26/12/2024

ISMET GASHI – NJË JETË AKTIVE DHE RËNIE HEROIKE

0
u1_Ismet-Gashi1

Dëshmori Ismet Gashi

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Në 20 vjetorin e rënies të gjykatësit, avokatit, veprimtarit atdhetar, luftëtarit, Ismet Selman Gashit, Oda e Avokatëve të Kosovës, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, Dega regjionale në Prizren, në bashkëpunim me përfaqësuesin e fshatit Landovicë Qazim Thaçi, organizuan Akademi Përkujtimore. Salla e madhe në Shtëpinë e Kulturës, në Prizren, ishte mbushur me pjesëtarë të Familjes së madhe Gashi, zyrtarë të drejtësisë, komandantë të luftës, përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, të bashkësive fetare, zyrtarë komunalë, përfaqësues të FSK-së, përfaqësues të policisë, miq e dashamirë të dëshmorit, qytetarë të shumtë të Landovicës, Prizrenit dhe fshatrave tjera.

Intonimi i Hymnit të Flamurit, u respektua me ngritje në këmbë të të pranishmëve. Drejtuesi, respektivisht, moderatori i kësaj Akademie, Qazim Thaçi, ftoi për heshtje mortore, në nderim të dëshmorit Ismet Gashi, me shokë shumë.

Kryeredaktori i RTV “Besa”, Qazim Thaçi

Përfaqësuesi i fshatit Landovicë, Qazim Thaçi, njëherit, kryeredaktor i Radio-Televizionit “Besa”, me seli në Prizren, mbajti referatin kryesor, për jetën dhe veprën e dëshmorit Ismet Gashi. Ai, në mes tjerash, referoi:

“Dëshmor i Atdheut është ai që vritet në luftë për liri dhe për drejtësi shoqërore; ai që falë jetën e tij për të mirën e popullit dhe të atdheut. Kalojnë vite, kalojnë edhe shekuj e kujtimi për dëshmorët mbetet i freskët, në mendjet tona, në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë do t’i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë ata flamuj, të valvitën rrugëve e shesheve tona të lirisë. Liria ndërtohet me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kurse, dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir. Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart. Për çdo komb të qytetëruar dëshmorët janë lavdia e krenaria e tij.

Dëshmori i kombit Ismet Gashi, u lind më 1 maj të vitit 1952, në  Landovicën legjendare, bir i familjes atdhetare të Haxhi Selman Gashit.Katër klasat e para i kreu në Landovicë, kurse filloren e plotë e kreu në Piranë, të mesmen në Normalen e Prizrenit. Babai i tij, haxhi Selmani dhe nënën burrenshë e njohur Dalife, duke pa se Ismeti dallohej  për zgjuarësi, ata i dhanë mundësinë e shkollimit. Ai ishte ndër të parët e fshatit  që ia  mësyu shkollimit. Punoi një vit në Zym dhe u regjisitrua në  Fakultetin Juridik, në Prishtinë, të cilin e mbaroi në afat rekord  dhe  i dalluar . Por, ai asnjëherë së ndali dëshirën për shkollim dhe  magjistroi te profesor Bardhyl Qaushi. Ndësa specializoi trashëgimtaren në krah të profesor Ejup Statovcit.

Ismet Gashi u bë i afërt, së pari për familjen, ku vëllëzërit më të rritur  Binaku, tani i ndjerë, Hajdini, Eqremi, pastaj  ata më të rinjtë, Salihu dhe Jahiri, e kuptuan se ai ishte përtej mundësive të tija, i sjellshëm e bujar, ata i besuan edhe shumë detyra në familjen e madhe të  Haxhi Selmanit. Duke  marrë  pastaj model  edhe krenarinë e Shtjefën Gjeçovit e Anton Çetës, kontakoi më pas daljen nga burgu, disa herë, Adem Demaçin .

Punësohet në gjykatë, në prokurori, në inspektorat të ndërtimit dhe, në fund, emërohet kryetar i Gjykatës së Punës së Bashkuar. Por, dhuna serbe, veçanërisht pas ndryshimeve në frymën e “Kushtetutës së Gazimestanit”,  Ismetin, tani, më të shkolluar për këtë, e kalitën të vihet në të gjitha format për manifestimin e revoltës, kundër ndryshimeve kushtetuese dhe vihet në krahun e profesor Ukshin Hotit, madje edhe mbrojtës i profesorit në Gjykimin e Pirzrenit.

Ndjenja e atdhedashurisë të trashëguar nga familja e tij fisnike, i dha forcën dhe moralin të kyçet, qysh në formimin e celulave të para të UÇK-së, në korridorin logjistik të Hasit, përkatësisht, të Landovicës. Ismeti gjendet ndërmjet grupeve: të Landovicës , Krushës së Vogël dhe Hoçës së Qytetit. Ai filloi të  kontaktojë të  rinjtë, me qëllim të organizimit të luftës, duke kontaktuar edhe me personalitete, për sigurimin e armatimit. Njëkohshëm, kontaktonte Këshillin e Financave, për sigurimin e mjeteve të nevojshme, duke shfrytëzuar edhe humanizmin e vëllezërve të tij, Hajdinit, Salihit, Jahirit, të cilët punonin në mërgim.

Vrasja e  djemëve të  Landovicës, mobilizoi njerëzit, duke e bërë Landovicën qendër kryesore të logjistikës dhe të luftës. Ismeti u dallua, së bashku me kryetarët e grupeve, të caktuar nëpër lagje, në organizimin e mbrojtjes. Dëshmori Hashim Gashi, Selim Morina, Miradije Berisha, u përballën me forcat serbe. Ismeti ishte shumë aktiv në mbrojtje të popullatës të Landovicës, pavarësisht rrezikut  të madh, madje, i vetëdijshëm se shanset e mbijetesës ishin minore.

Predhat e para armiku i hodhi në ora 10.oo të 26 marsit, ndërkohë që Landavica mobilizohej, për të mos e braktisur fshatin, sipas urdhërit të Shtabit Operativ të Zonës së Pashtrikut, në Reti, urdhër të cilin e mori dhe e mbështeti vet Ismet Gashi. Së pari granatohen shtëpitë e Gashëve. Ismeti mbetët pa nënën, nipin Afrimin, pa Kosovaren e Kushtrimin. Ndër të plagosurit janë vëllai Eqremi, nipi Rasimi, mbesat Emina e Myfidja, kunata Shkurta. Pastaj vritën banorë të lagjës, kurse të plagosur rëndë mbetën edhe trembëdhjetë banorë të fshatit Landavicë.

Ndërkohë, në luftime e sipër, bie në fushën e nderit edhe kuadri i luftës, Ismet Gashi, trupi i pajetë i të cilit u zbulua tek më 19 qershor të vitit 2004, pas identifikimeve në morgun e Rahavecit. Ceremoniali i përcjelljes, për në përjetësi u bë, po këtë ditë, nga bashkëluftëtarët të Zonës Operative të Pashtrikut dhe me protokol të Zonës II -të të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilët e bashkuan edhe Ismetin pranë dëshmorëve të kombit në  Landovicë. Pas vetes la bijtë: Arbenin-jurist, Gazmendin, Shkëlzenin dentist e Mençurinë, që për fat të mirë, edhe këta  po ndjekin rrugën atdhetare të trasuar nga babai i tyre, dëshmori i Kosovës, Ismet Gashi”, – përmbylli fjalën e tij, përfaqësuesi i fshatit Landovicë, Qazim Thaçi.

Eprori ushtarak i Kosharës, Esat Krasniqi

Esat Krasniqi, anëtar i Kryesisë të OVL të UÇK-së, epror ushtarak në Koshare, rrefeu epizode nga nga jeta dhe veprimtaria profesionale e Ismet Gashit, tani, dëshmor i kombit.

“E nderuara Familje e dëshmorit të Kosovës, Ismet Gashi,

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, Invalidë dhe Veteranë të UÇK-së,

Të nderuar gjyqtarë, prokurorë, avokatë, deputetë, zëvendës-ministra, zyrtarë të Kuvendit Komunal,  Ushtria e Kosovës, Policia, Bashkësitë Fetare dhe të gjithë ju të pranishëm,

Po e nis fjalën time me sentencën, tashmë, proverbiale të Presidentit amerikan, Xhon Kenedi, në përurimin e tij president i Amerikës: “Mos pyet se çfarë bëri Amerika për ju, por çfarë bëtë ju për Amerikën”.

Veprimtaria atdhetare e Ismet (Selman) Gashit fillon që nga vitet `80-a. Masat drastike të regjimit serbo-sllavë, nga viti 1981 e këtej, largimet masive nga puna, e përballën me pushtetin juristin e diplomuar Ismet Gashin, në cilësinë e gjykatësit, në Gjykatën Ekonomike të Punës. Ai mundohej me çdo kush t`i mbronte punëtorët shqiptarë. Ai nuk heshti kurrë, edhe atëherë kur arma vepronte e ligjet heshtnin!

RASTI 1

Pas vitit 1981 filloi largimi i punëtorëve të Mbrojtjes Teritoriale. Ismeti, në rastin e mbrotjes time, duhej të ballafaqohej me komandën e lartë të Shtabit të Mbrojtjes Teritoriale. Në gjykatore ishte një epror  K0S-it dhe dy ndihmës të tjerë nga Prishtina e Nishi. Kërkesa e tyre ishte që gjygji të mbahej në gjuhën serbe, sepse në atë kohë mbaheshin takime për ndryshimin e Kushtetutës të vitit 1974.

Ismeti u drejtohet me këto fjalë: “Unë, si gjykatës, veproj sipas Kushtetutës të vitit 1974. E drejta e çdo kujt është që të mbrohet në gjuhën e tij, në rastin konkret, në gjuhën shqipe.

Majori i KOS-it: tha: “Unë nuk e kuptoj gjuhën shqipe”.

Ismeti, në cilësinë e gjyqtarit, iu përgjigj: “Ky është problemi juaj”.

Pastaj Majori i tha: “Vendosni si të doni, po ky nuk kthehet ne vendin e punës”!

Ismeti, me ngritje zëri, i kthehet Majorit: “Sipas ligjit Esati duhet të kthehet në punë”.

Edhe atëherë kur forca ishte në krahun e kundërt, Ismeti nuk i përfillte urdhërat dhe nuk i nënshtrohej fare, sepse kishte guximin e nje intelektuali të vendosur, për çështjen kombëtare shqiptare. Nga rasti im konkret, mbaja kontakte me Ismetin, admiroja vendosmërinë, trimërinë dhe gjykimin e tij të shëndoshë dhe krijova bindjen se Kosova ka nevojë për njerëz me vlera intelektuale dhe atdhetare, si Ismet Gashi.

RASTI 2

Këtë herë do ta zbuloj një të fshehtë, për herë të parë edhe për familjen. Në vitin 1992 është formuar Ministria Mbrojtjes. Ismeti ishte caktuar që ta bëjë Rregulloren Ushtarake dhe duhej të mbante kontakte me Ministrin e parë të Mbrojtjes, Hajzer Hajzeraj dhe Prof. Haxhi Feratin.

Por, për fat të keq, çështja u dekonspirua dhe aktivistët u zbuluan nga qarqet serbe. Dhe, për një kohë u mbajt në heshtje ky aktivitet, meqë disa eprorë ushtarakë u arrestuan, u dënuan dhe shumë të tjerë u larguan nga Kosova, për t`i shpëtuar ndëshkimit. Por, pas luftës, pas kthimit tim nga Kosharja, ku isha i angazhuar si ushtarak, e kuptova nga shumë shokë se Ismeti kurrë nuk kishte pushuar së punuari në këtë drejtim, me nder dhe përkushtim të madh.

Më vonë kur doli në skenë UҪK-ja, Ismetin e gjeti të gatshëm për kontributin e rradhës, që ishte ndër organizatorët kryresor në Anën e Përdrinisë, në Sektorin e Logjistikës së Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Kjo tregon se Ismeti, e kishte vënë në rradhë të parë çlirimin e vendit.

Duke u bazuar në këto dhe shumë aktivitete tjera të Ismetit, unë, Esat Krfasniqi, si një ish-epror ushtarak dhe anëtar i Kryesisë së Veteranëve të UҪK-së, në konsultim me Shoqatat e dala nga lufta, Odën e Avokatëve të Kosovës dhe Qazim Thaçin, në cilësinë e përfaqësuesit të fshatit Landovicë, kemi vendosur që:

DUKE U BAZUAR NË LIGJET USHTARAKE, NË RREGULLAT DHE PRINCIPET TJERA DHE DUKE PARË VEPRIMTARINË PATRIOTIKE TË ISMET GASHIT, KEMI VENDOSUR QË DESHMORI ISMET GASHI, TË MERR MENJËHERË GRADËN E HEROIT TË KOSOVËS. LAVDI VEPRËS SË ISMET GASHIT!”

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Zafir Berisha

Për ta zbutur, sado pak, armosferën mortore në sallë, në skenë ngjitët voglushja simpatike, Kanina Thaçi, e cila reciton krijimin poetik “Dëshmorëve të vendit tim”, të realizuar nga gjyshi i saj Qazim Thaçi. E sigurtë, e shpenguar, zotëruese e skenës, pavarësisht masës, shumësisë së publikut, ajo shkëlqeu me recitimin e saj të ndjeshëm, premtuese për role skenike, artistike. Shkëpusim pak vargje:

“… E kujtimet përvëluese të dëshmorëve të vendit tim

Lapidari juaj dritë e lirisë dje, shenjë e krenarisë sot.

Mbrëmë mblodha të gjitha ëndrrat e plagosura

Dhe qendisa kurorën e lirisë …”

Akademia Përkujtimore, kushtuar dëshmorit Ismet Gashi, ishte konceptuar dhe realizuar, mjeshtërisht, nga organizatorët, të prirë nga kryeredaktori i RTV “BESA”, Qazim Thaçi, i ndihmuar edhe nga djali dhe nipi i dëshmorit Ismet Gashit, përkatësisht Arbeni dhe Gëzimi (Berisha), siç na thotë mjeshtri i pendës, Qazimi. Ndoshta, ishte Akademi unike në regjinë e saj dhe protagonistët pjesëmarrë e folës. Ishte, tërësisht, jo partiake, edhe pse në sallën Përkujtimore ishin përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike.

Rrjedhimisht, Ismet Gashi ishte i pranuar nga të gjithë, si dëshmor i denjë. Madje, janë bashkëluftëtarët e tij, nga e majta e Kosovës, që ngulmojnë për akordimin e titullit “Hero i Kosovës”, për luftëtarin e përkushtuar dhe trim, Ismet Gashin, edhe pse, për një dekadë radhazi, ai ishte kuadër i Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës Për më tepër, atij i ishte besuar përpilimi, hartimi i Rregullores Ushtarake, qysh në vitin 1992. Vërtet, përgjegjësi, sa intesante, aq edhe e veçantë, për kohën!

Në emër të Odës të Avokatëve të Kosovës, degëzimi në Prizren, foli kryetari i saj, Hajrip Krasniqi, i cili potencoi punën e suksesshme në këtë profesion, duke e vlerësuar Ismet Gashin si shumë të guximshëm, në një kohë zezonë, në mbrojtje të burrave dhe të djemëve, të akuzuar për motive politike, në mes të cilëve edhe profesor Ukshin Hotin, sot, Hero i Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, ish-koleg i Ismetit, veç tjerash, rrëfeu fragmente të punës së tyre në gjykatë. Ismet Gashi ishte njeri me integritet, profesionalisht i përgaditur dhe me parimësi admiruese.

Prokurori Sylë Hoxha, kishte fjalë miradije për juristin Ismet Gashin. I përkorë dhe sovran në vendimet e tij. Është borxh i yni, të flasim, të shkruajmë, ta përkujtojmë, sepse ishte shembull unik për Landovicën dhe rrethin tonë. Ai çoi përpara idealin familjar. Ai ishte shtylla e Familjes Gashi. Pa përkrahjen e familjes së tij bujare dhe atdhetare, ai nuk mund ta zhvillonte një aktivitet kaq voluminoz. Fjala e tij dëgjohej me vëmendje. Gjeneratat e reja kanë çka të mësojnë nga Ismet Gashi. Shkurt: ishte institucional dhe tejet parimor.

Ish-Komandanti i Vërrinit, Zafir Berisha, tani, deputet në Parlamentin e Kosovës, evokoi kujtimet e luftës për Ismet Gashin. Angazhimi i tij në mbrojtje të popullatës, ishte sa përkushtues, aq edhe i veçantë. Dhe, jeta e tij u shua vetëdijshëm, pikërisht, në përpjekje për ta mbrojtur popullatën, e cila ishte vënë në shënjestër të pushtuesit serbo-sllavë.

Rexhep Hoti, në cilësinë e koordinatorit nacional, në emër të kryeminmistrit, përshëndeti të pranishmit në Akademi. Veç tjerash, ai tha se Ismet Gashi shquhej për guximin qytetar e profesional, në mbrojtje të klientëve, nga padrejtësitë dhe ndëshkimet gjyqësore të fabrikuara. Vlen të theksohet mbrojtja që ai i bëri veprimtarit kombëtar, Ukshin Hoti, ish i burgosuri politik elitar, tani, Hero i Kosovës, ende pa varr legal!

I çiltër dhe dinjitoz ishte në fjalën e tij komandanti Osman Qerreti-Quni, nga Landovica. Kemi thënë shumë gjëra, por, u lanë edhe shumë pa thënë. Disa gjëra na ndanin, por lufta, liria na bashkoi. Komunikues e përbashkues ishte juristi Ismet Gashi. Dhe, këto cilësi fisnike të tij, ishin përcaktuese për bashkëpunimin tonë të suksesshëm përgjatë luftës.

Akademinë Përkujtimore e përshëndeti edhe Mulla Ali eferndi Vezaj, imam. Fjalë të mençura dhe këshilluese tha hoxha. Gjatë luftës na ka bashkuar komponenta e lirisë. Edhe pse paslufta na ka zhgënjyer shumë, megjithatë, jam optimist për të ardhmen. Njerëzit, rinia duhet të kenë shpresë e besim, për ditë më të mira. Qëndroni këtu, toka e të parëve na lut dhe na obligon.

Aktorja Refije Berisha, në monologun për dëshmorët

Këngëtarja-aktore, Refije Berisha, me grupin e të rinjëve, përformoi “Monologun për dëshmorët”, i cili u pëlqye shumë nga të pranishmit:

“Do të flas në zyrën e drejtësisë,

Malli, loti, krenaria e Landovicës,

Zemër e djegur përgjithmonë ….”

Përmes postës digjitale, Akademinë Përkujtimore e përshëndeti edhe kryetari i Odës të Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli.

Në emër të Familjes së gjerë GASHI, të pranishmit i përshëndeti i biri i Ismet Gashit, juristi Arben Gashi: Ju përshëdes dhe ju falenderoj me përzemërsi të gjithë ju, të pranishëm. I falenderoj shumë organizatorët e kësaj Akademie dinjitoze Përkujtimore, në nderim të babait tim, të familjarit tonë, dëshmorit të kombit, Ismet Gashi. Me pjesëmarrjen tuaj në këtë Akademi, ju keni nderuar Ismetin, tashmë, të amëshuar, shokët e tij dëshmorë të lirisë, të Atdheut si dhe veten tuaj. Edhe një herë, ju falenderojmë nga zemra dhe u jemi shumë dhe përjetësisht mirënjohës, – tha pinjolli i Familjes Gashi, Arbeni.

Akademinë Përkujtimore e përmbyllën këngëtarët e mirëjohura, Violetë Kukaj dhe Refije Berisha, më këngët për Ismet Gashin dhe për dëshmorët e Landovicës.

Pamje nga Akademia, referon kryetari i Odës të Avokatëve, Hajrip Krasniqi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok