04/12/2024

ISAK GUTA, NJERIU I VLERAVE NË HISTORINË E ATRTIT KOMBËTAR

0
Isak-Guta

Me rastin e shkuarjes së shkrimtarit e veprimtarit  Isak Gutes në amshim. 50 vjet hulumtime mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut

“Isak Guta, është krijues i papërmbajtur në të drejtën e tij, si revolucionarët e përjetshëm, idealistët “e pandreqshëm”, vdekatarët e “pavdekshëm” ( Ahmet Qeriqi)

“Aleksandër Moisiu i nevojitet rinisë, ngase rinia është ajo që e ka përkrahur Moisiun në atë kohë, rinia avangarde dhe intelektualët”. ( Isak Guta)

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Isak Guta, teknolog i filmit dhe regjisor, shkollim të mbaruar në Pragë është hulumtues mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, i njohur edhe në botën e filmit. Prej tij janë shkruar vepra për jetën dhe artin e aktorit në disa gjuhë duke përfshirë këtu edhe ato në gjuhën shqipe. Janë nëntë libra të shkruara me pasion e dashuri të madhe kushtuar Akeksandër Moisiut. Askush gjerë më tani nuk ka shkruar aq gjerësisht dhe thellësisht në detaje për veprën dhe jetën e Moisiut se sa Isakt Guta. Ai figurën e aktorit e promovoi anë e këndë kontinentit me nismën e tij dhe krejt pa interes material.

Ai ishte dhe mbeti njëri nga studiuesit e pasionuar i cili, fatkeqësisht,  pak u njoh në Shqipëri e Kosovë nga shkaku i rrethanave të mjerueshme në Shqipërinë komuniste dhe anarkike pas komunizmit, dhe Kosovën e robëruar dhe anarkike pas çlirimit. Isak Guta thoshte: “Moisiu është figurë poliedrike, ai është artist i madh që e njeh bota, por është gjithashtu njeri i madh, intelektual i madh, madje edhe shqiptar i madh, të cilit është vështirë t’i gjendet shoqi. Aleksandri është gjithashtu shkrimtar i cili edhe ka shkruar”.

Isak Guta me ftesë të Presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu dhe Instituti për kulturë për herë të parë hap ekspozitën e tij në Tiranë me veprat kushtuar Aleksandër Moisiut. Ishte kjo ekspozita e parë e nivelit të duhur e organizuar pas luftës në Kosovë.  “Aleksandri me të vërtetë i nevojitet kombit, por mbi të gjitha i nevojitet rinisë, se rinia është ajo që e ka përkrah Moisiun në atë kohë, rinia dhe intelektualët avangard, mësim për ta, se njerëzit përparimtarë nuk e kanë të shtruar me lule rrugëtimin e jetës” tregon autori Isak Guta.   I prekur   dhe hidhëruar nga refuzimi i filmave të tij “Praga djep Kulture” dhe një film tjetër  nga Radio Televizioni i Prishtinës në fillimet e tij si regjisor, vitet shtatëdhjeta, ai do e shkruan në librat e tij më vonë me titull “Vrasja e Veprave”. Dhe jo vetëm që nuk i pranohen veprat e tij filmike, por i pamundësohet bashkëpunimin me vendlindje, i mbyllin portën për bashkëpunim, siç shprehet ai vet. Këta filma i merr Radiotelevizioni i Zagrebit. “Unë e gjithë qëndrimin e kisha tek Radiotelevizioni i Kosovës, vendit tim dhe ky akt më preku shumë duke e vrarë në një masë veprën time bashkë me elanin tim”.    Kjo vepër, në dukje është protestë kundër rendit ekzistues, kundër institucioneve arsimore e kulturore të vendit që shpërfill krijimtarinë e mirëfilltë dhe nuk  përkrahet.

Isak Guta kudo që shkoi me vete kishte artin e Moisiut, ai frymonte me te, e kishte mishërim shpirtëror dhe donte ta zbulonte para rinisë bukurinë e zërit, fjalës, pamjes dhe përjetimit që ajo të zgjohej në vlera kombi, të mos nënshtrohej, të jetë aktive kudo.  Njëra nga këto vepra në shërbim kombëtar ishte “Pranvera Shqiptare e Moisiut”, i kushtohet rinisë shkollore e cila nuk e mësonte në programet shkollore fare aktorin e madh shqiptar Aleksandër Moisiu. Isaku nuk mund të pajtohet kurrsesi që ky aktor kaq me zë të mos mësohej nga rinia shkollore. Ishte kohë robëria kur përndiqeshin intelektualët shqiptarë dhe dergjeshin burgjeve jugosllave deri në Goliotokun famëkeq.  Isaku duke qenë jashtë i shpëton direkt gjyqit, por krijimtaria e tij përbuzët dhe vritet, siç e thotë vet autori.  Por, veprat e bukura nuk vriten as nuk vdesin, as emri i autorit Isak Guta i cili do qëndron vlerë kombëtare gjeneratave bashkë me emrin e Aleksandër Mosiut tonë të madh.  Ky biograf i madh i Mosiout tërë jetën e tij ia kushtoi aktorit tonë me famë botërore dhe fama e tij do njihet tek shqiptarët dhe të tjerët pikërisht falë angazhimit jetësor të Isak Gutes.  Ai ishte paqësor në shpirt, dhe në fjalë, saktësisht i përgjigjej thënies së filozofit e shkrimtarit të madh britaniko-austriak, Stefan Cweig i cili thoshte: “Intelektualët e mirëfilltë flasin të qetë”. Me mirëkuptim, dashuri e sidomos me një sinqeritet të lindur, shkrimtari e veprimtari, gjurmuesi, Isak Guta, në të njëjtën kohë është edhe luftëtar i pakursyer për të mos u pajtuar me realitetin në jetën tonë kulturore në trevat shqiptare ku nuk vlerësohen veprat e artit dhe artistët.

Puna e madhe e Isak Gutes do studim të thuktë dhe nuk mund të thuhet në pak faqe shkrimi përkujtues. Ai mblodhi dokumente e fakte në disa vende evropiane ku Moisiu ishte i pranishëm gjatë tërë jetës së tij, Çeki, Sllovaki, Austri, Gjermani, Zvicër etj. Dokumente e foto flasin mbi shoqërinë e Aleksandërit me studentë e intelektualë shqiptarë që studionin në Vjenë. Ata e donin dhe respektonin atë dhe anasjelltas.  Vepra më e re e Gutës për Moisiun dhe më madhorja është “Emblema”,  ku jepen foto dokumente dhe shkrime interesante.

Hamburg me 8 nëntor 2003.

“Me Moisiun, kombi shqiptar i dha botës misionarin më të lartë të artit skenik botëror. Ai arriti këtë me fuqinë e botës shqiptare dhe më fuqishëm se kudo tjetër duhet të prijë e të veprojë brënda qënies kombetare. Përmes ekspozitës në prag të 125 vjetorit të linjes së Moisiut, pas aktualizimit të kësaj figure, krysisht synohet për të hyrë në zemrat e shkollarëve , nxënësve dhe studentëve shqiptarë, që tu shërbejë si fanar shtigjeve të reja në krijimtari…Me hyrjen e Moisiut në zemer të rinisë ata veprojnë sëbashku dhe mund ti japin artit shqiptar hove të ndritëshme deri në lëvizje kulturore. Në se ekspozita dhe botimet e mija do ti shërbejnë sadopak këtij objektivi do të jem i lumtur për mundin që kam bërë. Me këto aspirata për dhjetra vite jam përpjekur ta gjurmoj, ta pasuroj dhe ta ndriti jetën e këtij artisti të madh shqiptar”.

Vjenë, 15 maj 2014

Në orën letrare në Galerinë e arteve në Vjenë, mori pjesë Isak Guta, regjisor dhe hulumtues, autor i dhjetëra veprave nga hulumtimet e tij mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, emrin e të cilit e mban shoqata.  Isak Guta ishte informuar mbi themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, çka e kishte gëzuar shumë dhe dëshironte kontakte me shoqatën.  Ai solli për shoqatën dhjetë vepra të cilat i kushtohen aktorit tonë të madh Aleksandër Moisiu.  Pamja e tij, fjala e tij dhe veprat e tij flisnin për njeriun e mençur, atdhetar i përkushtuar me porosi të qarta për gjeneratat e ardhme.  Isak Guta nuk ka vdekur, ai jeton gjithmonë gjeneratave me veprat e tij dhe shërbimin e madh të tij ndaj kulturës, historisë së kombit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok