22/12/2024

INTERPRETIMI MITOLOGJIK I  LEGJENDËS SHQIPTARE MBI YLBERIN

0
Agron-Tufa

Nga Agron Tufa

Brezi, (në disa zona të Dibrës së Epërme dhe Lumës, quhet shoka), paraqet në vetvete një element të pandarë të kostumit nacional te një shumicë e popujve. Duke lënë mënjanë anën estetike e etno¬grafike, ne do t’i kushtojmë vëmendje vetëm traktimit mitologjik të përdorimit të tij të domosdoshëm në disa krahina të Shqipërisë së Veriut.

Në Dibrën Veriore dhe në Lumë, mund të dëgjosh një legjendë të tillë arkaike: “Njëherë ndrikulla shkoi mysafire te kumbara i vet. I ndodhur vetëmpërvetëm me të në shtëpi, kumarës i ra në kokë ngasja tunduese e mishit, iu err arsyeja dhe u lëshua mbi ndrikullën që të shkrehte epshin. Ajo, nga ana e saj, duke e ndjerë tmerrin e këtij inçesti, doli me vrap nga shtëpia, e ndjekur nga kumbara, kaptoi korije e përroska, gjersa më në fund kumbara e arriti maje një kodre, ku e çnjerëzoi. Gjatë kohës së mëkatimit, shokën e saj të zgjidhur ajo ia hodhi erës, duke thënë: “Në besën tande qiell!”. Era e rrëmbeu duke e kthyer në ylber, si shenjë të përjetshme të këtij inçesti”. Në këto krahina edhe sot e kësaj dite, kur shohin ylberin, thonë: brezi (shoka) i ndrikullës.

Duke mëtuar t’i analizojmë raportet e ndërsjella ndërmjet dy mitologjemave – ylberit dhe shokës – ne do të veçojmë dy plane themelore në studimin e legjendës. I pari, “sipërfaqësor”, që cek motivin fundamental të inçestit dhe i dyti, “vertikal”, i cili na shpie në arkaikën e hershme dhe që na lejon të merremi me kërkimet mito-filozofike dhe gjithashtu, me mitologji krahasuese.

Sipas mendjes popullore shqiptare, mëkati ndrikull-kumar konsiderohet edhe më i rëndë se motër-vëlla. E mbërritur deri në ditët tona, legjenda na përcjell një mesazh të natyrës didaktike. Subjekti i saj është i grishur t’i kumtojë receptuesit, para së gjithash, që “inçesti është punë e keqe”.

Duke njohur tekstet e baladave të lashta shqiptare, arrijmë në përfundimin se inçesti, për nga forca fatale, barabitet me gjëmat natyrore, p.sh., me përmbytjen e madhe. Në një shumicë të tillë tekstesh, mund të gjesh elemente peripecish të tilla: forcat e natyrës pjesëmarrin në marrëdhëniet e heronjve dhe përpiqen në çdo mënyrë ta pengojnë inçestin e pavetëdijshëm (kur motra dhe vëllai, pa ditur gjë për lidhjet e tyre të gjakut, vendosin të hyjnë në mëkat, atëherë lind një tufë zogjsh fatidikë, bie shi gjaku etj.). Në Eposin e Kreshnikëve të shqiptarëve të veriut, njërit prej heronjve qendrorë i ofrojnë të zgjedhë për nuse më të bukurën nga tridhjetë perritë e krahinës. Porse ai, i fyer, e hedh poshtë këtë propozim me një ligjëratë të tillë të pezmatuar:

“Zoti ju vraftë, more agët e Jutbinës!

Po ku â ndie n’mjet tokës e t’qiellës

Se muer vllau motrën e vet?

Qi tanë bijat e Krahinës ku janë,

Tanë si motra qi po m’duken!”

Lind pyetja: përse ndër shqiptarë, ndryshe nga një shumicë popujsh, përfshi dhe ata të gadishullit ballkanik, inçesti mbetet një ndër tabutë kryesore? Këtu kemi të bëjmë, ndofta, së pari, me kultivimin e institucionit të kumbarisë (probatinisë) në rang shenjtnie dhe së dyti, me kundrimin e martesës si akt simbolik i “pushtimit të nuses” përmes “fitores mbi babanë apo vëllanë e madh”. Në rastin e parë, ashiqare, ia vlen të kthehemi në kohërat e shthurjes së komunitetit primitiv, kur ndodh refuzimi i ngadaltë nga poligamia dhe, si alternativë e mundshme e martesës poligame lind “kumaria”, madje, dhe ndërmjet mashkullit e femrës. Në rastin e dytë jemi të shtrënguar ta kundrojmë arketipin e dasmës si fakt jo vetëm jetësor, por edhe shpirtëror dhe mistik në jetën e njeriut.

Material të begatë e origjinal në këtë drejtim na jep folklori, jo vetëm në format e riteve dhe bestytnive, por edhe në trajtën e eposeve e përrallave që kanë mbërritur gjer tek ne. Për ilustrim, vlen të përmendim studimin antologjik të Vladimir Propp-it, “Morfologjia e përrallës”, në të cilin rrëfehet për variante të ndryshme të subjektit të përrallës. Për shembull, për të marrë prince¬shën për grua, heroi i përrallës është i detyruar të mundë Gjarpër Gorinicin, Koshcejen apo ndonjë tjetër përbindësh, domethënë, sipas Propit, të ashtuquajturin “dëmtar” që, si rregull, na del se është jo kush tjetër pos babait (apo një tjetër njeriu të afërt) të princeshës. Përralla, pa dyshim, shfaqet jo vetëm pasqyrim i arkaikës mentale të popullit, por edhe vetë sikur i imponon njeriut të lashtë ato apo të tjera etalone etike. Këtu vetvetiu të shkon mendja te konkluzioni frojdist e të gjeturit burrë për vete me funksionin e babait për gruan (apo nusen) si dhe për shkëmbimin e njërit me tjetrin. Këto shpjegime të tabusë inçestuale na duken nga më bindëset, përderisa njeriu i vjetër zor të ketë marrë erë nga nga kodet gjenetike dhe ashiqare, pak e ka vrarë mendjen mbi faktin se nga flligështia e përhershme e gjakut, herët apo vonë, mund të lindin në familje monstra. Megji-thatë, vetë mendimi se vëllai që martohet me motrën e vet ka për borxh (qoftë edhe në kuptimin simbolik, qoftë edhe në nivelin e pavetëdijes) të “triumfojë” mbi babain e tij, domethënë, ta zëvendësojë atë në gjithçka që ka të bëjë me vajzën, duke kryer në këtë mënyrë atëvrasje simbolike, ky mendim duket e ka trembur njeriun dhe ka shkuar në të kundërt me normat e tij etiko-morale. Kësisoj, mbase pikërisht për këtë, martesa ndrikull-kumarë është konsideruar si mëkat edhe më i madh se sa martesa ndërmjet të afërmve me lidh¬je gjaku.

I rikthehemi ylberit dhe shokës. Në zona të ndryshme të Shqipërisë së veriut, ylberi ka disa emërtime: “Brezi i Shën Mërisë së Virgjër”, “Brezi i Diellit”, “Brezi i Zoodiakut” (P. Bogdani), “Brezi i Perëndisë”, “Brezi i Havës”, “Brezi i Muhametit” etj. Pra, vlen të theksohet se ylberi shpesh merrej si njëfarë dërgese nga sipër, si një shenjë hyjnore. Në të tilla rrethana, legjendën për ylberin ia vlen ta kqyrim si subjekt të ngarkuar me didaktikë të vonë religjioze, ku femra iu kundërvu mëkatit seksual, ndonëse, e nënshtruar me përdhunë, konsiderohet tashmë si martire dhe në shenjë të pastërtisë dhe shenjtërisë së vuajtjeve të saj, në qiell shfaqet shenja hyjnore e dërguar nga lart.

Nëse flasim për interpretim arkaik të kësaj legjende, duhet të kujtojmë atë çka më sipër përmendëm shkarazi. Dhe pikërisht atë që, inçestin e pavetëdijshëm e pengonin vetë elementet e natyrës, duke i shpërqendruar pjesëmarrësit potencialë të inçestit (por dhe duke i gjymtuar) me gjithëfarë stihish. Përveç gjëmave të ndryshme, numë¬rohet edhe përmbytja e madhe, forca tragjike e së cilës barabitet me gjëmën e mëkatit, siç jo rastësisht, do ta shohim më poshtë.

Siç dihet, në shumicën e popujve ekziston përfytyrimi i dasmës së përjetshme mes qiellit dhe tokës, madje, si rregull, toka paraqitet në rolin e femrës, kurse qielli në rolin e mashkullit (egjiptianët dhe disa popuj të tjerë kanë të kundërtën). Interesante është se dasma e qiellit me tokën ka zanafillë inçestuale (toka së pari lind qiellin – Gea pjell Uranin, kurse më pas e merr për burrë), ndonëse në këtë stad zhvillimi të kozmogonisë, inçesti nuk qortohet, por përkundrazi, merret si një gjë krejt e natyrshme dhe e domosdoshme (krahasojeni me subjektet e mëvonshme, kur lulëzon motivi i inçestit, p.sh., me mitin e Edipit…). Mjeti më i drejtpërdrejtë i bashkimit të tokës me qiellin paraqitet shiu, vaditësi, mëkuesi dhe pllenuesi i barkut bujar të mëmë tokës. Rrjedhimisht, përmbytja vepron në llojin e vet si njëfarë katarsisi, që pastron dhe në të njëjtën kohë, ushqen tokën, simbolikisht mund ta quajmë veçse si një akt seksual të qiellit me tokën (se përmbytja s’është gjë tjetër veçse rrjedhojë rrebeshesh të bollshme). Sipas dëshmive të A. Afanasjevit (“Pikëpamjet poetike të sllavëve në natyrë”, V.1, fq. 362), “një legjendë bullgare pohon se para permbytjes biblike, nuk ka patur ylber; po kur toka u tha dhe Noeja i solli Zotit fli, atëherë Perëndia i premtoi atij se përmbytje nuk do të ketë gjer në ardhjen e dytë të Krishtit dhe si dëshmi, na dhuroi ylberin e tha: “Përderisa të shndrijë në qiej ylberi, nuk keni pse të frikësoheni, po kur ylberi të zhduket, kjo ka me qenë shenjë se dita e gjykimit të tmerrshëm po afron…”. Në përmbledhjet me dorëshkrime të vjetra apokrifike, thuhet: “Ylberin e krijoi Zoti pas përmbytjes”. (Përmble¬dhja Apokrifike e vitit 1531)… “Pas përmbytjes, Zoti vuri një hark në qiell si shenjë dalluese për përmbytjen e dytë që do të ndodhë”… Ky çast solemn lidhet me “dhjatën” që Zoti Jehova i dha Noesë. Ja se si interpretohet kjo “dhjatë” në enciklopedinë “Mitet e popujve të botës”: “Zoti fillon me ndëshkimin e tokës për shkak të mëkateve të njeriut me rrotullimin e rregullt të stinëve të vitit përpara: “Në të gjitha ditët e tokës, mbjellja dhe korrja, zhegu e thëllimi, dimri dhe vera, dita dhe nata nuk do të ndalen” (8,22). Noeja qëndron para Jehovait si stërgjysh i njerëzimit të ardhshëm dhe si Adam i ri që merr në fillim po të tilla bekime: “Shtohuni dhe shumohuni dhe mbushni tokën!” (9,11)” (22,24). Dhe kështu, para nesh na del njëfarë rrethi i premtuar dhe këtu vetvetiu mendja të shkon te analogjia e formës harkore të ylberit. Sidoqoftë, harku është veçse pjesa e dukshme e ylberit. A. Afanasjevi, në veprën e njohur “Pikëpamjet poetike të sllavëve në natyrë”, shkruan: “Forma gjysmërrethore e ylberit të çon ndërmend, dashje padashje një unazë gjigande që përqaf tokën. Në Bavari atë e quajnë himmelring, sonnenring…, madje disa besojnë që në asnjë më¬nyrë ajo nuk duhet quajtur me emrin e vet, porse vetëm nëpërmjet eufemizmave “unaza qiellore”, që të mos biesh në pushtetin e djallit…” (1,358). Kështu pra, ç’do të thotë “unazë”? Unaza është shprehje e qarkullimit të natyrës dhe në të njëjtën kohë, unaza është paraqitja e stërlashtë simbolike e kohës. Kujtojmë se indianët dhe keltët e lashtë me “gjarprin që kafshon bishtin e tij” – se pikërisht me vizatime të tilla, si rregull, janë gdhendur sarkofagët dhe përmendoret e varreve të lashta. Meqë ra fjala, ekziston në një shumicë popujsh emërtimi “gjarpër i ylbertë”. “Në trajtën e një gjarpri të ylbertë lidhen përfytyrimet për frymën e ujrave, gjarprin – monstër, kristalin magjik (në të cilin pasqyrohet spektri ylberor), i cili shfrytëzohet nga magjistricat; ylberi asocionon me shiun dhe magjinë e plleshmërisë”. (Mitologjia. Fjalori i madh enciklopedik nën redaktimin e E. M. Meletinskit, Moskë, 1998, f.462). Nëse ylberi është shprehje e qarkullimit në natyrë, atëherë, si dhe në rrjedhën e kohës, në ylber ka një gjysmërreth të ndritshëm, mbitokësor, të qiellt, apo, nëse e doni, hyjnor, sikundër pjesa tjetër është e errët, nëntokësore, e vdekshme.

Këtu është krejt me vend të kujtojmë për brezin (shokën) si për gjendjen e parë mitike të ylberit. Në shumicën e popujve, barku iden¬tifikohet me vetë jetën (te indianët e vjetër barku konsiderohet si rezervuar i energjive “Agni”: “Në letërsinë postindiane agni konsi¬derohet gjithashtu në aspektin fiziologjik si element i organizmit të gjallë – zjarri i “barkut” (“audaria)”. (Induizëm. Xhajnizëm. Sikhizëm: fjalor. Moskë, 1996): Ndër sllavët, vetë fjala “bark” ka patur kuptimin zanafillor “jetë”, “ekzistencë”. Brezi (shoka) i lidhur përreth barkut mund të simbolizojë qarkullimin e kohës, të cilës, sipas dhjatës së Perëndisë, i është e nënshtrueshme gjithçka në natyrë. Madje, sipas gjitha gjasave, ajo pjesë e brezit që gjendet direkt përpara, domethënë që mbulon pjesën e përparme të barkut, përgjigjej për ditën, për natën, d.m.th., për ekzistencën mbitokësore të njeriut; kurse ajo pjesë e brezit që mbulonte shpinën dhe gjendej mbas shpine, mbartte në vetvete kuptimin e territ, natës, udhëtimeve nëntokësore të shpirtit (krahasojeni p.sh., me besimet e indigjenëve jugoamerikanë, për atë që vdekja e shoqëron njeriun gjithandej, duke shkelur pas thembrave të tij, d.m.th., duke u fshehur pas shpinës së tij), kësisoj, brezi shndërrohet nga një objekt veshjeje në një objekt tashmë magjik, në fetish, në talisman. Përkatësisht, këputja ose humbja e brezit (siç më sipër përmendëm, këputje e rrethqarkullimit të kohës dhe jetës në natyrë) ka domethënien e humbjes së mbrojtjes, koritjes apo dhe vdekjes. Një interpretim i tillë i legjendës shqiptare të cituar në fillim na duket mjaft i arsyeshëm. Duke kryer dhunë inçestuale, kumbara e privoi motrën e tij (ndrikullën) edhe nga brezi magjik, duke kryer mëkat të dyfishtë ndaj saj. Megjithatë, nga pikëpamja e vetëdijes arkaike, inçesti është po aq akt seksual legjitim, sa dhe çdo tjetër lloj i këtillë (material mbi këtë na japin përvojat e kulturave pagane, të ruajtura në një masë më të madhe ndër sllavë, në të ashtuquajturën “svalnie grjeha” (një lloj orgjie seksuale pa dallim marrëdhëniesh farefisnore A. T), e cila ndodhte në natën e Ivan Kupalës, në ekuinoksin e verës, 22 qershor, pas së cilës shfaqej ylberi si simbol i plleshmërisë dhe katarsisit mallëngjyes të natyrës.

Te po ai Afanasjev, lexojmë: “… një forcë magjike i jep Homeri brezit të Kipridës, endun fijesh ari: në të fshihej gjithë hijeshia, miklimi i dashurisë dhe dëshira e fshehtë që tundonte arsyen; duke përdorur këtë brez, Hera e joshi Zeusin…” (1,360). Disa thyerje të njëpasnjëshme na japin, megjithatë, shkas ta lidhim ylberin pikërisht me lidhjen martesore mitike dhe plleshmërinë. Përveç kësaj, në po atë libër të Afanasjevit, ka lidhje dhe legjenda e mrekullueshme lituaneze për Laumën (nimfën qiellore) dhe Zotin e naltë Perkunas (analog me Perunin sllav, rrufehedhës), çka me të vërtetë të çon ndërm¬e¬nd legjendën shqiptare për lindjen e ylberit.

Siç duket, gjer te ne ka mbërritur një nga variantet më të vona të legjendës për ylberin, e ngarkuar me didaktikën e përditshme, ndërsa, duke gjykuar nga përpjekja jonë e analizës mitologjike krahasuese, me tingëllimin e saj arkaik, kjo legjendë paraqet në vetvete një nga mitet margjinale kozmogonike të krijimit të botës nga martesa e tokës me qiellin.

Agron TUFA, 1999

P.S: mungojnë footnotes. Kumtesë e mbajtur në Akademinë e Shkencave ruse “Saharov” me 3 mars 1999.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok