21/12/2024

Ka ikur koha e blerjes së qytetarëve me para të shtetit!

0
Florim-Zeqa1

Nga Florim Zeqa

Sikurse vendimi i Qeverisë Kurti 2 për zbatimin e reciprocitetit për targat që ishte i vonuar dhe jo në kohën e duhur (fushatë zgjedhore), edhe shpërndarja e parave nga arka e shtetit në prag të balotazhit jo vetëm që nuk është e qëlluar, është veprim i shëmtuar politik!

Shpërndarja e parave në kohë fushate, strategji e gabuar

Sikurse që doli të jetë i vërtetë parashikimi im se çdo tendencë e Lëvizjes Vetëvendosje për abuzim të situatës së krijuar në veri për qëllime elektorale, jo vetëm që nuk do ta ndihmojë, do ta vëjë për tokë këtë subjekt politik, edhe shpërndarja e parave në kohë fushate do ta dëmtojë akoma më shumë LVV-në dhe Albin Kurtin si kryeministër i vendit.

Arsyeja pse Albin Kurti do të dështoj keq me aksionin “humanitar” nga arka e shtetit qëndron në faktin se qytetarët janë vetëdijësuar dhe nuk do të blihen me para sikurse në kohën e Hashim Thaçit.

Pasi aksionet në veri i dolën të dështuara Albin Kurtit në grumbullimin e votave në raundin e parë të zgjedhjeve, e harroi veriun, iu kthye premtimeve dhe ngritjes së ndihmave sociale pas ngritjes artificiale të çmimveve të artikujve ushqimor.

Pasi nuk i dhezën maskaradat mashtruese në veri të vendit për zgjedhjet e 17 tetorit, tani Albin Kurti e ka filluar një strategji të re me lëmoshë për kategoritë e rrezikuara me qëllim të nxjerrjes së një rezultati sa më pozitiv në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit për të shpëtuar fytyrën nga dështimi total i zgjedhjeve lokale!

Babadimri me strajcë n’krah

Pasi Lëvizja Vetëvendosje mbeti e vetmja parti parlamentare e cila nuk arriti ta fitojë asnjë komunë (pa balotazh) e ka filluar fushatën e re të mashtrimit dhe joshjes së qytetarëve me nga 100 euro nga arka e shtetit!

Kësisoji, duke e parë dështimin katastrofal në balotazhin e 14 nëntorit, kryeministri Albin Kurti e ka filluar një fushatë të hapur me shpërndarjen e parave nga arka e shtetit për të gjitha kategoritë e rrezikuara, filluar nga pensionistët, familjet në asistencë sociale, bujqit dhe fermerët për blerjen e votave për LVV-në!

Për dallim prej Hashim Thaçit i cili me paratë e shtetit i mashtronte shtresat më të larta dhe intelegjencën, administratën dhe shërbyesit publik (të uniformuar dhe pa uniformuar), Albin Kurti kësaj radhe nuk do të arrijë t’i mashtroj as shtresat më të varfëra me asistencë sociale!

Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja për Albin Kurtin që do të transformohet kaq shpejt dhe keq në një personalitet të dyfisht, e aq më pak të bëhet kopje e Hashim Thaçit në fushatë zgjedhore.

Për vetëm 8 muaj qeverisje në pushtetin qendor, Albin Kurti përveq mosmbajtjes së premtimeve elektorale, i shkeli të gjitha parimet e veta të proklamuara, duke i pranuar të gjitha ato që i kishte kundërshtuar si lider opozitar, vargu i të cilave është i gjatë dhe i pambarim!

Askush nuk e ka pritur që Albin Kurti si kryeministër do të dali me “strajcë n’krah si babadimër” për shpërndarjen e dhuratave një muaj e gjysmë para vitit të Ri.

Me hapjen e “kuletës së shtetit” për votat e LVV-së, kryeministri Kurti përveq lëndimit të imazhit personal, do ta dëmtojë akoma më shumë subjektin e tij në balotazhin e 14 nëntorit!

Edhe pse Kushtetuta ia lejon, Albin Kurti në asnjë rrethanë nuk është dashtë të bie në nivelin e kryeministrave paraprakë dhe as të involvohet në fushatë të zgjedhjeve komunale, por është dashtë ta ruaj imazhin e një kryeministri të përgjegjshëm në shërbim të gjithë qytetarëve, e jo të atij partiak siq po vrapon nga njëra komunë në tjetrën për grumbullimin e votave për LVV-në!

Përderisa në të kaluarën qytetarët mashtroheshin me nga një mbushje telefoni, me 10 litra karburante apo me 100 kg miell, sot nuk mashtrohen as me nga 100 apo 200 euro!

Ofertat para balotazhit nuk do t’i kryejnë punë Albin Kurtit. Sigurisht se qytetarët paratë do t’i marrin, por voten nuk nuk do ta shesin, për shkak se ka ikur koha e mashtrimeve dhe e blerjes së votës me para. Ka ardhur koha e vetëdijësimit dhe e ndëshkimit të mashtruesve politik në kutitë e votimit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok