23/12/2024

Jo retorikë për armatosjen e Serbisë, por njohjen e genocidit të saj në Kosovë!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Më 15 dhe 16 prill 2022 u zhvilluan aktivitete në Prishtinë, Mitrovicë, Xërxë dhe Kukës për të përkujtuar 23 vjetorin e Eksodit biblik të shqiptarëve në vitin 1999. Shoqata “Eksod 99” e drejtuar nga zoti Mustafë Kryeziu ishte organizatore dhe udhëheqëse e këtyre veprimtarive. Ajo organizoi në Prishtinë konferencën me temën e eksodit, në të cilën morën pjesë ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeministri Abdullah Hoti. Por nuk u pa në atë konferencë asnjë shtetar aktual i institucioneve të Kosovës! Me këtë rast dua t’u përkujtoj autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë se pas Luftës së Dytë Botërore bota ka vendosur ligje e rregulla me të cilat dënohen autorët e genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Me 9 dhjetor të vitit 1948 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 260 të saj, me të cilën shpalli Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve kundër Njerëzimit. Kjo konventë hyri në fuqi më 12 janar të citit 1951. Për këtë rezolutë shërbeu si nxitje një tjetër rezolutë e mëparshme e 21 nëntorit 1947, në të cilën përcaktohej se “Krimet kundër njerëzimit janë krime ndërkombëtare, ndaj dhe ato kërkojnë përgjegjesinë e njerëzve dhe shteteve”

Sipas nenit 2 të Konventës së 9 dhjetorit 1948 janë të dënueshme krimet që asgjësojnë dhe shkatërrojnë pjesërisht ose tërësisht jetën e pasurinë e njerëzve për arsye nacionale, etnike, të racës ose religjionit. Dhe në këto krime bëjnë pjesë vrasja e anëtarëve të një grupi të lartpërmendur, dëmtimi dhe plagosja fizike e shpirtërore e anëtarëve të grupeve të mësipërme, masat imponuese për kufizimin e lindjeve, masat detyruese kundër fëmijëve, shkatërrimi I pronës etj. Këto vepra janë parashikuar të dënohen edhe nga kodi penal i vendeve, të cilat kanë nënshkruar Konventën e OKB-së.

Tani le të kthehemi te Kosova. Duke i ballafaquar krimet e Serbisë në Kosovë me Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve kundër Njerëzimit, rezulton se të gjitha veprat çnjerëzore që ushtria, policia, paramilitarët, pra shteti serb dhe strukturat e tij kanë kryer në Kosovë gjatë më shumë se një shekulli, por veçmas gjatë viteve 1989-1999, janë të tilla. Këtu bëjnë pjesë helmimet e fëmijëve dhe nxënësve shqiptarë, të dokumentuara nga ekspertët e OKB-së. Bëjnë pjesë vrasjet në ushtri dhe vrasjet e tjera, si dhe burgosjet e qindra mijë shqiptarëve. Duhen konsideruar gjithashtu largimi nga puna i 114 mijë shqiptarëve me një ligj të posaçëm në vitin 1990, mbyllja e universitetit dhe shkollave shqipe, mbyllja e botimeve dhe Shtëpisë Botuese “Rilindja”, mbyllja e televizionit, heqja e autonomisë në kundërshtim me kushtetutën jugosllave, mbyllja e Akademisë së Shkencave, përndjekja e shqiptarëve etj.

Ndërkaq dosja e krimeve kundër njerzëimit tejmbushet me vrasjet dhe masakrat serbe kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999. Të 13,200 shqiptarët e masakruar kanë emër e mbiemër. Po ashtu të zhdukurit, 1630 prej të cilëve ende sot nuk janë gjetur! Ndër të masakruarit duhen veçuar fëmijët, pleqtë dhe njerëzit e paarmatosur në 99 përqind të rasteve. Krim kundër njerëzimit është shpërngulja me dhunë e njerëzve për shkak të etnisë, rracës ose besimit. Një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan të shpërngulen në dy muaj nga vendlindja e tyre si rezultat i dhunës së Milosheviçit. Po ashtu u shkatërruan banesat, qendrat e biznesit, objektet e kulturës dhe të kultit të shqiptarëve. Dhe u përdhunuan mijëra gra e vajza!

Të gjitha këto krime dënohën nga Konventa e OKB-së e 9 dhjetorit 1948. Ato do të duhej të ishin dënuar me kohë. Konventa përcakton se për krime të tilla mbajnë përgjegjësi individët që i kryejnë si edhe shtetet. Shteti i Serbisë, qeveria e saj, shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe, Komanda Qendrore e Policisë së Beogradit dhe ajo e Prishtinës kanë hartuar plane e programe konkrete për realizimin e krimeve kundër njerëzimit për asgjësimin fizik të shqiptarëve. Kjo është lëhtësisht e provueshme. Prandaj në krimet në Kosovë është përgjegjës para së gjithash shteti i Serbisë dhe jo vetëm individët që kanë zbatuar programet, projektet, planet dhe urdhërat për shfarosjen e tyre.

Por ndërsa shoqatat e luftës në Kosovë bëjnë organizime përkujtimore të tilla, politika tenton ta shmangë diskutimin dhe denoncimin e krimeve kundër njerëzimit të Serbisë në Kosovë. Në konferencën e organizuar për ditën e Eksodit dhe evokimin e këtij krimi të Serbisë kundër shqiptarëve nuk erdhën përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Nuk ishte i pranishëm as ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë. As edhe përfaqësues të tjerë të Trupit Diplomatik.

Presidentja, kryeministrat, disa ministra, ambasadorët kishin ftesa të pjesmarrjes. Por mesa duket kishte një marrëveshje në heshtje për të bërë të paditurin. Nuk e kam fjalën te nderi që ata duhej t’i bënin shoqatës. Mospjesmarrjen unë e lexoj si refuzim të evokimit dhe pohimit me zë të lartë të genocidit serb në Kosovë. Ndërsa sa i përket ambasadorit shqiptar në Kosovë, unë e di se ai nuk mund të marrë pjesë në përkujtimin e ngjarjeve të tilla pa lejen e ministres së Punëve të Jashtme. Ndërkaq Tirana zyrtare e Edi Ramës është kategorikisht kundër përcaktimit të përgjegjësisë së shtetit të Serbisë sa i përket genociidit dhe krimeve kundër njerëzimit që ai ka bërë ndaj shqiptarëve. Madje zoti Rama vazhdimisht e shpreh publikisht refuzimin e tij për t’i përmendur Beogradit këto krime!

Në këto kushte do të ishte e udhës që opozita shhqiptare në Shqipëri të riorganizohet sa më parë dhe të ushtrojë presion në parlament e në shoqëri me qëllim që të inicohet miratimi i Rezolutës me të cilën të njihet genocidi serb në Kosovë si dhe përgjegjësia direkte e shtetit të Serbisë për këtë genocid. Eshtë diçka tjetër ta njohësh genocidin serb. Me rëndësi është të njihet edhe përgjegjësia e shtetit të Serbisë. Ndryshe nuk do të ndëshkohet e keqja. Madje ajo mund të përsëritet!

Diskutimet për armatosjen e Serbisë dhe reagimet e Beogradit për armatosjen e Kosovës janë retorikë që marrin përgjigje nga njohja e genociidit serb kundër shqiptarëve nga ana e të dy parlamenteve, atij të Tiranës dhe të Prishtinës!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok