JUGOSLLAVIA PËRBALLË LËVIZJEVE ILEGALE SHQIPTARE NË KOSOVË, 1945-1981
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë tokësore të atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ky qëllim programor, i Lëvizjes Kombëtare mbeti i pandryshuar në thelb, sepse buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme e tyre për të qenë të barabartë me popujt tjerë.
Menjëherë pas Kuvendit të Prizrenit, 1945, në ilegalitet të thellë filluan të vepronin organizatat e shumta patriotike ilegale shqiptare, si: Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare[1], Besa Kombëtare[2] dhe disa të tjera pak më të vogla. Veprimtaria patriotike ilegale në Kosovë, nuk ishte diçka e re, ajo ishte vazhdimësi e lëvizjeve të mëhershme patriotike, të cilat ishin përpjekur që taktikën dhe strategjinë e vet, si dhe platformën ideo-politike t’ua përshtatin rrethanave e momentit aktual, lëvizjeve politike dhe ngjarjeve në vend e në botë, në mënyrë që të kishin sukses, dhe, jehonë më të madhe në realizimin e qëllimeve të tyre.
Lëvizja patriotike shqiptare ilegale në Kosovë kishte një shtrirje të madhe në kohë dhe në hapësirë, që përfshinte vitet 1945-1998, me aktivitete dhe me problematikë të larmishme, me momente kulmore dhe herë-herë shpërthyese, që dilte nga suazat e ilegalitetit, si në vitet 1968, 1981, 1989 dhe në fund më 1997-1999, kur iu vu ballë për ballë regjimit të Beogradit.
Në një dokument “Top sekret”, të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe të Sekretariatit Republikan të Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër 4000/1, tetor 1986, bëhej analiza e shkaqeve dhe e burimeve të ripërtëritjes së organizimit ilegal të shqiptarëve në ish-Jugosllavi[3]. Duke iu referuar dokumentit, shihet qartë se aktiviteti ilegal i shqiptarëve kishte filluar t’i nxiste organet e punëve të mbrendshme të bënin analiza që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, domethënë që nga viti 1945, kur Kosovën me tradhti e kishte aneksuar Serbia. Në bazë të dokumentit, konstatojmë se populli shqiptarë edhe si individ por edhe si kolektivitet përcilleshin, përgjoheshin dhe anashkaloheshin me qëllime të caktuara.
Sipas një Rekapitulimi të UDB-es më 1947, në Kosovë nga viti 1945- 1947, vepëronin rreth 55 grupe të armatosura të udhëhequra nga një elitë patriotësh, që përfshinte një numër prej 60 vetash[4]. Ata, ishin persona me autoritet dhe gëzonin rrespektin e masave të gjëra. Këto 55 grupe, rrethë vetes grumbullonin më tepër se 1.375 veta të armatosur[5]. Mirëpo efektivin e luftëtarëve më të pa kompromisë kundër pushtetit jugosllav e përbënin 375 veta[6]. Po gjatë kësaj periudhe, sipas një dokumenti të botuar, që na i sjell hulumtuesi i palodhur, Prof.dr. Qerim Lita, organet e ndjekjes arrestuan 356 veta. Të gjithë të arrestuarve iu shqiptuan 1. 227 vjet burg dhe 38 veta u dënuan me pushkatim[7]. Edhe pse u zbuluan dhe u dënuan shumë anëtarë të organizatave, megjithatë, shumica e anëtarëve mbeti e pa zbuluar dhe në vitet në vazhdim zhvilluan aktivitet të dendur ilegal në organizata të ndryshme, të cilat ishin vazhdimësi e “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, por me emra të tjerë.
Pastaj, llogaritej se, vetëm në periudhën 1947-1960, nga ana e organeve të ndjekjes të Jugosllavisë, në Kosovë janë zbuluar 69 grupe e organizata ilegale me mbi 600 anëtar. Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 420 veta ndërsa janë dënuar 250 anëtarë[8]. Me zbulimin e këtyre organizatave dhe me arrestimin e disa nga anëtarët e tyre, nuk do të thotë se edhe aktiviteti i tyre patriotike do të shuhej. Përkundrazi, dita më ditë veprimtaria patriotike masivizohej dhe në rrjetin e saj hynte inteligjenca e mirëfilltë shqiptare[9]. Aktiviteti i këtyre organizatave kishte vazhduar deri më 1968, kur edhe e tërë puna e tyre kurorëzohet me sukses, me daljen e studentëve në demonstratat. Mu këtu edhe lind kërkesa popullore “Kosova-Republikë” dhe kërkesa për vetëvendosje[10].
Veprimtarinë patriotike të këtyre grupeve në këtë periudhë, posaçërisht gjatë viteve 1979-1980, e karakterizojnë përpjekjet e tyre për ndërlidhjen aksionale dhe lidhshmërinë organizative, masivizimin, ngritjen dhe aftësimin ideopolitik të anëtarëve nëpërmjet leximit të literaturës patriotike, kryesisht të marra nga shteti amë-Shqipëria[11]. Gjatë kësaj periudhe aktiviteti më i dendur që u zhvillua në organizatat ilegale ishte realizimi i shkrimit dhe shpërndarja e flet-thirrjeve për të punuar për çështjen dhe lirimin e Kosovës nga robëria.
Sipas të dhënave të organeve të SPB-së të Kosovës, në periudhën 1974-1981, kundër 140 personave është ngritur aktakuza penale, prej tyre janë dënuar 89 persona në kohëzgjatje prej 1-15 vjet burgim të rëndë, 40 veta janë dënuar me kundërvajtje, 453 personave i është tërhequr vërejtja për veprimtari ilegale, kurse për 51 veta është ndërprerë aktakuza për shkak të rrethanave të ndryshme[12]. Por e verteta është ndryshe, se sipas hulumtimeve që kam bërë në arkivat e gjykatave të qarqeve në Kosovë të dhënat janë kokëforta dhe dëshmojn një të vërtet tjetër.
Patjetër duhet theksuar se, në popullsinë e gjithmbarshme të ish-Jugosllavisë shqiptarët merrnin pjesë me afro 12%, kurse në numrin e përgjithshëm të të dënuarve politikë me mbi 90%[13]. Pra, vetëm në burgje shqiptaret ishin shumicë. Nga viti 1945-1990 u dënuan me burgim të rëndë mbi 9.220 (7.684+1536) persona, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim, apo shndërruar në shekuj shqiptarët gjatë regjimit të egër jugosllav u dënuan me 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg[14]. Sipas analizës së të dhënave, mesatarja e dënimeve me burgim që u ishin shqiptuar shqiptarëve për “vepra penale politike”, ishte 7 vjet e 1 muaj[15]. Nëse kjo mesatare e dënimeve shumëzohet për 3.348 veta, që ishin të dënuar brenda viteve 1981- 1990, del se vetëm në këtë periudhë shqiptarëve u ishin shqiptuar rreth 23.770, vjet e 8 muaj burgim. Nëse këtij numri po ashtu ia shtojmë edhe rreth 1.232 vjet burgimi që u ishin shqiptuar rreth 10.000 shqiptarëve në procedurë kundërvajtëse, del se gjatë kësaj periudhe për vepra penale politike dhe për kundërvajtje politike ishin shqiptuar gjithsej 25.002, vjet e 8 muaj burgim[16]. Në këtë periudhë gjithashtu u dënuan 1.346 ushtarë shqiptarë, ndërsa 63 u vranë në kazerma ushtarake[17]. Vetëm gjatë vitit 1981, (sipas të dhënave arkivore), kuptohet pas 11 marsit, në mbarë Kosovën gjykatat e qarkut në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë, në Prizren dhe në Mitrovicë do të organizojnë mbi 36 procese gjyqësore politike në të cilat do të dënohen mbi 297 veta, me 1, 6 deri në 15 vjet burgim të rëndë[18]. Nga policia prej marsit 1981 deri në tetor 1989 u trajtuan 584.373 shqiptarë[19]. Ndaj tyre u përdor dhuna prej kërcënimeve deri në rrahje të shkallës së humbjes së vetëdijes, apo deri në mbytje të personit e rastet e tilla nuk ishin të rralla. Ndërsa nga viti 1945-1990 u dënuan me pushkatim 202 veta, ndërsa u likuiduan mbi 752 veta[20].
Do theksuar se edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët veprimi. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin dogmat, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë, më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione[21] si:
- Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;
2.Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe
- Republika e Kosovës[22].
Që të tri këto opsione të shtruara nga veprimtarët e ilegales të Lëvizjes Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore, kishin edhe bartësit e vet ideor. Opsionin e parë për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH[23], Besa Kombëtare[24], Partia Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Etnike me Shqipërinë” (1958)[25]; “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” (1959); “Komiteti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“ (1960) ,, Grupi Revolucionar”[26], “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (1963). OMLK e dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Që të gjitha këto organizata ishin vazhdimësi e lëvizjeve ilegale për çlirim kombëtar qysh nga Lidhja e Prizrenit (1878) e këndej[27].
Opsionin e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së[28].
Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968[29]. Por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981[30] e 1989. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve në mes të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë[31].
Mirëpo, pas ndryshimeve të shumta politike që pasuan në mes viteve 89-99 të shekullit të kaluar, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vepronin në ilegalitet, por edhe ata që vepronin në parti të ndryshme politike legale që u formuan gjatë kësaj periudhe, duke e par dhe hetuar ndikimin e faktorit të brendshëm dhe të atij ndërkombëtarë, në qëndrimet e veta filluan të bënin korrigjime në qasje dhe në organizim.
Programet politike e kombëtare dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e saja, në esencë, kishin mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së lëvizjes kombëtare. Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programeve, por edhe e praktikës historike të lëvizjes kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e mëparshëm të lëvizjes ilegale, nuk mund ta bënin këtë, në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar dhe në rrethanat e luftës së ftohtë. Megjithatë, lufta çlirimtare përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të egra të dhunës që ushtronte pushtuesi.
Ky besim dhe ky angazhim i pa kursyer i ilegales dhe besimi i madh në popullin e vet, ndikoi që të formohej edhe UÇK-ja, ngase çdo organizatë shqiptare ilegale në ish Jugosllavi, në programet e tyre, përveç zgjidhjes paqësore të çështjes shqiptare, ato parashihnin edhe zgjidhjen me luftë. Andaj, dalja në skenë e UÇK-së nuk ishte e rastësishme dhe se ishte krahu më i natyrshëm i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë që nga viti 1945[32]. Lufta e Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së, dhe ndihma e madhe nga faktori ndërkombëtar që sollën lirin që ne sot e gëzojmë, dëshmon dhe provon se ishte vepra më madhore e të gjithë atdhetarëve që u angazhuan për Pavarësinë e saj duke mos kursyer as jetën e tyre.
[1]Arkivi i Kosovës, Dosja: LNDSH, Procesi gjyqësor i Halim Spahisë, Gj.nr. 17/45
[2]Organizata patriotike “Besa Kombëtare” u formua me 28 nëntor 1944, ne fshatin Abria e Epërme të komunës së Skenderajt, ne ndërtesën e Shkollës fillore te këtij fshati. Profesor Ymer Berisha, me shumë patriot dhe me shumë nxënës të Shkollës Normale-Gjimnazit “Sami Frashëri” kishin ardhur nga Prishtina, për të organizuar dhe mbajtur: Kuvendin e parë të organizatës “Besa Kombëtare”
[3]Arkivi i KQ të LKJ-së, Beograd. fondi. Kosova, (Komiteti Krahinor i LKK). Dokument (top sekret), Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, nr. 4000/1.
[4] Sinan Hasani, Kosova, të vërtetat e mashtrimet, Prishtinë 1986, 139
[5] Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani, Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë 1995, 323
[7] Qerim Lita, Referat për Komitetet Nacional Demokratike Shqiptare, Prishtinë, 2009, 20-22
[8] Stane Dolanc, Vejnović Z., Snage, sredstva i metodi spoljnog ugrožavanja SFRJ, Borba, Beograd 1985.
[9] Sabile Keçmezi-Basha, Pavarësia e Shqipërisë, si pike referimi për ilegalen shqiptare në Kosovë 1945-2990 (Zëri, 22-25 shkurt, 2008)
[10] Sabile Keçmezi-Basha, rrugë e vështirë deri te Demonstratat e vitit 1968, (Lajm, 6 tetor-3 nlntor 2008)
[11] Ethem Çeku, Shekulli i ilegales, Proceset gjyqësore kundër ilegales në Kosovë (Dokumente), Prishtinë, 2004, 41
[12] Петар Р. Ристановић, Sрпска интелектуална елита и косовско питање 1974-1989, Beograd, 2018,150-152
[13] Pajazit Nushi, Fenomenologjia e dhunës ushtarake-policore në Kosovë në vitet 1981-1992, (Çështja e Kosovës- Një problem historik dhe aktual), Prishtinë 1996, 285; Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion, Broshur, Tiranë, 1986, 134
[14]Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1945-1989, Prishtinë, 2009, 60
[15] Dokument i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme (Shërbimi I Sigurimit Shtetëror), (tepër rezervë). Analiza mbi shkaqet dhe burimet e ripërtëritjes së irredentes, me theks të posaçëm në çështjet e diferencimit politik, evitimit të indoktrinimit dhe pozicionet e mundshme irredentiste në lëmin e arsimit, kulturës dhe në disa veprimtari të tjera, nr. 4000/1. (Materiali I cituar thuhej se kishte vetëm 3ekzemplar), Prishtinë, tetor 1986
[16] Po aty
[17] Ismet Salihu, Ndjekjet penale politike masive të pushtetit serb ndaj pjesëtarëve të popullit shqiptar me elemente të gjenocidit në funksion të rrënimit dhe të mohimit të subjektivitetit politik dhe kulturor të Kosovës ( Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këndej), Prishtinë 1995, 218
[18] Sabile Keçmezi-Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, (Sipas aktgjykimeve të gjykatave ish-jugosllave), Prishtinë, 2003, 73
[19]Deklaratë e Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme në Kuvendin e Kosovës, 1989
[20] Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1945-1989, Prishtinë, 2009, 449
[21] Sabile Keçmezi-Basha, Pavarësia e Kosovës dhe veprimtarët ilegal të Lëvizjes Kombëtare, Epoka e Re, 23 korrik 2009
[22] Ethem Çeku, Kosova, Në sfondin e diplomacisë Jugosllave dhe të Shqipërisë 1945-1981, Prishtinë, 2009, 303.
[23] Procesi gjyqësor Prizrenit, dos. Gj.nr. 17/45; Programi Politik i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Arkivi i Kosovës, dos. Formimi i ONDSH, 1946
[24] Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, 1945-1998, Epoka e Re, 28-29 korrik, 2017
[25] Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare, 1964, Gjykata e Qarkut, Prishtinë, Lëndë penale politike (Arkivi i Kosovës).
[26] Programi Politik “Në rrugë drejtë lirisë” 1977-1978, Arkivi personal – Mehmet Hajrizi.; Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008, f. 119
[27] Sabile Keçmezi-Basha, Evoluimi i kërkesave të ilegales shqiptare për bashkim kombëtare, 1945-1999, Konferencë Ndërkombëtare , Qendra e Studimeve Albanologjike. 26-28 nëntor, 2012. Tiranë.
[28] Arkivi i Kosovës, dos. Gjykata e Qarkut-Prishtinë, PP.nr. 152/82; PP.nr.198/82; PP. Nr.66/82
[29] Arkivi i Kosovës, Dos. Programi Politik i Demonstratave 1968, Prishtinë 1968.
[30]Arkivi i Kosovës, Procesi gjyqësor i grupit të parë të studentëve, që morën pjesë në Demonstratat e vitit 1981, d. PP.nr. 58.81, Gjykata e Qarkut, Prishtinë
[31] Protestat gjithë popullore, Kosovë 1989.
[32] James Pettifer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001), Tiranë,167