23/12/2024

ITAKA E ZEMRËS SË NIKO KACALIDHËS

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Gjatë leximit të krijimtarisë poetike të Niko Kacalidhës të bie në sy fakti se ai u referohet shpesh miteve homerike, veçanërisht Odiseut dhe Itakës, për disa arsye të thella artistike dhe filozofike që përfshijnë vlerën universale të miteve, lidhjen e tij personale me ato dhe përdorimin e tyre si mjete për të shprehur tema bashkëkohore e të përjetshme. Mitet homerike përmbajnë tema universale që janë relevante për çdo kohë dhe kulture, psh temat si udhëtimi, kërkimi për identitet, kthimi në shtëpi dhe përballja me sfidat janë të përjetshme dhe i flasin çdo njeriu, sigurisht veç temave të luftës e dashurisë. Kështu figura si Odiseu dhe Itaka janë të ngarkuara me një simbolizëm të fuqishëm, ku Odiseu përfaqë-son udhëtarin, njeriun që përballet me sfida dhe kërkon kuptimin e jetës, ndërsa Itaka simbolizon destinacionin e dëshiruar, shtëpinë, dhe paqen e brendshme.

Veç aspektit të përgjithshëm filozofik kemi treguar se Kacalidha është rritur me tregimet homerike të cilat ja recitonte gjyshja dhe babai i tij, duke ndikuar thellë në formimin e tij shpirtëror dhe artistik, duke krijuar lidhje të fortë e personale me mitet. Heronjtë homerikë ishin “miqtë” e tij të parë në fëmini (“Eja të flesh në vatrën tonë,mbështetur në / një trung ulliri. Pa eja dhe harroje Odiseun”,” Ti e di mirë se jam nga raca e Odiseut” shkruan poeti në “Lutje Poseidonit” f 309). të cilët nuk e braktisën asnjëherë atë. Sigurisht që përdorimi i miteve homerike lidhet edhe me kontekstin kulturor dhe historik të jetës së Kacalidhës. Në një periudhë të trazuar nga ndryshimet politike dhe shoqërore, rikthimi te këto mite mund të ketë shërbyer si një mënyrë për të eksploruar dhe shprehur çështje komplekse të identitetit dhe kulturës.

Duhët të pranojmë se rikthimi i tij te mitet dhe përdorimi i tyre  prej tij bëhet në mënyrën më moderniste, duke i risjellë dhe ri-interpretuar ato për të shprehur tema bashkëkohore. Kjo i lejon atij të eksplorojë çështje si izolimi, kërkimi për kuptim dhe përballja me sfidat moderne, duke përdorur një gjuhë dhe strukturë që janë të njohura për lexuesit. Në krijimtarinë e tij, Kacalidha përdor mitet për të pasqyruar gjendjen njerëzore dhe përjetimet e përbashkëta.

I-E parë në këtë këndvështrim , fraza “Itaka e zemrës” është një metaforë që përmban kuptim të thellë dhe simbolik, duke vendosur Itakën – destinacionin përfundimtar të udhëtimit të gjatë të Odiseut brenda zemrës së njeriut, në vend që ta trajtojë atë thjesht si një vend fizik. Kjo metaforë në vetvete shpreh disa ide dhe ndjenja të rëndësishme që shfaqin:

  1. Destinacionin emocional dhe hhpirtëror, pasi Itaka nuk trajtohet në poezi si një ishull në detin Jon, por si një destinacion emocional dhe shpirtëror. Itaka është vendi ku individi gjen paqe, dashuri, dhe përmbushje dhe jo vendi ku do mbrijë përfundimisht individi. Metafora sugjeron se vendi i vërtetë i kthimit është brenda zemrës së njeriut, ku ai ndjen ngrohtësi dhe siguri. Kështu duhet lexuar vargu:”Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake,”, ngrohtësia dhe paqja që ofron Itaka ndihen thellësisht në zemër.

2.Itaka përfaqëson qëllimet, ëndrrat dhe dëshirat më të thella të individit, është vendi ku realizohen këto synime dhe ku individi ndjen përmbushje të plotë. Metafora thekson se këto synime dhe dëshira janë të rrënjosura thellë në zemrën e njeriut, dhe kjo duket te vargjet:”Thuaju të të shtrëngojnë shumë me ballamar, rreth direkut detarëve, vështro në sy sirenat,” që simbolizojnë sfidat që duhet të përballohen për të arritur këto synime të brendshme.

