17/11/2024

JOSIP RELA DHE SHIME DESHPALI – DY ARBËNESH/ARBANAS TË SHQUAR

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Josip Rela është shkrimtar shqiptar. Shkollën e mësuesisë e kreu në Zarë. Ka punuar si mësues në disa qytete të Kroacisë; drejtor i Teatrit Popullor në Zarë; njohës i mirë i jetës, i historisë dhe i gjuhës arkaike të arbëneshve/arbanasve të Zarës.

Fillimet e dramës shqiptare në Jugosllavi gjenden, jo brenda Kosovës, por në bregdetin e largët dalmat. Ashtu si poeti dhe tregimtari i hershëm Shime Deshpali (1897-1981), edhe Josip Vlladoviq Rela (1895-1966) lindi dhe u rrit në fshatin Arbënesh/Arbanasi (Borgo Erizzo), më pas rrethinë e Zarës (Zadar). Fshati u themelua në vitin 1726 nga shqiptarët e ardhur prej Brisku dhe Shestani në perëndim të liqenit të Shkodrës.

Rela në vendlindje kreu arsimin fillor dhe Shkollën normale. Në fillim punoi si mësues në ishullin Rab. Më vonë u bë drejtor teatri dhe drejtor shkolle në Zarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore u angazhua për themelimin e shkollave shqipe në Vuthaj, Triesh, Priftën dhe Arzë (Malësi e Madhe).

Ishte poet, prozator dhe dramaturg i shquar. Shkroi poezi, tregime dhe komedi e drama. Është autor i 16 dramave në gjuhën shqipe. Më e njohura prej tyre është “Nita” (1954). Kjo dramë është e pëlqyer nga shumë lexues dhe është luajtur shpesh nga grupe teatrore në Kosovë.

Rela konsiderohet themelues i dramaturgjisë shqiptare në ish-Jugosllavi. “Nita” e Josip Relës është e para dramë e shkruar dhe e botuar në shqip në Jugosllavi.

Në vitin 1952, në revistën “Jeta e re” u botua drama e tij e parë “Martesa”. Kryevepra e tij, drama “Nita”, u botua në vitin 1954. Pas kësaj u ribotua disa herë në Prishtinë dhe në Tiranë. Në vitin 2014 u botua në Zarë në dy gjuhë – në shqip/arbërisht dhe në kroatisht. U vendos në skena teatrore nga grupe amatore dhe profesioniste.

*   *   *

Josip Rela ka botuar në shumë revista letrare shqipe të Kosovës. Veprat e përmbledhura të tij u botuan me titullin: “Vepra I, Dramat”, 1968 dhe “Vepra II, Poezi, prozë dhe shkrime të tjera”, 1968. Krijimet e Relës përbëjnë orvatjet e para serioze të dramës në gjuhën shqipe në Jugosllavi.

Krijimet letrare: “Kungulli” (1953), “Nita” (1954), “Lundërza e Jozhës” (1962), “Zani i fëmiut” (1963),  “Vjersha” (1964), “Dila” (1965), “Dy drama” (1965), “Fisi i mallkuem” (1966), “Tallaset e dybejës” (1966), “Sot tetë ditë” (1968).

*   *   *

“Nita” – Është tragjedi në katër akte e cila evokon fatin tragjik të një vajze nga Brisku, e cila është zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Nitën e rrëmben një ushtar turk, por e shpëton Zefi, i cili e vret ushtarin. Për të shpëtuar nga hakmarrja e turqve, i gjithë fshati shtrëngohet të marrë arratinë. Vetëm Zefi, pasi u ka dhënë fjalën se do t’i ndjekë, mbetet në fshat, kurse Nita ia jep fjalën se do ta presë. Kalojnë tre vjet. Ajo i kishte humbur shpresat se do të takohej me Zefin. Për t’i shpëtuar trysnisë që po i bëhej për t’u martuar me dikë tjetër në vendin e ri ku kishin vajtur dhe për ta mbajtur fjalën e dhënë, sipas kanunit, Nita bëhet virgjineshë. Gjendja bëhet dramatike kur pas kohe mbërrin dhe del në skenë Zefi.

E dëshpëruar, Nita e shkel betimin, diçka kjo që nuk mund të merrej me mend në shoqërinë tradicionale shqiptare. Ndonëse Zefi në fund arrin t’i bindë pleqtë e fshatit se Nita kishte bërë një betim tjetër më parë për ta pritur dhe se kanuni nuk duhet zbatuar në mërgim.

Nita nuk gjen rrugë tjetër pos të vrasë veten.

ShënimVirgjinat – Vajza të cilat sipas një zakoni të lashtë, për arsye të forta (p.sh. për ta marrë gjakun e vëllait a të atit, kur familja nuk kishte meshkuj të tjerë) zotoheshin botërisht se nuk do të martoheshin. Viheshin tërësisht apo pjesërisht si burrat, merrnin një emër mashkulli, rrinin ndër burra, pinin duhan, nuk bënin punë shtëpi, por ruanin bagëtinë, shpeshherë mbanin edhe armë. Në epikën popullore përmenden raste kur virgjinat kanë luftuar me trimëri të rrallë. Autorë të ndryshëm kanë përshkruar raste të kësaj dukurie të lashtë edhe në shekullin XX në Mat, Mirditë, Kurbin, Lumë, Malësi të Madhe, në Kosovë etj. Kohët e fundit me studimin e kësaj dukurie janë marrë edhe antropologu holandez Rene Gremo (René Grémaux, 1952- ) si dhe studiuesja e Mbretërisë së Bashkuar Antonia Jung (Antonia Young, 1936-2012), autore e studimit          :

– “Sistemet fisnore të Shqipërisë së Veriut: Një studim historik i formimit dhe i konfliktit të identitetit etnik në luginën e lumit Shala”, (2005);

“Northern Albanian Tribal Systems: An Historical Study of Ethnic Identity Formation and Conflict in the Shala River Valley”, (2005);

– “Virgjëreshat e Betuara Shqiptare (Veshje, Trup, Kulturë)”;

“Albanian Sworn Virgins (Dress, Body, Culture)”.

*   *   *

POETI DHE TREGIMTARI SHIME DESHPALI

Shime Deshpali (Arbpënesh/Arbanas, Zarë, 16 shkurt 1897 – Zarë, 16 janar 1981) lindi dhe u rrit në fshatin Arbënesh/Arbanasi (Borgo Erizzo), më pas rrethinë e Zarës (Zadar). Është bashkëkombës dhe bashkëqytetar i dramaturgut Josip Rela.

Shime Deshpali është muzikant dhe shkrimtar. Lindi më 16 shkurt 1897 në Arbënesh/Arbanas afër Zarës. Vdiq më 16 janar 1981. Në vitet 1912-1915 u shkollua në Preparandën e Zarës ku mori edhe formimin muzikor. Te F. Lederer mësoi pianon dhe  harmoninë, te F. Spade mësoi violinën, te J. Chládeka për dirigjent dhe instrumentim ndërsa te K. Mohr – kontrapunktin. Gjatë Luftës I Botërore (1915-1918) e ndërpreu shkollimin për shkak të vajtjes në luftë. Pas kthimit në Zarë vazhdoi të mësonte privatisht te F. Ledereri. Në vitet  1921-1943, në ishujt Hvar, Rab, Pag dhe Bllatë të Korçullës veproi si organizator i jetës muzikore, dirigjent, kompozitor dhe pedagog. Në vitin 1943 u bë drejtues artistik i grupit kulturor artistik të rrethit të Dubrovnikut. Në vitet 1944-1945 – dirigjent i orkestrës së Teatrit të Qarkut në Dubrovnik. Në vitin 1945 kthehet në Zarë dhe emërohet drejtues i Teatrit Popullor. Në vitet 1946-1973 iu përkushtua punës pedagogjike. Në Shkollën e muzikës të Zarës ligjëroi teorinë e muzikës. Në vitet 1946-1947, në gjimnazin klasik të Zarës ligjëroi edukimin muzikor. Në vitin 1947, në Shkollën e mësuesisë ligjëron teorinë e muzikës. Në vitin 1946 ka qenë dirigjent i Korit muzikor qendror të të rinjve, pastaj dirigjent i korit të përzier të Fakultetit Filozofik. Prej vitit 1951, dirigjent i korit të përzier të Shoqërisë kulturore arsimore “Arbanasi” me të cilin realizoi paraqitje të çmueshme. Kompozoi vepra për orkestrën me hark etj.

Gjashtë këngë korale iu botuan në përmbledhjen “Këngë shqiptare”, Prishtinë 1973. Shprehjen kompozicionale e zhvilloi duke u mbështetur në folklor. Shkroi poezi dhe tregime në të folmen e arbëneshve/arbanasve të Zarës.

Veprat“Tregime arbnore”, Prishtinë 1966 dhe përmbledhjet poetike “Agimet dhe parabramjet e Arbneshit, Prishtinë 1969; “E vërteta”, Prishtinë 1972, me temë nga jeta e arbëreshëve të Zarës.

Dashuria për gjuhën dhe zakonet arbëreshe, lartësimi i virtyteve morale të arbëreshëve kanë qenë tema kryesore të shkrimeve të Shime Deshpalit. Shkrimet e tij shquhen nga nota romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e shprehjes.

Hartoi këngë dhe libretin e muzikën e operës me temë patriotike “Vana”, të cilën e la të papërfunduar.

*    *   *

Shime Deshpali ka pasur tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Që të tre kanë qenë muzikantë, kompozitorë, dirigjentë.

– Pal/Pavle Shime Deshpali (Bllato/Blato, ishulli Korçullë/ Korçula, Kroaci, 18 qershor 1934 – Zagreb, 16 dhjetor 2021) ka qenë dirigjent, kompozitor, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, djalë i Shime Deshpalit;

– Valter Shime Deshpali (Arbënesh/Arbanas, Zarë; 5 nëntor 1947 – Zagreb, 9 prill 2023) ka qenë violonçelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb; një prej muzikantëve më të shquar kroat të shekullit XX, me prejardhje arbënesh, djalë i Shime Deshpalit;

– Maja (Maria) Shime Deshpali-Begoviq (Bllato/Blato të Korçullës/Korçula*, 6 maj 1942- ) ka qenë violiniste dhe pedagoge, e bija e Shime Deshpalit;

Shënim: Korçulla është ishull kroat në Adriatik; supozohet se aty ka lindur hulumtuesi dhe udhëpërshkruesi venedikas Marko Polo (1254-1324); Në vitet 1271-1295 udhëtoi nëpër shumë vende të botës.

*   *   *

Takimi me Shime Deshpalin – Studentët shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit tuboheshin në Klubin “Përpjekja”, me seli në Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri. Në vitin 1979 Klubi i sipërthënë vendosi të mbajë një koncert me këngë dhe valle popullore shqiptare në Zarë. Koncerti do të mbahej për arbëneshët/arbanasit e Zarës, por edhe për qytetarët në përgjithësi. Mbajtja e koncertit u miratua nga organet kompetente të pushtetit vendor të Zarës. Hyrja ishte falas. Për shkak të interesimit të madh, koncerti duhej të mbahej, jo në Pallatin e kulturës por në sallën e sporteve që merrte rreth dhjetë mijë shikues. Klubi e kishte edhe revistën e vet me të njëjtin emërtim – “Përpjekja”. Aty botonin studentët, por edhe disa krijues letrarë të Kosovës, themelues të dikurshëm të “Përpjekjes”.

Organizuesit e koncertit më ngarkuan të takohem me Shime Deshpalin për ta ftuar në koncert. Njëherazi, në cilësinë e kryeredaktorit të revistës, të bëja një intervistë me muzikantin dhe shkrimtarin. Arbëneshi/arbanasi Bruno Duka ma dha numrin e telefonit dhe ma tregoi adresën e shtëpisë. Të gjithë arbëneshët/arbanasit, i madh e i vogël, me të cilët jemi takuar,  flisnin shqip rrjedhshëm.

Shime Deshpali më priti me bujari. Pos shërbyeses, s’kishte kush tjetër në shtëpi. U përshëndetëm dhe i këmbyem fjalët e para të njoftimit të ndërsjellë. Ndërkohë, në një hapësirë të sallonit të madh më ra në sy monumenti i Gjergj Kastriotit mbi kalë. Ishte me përmasa mbi një metër i gjatë dhe po aq i lartë. S’kisha parë monument mbi kalë përmasash të tilla.

Pa humbur kohë, i thashë:  “Maestro! Kemi ardhur për tri arsye”:

– t’Ju vizitojmë, t’Ju takojmë dhe t’Ju përshëndesim;

– t’Jua dorëzojmë ftesën e studentëve të “Përpjekjes” që të merrni pjesë në koncertin që do të mbahet sonte në orën 19 e 30 minuta në sallën e sporteve të qytetit; si dhe

– të realizojmë një intervistë për jetën Tuaj si muzikant dhe si shkrimtar, për familjen Tuaj, si një familje kompozitorësh si dhe për historinë dhe të tashmen e arbëneshve/arbanasve.

Ia bëra me dije se intervista do të botohej në revistën “Përpjekja” të Klubit.

Ndërkohë hyri shërbyesja me një shishe konjaku “Skënderbe” dhe me tri gota të vendosura mbi një tabaka.

Ia bëra me dije se para se të vinim tek ai, studentët, rreth dyzet sish, bënë homazh dhe vendosën lule mbi varrin e Josip Relës.

Deshpali u falënderua për vizitën. Për shkak të moshës nuk mund të vinte në koncert. Më pyeti në bëhet fjalë për koncert muzike klasike. I tregova se evenimenti muzikor ka të bëjë me këngë dhe valle popullore shqiptare. Etnografia, veshjet popullore shqiptare dhe koreografia e reflektojnë realitetin popullor kombëtar.

Me të dëgjuar për përmbajtjen e koncertit, u mallëngjye. Kishte dëshirë të madhe të shihte, të dëgjonte dhe të shijonte një koncert të gjallë me këngë, valle dhe veshje popullore shqiptare.

Para se të fillonte intervista, përgjegjësi për çështje të pajisjeve teknike, Fran Prelvukaj i përgatiti mjetet teknike të incizimit të zërit.

Në fillim poeti foli për jetën e vet dhe të familjes së vet. E ngriti lartë personalitetin e Josip Relës. Tregoi se ishte takuar disa herë me akademikun Idriz Ajet (Tupallë, Medvegjë, Kosovë lindore, 26 qershor 1917 – Prishtinë, 13 shkurt 2019).

Pjesa kryesore e intervistës kishte të bënte me të kaluarën dhe të tashmen e arbëneshve/arbanasve të Zarës.

Revistën “Përpjekja” me intervistën e botuar ia dërguam Deshpalit pas një muaji, në rrugën postare.

*   *   *

Shumë arbëneshë/arbanas që ende jetojnë në atë pjesë të Zarës, sot e kësaj dite flasin shqip. Shumë rrugë dhe institucione mbajnë emra personalitetesh të historisë dhe të kulturës shqiptare. Për shembull Rr. “Bregdeti”, Rr. “Fra Gjergj Fishta” etj. Në një pjesë të Zarës ndodhet edhe busti i Shime Deshpalit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok