INTELEKTUALI
Intelektualët janë persona të cilët në pikëpamje klasore janë të pavarur dhe nga ajo pozitë shoqërore buron forca kritike e tyre që i bën promotorë të ndryshimeve shoqërore –
Karl Manhaim
* * *
Intelektualët janë “prodhues” të ideve, kurse pjesëtarët e inteligjencies janë ideologë të cilët idetë dhe idealet i shfrytëzojnë për qëllime konkrete praktike dhe politike – Zigmunt Bauman
* * *
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Intelektual – (në latinishten e vonë: intellektualis, nga latinishtja: intellektus: konceptim, arsye, mendje); (lat. intellectus, intellectualis – intelektual; intellegere – të kuptosh).
- Intelektualët janë persona që merren me punë mendore, që shquhen me arsimim, me dituri dhe me aftësinë e të menduarit.
- Në sociologji, intelektualë janë njerëzit që krijojnë ide dhe që jetojnë në to.
Në kuptim të gjerë, intelektualë konsiderohen ata të cilët kontribuojnë në krijimin, në konfirmimin dhe në përhapjen e vlerave, të botëkuptimeve dhe të njohurive, sidomos të atyre që përmbajnë konsekuenca aksiologjike* dhe filozofike.
Shënim: Aksiologjia – shkenca për vlerat.
* * *
Në të folmen publike, termi “intelektualët” ka hyrë për herë të parë në vitin 1898 me aferën Drajfys (Dreyfus affair, 15 tetor 1894 – 1906) në Francë, kur një grup krijuesish eminentë, siç ishin romancieri natyralist francez me prejardhje italiane Emil Zola (Émile Zola, Paris, 1840 – Paris, 1902) dhe romancieri francez Marsel Prusti (Marcel Proust, Paris, 1871 – Paris, 1922), dolën kundër politikës së intolerancës dhe e publikuan Manifestin e intelektualëve (Manifeste des intellectuels) në mbështetje të Drajfysit.
Intelektualët nënkuptonin kategorinë shoqërore të cilët në shekullin XVI quheshin “humanistë”, kurse në shekullin XVIII – “filozofë”. Në këtë vështrim, intelektualët qenë ata të cilët, duke u mbështetur në prestigjin dhe në autoritetin krijues të vet në lëmenjtë e artit, të letërsisë dhe të shkencës, tentonin të shprehin dhe të afirmonin vlera të reja apo të mbronin vlerat e vjetra.
Për dallim nga klerikët e mesjetës, dijetarët dhe mendimtarët e kohës së revolucionit shkencor të shekullit XVII siç ishin teoricieni, fizikani, matematikani dhe studiuesi i shkencave të natyrës – italiani Galileo Galilei (1564-1642), filozofi anglez Frensis Bekon (Francis Bacon, 1561-1626), si dhe filozofi, matematikani e fizikani francez Rene Dekart (Renè Descartes / Cartesius Renatus, 1596-1650) – gjithnjë më tepër ndërlidheshin me shkencën dhe me ideologjinë e saj.
Sipas analizave sociologjike të sociologut dhe shkencëtarit social hungarez-gjerman Karl Manhajm (Karl Mannheim ose Károly Mannheim 1893-1947), intelektualët janë persona të cilët në pikëpamje klasore janë të pavarur dhe nga ajo pozitë shoqërore buron forca kritike e tyre që i bën promotorë të ndryshimeve shoqërore.
Revolucionari dhe teoricieni italian Antonio Gramshi (Antonio Gramsci, 1891-1937) mbronte tezën se të gjithë njerëzit janë intelektualë, por jo të gjithë ushtrojnë funksion intelektual në shoqëri. Intelektualët i përkufizonte si funksionarë të superstrukturës. Me fjalë të tjera, rëndësia e intelektualëve buronte nga rëndësia e funksionit intelektual për shoqërinë. U ngjishej roli i integrimit shoqëror dhe kulturor, pavarësisht nga fakti në e kanë kryer duke koji se kundërshtuar apo duke u pajtuar.
Në analizat sociologjike bashkëkohore, roli i intelektualëve studiohet nga aspekti i situatave të caktuara historike. Në vend të intelektualëve universalë të cilët i mbrojnë vlerat transcendentale*, absolute dhe të pakufizuara në kohë (arsyeja, e vërteta dhe drejtësia), flitet për intelektualë specifikë të cilët angazhohen për qëllime reale dhe të llojllojshme që janë karakteristike për shoqëritë pluraliste moderne, siç janë drejtësia sociale, të drejtat e njeriut, përpjekjet për paqe, të drejtat e grave, të drejtat e pakicave, përdorimi etik i shkencës, përgjegjësia ekologjike etj.
Shënim: transcendente – që i tejkalon kufijtë e përvojës; që ndodhet jashtë kufijve të botës natyrore; që e tejkalon zonën e vetëdijes njerëzore; e tejbotëshme, e tejanëshme, mbinatyrore, e pakuptueshme, që nuk mund të njihet, e paqartë, e pakuptueshme, që i tejkalon konceptet e njeriut, fantastike.
* * *
Në këtë vështrim, sociologu francez Alen Turen (Alain Touraine, 1925-2023) intelektualëve ua jep funksionin e ndërmjetësimit kulturor-politik midis lëvizjeve shoqërore dhe institucioneve.
Mbizotëron mendimi se rolet dhe statusi i intelektualëve ndërlidhen me ndryshmet e përhershme dhe të thella të kanë të bëjnë me zhvillimin teknologjik, me kushtet tregtare të prodhimit dhe të këmbimit, me marrëdhëniet politike dhe institucionale të forcës si dhe me krizën e përkatësisë ideologjike tradicionale.
Dikur më tepër përdorej termi “inteligjencia” me të cilin përgjithësisht dhe në mënyrë tejet të papërcaktuar nënkuptohej shtresa shoqërore e arsimuar, e përqendruar në ide. Ky nocion lindi në Rusi në vitet 1860 e këndej dhe kishte të bënte me elementet e deklasuara të shtresave të larta. Në fillim, inteligjencia ka pasur pozitë margjinale midis autokracisë cariste dhe masave fshatare. Përfshirja e intensifikuar e saj në jetën publike bazohej në shprehitë aristokrate dhe në kualifikimet arsimore të larta të cilat gradualisht i zëvendësonin statuset ushtarake dhe statuset e tjera. Këto dy karakteristika e dallonin atë nga pjesa kryesore e shoqërisë dhe ndikuan që t’i takojë asaj (inteligjencies) një rol me përgjegjësi të veçantë në jetën shoqërore dhe kombëtare.
Sipas filozofit, teologut dhe ekzistencialistit të krishterë rus, i cili theksoi rëndësinë shpirtërore ekzistenciale të lirisë njerëzore dhe personit njerëzor, Nikolai Berdjajev (Nikolai Alexandrovich Berdyaev, Obukhiv, Ukrainë, 1874 – Clamart, Francë, 1948), inteligjencia është një shtresë shoqërore e shekullarizuar e cila kuptimin e ekzistimit të vet dhe të synimeve të veta e shihte në luftën për përparim social dhe intelektual.
Sociologu hungarez-gjerman Karl Manhaim thotë se në çdo shoqëri ekziston një grup që merret me krijimin e konceptimit të caktuar të botës. Këtë shtresë njerëzish ai e ka quajtur inteligjencie.
Sipas sociologut dhe filozofit polak-britanik Zigmunt Bauman* (Zygmunt Bauman, Poznań, Poloni, 1925 – Lids, Mbretëri e Bashkuar, 2017), në shoqëritë komuniste roli i inteligjencies ka qenë ta shtyjnë para ideologjinë dhe t’ia bëjnë me dije popullit bindjet e drejta. Këtu disa e bëjnë dallimin midis intelektualëve dhe inteligjencies: intelektualët janë “prodhues” të ideve, kurse pjesëtarët e inteligjencies janë ideologë të cilët idetë dhe idealet i shfrytëzojnë për qëllime konkrete praktike dhe politike.
Shënim: Gjatë krizës politike në Poloni në vitin 1968, Zygmunt Bauman u dëbua nga vendi i vet. U detyrua të hiqte dorë nga shtetësia polake. Emigroi në Izrael. Pas tre vjetëve u vendos në Mbretërinë e Bashkuar.
* * *
Intelektual është personi me intelekt dhe mendim analitik shumë të zhvilluar; përfaqësues i punës intelektuale. Ky term ndonjëherë përdoret gabimisht – nëse i referohet arsimit – si sinonim i një akademiku. Personi inteligjent ka një gamë të gjerë njohurish dhe mund të konkurrojë në shumë aspekte. Bazuar në leximet e veta, ai është në gjendje të nxjerrë përfundimet e veta dhe të marrë qëndrime të cilat shpesh janë analitike dhe kritike.