  1. Metafora sugjeron se udhëtimi për të arritur Itakën është një udhëtim i brendshëm, emocional dhe shpirtëror. Përballimi i sfidave të jashtme është një reflektim i sfidave të brendshme që individi duhet të kapërcejë për të arritur paqen dhe përmbushjen e tij të brendshme gjë që duket hapur te vargjet:“Mposhte panikun. Stivat e eshtrave atje mbi lëndinë prej shtegtarësh janë,”të cilat flasin për përballimin e frikës dhe sfidave të brendshme për të arritur vendin e dëshiruar të paqes.
  2. Duhet të kuptojmë se fraza“ Itaka në zemër” është gjithashtu një metaforë për përjetësinë e kujtimeve dhe dëshirave të individit. Është një vend që nuk mund të shkatërrohet ose të humbasë, sepse ekziston në një nivel emocional dhe shpirtëror, thellësisht të rrënjosur brenda zemrës së njeriut. Vargjet:Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë bie erë Itake” tregon se ngrohtësia dhe paqja që ofron Itaka ndihen në zemër dhe janë të përjetëshme se: edhe kur udhëtimi i tij fizik është në përfundim, lidhja emocionale dhe shpirtërore me Itakën mbetet e fortë dhe e pandryshuar.
  3. Metafora gjithashtu thekson se arritja e Itakës kërkon sakrifica të mëdha për përballimin e vështirësive dhe vuajtjeve që ato shkaktojnë, që shprehet te vargjet:“ Deti është i jargavantë dhe ti ecë përtej detit”. Eh ky det i jargavantë sa dhimbje të sjell në shpirt, por ja që duhet kaluar.

E parë në këtë kontekst mendojmë se vendosja te  titulli “Itaka në zemër”  të frazës “zemër” është bërë me synim që lexuesi të orientohet për te zemra për të gjetur Itakën dhe jo te hartat gjeografike të ishujve jonianë. Ajo shërben si drejtues për vëmëndjen gjatë leximit, si orientues.

II-“Itaka e zemrës” e Kacalidhës mund të interpretohet si një poezi që përshkru-an Itakën jo vetëm si një vend të paqes dhe realizimit të ëndrrave, por edhe si një plagë e thellë dhe e dhimbshme në zemër. Vërtet Itaka është një dhimbje dhe mua më vetëtiu në mendje thënia e Dostojevskit: “Më jepni një dhimbje t’ju jap një kryevepër”. Po ta lexosh me vëmëndje këtë poezi ndjen se dhimbja pikon në çdo zanore të saj, dhimbje që buron shpirti i poetit për pengesat dhe sfidat që Odiseu (dhe njeriu) përballon për të arritur në Itakën e tij. Në vargun “Mposhte panikun. Stivat e eshtrave atje mbi lëndinë prej shtegtarësh janë,” Kacalidha thekson humbjet dhe sakrificat në këtë udhëtim, pasi Itaka nuk është një destinacion i lehtë për t’u arritur; ajo është një vend që arrihet vetëm pas shumë vuajtjeve dhe sfidave. Këtu, lëndina e mbushur me eshtra simbolizon të gjitha sfidat dhe pengesat që duhet të përballohen për të arritur te Itaka, duke treguar se kjo është një rrugë e mbushur me vuajtje dhe dhimbje.

Simbolika e Skilës dhe Haribdës gjithashtu thekson këtë aspekt të dhimbjes dhe vuajtjes. Vargjet :

“Nuk e dëgjon që leh me dymbëdhjetë gjymtyrë,

tetë qafa të frikshme dhe tetë koka të tmerrshme.

E me dhëmbë të llahtarshëm, nxjerr kokën prej

shpellash të peshkojë peshkaqenë dhe njerëz”.

paraqesin rreziqet e tmerrshme që duhet të përba-llohen. Skila dhe Haribda janë metafora për rreziqet dhe vështirësitë që njeriu duhet të kapërcejë, duke treguar se udhëtimi drejt Itakës është plot me dhimbje dhe sfida.

Në vargun “Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake,” ka një ndjenjë nostalgjie dhe dëshire plot dhimbje për kthimin në shtëpi. Kjo dëshirë është aq e fuqishme dhe e thellë sa bëhet plagë në zemër. Odiseu ndjen dhimbje për shkak të largësisë nga shtëpia dhe familja e tij, dhimbje që është pjesë e përhershme e udhëtimit të tij.

Poezia përmban një ndjenjë të fuqishme të sfidës dhe triumfit mbi vështirësitë, por edhe një ndjenjë të dhimbjes dhe sakrificës. Vargu “Mposhte panikun Odise se edhe pa dyllë veshëve do t’i kalojmë ngushticat” tregon se edhe pse sfidat janë të mëdha, ka një besim të patundur në aftësinë për të përballuar dhe kapërcyer çdo pengesë. Kjo dhimbje dhe sfidë është e lidhur ngushtë me Itakën, duke treguar se arritja e këtij vendi shpirtëror kërkon përballimin e shumë vuajtjeve dhe dhimbjeve.

Pra te poezia, “Itaka e zemrës”  Kacalidha e përshkruan Itakën si një plagë që dhemb në zemër, dukuri që nuk është vënë në dukje nga kritika jonë, dhimbje që është rezultat i sfidave dhe pengesave që duhet të përballohen për të arritur këtë vend të dëshiruar.

III-Kacalidha te poezia”Itaka e zemrës” përdor referenca mitologjike për të sjellë një pasqyrim të udhëtimit shpirtëror dhe sfidave të heroit. Përmes një stili modernist të mbushur me simbolizëm, ai krijon një paralelizëm midis udhëtimit të Odisesë dhe përpjekjeve të njeriut për të gjetur paqen shpirtërore në jetën e tij. Në qoftë se do kërkojmë veçoritë artistike të kësaj poezie, do të hënonim:

  1. Poezia përmend personazhe dhe ngjarje të njohura ngamitologjia, si Çirçja, sirenat, Skila dhe Haribda. Këto figura përbëjnë sfidat dhe rreziqet që duhet të përballojë Odisea në kthimin e tij në Itakë, të cilat simbolizojnë pengesat dhe tundimet që njeriu has në jetën e tij.Kjo duket te vargjet:

“Mos i beso Circes, Odise, le të thotë për sirena

magjepse. Mposhte panikun. Stivat e eshtrave

atje mbi lëndinë prej shtegtarësh janë.”

  1. Kacalidha përdorsimbolizminpër të shprehur idenë e udhëtimit të jetës dhe të sfidave të tij. Sirenat përfaqësojnë tundimet dhe iluzionet, ndërsa Skila dhe Haribda janë metafora për rreziqet dhe vështirësitë që duhen përballuar. Itaka, në fund, simbolizon qëllimin përfundimtar ose vendin e paqes, ku realizohen ëndrrat e tij, gjë që shfaqet te vargjet:

“Thuaju të të shtrëngojnë shumë me ballamar,

rreth direkut detarëve, vështro në sy sirenat.

Deti është i jargavantë dhe ti ec përtej detit.”

  1. Poezia ka një ndjenjë të fuqishmesfidedhe triumfi mbi vështirësitë,pse pavarësisht rreziqeve dhe vështirësive të paraqitura nga Skila dhe Haribda, ajo mbart një optimizëm që gjithë këto pengesa tejkalohen, kjo shprehur te vargjet:

“Mposhte panikun Odise se edhe pa dyllë veshëve

do t’i kalojmë ngushticat.”

  1. Kjo poezi është e mbushur me polisemantizëm dhe qasje kompleksemoderni-ste ndaj ndjenjavedhe përjetimeve njerëzore, pse poeti, veç figurave mitologji-ke, përdor një gjuhë të figurshme dhe imagjinare për të krijuar lidhje midis përvojave mitologjike dhe atyre njerëzore. Kjo është e dukëshsme te vargu: “Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake.”
  2. – Poezia “Itaka e zemrës” është e ndërtuar me vargje të lira, që i japin një ndjenjë rrjedhshmërie dhe natyrshmërie. Struktura e saj reflekton paqartësinë dhe kompleksitetin e udhëtimit shpirtëror të individit, gjë që shfaqet te vargjet:

“Thuaju të të shtrëngojnë shumë me ballamar,

rreth direkut detarëve, vështro në sy sirenat.

Deti është i jargavantë dhe ti ec përtej detit.”

Kështu, Niko Kacalidha, duke përdorur referenca mitologjike, simbolizëm të fuqishëm dhe qasje moderniste, trajton tema universale të udhëtimit në jetë dhe sfidave të saj, duke krijuar lidhje midis përvojave mitologjike dhe njerëzore. Ai përdor një strukturë të lirë dhe gjuhë të figurshme për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet e individit në kërkimin e tij për paqe.

IV-“Itaka” është një motiv i fuqishëm e simbolik në letërsi, që ka interpretime të ndryshme nga poetë në epoka të ndryshme. Le të shohim kuptimin e Itakës disa shkrimtarë e poetë duke mbritur te Kacalidha.

  1. Itaka e Homerit, trajtuar te poema epike “Odisea”, është shtëpia e Odisesë dhe simbolizon vendin e tij të përhershëm dhe qëllimin përfundimtar të udhëtimit të tij të gjatë dhe të vështirë, por Itaka për Homerin është më shumë se një vend fizik;është përfaqësimi i stabilitetit, paqes, dhe përhershmërisë. Sipas Homerit, Odisea duke u kthyer në Itakë arrin kthimi në normalitet, në jetën e zakonshme pas një periudhe të gjatë lufte dhe vështirësitë.
  2. Poetë të tjerë botërorë psh. Kavafi e përdor Itakën si një metaforë për qëllimet dhe aspiratat jetësore. Ai thekson rëndësinë e udhëtimit dhe mësimeve të marra gjatë rrugës, më shumë sesa arritjen e destinacionit përfundimtar. Kjo është e dukëshme kurshkruan: “Mbaje gjithmonë Itakën në mendjen tënde. / Arritja atje është ajo për të cilën je i destinuar. / Por mos e nxito udhëtimin fare.”

Seamus Heaney e trajton Itakën si simbol të kujtimeve të humbura dhe kohës së ikur, kur përmes imazheve, ai sjell ndjenjën e përjetimeve të humbura të vendit që nuk mund të rikthehet, shprehur me vargjet:”Sapo mblodhëm dru të shpërndarë, elshë, ferra, / Dhe ndezëm zjarrin tonë aty dhe atëherë“, ndërkohë që Derek Ëalcott (poezia “Plangprishësi”) e përdor Itakën si një simbol të vetë-reflektimit dhe të kthimit në veten e tij, ku trajton ndjenjën e mërgimit dhe gjetjes së paqes shpirtërore përmes kthimit në vendin e tij: “Ku mëson përsëri se je mërgimtari / i vetvetes.”

  1. Përkundër këtyre, në poezinë “Itaka e zemrës,” Niko Kacalidha trajton Itakën si një simbol të udhëtimit dhe të sfidave shpirtërore. Itaka për Kacalidha është një vend “në zemër”,”në shpirt” që përfaqëson paqen shpirtërore, realizimin e saj pas përballjes me tundimet dhe rreziqet. Ai përdor figura mitologjike që simbolizo-në sfidat, për të krijuar një atmosferë dramatike dhe të fuqishme shprehur me vargje po aq të fuqishme artistikisht:“Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake.”Kacalidha përqendrohet në triumfin mbi frikën dhe vështirësitë, dhe në kthimin në gjendje  paqeje dhe stabilitetit të brendshëm shpirtëror shprehur përmes vargjeve : “Mposhte panikun Odise se edhe pa dyllë veshëve do t’i kalojmë ngushticat.”

Pra, ndërsa Itaka për Homerin është një destinacion fizik dhe simbol i paqes dhe qëndrueshmërisë; për poetët e tjerë botërorë, ajo merr kuptime të ndryshme si udhëtimi i jetës, kujtimet e humbura dhe vetë-reflektimi; ndërsa për Niko Kacalidhën, Itaka është vetë simboli i udhëtimit shpirtëror, realizimi i aspiratave të tij shpirtërore pas përballjes me sfidat dhe tundimet e jetës.

V-Niko Kacalidha jo vetëm që ka marrë simbolin e Itakës nga Homeri, por e ka transformuar dhe pasuruar atë me një interpretim modernist, përdor simbolin e Itakës për të eksploruar tema universale dhe të ndërlikuara si udhëtimi shpirtë-ror , përballja me tundimet dhe sfidat e brendshme. Ky interpretim modernist e bën poezinë e tij të veçantë dhe unike në krahasim me trajtimet e mëparshme të Itakës.Le ta shohim krahasimisht me mitologjinë homerike.

1.Te Homeri, Itaka është një vend konkret dhe qëllimi përfundimtar i udhëtimit epik dhe të gjatë të Odisesë, ajo përfaqëson shtëpinë, stabilitetin dhe paqen pas një periudhe të gjatë lufte dhe aventurash. Për Kacalidhën, Itaka është shumë më tepër se një vend fizik, ajo është simbol i paqes shpirtërore që arrihet pas përballjes me sfidat shpirtërore e të jashtme. Poezia e zhvendos fokusin nga një udhëtim i jashtëm në një udhëtim të shpirtëror, duke e bërë Itakën një metaforë për udhëtimin personal e shpirtëror të çdo individi. Pra, ai e shpirtëron vendin fizik të Homerit.

  1. Kacalidha e modernizon Itakën pse e lidh atë me sfidat dhe tundimet e jetës moderne. Përmes përdorimit të figurave mitologjike si Circa, sirenat, Skila dhe Haribda, ai krijonparalelizëm midis sfidave të Odisesë dhe sfidave shpirtërore të njeriut modern. Ai thekson rëndësinë e guximit dhe vendosmërisë për të kapërcyer këto sfida, temë që është shumë e rëndësishme në kontekstin modernist ku individi shpesh përballet me dilema të brendshme dhe presione të jashtme. Vargu:“Mposhte panikun Odise se edhe pa dyllë veshëve do t’i kalojmë ngushticat.” flet një gjuhë artistike moderniste, pse kjo ndjenjë e triumfit mbi frikën dhe vështirësitë është një reflektim i optimizmit dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.

3.Kacalidha pasuron simbolikën e Itakës duke e lidhur me elemente të natyrës dhe peizazhit, që përfaqësojnë elemente të ndryshme të përvojave dhe sfidave njerëzore, psh., vargu: “Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake.”tregon se Itaka është një vend shpirtëror, një ndjenjë  ngrohtësie e sigurie që njeriu kërkon në jetën e tij, krahas vlerave artistike të tij.

Pra Kacalidha jo vetëm që ka marrë simbolin e Itakës nga Homeri , por e ka modernizuar dhe transformuar  në një simbol të fuqishëm  udhëtimi shpirtëror. Përmes një qasjeje moderniste e ka bërë Itakën të rëndësishme dhe të lidhshme për lexuesin modern, duke e pasuruar me një kuptim të thellë dhe kompleks.

VI-Qasja moderniste e Kacalidhës në poezinë “Itaka e zemrës” shfaqet përmes transformimit të simbolit të Itakës dhe përdorimit të elementeve moderniste në strukturë, gjuhë dhe tematikë. Le ta shohim shkurtimisht këtë dukuri:

1.Në poezinë e tij, Kacalidha e përdor Itakën jo si një vend fizik, por si destinaci – on shpirtëror dhe emocional. Ndryshe nga interpretimi i Homerit, ku Itaka është shtëpia dhe fundi i udhëtimit fizik të Odisesë, Kacalidha e shndërron Itakën në një simbol të arritjes të paqes shpirtërore dhe ku figurat mitologjike si Circa, sirenat, Skila dhe Haribda përdoren për të krijuar një paralelizëm midis sfidave të Odisesë dhe sfidave të njeriut modern. Kjo ndihmon në theksimin e temave moderniste të ndërlikimit të përjetimeve njerëzore dhe të brishtësisë së ekzistencës: “Mos i beso Circes, Odise, le të thotë për sirena magjepse. Mposhte panikun”

  1. Përdorimi i elementeve moderniste si: a)- Fragamentarizimi ku poezia përdor një strukturë fragmentare, duke kaluar nga një imazh në tjetrin pa ndonjë lidhje të qartë lineare, teknikë e cila është një shenjë e stilit modernist, që reflekton natyrën komplekse dhe të ndarë të përvojës modern si te vargjet:“Te shkëmbi tjetër Haribda thith detin ulërimash. / Tre herë thith e tre herë vjell përbindëshi i dreqit. b)-Përdorimi i një gjuhë të figurshme dhe simbolike, për të krijuar imazhe të fuqishme dhe për të shprehur ndjenja komplekse, duke  e bërë poezinë të fuqishme dhe evokative, duke i dhënë lexuesit një përjetim estetik dhe emocional si psh: “Deti është i jargavantë dhe ti ec përtej detit. / Dije këtu nuk kalon as zogu, as pëllumbi i egër.” c)-Poezia përshkohet nga një ndjenjë e fortë ankthi dhe pasigurie, që është një temë qendrore në letërsinë moderniste. Kështu, përballja me sirenat, Skilën dhe Haribdën simbolizon sfidat e rreziqet e jetës moderne, dhe nevojën për të mposhtur frikën dhe ankthin për të arritur plotësimin shpirtëror, psh:”E me dhëmbë të llahtarshëm, nxjerr kokën prej shpellash të peshkojë peshkaqenë dhe njerëz.” Kjo ndjeshmëri e bën poezinë të fuqishme e të rëndësishme për lexuesin modern, duke lidhur përvojat e lashta me ndjenjat dhe sfidat e jetës bashkëkohore.

VII-Poezia “Itaka e zemrës” shfaq qasje ndaj disa rrymave kryesore moderniste, si simbolizmin, imazhizmin dhe ekzistencializmin, qasje që lidhet me secilën prej këtyre rrymave:

  1. Në qasjen me simbolizmin modernist shohim se poezia e Kacalidha është e pasur me simbole, veçanërisht në përdorimin e figurave mitologjike si Circa, sirenat, Skila dhe Haribda. Simbolizmi është një rrymë moderniste që kërkon të shprehë realitetet shpirtëror dhe ndjenjat përmes simboleve dhe imazheve të ndërlikuara dhe simbolet e mësipërme përfaqësojnë sfidat dhe tundimet që njeriu duhet të përballojë në jetën e tij, psh:”Mos i beso Circes, Odise, le të thotë për sirena magjepse. Mposhte panikun.” Apo:”Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake.”
  2. Në qasjen me imazhizmin modernist, poezia përdor imazhe të forta dhe të qarta për të krijuar efekt të gjallë dhe emocional. Dimë seimazhizmi është një lëvizje moderniste që theksonte rëndësinë e përdorimit të gjuhës së saktë dhe imazheve të qarta, elemente të dukshme në stilin e Kacalidhës, psh: “E me dhëmbë të llahtarshëm, nxjerr kokën prej shpellash të peshkojë peshkaqenë dhe njerëz.”

3.Ekzistencializmi përqendrohet në përvojën individuale, lirinë dhe ankthin e ekzistencës njerëzore, ku poezia e Kacalidha shpreh këto tema përmes përballjes së Odisesë me rreziqet dhe tundimet, dhe triumfin mbi frikën dhe pasigurinë. Vargu:”Mposhte panikun Odise se edhe pa dyllë veshëve do t’i kalojmë ngushticat.”ka vlerën e një thirrjeje inkurajuese dhe mobilizuese. Poezia pasqy-ron një udhëtim shpirtëror dhe introspektiv, thelbësor për ekzistencializmin, duke theksuar përpjekjet e individit për të gjetur kuptimin dhe përmbushjen e brendshme.

  1. Është befasues përballja te kjo poezi me rrymën e modernizmit të lartë, i cili karakterizohet nga struktura komplekse, temat e ndërlikuara dhe shpesh eksperimentale. Poezia e Kacalidha përmban këto elemente përmes ndarjes së tekstit në fragmente dhe kalimit të papritur midis imazheve dhe temave. Kjo duket te vargjet:”Te shkëmbi tjetër Haribda thith detin ulërimash. / Tre herë thith e tre herë vjell përbindëshi i dreqit.” sepse këtu gjejmë karakteristikat kryesore të modernizmit të lartë si: përqëndrimi më ndjenja dhe përjetime individuale, fragmentarizmi dhe përdorimi i njëhershmë i simbolizmit dhe mitologjisë.

Ndërlidhja e rrymave e bën poezinë të rezonojë me shumë aspekte të moderni-zmit, duke e bërë atë një vepër të pasur dhe të larmishme në kontekstin e poezisë bashkëkohore.

VIII-“Itaka e zemrës” e Kacalidhës është një kontribut i rëndësishëm në poezinë bashkëkohore shqiptare, që pasqyron ndikimin e traditave klasike e moderni-ste . Përmes kësaj poezie, poeti ruan një lidhje të fuqishme me mitologjinë dhe historinë, të cilat i modernizon dhe i pasuron me ndjeshmëri dhe perspektiva të reja.

Në veprën e tij, gjejmë një qasje të thellë shpirtërore dhe filozofike, që e bën atë një zë të veçantë dhe të rëndësishëm në letërsinë shqipe, pse ai përdor mitet homerike jo vetëm si referenca historike, por edhe si mjete për të eksploruar dhe shprehur përvojat dhe ndjenjat njerëzore. Përmes vargjeve të tij, ai krijon një dialog midis së kaluarës dhe së tashmes, duke sjellë një kuptim të ri dhe të freskët për lexuesit e sotëm.

Në krahasim me poezinë europiane, Kacalidha përdor një qasje që është njëkohësisht unike dhe e njohur. Si shumë poetë modernistë europianë, ai shfrytëzon simbolet dhe mitet për të eksploruar thellësitë e përvojës njerëzore, duke sjellë një perspektivë unike shqiptare që pasuron dhe zgjeron traditën poetike të kontinentit. Poezia e tij harmonizohet në mënyrë të shkëlqyer me rrjedhat bashkëkohore të poezisë europiane, duke ndihmuar në krijimin e një dialogu kulturor që tejkalon kufijtë kombëtarë.

“Itaka e zemrës” dhe gjithë veprat e Kacalidhës janë dëshmi e fuqisë së poezisë për të lidhur të kaluarën me të tashmen dhe për të eksploruar ndjenjat dhe përjetimet njerëzore në mënyrë universale dhe të përjetshme. Aftësia e tij për të përzier mitologjinë me ndjeshmërinë moderne e bën atë një poet të rëndësi-shëm jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për traditën më të gjerë europi-ane. Kacalidha është një urë lidhëse mes epokave dhe kulturave, duke sjellë një thellësi dhe një pasuri unike në poezinë bashkëkohore.

Sarandë, korrik 2024

Itaka e zemrës

Hija e Homerit

Mos i beso Circes, Odise, le të thotë për sirena

magjepse. Mposhte panikun. Stivat e eshtrave

atje mbi lëndinë prej shtegtarësh janë. Po tani,

mbylli veshët me dyllë.

Thuaju të të shtrëngojnë shumë me ballamar,

rreth direkut detarëve, vështro në sy sirenat.

Deti është i jargavantë dhe ti ec përtej detit.

Dije këtu nuk kalon as zogu, as pëllumbi i egër,

dhe në kaloftë, është më tej terri i Skiles.

Nuk e dëgjon që leh me dymbëdhjetë gjymtyrë,

tetë qafa të frikshme dhe tetë koka të tmerrshme.

E me dhëmbë të llahtarshëm, nxjerr kokën prej

shpellash të peshkojë peshkaqenë dhe njerëz.

Te shkëmbi tjetër Haribda thith detin ulërimash.

Tre herë thith e tre herë vjell përbindëshi i dreqit

i zymtësisë e trazirave poshtë funddeteve boshe

me zemberek të prishur.

Me anije të mbytura nën serinë e bardhë majuce

të dhëmbëve të Skiles dhe të Haribdes.

Mposhte panikun Odise se edhe pa dyllë veshëve

do t’i kalojmë ngushticat.

Tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë, bie erë Itake.

  1. Kacalidha Heraldiket e borës, Onufri Tiranë 2023. f, 141

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok