Nga Visar Zhiti

Lexoj në murin e “Burgut të Qafë Barit”: “Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Gjergj Hanit, në moshën 57-vjeçare…” – dhe hesht dëshpërueshëm.

Telefonoj në numrin e tij dhe më përgjigjet një zë gruaje, po, iku në paqe sot, thotë shoqja e jetës së tij…

KAM SHKRUAR

Për Gjergjin në disa gazeta në Shqipëri e jashtë, tregoja “kur e sollën në burgun e Qafë-Barit, ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa unë isha duke pritur lirimin, pas shumë vitesh vuajtje të dënimit.

Kaq i vogël, gjimnazist, në burg politik, e nga është?

Nga Durrësi. Donte të arratisej, i vetëm, e kapën në Liqenin e Pogradecit, në kufi…

Guximi i tij s’kishte qenë thjeshtë një aventurë adoleshenti, por bindje, të ikte nga diktatura idiote shqiptare në Perëndim, atje ku ishin liria dhe dija, kështu ëndërronte, por nuk pati fat.

Fati i erdhi në burg. Bëhet një amnisti e detyruar, që atë “e kapi” dhe e lirojnë prej moshës fare të re dhe pritën të bëhej 18 vjeç që ta burgosnin prapë. Kur e sollën sërish në Qafë-Bari, unë ndërkaq kisha dalë dhe s’u pamë më…

…Dhe shëmbet Muri ndarës i Berlinit, befas, – shkruaja, – ra perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri u zhbë dhe ai doli sërish nga burgu”.

…i lexoja meditimet dhe esetë e Gjergjit, ia dija sinqeritetin dhe mençurinë, konservatorizmin dhe idetë, që shkonin lart, jo te shteti, se janë ca që atë kanë lartësinë më të madhe, por në Qiell, në universin me mistere dhe shpirt.

Gjergji mbartte përvojën e 20 viteve në Itali, punën në një gazetë të djathtë atje dhe dëshirën serioze t’i shërbejë vendit të tij… ashtu pa bujë e me urtësi, me guxim qytetar donte të bashkonte të djathtën shqiptare, pse jo, edhe pse dukej e pamundur dhe të sillte atë që ka munguar në politikën shqiptare, frymën perëndimore dhe të të burgosurve të ndërgjegjes, të të pushkatuarve të idealit, megjithese e dinte që të mbyste duhma e enverizit, e atyre që e kanë ende idol enverin, edhe pse u duket se bëjnë ndryshe…

Por unë dua të flas per Gjergjin.

Ndryshimin mund ta sjellim së bashku, thoshte ai gjatë një fushate për kryetar, – vetëm nuk mundet askush… Nuk doja postin, por desha të zgjoj, – ngulmonte i qetë, – desha të tregoj që ne jemi dhe e dimë çfarë bëhet…

Dhe rrinte dinjitoz dhe modest përballë njerëzve, jam njeri nga ju, u thoshte, pyetjet tuaja janë dhe të miat. Do përgjigjemi se bashku ashtu siç jemi dhe përgjegjës…

NË TAKIMET TONA TË RRALLA

E ç’mund të thoshim më parë? Trashedentalja, metafizika ishin shqetësime të Gjergjit.

E dëgjoja me ëndje. Mirësia i lodronte në fytyrë dhe dritëhijet e pasdites, por dhe të mendimit filozofik, sytë vështronin shumë më përtej, me një trishtim nga ato të mosshpresës, por ai ka më të fortë jetën e brendshme se përditshmërinë, edhe pse nuk i shmanget asaj, e ka të qartë ç’është mbijetesa dhe ç’është jeta e vërtetë, për këtë kulturë është, politikë të moralit dhe moral të politikës… – kështu shkruaja…

Duhej të flisnim dhe për këtë dukuri, që po bën çmosin të duket… dhe nduket. Ka një ndotje tjetër të mjedisit mendor, kur humbësit banalë kreshpërohen si fitimtarë dhe duan të sundojnë realitetin si të ishte veç i tyre, si i lënë trashëgim…

Fali, o Zot, se s’dinë ç’bëjnë, apo e dinë shumë mirë, po thoshim.

Ne do vazhdojmë në rrugën tonë, njerëzisht, thjeshtë… nuk do marrshojmë, do ecim, me ëndrrën prej dore…

Ndërkaq për një intervistë të ti me një gazetar te njohur, M. N. shkruaja:

…Gjergj Hani i shkëlqyer, i qartë në ide dhe në shpirt, filozofi i munguar i gjendjes, udhërrëfyes modest, por siperan ndaj atyre që e rrethojnë: ai e di rrugën, po e tregon… Dhe s’duhet lënë vetëm.

ZËRI YNË

I GJERGJ HANIT – THOSHA

Jam i prirur t’i besoj, aq bindshëm, me qytetari siç është ai, i qetë, i hapur, me filozofi të kuptueshme, me shqetësimin e shumëve, me dashuri Biblike e urtësi Kurani, që kërkon të sjellë dhe pse jo të mos e prijë, ndryshimin dhe rimëkëmbjen, sfidë ndaj kësaj gjendjeje dhe realitet të amullt, kundër politikës në vetvete, të shkëputur nga realiteti dhe gjendja, që si rrjedhojë i ka lënë dhe si të tilla, ndotjes morale të mjedisit ideologjik, që kërkon të startojë aty ku dhe është…

“Një zë i veçantë, që vjen nga humnera, nga vuajtja e madhe, nga burgjet politike, me ëndrrën e lirisë, të demokracisë, i qartë, me mendim dhe vizion, me besim, jashtë strukturave dhe zyrave, por me dëshirat, aspiratat dhe idealet e demokratëve të shumtë e të thjeshtë, të qytetarëve, që kërkon të kemi moralin e munguar në politikë, të rimëkëmbë një të djathtë politike në shërbim të një realiteti pa urrejtje, të drejtë, jo retorik, të punës begatuese të gjithsecilit për një Shqipëri normale, të frymës dhe kulturës Perëndimore, të një Shqipërie EuroAtlantike… Dëgjojeni!”

HERËT APO VONË

APO JASHTË KOHE?

…Gjergj Hani shkonte në takime pa grup, pa shoqërues, vetëm me bashkëshorten, pa asnjëlloj mbështetje tjetër…

Dhe shkruaja:

: Gjergj Hani po sjell vetveten, një prurje kritike e munguar, por e duhur. Idealist, me principe dhe real, ku pesimizmi është një arsye për ndryshim, me këmbët në tokë, kur shumëçka është e zhytur në llumin e gabimeve, fajeve dhe të korrupsionit, te mashtrimit dhe të përçarjes dhe talljes së trashë me realitetin që na sundon, duket dhe nga vetë media, nga ajo pjesë gati sharlatane, e kapur nga interesat oligarkike dhe mediokriteti mërzitës i vetvetes.

Gjergj Hani ndjeu thirrjen e brendshme, jo që të konkurojë ndokënd, por të plotësojë boshllëkun e krijuar moral dhe në ide e në veprim, mosbesimin apo lëvizjet e mbrapshta…

Si askush tjetër ai ka besim: në themelet e Bashkimit Europian është kultura e krishterë dhe në Kushtetutën e SHBA është doktrina e lumturisë, kjo frymë është dhe në kumtet e tij. Paqe, pa urrejtje, pa hakmarrje, me drejtësi duke parë përpara, pa harruar…

Nëse do të humbet vizioni i Gjergj Hanit, ka për t’u humbur një mundësi e rrallë shprese, thirrja e hapur per moralitetin në politike, për rimëkëmbjen e një ideali dhe platforme zanafillëse… – thosha. Gjergj Hani së paku kërkon të zgjojë ndergjegjet dhe përgjegjësitë duke ofruar ndërkohë pikërisht këtë vizion,.

…pararendësit e tij duhet ta mbështesin, kjo do të ishte e arsyshmja… për të sjellë sa më parë nga e ardhmja që e duam bashkë… etj, etj.

Shoh Gjergjin përballë si për të marrë forcë prej tij. Hija e borsalinës i bie mbi fytyrë si një metaforë dhe më dukej se përhapet gjithandej për mirë. Dhe më vjen të them:

Sa vonë është vendi ynë dhe ti je shpejt, Gjergji ynë!

Solla pjesë nga ato që kisha shkruar, në nderim të tij. Gjergji ynë, thosha shpesh. Dhe i bashkohem ç’ishte shkruar në murin e “Burgut të Qafë Barit”:

“…Gjergj Hani mbetet pjesë e kujtesës sonë për vuajtjet dhe sakrificat e një kohe të errët.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve!

U prehtë në paqe! Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok