Unë brofa nga vendi dhe iu afrova pran, tej mase e shqetësuar, duke e kapur për llëre. E shikoja drejt në sy dhe pritja reagimin e saj. Fytyra iu zbehë. Pastaj më shikoi përhumbeshim mua dhe për rreth. Nuk foli. Thua se, asgjë nuk kishte ndodhur dhe se e tërë ajo nuk kishte të bënte me të.

Qëndroja e shastisur dhe nuk dija si të reagoja. Ta pyetja se çfarë pati mu duktë e pa takt, të heshtja, përsëri më dukej pa kuptim, dhe vërtet s’dija kah t’ia mbaja. Njëherë sulmova veten pse kisha pranuar që të dilja me Besën për kafe, bash sot, kur edhe unë nuk isha në humor të mirë. Por çfarë ti bësh, kur me vite me të kishim ndarë të mirën e të keqën bashkërisht, e tani ajo më kishte ftuar që të pinim kafen e mëngjesit bashkë. Dukej se Besën diçka e shqetësonte andaj edhe duhej të isha pranë saj (mendova). Dëshira ishte e ndërsjellë. Kaherë nuk e kisha parë, dhe më kishte marr  fortë malli. Diçka ishte shumë më e madhe që më lidhte me këtë grua të brishtë, fisnike e të qëndrueshme. Jo…jo, nuk ishte vetëm miqësia e shumë viteve të mëhershme, apo fëmijëria, por ishin edhe vitet e më vonshme që kishin gërshetuar në vete miqësinë ton, dhe e kishin bërë të përjetshme për ne.

Pas përfundimit të luftës, në Vendin e Shqipeve, takoheshim shumë më shpesh me Besën. Lufta nuk na kishte përkëdhelur. Luftë më… Ajo kishte përjetuar shumë ngjarje të dhembshme. E ndjeja për obligim që ti ndodhesha pran edhe atëherë kur nuk mundja… Gjatë tërë viteve që e njihja e llogarisja si një krijesë engjëllore që e kishte dënuar jeta pa të drejtë.

Pastaj, në kafenenë ku kishim zënë vend, papritmas ndodhi një  befasia e këndshme, kur një shitës i luleve Besës i fali një trëndafil të bardhë. Ajo u kënaq duke qeshur

– Shenjë e mirë është kjo,- më tha duke qeshur, duke shtuar.

– E di, se sa kohë ka, që mua nuk më ka falë askush lule…- E tha ngadalë, gati se, më pëshpëritje. E shikova e nxënë ngushtë dhe pastaj piva edhe një gllënjkë kafe. Ajo, edhe më tej mbante trëndafilin e bardhë në dorë dhe e shtrëngonte sa mundte me të dyja duart. Më kapi frika se nga shtrëngimi i tepërt do i pëlcas gjaku nga gishtat.

-A e di se kur për herë të fundit kam marr dhuratë, lule?- dhe qeshi ëmbël.

Desha qe ta disponoja bile pak duke i thënë – E di Besë… e di… sigurisht për  ditën e gruas apo për ditën e mësuesit, dhe imitova qeshjen.

-Mos bën shaka , – më tha, duke i puqur  buzët e skuqura nga zjarrmia.

-Po shaka bëja, e çfarë të shkrepi ty- i thash, duke lozur rolin e një të hidhëruare pa pasur as më të voglin shkas. E parandieja se ku do te delte, por u bëja se nuk kuptoja fare. Kishte dhjet vite qe kishte përfunduar lufta, e asaj, mikes sime vetëm se dregëz i kishte vu plaga, por shërim për të, më ngjante se nuk kishte. Ajo ende rënkonte për burrin e humbur.

Kishte kalua një kohë sa vetëm hurbët e kafes, herë pas here thyenin monotonin rreth nesh. Tek tuk, njerëzit na përshëndesnin duke e lëvizur kokën, ose ndonjëri që kaherë nuk e kishim takuar, afrohej dhe na shtrinte dorën. Filxhani i kafes që në fillim lëshonte një aromë dehëse dhe avulli  si të dal nga buka nore, me kohë filloi të zhdavaritej, kafja u ftohë, dhe të vërtetën thënë, më dukej se më nuk kishte as shije.

Minutat kalonin, ndërsa fytyra e Besës merrte pamje gëlqereje, dhe dukej edhe më e zbehur. I propozova që të ngrihemi nga aty dhe të shëtisim. Nuk reagoi. Vetëm se nga karrigia, aty pran mori shallin e trash prej stofi ngjyrë portokalli dhe e hodhi krahëve, me një zë të çjerr tha:

-Si thua ti, Martinë, por kah… do shkojmë… Martinë… – më pyeti

-Ecim…ecim ashtu kot, bëjmë edhe shoping si në kohët e vjetra,- shtova.

-Kohët e vjetra…hëm… E ku janë kohët e vjetra…moj Martinë? , -heshti një copë herë e pastaj shtoi,

-Martinë, unë nuk e shohë as të renë, e ti më flet për kohët që nuk i kemi…

-Kohët e mira tek po vijnë, Besë, a nuk po i heton ti… – i thash.

E shihja se po e mundonte diçka, por hahej me veten për të shpërthyer dhe nuk e thoshte dot. Pritja të më fliste një fjalë, vetëm një fjalë dhe do të më mjaftonte që të hapja rrugë… Por çile gur gojën. Besa diçka ziente në kokën e saj prej gruaje të lodhur.

Pastaj, pasi kaluam në Sheshin e Dëshmorëve, më kapi për krahu, më shtrëngoi fort duke më kthyer edhe njëherë nga vetja.

-Martinë, jam keq… shumë keq… Martinë… çfarë të bëjë, kah të iku nga kjo katrahurë…?-

Zëri i Besës ishte rënkim, ishte dhembje, ishte thikë pas shpine… dhe mbeta e kallkanosur.

Për herë të parë mendova në diçka që më vrau shpirtin. Vrik u ndala dhe shikova Besën. Ajo ishte shpërfytyruar. Sytë iu kishin fikur. Rrathë të mavijosur i kishin pështjellë tërë fytyrën, trupi iu kishte dobësuar tej mase.  Fustani ngjyrë portokalli që më par i kisha lakmi kur e vishte, tani më dukej se ishte një fustan i një gruaje tepër të bëshme që e kishte huazuar për ta veshur. Djersë të ftohta më mbuluan ballin. Dhe, spontanisht kapa dorën e Besës.

-Më thuaj çfarë ke, -e pyeta pa ekuivoke.

-Më dhimbset Gjoni, -pëshpëriti, më tepër për vete se sa për mua. Gjoni u rrit pa baba, Martinë, e tani… –sytë iu mbushën me lot… heshti duke më shikuar drejt në sy…, dënesi gjatë… gjatë, e dëneset e saja më copëtonin shpirtin. Kërkoja shteg që ta ngushëlloja, por si vallë… Besa nuk ishte grua që ngushëllohej lehtë.

-Besë… -i thash, më dëgjo njëherë mua.- Gjoni nuk e njeh babin, andaj nuk ka pse e ndjen mungesën e tij, fola diçka sa për të thënë.

-Martinë, oh…moj Martinë, edhe unë nuk e kam njohur mamanë time, por edhe sot e pres se do ta takojë ndokund. Edhe sot, bile shumë shpesh më vije në ëndrra ashtu me flokë të gjata e të zeza-korb. Tamam ashtu siç ma përshkruante gjyshja. E edhe sot e kam mall, më beson.

-E di se ç’më tha një ditë Gjoni, -Mami, pse nuk vjen babi në shtëpi,- e çfarë ti thosha moj Martinë, u zura ngushtë dhe bëra se nuk e dëgjova dhe saora dola nga dhoma. Edhe unë mendoi bile shpesh kështu, mu si Gjoni i vogël. Vërtet, pse nuk vjen në shtëpi Liri… pse? Nuk mund të besoi se ai kurrë më, nuk do të kthehej, se na ka lënë përgjithnjë… Më pat premtuar moj, më patë thënë para të gjithëve… para altarit të martesës se do të jetonim bashkë deri në vdekje. E tani, ç’thua ti, pse nuk me mori edhe mua me vete! Ç’më hynë në pune, kjo jetë pa të… Jetë i thënçin. E dijë se atë e kanë kollofitur njerëzit-hije, por, ama, duhej të kthehej, Konstantin edhe prej varri u ngrit për ta quar në vend fjalën e dhënë. Edhe Liri, le të ngritët, le ta shkund atë dhe të mallkuar, le ti shëroi plagët, le të huazoj kalin e Konstantinit, se unë, Martinë, në vendin e njëjtë, ku më ka lënë atë ditë, po e pres Martinë. Po e pres… Ma rrëmbyen pa fije frike, natën… para meje e fyen.. e rrahën… E unë, ç’të bëja unë… Martinë… Ai qëndronte i pa trembur, lis. Nuk arrita t’i thosha një fjalë, të vetmen fjalë… që me vite e kisha endur në kokën time… E doja moj si diellin, si jetën, si tokën dhe pa të jeta humb kuptimin. Në ikje e sipër… më shikoi gjatë, derisa ia lidhën duar, derisa gjaku i shkonte curril faqeve. I lënduan trupin dhe i vranë shpirtin në të njëjtë kohë. Pastaj e gllabëruan dhe e përpinë ngadalë- ngadalë në natën- futë. E thirra Martinë… Sa munda e thirra, por krakëllina e korbave e grisi agimin, e unë… ngela e vetme tek pragu duke e pritur burrin…Edhe tani po e pres… Martinë… e Pres ende… E pres… E… dhe u kruspullos në stolën e parë që ishte buzë shëtitores duke e mbajtur barkun.

E shikova e trishtuar, dhe me vete thash, o zot, çfarë mund të ketë…

-Mbahu Besë, se ardhja e pranverës ka kosto të lart.

-Oh, të ishte vetëm kjo…Martinë… lehtë do ja bëja…por… i gjori Gjoni im…

-Më thuaj çfarë ke, se më luajte mendjen Besë…

-Jam… jam e sëmur…dhe mjeket thonë… ndoshta këto janë edhe ditë e fu… – nuk e mbaroi fjalën, por u zbehë edhe më tepër, duke më shikuar drejt në sy.

-Çfarë kanë konstatuar…- bërtita sa munda duke e shkundulluar me tërë trupin. E kapa për krahësh e shtrëngova fort dhe e luta që të flas, se përndryshe do të çmendesha, poçes vazhdon edhe më tej të jetë konfuze.

-Martinë, Gjoni po mbetet edhe pa mua… vetëm… fillikat vetëm… Gjoni im, për të cilin mendoja se e vlente të jetoja…

Fytyra iu zbehë, lotët i shkuan rrëke faqeve. Pastaj, pa iu bërë fare vonë, nga çanta nxori  një letër. Duke u dridhur e tëra, më zgjati atë, duke mu lutur që ta lexoja.

-Ç’është kjo, e pyeta

-Lexoje, – më tha,

Ngela e nemitur nga ajo që pash, “Dg: Carcinoma mamae metastatica” nëpër mes dënesave thirra sa munda:

-O zot, pse…pse…pse…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok