22/12/2024

IMZOT VINÇENC PRENUSHI: DËSHMI DRITE NË ERRËSIRËN E DHUNËS KOMUNISTO-BOLSHEVIKE SHQIPTARE

0
Vincenc-Prenushi

Nga Frank Shkreli

19 Marsi shënon ditën që Kisha Katolike universale pёrkujton festёn liturgjike kishtare tё Ipeshkvit martir shqiptar të Lum, Imzot Vinçenc Prennushit, në përvjetorin e vdekjes së tij në burg si martir i Kishës Katolike dhe i Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, më 19 mars 1949, nën tortura të regjimit diktatorial bolshevik komunist të Enver Hoxhës. Për lexuesit që mund të jenë të interesuar në anën shpirtërore të rëndësisë së kësaj dite,  mund të lexojnë shkrimin,  me këtë rast, në portalin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe Festa e tё Lumit Imzot Vinçenc Prennushi, martir – Vatican News.

Por në këtë ditë të vdekjes unë dëshiroj që, shkurtimisht, të ndaj me lexuesit e sotëm disa kujtime të shkrimtarit dhe poetit, të ndjerit Profesor Arshi Pipa, i cili e ka cilësuar Imzot Vinçenc Prenushin si “Simboli i të së kaluemes së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”!  Kujtimet e tija për Prenushin janë të periudhës kur ai vet ishte i burgosur me Ipeshkvin martir të Kishës Katolike Shqiptare në Mars të vitit 1949, kur prelati i lartë i Kishës Shqiptare vdiq në burgun e Durrësit, nën torturat më çnjerëzore që mund të imagjinoheshin, atëherë dhe sot, i akuzuar si “armik i popullit.”  Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar, qellimisht, nga diktatori për t’i imponuar Imzot Prenushit pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë.  Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindte, ka kujtuar në esenë e tij Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi, si përfundim, përfunduar në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.

Në  esenë, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, botuar në “Flije Atdheut”, Profesori Arshi Pipa ka kujtuar ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, ndërsa ka rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterur”, kur dha shpirt nga torturat çnjerzore, Imzot  Prenushi — klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizmit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa kujtonte se ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik shqiptar, bashkëvuajtës me ’ta, në birucat e tmerrshme të burgjeve të Enver Hoxhës – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën “mundimet e territ” , shkruante ai– përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin. Për Prenushin, Profesor Arshi Pipa shprehte admirimin e tij duke shkruar se, përveç se ai pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqtë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.”  Profesori i nderuar, Arshi Pipa e ka cilësuar Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, ndërsa ishte gjithmonë i buzëqeshur në të folur, zemërgjerë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare.  I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi, ka kujtuar Imzot Prenushin,  albanologu gjerman Robert Elsie.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje jo vetëm vuajtjet dhe mundimet në duart e regjimit komunist. por ka venë në dukje edhe vlerat kombëtare, njerëzore, kishtare dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke theksuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”   Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri prej përfaqsuesve të dalluar të letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

I burgosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkëvuajtësin e tij Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve sot nëse mund të: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”. Është ky përfytyrim, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij.  Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija.  Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe astma.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë:   “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqtë, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm.  Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve.  Por, ndofta ishte diçka tjetër.  Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar.  Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën kur është ndarë nga kjo jetë Imzot Vinçenc Prenushi, atë natë të zezë të 19 Marsit, 1949 – 75-vjetë më parë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok