21/11/2024

Ikja e studentëve dhe emigrimi me Akropolis!

0

Nga Ramiz Selimi

Tek qytetarët ka kontradikta në perceptim, se çfarë kualiteti na iku jashtë. Disa thonë se ikën të marrët dhe të paarsimuarit, e ca tjerë thonë se, ata që e braktisën vendin ishin pjesë e të njëjtit brumë. Statistikat oficiele të emigrimit nuk na ndihmojnë aspak në zbardhjen e këtij defekti, pasi ato tregojnë vetëm për numrin dhe moshën e banorëve që u larguan kryesisht në perëndim. Prandaj nga këndi im i vështrimit, do bëjë përpjekje të tregoi se kush iku vërtet.

Jemi dëshmitarë se në emigracionin e viteve 80-ta, pas demonstratave të 81-s dhe pas presionit politik që vinte duke u rritur, kësaj rruge aventuriere ju kishin futur, jo vetëm njerëz të zgjuar, por në mesin e tyre kishte një përzierje nga të gjitha shtresat. Të ikurit e kësaj kohe nuk mund të krahasoheshin me “Gastarbeiter-at” e dekadës së kaluar.

Pasi këtu pati të ikur politik edhe me grada intelektuali, por në anën tjetër kishte edhe njerëz gjysmë të shkolluar dhe gjysmanalfabet që perëndimin e shihnin si mundësi punësimi. Megjithatë në mesin e emigrantëve pati edhe grupe të hajnave që në vendlindje askush nuk i kishte njohur për të tillë. Numri i të larguarve nuk e shqetësonte askënd, pasi as në këtë dekadë mërgimi i tyre nuk e rrezikonte qenien tonë kombëtare.

Pastaj, në mesin e qytetarëve të mërguar kishte student të “dështuar” meqë ishin të detyruar t’i ndërprisnin studimet për shkaqe politike, ose aty-këtu edhe ekonomike. Shumë studentë dhe qytetarë që vepronin në ilegalitet, (shumica e grupeve atëkohë me bindje të majtë marksiste dhe leniniste) posa gjurmoheshin nga pushteti dhe atëherë kur e burgosnin ndonjërin nga shokët, tjerët pa humbur kohë ja mbathnin rrugëve malore, për t’u strehuar në shtetet e perëndimit.

Megjithatë, situata e tensionuar politike i kishte ngrit në këmbë edhe shërbimet sekrete (si UDB-n), duke ndjekur në gjithë Evropën këta djem. Dhe, vërtet ata ishin të rrezikuar në çdo hap nga vrastarët e padukshëm. Ndodhën, linçime, burgosje por edhe vrasje, siç ishin vëllezërit Gërvalla, Zeka,… Pastaj, shumë prej tyre, kur u stabilizuan në vendin pritës, me vite të tëra nuk arritën ta shihnin familjen.

Pa viza, udhëtim komod me tren!

Mirëpo, atë kohë ishte edhe ana tjetër e medaljes. Ekzistonte lëvizja e lirë për qytetarët jugosllavë. Shumë prej të rinjve pikërisht me tren ja mësynin perëndimit për të fituar ca para në zbutjen e gjendjes së vështirë ekonomike.

Ato pak vende pune që ishin në Kosovë, gjithmonë së pari plotësoheshin nga serbët dhe vetëm nëse ndonjëri prej tyre mbetej bosh, tek atëherë konkurronin mbi qindra shqiptarë. E pabesueshme, kishte edhe raste kur për një vend pune, kishin dhënë ryshfet dhjetëra qytetarë, edhe pse vetëm një pranohej.

Duhet theksuar se këto vite nepotizmi kishte nisur hapat e parë edhe tek shqiptarët, pasi tek serbët kishte ekzistuar edhe më herët. Para kësaj dekade, tregohet për rastet kur një serbi për intervenim, si dhuratë i është dhënë jo vetëm Dashi, por ju ka dhënë edhe Demi. Ishin punë të lakmuara komunale dhe shtetërore që i dëshironin me patjetër.

Madje gjatë stinës së verës në vitet e 80-ta kishte mundësi punësimi në vendet evropiane edhe për studentët. Kështu që treni i quajtur Akropolis i cili mbante linjën e rregullt Mynih – Athinë mbushej dhe zbrazej çdo ditë edhe në Fushë Kosovë.

Kur pas demonstratave të 81-s situata politike filloi të rëndohet, këta të rinj kosovarë që udhëtonin me Akropolis, filluan të kërkojnë edhe strehim politik, duke manipuluar të dhënat personale dhe origjinën e tyre.

Kishte të atillë që punonin në perëndim, (kryesisht në Gjermani, Austri, Zvicër, Skandinavi) që ishin pajisur me dokumente udhëtimi të vendeve ku jetonin, por në anën tjetër mbanin edhe pasaporta Jugosllave. Madje ata argëtoheshin në klubet jugosllave dhe pastaj udhëtonin si babush në shtëpi.

Mes këtyre dy grupeve (njërit të ikur politik dhe tjetrit punëtor të përkohshëm, ku dyshohej se kishte edhe të infiltruar nga pushteti), kishte një mosbesim te theksuar mes tyre, mbase të rinjtë në takime ishin tepër të përmbajtur në komunikim.

Pra, emigrimi i viteve 80-ta kishte një lloji kombinimi mes atyre që iknin për shkaqe politike, por edhe të atyre njerëzve që vërtet synonin të punonin përkohësisht. Shkollimi i këtyre emigrantëve ishte një çikë më i lartë. Është e konfirmuar se ato vite emigruan plotë qytetarë që kishin përfunduar shkollën e mesme, kishte edhe studentë, por edhe intelektual. Bie poshtë teoria se edhe në vitet 80-ta ikën bujqit dhe të pashkolluarit.

Një pjesë e këtyre njerëzve bëri përpjekje maksimale të integrohet në vendet pritëse. Më pranimin e këtyre emigrantëve në shumicën e vendeve evropiane filloi të ndryshonte edhe perceptimi i deriatëhershëm për shqiptarët, edhe pse akoma kishte familje që izoloheshin nga frika e asimilimit.

Nesër vijon, Aparteidi i Millosheviqit prodhoi emigrimin e trurit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok