15/11/2024

Integrimi i shqiptarëve në mërgim

0

Nga Ramiz Selimi

Gjatë tri shkrimeve të mëparshme e pamë strukturën e qytetarëve që emigruan. Ajo ishte identike me ata që mbetën në vendlindje. Po të vështrosh me vëmendje në retrospektivë do ta vëresh se në mungesë të kuadrit, në sistemin paralel u punësuan edhe gjysmë të shkolluarit, të cilët tek në vitin 2010 u diplomuan. Pati të ikur politik, ekonomik, pati punëtorë krahu, por edhe intelektual. Kishin emigruar njerëz nga të gjitha nivelet shoqërore. Prandaj gazetarët e sojit të Valon Sylës që kanë paragjykime dhe analistët spekulantë të cilët për problemet e shoqërisë na i shpalosin mendimet e ”The Guardian-it” dhe  “The New York Time-sit” pasi të vetat nuk kanë, duhet t’ia hedhin një sy këtyre shkrimeve për të parë nga afër sesi vërtet jetuakan bashkatdhetarët jashtë dhe sa janë të integruar në shoqëritë ku jetojnë, por edhe cila është e ardhmja e tyre.

Të përfshirë në një vorbull vështirësish dhe fenomenesh pasi ikën në vendet pritëse, atyre papritur iu përzien letrat përsëri. Mundësitë u bënë pothuajse për të gjithë njëlloj. Nuk kishte më të favorizuar, gjithkush fillonte nga zeroja. Tani gjuha e vendit ku jetonin ishte çelësi i zgjidhjes së gjitha problemeve, si të punësimit ashtu dhe integrimit. Për emigrantët shqiptarë në vitet e 90-ta pati një mbështetje të jashtëzakonshme nga vendet pritëse, mbështetje e cila pas lufte filloi të zbehet.

Atëkohë rrallë herë diplomat bënin punë. Kështu që gazetarë, policë, mësues,….etj, kur u punësuan në ndërtimtari dhe fabrika u vetëkënaqën. Ata nuk e bënë përpjekjen ma të vogël për ngritjen e tyre dhe nostrifikimin e diplomave. U ngopen nga të ardhurat dhe nuk lëvizën vendi, aty mbeten gjithë kohën. Një numër i tyre menjëherë pas lufte u riatdhesuan. Kurse një pjesë tjetër e emigrantëve që nuk patën respektin e duhur në vendlindje arritën të evoluonin, jo vetëm duke themeluar ndonjë ndërmarrje, por ca prej tyre krahas punës vazhduan edhe shkollimin më tutje. Madje kishte raste kur personi që e kishte përbuzur “të pashkolluarin” në vendlindje tani e kishte gjetur rehatinë tek ndërmarrësi i tij. Për këtë grup të njerëzve shpeshherë në vendlindje kishte paragjykime nga më të ndryshmet, jo vetëm nga farefisi, por edhe nga miqtë, sepse nuk mund ta merrnin me mend ngritjen dhe zhvillimin e tyre.

Mërgimtarët gradualisht po merrnin frytet e punës. Filluan të nxjerrin figura të njohura botërore në boten e sportit dhe të muzikës. Vendi i origjinës duke parë rezultatet e fëmijëve të mërgimtarëve u organizua edhe më tepër duke themeluar një ministri të veçantë për ta. Kërkohej forcimi i lidhjeve dhe absorbimi i kualitetit atje. Duhet potencuar se nga të gjitha qeveritë, është Ministria e Diasporës që e udhëhoqi Ibrahim Makolli , ajo e cila e bëri një punë të jashtëzakonshme. Punë të cilën Shqipëria për 100 vjet nuk e kishte arritur. Vendosi lidhje të reja, hapi qendra kulturore,  biblioteka, organizoi tubime me bashkatdhetarët. Ky njeri meriton çdo respekt dhe mirënjohje, sepse zgjoi interesimin edhe të mërgimtarëve të hershëm. Por, të kthehemi përsëri të integrimi i tyre.

Për ta parë nga afër dhe më saktë, sesi vërtet është e organizuar jeta e shqiptarëve në mërgim dhe sa ju kanë përshtat jetës, unë ju kam bashkangjitur dy studenteve, Egesta Qershina dhe Thea Zufall gjatë punimit të një teme diplome në intervistimin e të përzgjedhurve. Me temën:

Integrimi i emigrantëve shqiptarë në shoqërinë gjermane, austriake dhe zvicerane.

Nga vajzat u mendua që të kenë përqasje sa më të volitshme në studim, prandaj ato përzgjodhën të intervistonin 100 kandidatë nga zyrat përkatëse të regjistrit civil. Madje u telefonua nga disa qytete të këtyre tri shteteve. Meqenëse disa kandidat nuk pranuan të përgjigjen, ishte e nevojshme të kontaktohen me tepër persona. Metoda e përzgjedhjes u bë me short elektronik dhe në bashkëpunim me organet përkatëse. Për këtë studim ne morëm mendimet e 60 personave nga Gjermania, 20 nga Austria dhe 20 nga Zvicra. Për të siguruar këto intervista u nevojiten 738 telefonata.

Pyetjet ishin formuluar kështu: Pjesëmarrja në aktivitetet e vendasve dhe ku? Shoqërimi i familjeve të mërgimtarëve me vendas?  Vizitë teatrit, kinos, koncerteve dhe organizimeve verore e dimërore bashkë me vendasit? A janë aktiv në klubet sportive, kulturore dhe politike? Çfarë gjuhe flasin në shtëpi? A mund ta paramendojnë kthimin në vendin e origjinës? Shikon TV-n gjermanisht apo shqip? Për cilin vend ju rreh zemra? Çfarë ju pëlqen në vendlindje dhe çfarë nuk do të donit? Ndihesh shqiptarë apo gjerman? Ku e paramendojnë të ardhmen për fëmijët e tyre? Dërgimi i fëmijëve në shkollën shqipe? Intervistat u bënë me prezencë  fizike dhe prodhuan këtë rezultat:

Grupi 1: 6 % e mërgimtarëve gjendet në proces asimilimi!

  1. Në proces asimilimi gjenden 6 %, 2. Të integruar mirë në shoqëritë pritëse janë 23 % , 3. Të grupi i tretë kishte paqartësi. Anëtarët e familjes kishin mendime të ndryshme. Gjinia mashkullore mendonte se ishin mirë të integruar, kurse gjinia femërore pa prezencën e burrave tregonin se më tepër ndiheshin të izoluara, ky numër shkonte në 60 %, 4. Të pa integruar që jetonin të izoluar, ishin 11 %. Nëse i reduktojmë në 10 familje i bie kështu: 6 familje të paqarta, pjesërisht të integruara, 2 familje e gjysmë janë të integruara mirë, 1 familje është tërësisht e izoluara nga jeta e vendasve dhe gjysmë familje gjendet në proces asimilimi. Nga organet vendase mendohet se shifrat e prodhuara nuk janë reale, pasi rreth 70 % e shqiptarëve në mërgim janë pjesërisht të integruar. Kurse numri i qytetarëve të integruar mirë mendohet se është më i vogël. Për secilin grup veç e veç do të paraqesim faktet e mbledhura në teren.

Në grupin e parë të familjeve me 6 % bëjnë pjesë familjet që tani më gjenden në procesin e asimilimit. Vetëm një familje nga ky grup i përkiste gjeneratës së parë. Ato kanë shkëputur të gjitha lidhjet, jo vetëm më vendin e origjinës, por edhe me bashkatdhetarët në mërgim. Marrin pjesë vetëm në organizimet e vendasve. Kurrë nuk do ta lejonin fëmijën të shoqërohej me shqiptarë.

Ata thoshin se rrënjët e tyre edhe pse ishin shqiptare, me zemër ndiheshin gjerman, austriak ose zviceran. Nuk ju pëlqente aspak mentaliteti shqiptarë, sidomos ai kosovarë, pasi mendonin se prezantimi “fake” ishte shkaktari i humbjes së besimit tek evropianët. Mendonin se kush paraqitet i rremë para mikut, ai mund të jetë edhe mashtrues, hajn e kriminel. Madje e kishin një çikë urrejtje për mënyrën e jetesës në vendin e origjinës dhe flisnin pa respekt ndaj këtyre njerëzve. Edhe pse akoma e flisnin shqipen, dëshira e tyre ishte të komunikonin me ne në gjuhën gjermane.

Këta qytetarë tregonin se vinin nga familje ku prindërit e tyre i kishin izoluar dhe keqtrajtuar me vite të tëra. Kur kishin arrit moshën madhore në çastin e parë të mundshëm ishin ndarë nga familja dhe ishin martuar me partner të komuniteteve tjera. Këta me dëshirë kurrë nuk do ta lejonin fëmijën e tyre ta mësonte gjuhën shqipe. Konvertimi në gjerman mendonin se do t’i bënte të ndiheshin gjithmonë të lumtur dhe më të sigurt për të ardhmen. Nga ato 6 familje të intervistuara, 4 prej tyre kishin marrë mbiemra gjerman, Gruber, Katzinger, Müller, Reiter, 2 tjerë gjendeshin në proces të ndryshimit. Përderisa emrin e vet e mbanin akoma në shqip.

Nuk preferojnë, jo të kthehen në vendin e prindërve, por nuk kanë dëshirë as ta vizitojnë ndonjëherë. Nuk ju interesojnë zhvillimet politike në Kosovë dhe nuk ju pëlqen asgjë nga vendlindja e prindërve….,Vijon, 60 % e mërgimtarëve, as mish, as peshk!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok