27/12/2024

Ka më shumë pendë të zeza apo të bardha?

0
Shyqyri-Fejzo1

Nga Shyqyri Fejzo

Vite më parë (në mos një shekull më parë) rrëfenja thotë se në fshatin Selekur ndodhi një ngjarje që la gjurmë në vite. Para se të tregojmë thelbin e ngjarjes, do të flasim se në atë fshat veç qindara banorëve të tjerë, jetonte dhe një nga burrat me emrin  Sherrxhiu i Selekurit. Këtë emër fshatarët ja ngjitën më vonë, se kulaçi i thyer mbi djepin e tij i pati vënë emër tjetër. Gradualisht emri i fëmijërisë u venit dhe dolli në skenë për të emri Sherrxhiu. Se, ç’është e vërteta, ku shkonte ai, do të pëlciste sherri se nuk bën.  Ishin  përpjekur një pjesë njerëz të përballeshin me të, por Sherrxhiun nga ajo anë “nuk e kapte as lima as sharra.” Do gjendej një arsye për ta nisur. Pastaj Sherxhiu aty e kishte urën e zjarrit dhe me “armën” e tij  do bënte hatanë  në gjindjen për rreth. Ehu! Nuk ishin gjë bëmat e “tersit të Pojanit” pranë atij. Nuk mbeti dasëm, gosti, vaki, që ndodhnin në fshat pa një sherr. Njerzia, gradualisht po e përcaktonin prej nga vinte  kjo e keqe e Selekurit. Shumica e tyre gishtin e drejtoi tek Sherrxhiu. Por edhe kjo gjendje nuk duhet të vazhdonte gjatë. Njerëzia kur shkonin në gosti, dasma, fejesa apo muhabete kur vinin miq nga zona të tjera, pyesnin njëri tjetrin:- Si e kaluat mbrëmë? –Shumë mirë.- I përgjigjej tjetri. Dhe pyetjet vazhdonin:-Ai miku ishte atje?; – Po, po. Ishte aty.-Tjetri “tundëte tagjinë” dhe vazhdonte:”E marr me mend. Bukur e paskeni kaluar.”

Kupa e durimit me sa dukej, po mbushej.  Ksisoj, njerzia, sidomos burrat, një ditë u mblodhën nën hijen e një are të moçme dhe filluan diskutimet. Sherrtari nuk ishte aty për momentin. Si duket nuk e kishte ndjerë se aty nën hijen e arrës po flitej për të. Kështu që në atë takim nuk erdhi dot të shtinte “majanë e sherrit”, të cilën sikur e futëte me gjuhë. Burrat e mençur të fshatit e shtinë në të “madhen”  nuk mbushej ena, e shtinë në të “voglën” ena nuk e merrte. Ksisoj, pas diskutimesh të gjata, vendosën që të bëjnë një kafaz hekuri tek kovaçi i fshatit, kafaz sa të merrte një njeri brenda. Blenë dhe një goxha kyç dhe në çdo rast dasme, gostije,  apo lloj tjetër ziafeti në këtë kafaz do mbyllnin aty Sherrtarin dhe ta kalonin bukuri pa sherr e shamata.

Kafazi I hekurt u bë sipas porosisë së fshatit nga kovaçi. Një ditë vjeshte, kur kërcasin dasmat e gostitë, njerëzia po përgatiteshin të shkojnë në dasëm te një nga burrat më të mençëm të fshatit te Nadiri, të cilit I dëgjohej fjala dhe respektohej nga të gjithë, jo vetëm në fshat, por edhe më tej. Nadiri martonte nipin. Ksisoj, njerëzia po përgatiteshin e mendonin të shkonin me duar plot dhurata se miku Nadiri nuk kishte lënë gëzim pa shkuar tek të gjithë e dhuruar me zemër, duke i bërë borxhlinj ata. Duke pritur ditën e gëzimit të tjetrit, sejcili po sajonte të çonte ndonjë dash, sheleg, baklava, apo gatesa të tjera, duke u nderuar në këtë dasëm. Burrat që patën vendosur të bëjnë kafazin për të mbyllur në të “Sherrtarin” atë ditën e dasmës patën punë. Fillimisht e kapin “Sherrtarin” e heqin mënjanë dhe i komunikuan vendimin e tyre. Ata prisnin që i burgosuri i fshatit pa vendim gjykate, të protestonte e tu bënte ndonjë rreng përfaqësuesve që po i komunikonin vendimin, po për çudi ai e priti qetë gjendjen e re që po i krijonin. Nga guzhina e shtëpisë së dasmës në këtë rast, në kafaz i çuan bukë, gjellë, meze si ato që do shtroheshin në sofrat e fshatit, raki e mish një tepsi. Kur i pa ai që do të burgosej tundi kokën dhe duket se mbeti I kënaqur. U fut në kafaz u ul në një stol druri dhe po shikonte jo pa interes gatesat që avullonin  mbushur një tepsi, në kafaz. Një nga fshatarët i vuri kyçin shtëpisë së re të “Sherrtarit”dhe çelësin e lidhur me një spango të gjatë e vari në qafë. Çakërr qejf, pastaj u nis tek konaku ku muhabeti kishte arritur kulmin. Izoti i shtëpisë, Nadiri, vazhdonte dollinë e parë. Ai, në anën e vet kishte gjetur pritës të dollisë xhaxhaë dhe nga ana e miqve, lajmësin i cili kishte rol të veçantë në këtë dasëm. Ishte dollia e parë, ku flet një dhe dëgjojnë të gjithë. Ndërsa për këngët, kjo dolli është e gjakut të deles, ku kënga shkon butë-butë, dhe njerëzia duan pak të lutur t’ja marrin asaj të uruar kënge.

Kur po afronte fundi i dollisë, u fut në dhomë dhe mbajtësii çelësit të kafazit ku ishte mbyllur Sherrtari. Ai u sheshua në vendin që i liruan duke psheretirë  sikur u çlirua nga një peshë e rëndë që kishte mbajtur mbi shpinë. Nadiri i tregoi atij sa shëndete kishin pirë të tjerët, dhe e nxiti t’ja fillonte pijes që të bëhej barabar me shokët. Herë pas here valonte kënga e dollisë së parë.

Pas disa këngëve, fillon dollia e dytë,  të cilën e ngriti kryemiku. Në këtë dolli zakonish flasin gjysma e konakut dhe me vështirësi dëgjon gjysma tjetër. Këngët në këtë dolli duket sikur kanë frymëzim dhe dasmorët nuk presin tu lutet njeri. Në këtë dolli valon gjaku i kaposhit. Po edhe fjalët dalin lirshëm pa ndroje dhe e qeshura gurgulluese del deri jashtë konakut. Njëri nga fshatarët, si uron me gotën plot me raki, thotë:” Shikoni sa mirë po na shkon dasma! Po ta kishim këtu atë “frymë tersin” do na e kishte kurdisur ndonjë rreng, se nuk i rri goja atij.”  Kjo fjalë shtoi mendimet e tjera.”Ore.Vërtet, nuk e dimë si e kalon e si rri atje “derëmbylluri” u shpreh një nga dasmorët.  Ore! Vërtet.Ti Shero e kyçe i fundit pasi i çove dhe ushqimin e rakinë. Si tu duk?” e merr fjalën një dasmor tjetër. Fjala solli fjalën për të dhe njëri nga dasmorët tha: “po të doni a të shkoj unë e të shikoj çfarë bën.” Të gjithë ishin dakord. “Shko, shko” i u drejtua njeri nga dasmorët dhe na thuaj si të priti dhe çfarë bënte.” Pasi ktheu me fund nja dy gota raki Zarifi që u ngarkua të shkojë tek Sherrtari, u përshëndet me dasmorët dhe u nis në rrugë e pa rrugë, drejt kafazit.

Se çfarë bisedoi Zarifi me Sherrtarin, si e priti “i burgosuri pa vendim gjykate,” nuk po tregojmë. Se ç’është e vërteta dhe në kafaz të dy hëngrën e pinë raki dhe vetëm kënga u mbeti pa bërë. Më në fund Zarifi duke ju marrë pak këmbët, u dha në odën ku valonte muhabeti. Gjithë sy e veshë dasmorët  tani ishin kthyer nga Zarifi të mrrnin vesh sa më parë ç’bënte Sherrtari.

-Bukuri ishte. Hante e piente, uroi dhe nipin e Nadirit “me trashëgime”. Mu lut tu them vetëm një fjalë.” Zarifi ndali pak fjalën, u koll, mori frymë thellë e po shikonte nga tavani. “Hë de! Zbraze të shkretën” ju turr një nga dasmorët. Zarifi mori një gotë e ktheu rakinë në të dhe i ulur në gjunjë tek vendi i tij , i u drejtua dasmorëve; -Pyeti-mu lut. Laraska ka më shumë pendë të bardha apo pendë të zeza. Më ktheni përgjigje kur të vijë ndonjë tjetër të më takojë.”Për një moment në konak ra qetësi. Pastaj e merr fjalën daja i dhëndrrit. “Ah! Çfarë kërkon! Ajo dihet se laraska ka më shumë pendë të zeza. Ajo është mbese e sorrës”. “Ti ja fut kot. Laraska ka më shumë pendë të bardha. Diçka ka të bëjë ajo me pëllumbat.” Pa filluan dhe miqtë të japin mendime. “Të zeza. Jo ka më shumë të bardha. “Të bardha” ja priti tjetri.” Ti nuk di gjë. Ka më shumë pendë të zeza. Unë km qënë gjahtar dhe në atë kohë ne dorëzonim këmbë sorre, laraske etj deri sa bënim 100 pikë dhe merrnim lejen e gjuetisë.” O,o,o! Ç’na the dhe ti! Ka më shumë pendë të bardha.” Të bardha, të  zeza, njëri e hidhte e tjetri e priste. “Ore! Sikur ta lëmë barabar pendët e zeza me ato të bardha” propozoi një nga ana e miqve. Por nuk u gjet kohë të hidhej në votim propozimi i mikut. Dalipi, që e shikonte si mizën në dhallë Sherrtarin mori kacinë në vatër dhe ja vërviti Zarifit.”Hë nasën sitim, ndaj të çuam ne tek i burgosuri ty .të na sjellësh habere të tilla? Më shumë pendë të bardha ka dhe pikë.” Por Zarifi nuk mbahej. Lëshoi disa grushta Dalipit, të cilat ranë më shumë në dasmorët e tjerë që po mundoheshin ti ndanin se sa në trupin e Zarifit. Nadirit që i plasi sherri në mes të hairit, nuk po e mbante vendi. U ngrit të vendoste qetësinë, por ishte e pamundur. Atëhere kruajti ja dy tre herë kokën dhe tha: “Shkoni ore nxireni nga burgu Sherrtarin. Ai do na tregojë se çfarë lloj pendë ka më shumë laraska.  Se, duke e mbajtur në burgun tonë, ndonjë ditë do na kërkojë sa qime ka në lëkurën e ujkut apo  sa rrënjë misri ka ara e Sheros. Sherrtarit tonë gjithnjë i shkon mirë gomari në urë. Dhe sot, në sebepin tim nuk do bënte ndryshe.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok