Jusuf Gërvalla: Dhimbja për kthimin e pamundur në shtëpi
Nga Blerim Latifi
Poezia “Do të kthehem nënë” e Jusuf Gërvallës ka të njëjtën fuqi të shprehjes emocionale me poezinë e famshme “Letër Nënës” të Jesninit. Vrasja e Jusuf Gërvallës nuk ishte vetëm vrasja e një aktivisti shqiptar që përpiqej për lirinë e popullit të tij, por edhe një poeti, që kishte të gjithë potencialin për t’u zhvilluar në një poet të përmasave europiane. Jesnini nuk u kthye kurrë në fshatin e tij të lindjes për t’u çmallur me nënën e tij, sepse bëri vetëvrasje në klimën depresive, në të cilën e kishte zhytur Rusinë diktatura totalitare komuniste, e nuk u kthye as Jusufi për t’u çmallur me nënën, në Dubovikun e tij, aty rrëzë Bjeshkëve të Namuna, sepse UDB-ja e Jugosllavisë komuniste e përndiqte këmba këmbës, derisa ia mori jetën. Poezia “Do të kthehem nënë” e paralajmëron fundin tragjik të poetit dhe përfundon me shpresën se e keqja nuk do të mundet të na çrrënjos nga atdheu. Kjo poezi më përkujton thelbin filozofik i cili qëndron brenda fjalës së vjetër greke “nostalgji”. Nostos algos do të thotë dhimbje për kthimin e pamundur në shtëpi.
Poezia
Do të kthehem nanë
Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat
N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.
Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babës tënd
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim
Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë.