14/04/2024

Idriz Seferi dhe veprimtaria patriotike e tij

0

Nga Ibrahim Kabili

Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, etj. janë ndër figurat më të mëdha të kohës në Kosovë dhe shqiptari. Ata dhanë një kontribut të madh në lëvizjen kombëtre shqiptare, dhanë gjithçka për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Lufta e tyre e paepur kundra pushtuesve turq, serbë, malazezë, etj. i bëri ata të njohur në luftën e tyre për çlirim kombëtar. Kështu janë fiksuar në memorjen time këto figuara patriotike që dhanë gjithçka për lirinë, pavarësinë dhe çështjen shqiptare. Kosova ka qenë vatra e patriotizmit. Aje u ngjizën liria, pavarësia dhe çlirimi kombëtar. Ëndrrat e tyre për Kosovën e lirë dhe të pavarur u bënë realitet pas njëqind vitesh robërie nën pushtimin serb. Kosova sot është e lirë dhe pavarur, edhe falë kontributit të madh të tyre. Sot Kosova ka probleme ende me Serbinë. Ajo në forma të ndryshme do ti ketë këto probleme edhe në të ardhmen, me të. Serbia sot edhe pse e ka humbur Kosovën vazhdon veprimtarinë armiqësore kundër saj. Tek unë si i ri, dhe më pas si mësues i historisë, figura e Idriz Seferit është fiksuar në memorje si patriot dhe atdhetar i flaktë. Ai më ka “bërë për vehte” me heroizmin e tij si strateg dhe udhëheqës i Betejës së Kaçanikut, si prijës popullor dhe strateg ushtarak në luftëra e beteja të shumta kundra pushtuesve. Idriz Seferi në betejën e Kaçanikut dhe Isa Boletini në atë të Caralevës i dhanë goditje të madhe pushtuesve turq. Pavarësisht fatit të këtyre kryengritjeve dhe të tjerave si këto, u fitua liria dhe erdhi Pavarësia e Shqipërisë. Kosova padrejtësisht mbeti jasht saj.

Idriz Seferi udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Karadak, Shkup, etj. Ai u bë një figurë emblematike për shqiptarët. Edhe sot ai “motivon” me mësimet dhe veprimtarinë e tij. Idriz Seferi lindi në Sefer të Gjilanit më 14 mars 1847. Lindi në një familje të madhe e cila ishte me tradita të mëdha atdhetare. Duke qenë pjesë e kësaj familje me tradita, dhe i ndikuar edhe prej figurave atdhetare të kohës, ai u bë një atdhetar i flaktë i çështjes kombëtare. Qe antar dhe aktivist i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes së Pejës, përkrah Isa Boletinit. Qe organizatori dhe prijësi i kryengritjeve të vitit 1910 dhe të vitit 1912. Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Idriz Seferi vazhdoi luftën me pushtuesit serbë, bullgar, etj. Jo vetëm kaq, por e gjthë familja, gruaja e tij dhe djemtë u shquan për çështjen kombëtare. Ai megjithëse u burgos disa herë dhe u internua nga pushtuesit, asnjëherë nuk u thye tyre. Madje ju ofruan  privilegje atij dhe familjes, nuk pranoi asgjë nga këto, dhe i qëndroi besnik çështjen kombëtare. Vlerat e larta që ai manifestonte e bënë Idriz Seferin, njeriun dhe prijësin më të dashur dhe popullor në Karadak dhe më gjerë. Banorët e këtyre anëve e shihnin me dashuri dhe respekt atë dhe e ndiqnin me besnikëri në veprimtarinë e tij atdhetare. Vdiq më 25 mars 1927 në vendlindjen e tij, të cilën e donte aq shumë dhe që bëri gjithçka për mbrojtjen dhe përparimin e saj. Populli i kësaj ane i është mirënjohës edhe pas vdekjes Idrizit Seferit për kontributin dhe veprimtarinë e tij. Shumë historianë janë të një mendimi dhe vlerësojnë, se; Idriz Seferi ishte njëri ndër udhëheqësit kryesorë që organizoi luftën e popullit për çlirim kombëtar, për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit osmanë, serbë, bullgarë, etj. Ai punoi për bashkimin e viseve shqiptare në një shtet kombëtar, qe kryetrimi i kësaj ane. Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në luftërat kundër serbëve. Luajti një rol të rëndësishëm në organizmin e Kuvendit të Ferizajt në vitin 1908  dhe përkrahu revolucionit Xhonturk. Pas kësaj Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar për përhapjen e arsimimit kombëtar në viset e Kosovës. Në luftën Ballkanike Idriz Seferi dhe vullnetarët e tij luftuan në mbrojtje të atdheut. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ai nuk pushoi së  luftuari kundër pushtuesve serbë dhe bullgarë.  Gjithë jetën e tij i’a kushtoj atdheut dhe shqiptarisë. Në këtë rrugëtim të gjatë si luftëtar i lirisë ka bashkëpunuar ngushtë me figurat kryesore të kombit shqiptar. Shqiptarët e Kosovës dhe figurat e shquara të saj kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e Shqipërisë. Një ndër këto figura atdhetare me gjurmë në histori është edhe Idriz Seferi. Ai është cilësuar, si; “kalorësi i Karadakut”,  “kreshniku i maleve”, “ushtari i lirisë”, etj. Idriz Seferi qe organizator shumë i zoti. Si njeri me influencë të madhe frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë dhe trojet e tjera shqiptare. Deri në vdekje ai luftoi për liri dhe pavarësi. Idriz Seferi si prijës popullor dhe strateg ushtarak udhëhoqi popullin e tij në luftërat për liri. Idriz Seferi nuk luftoi për privilegje dhe pasuri por për komb dhe atdhe. Për gjithë këtë është vlerësuar me titullin; “Heroi i Kosovës”. Kosova dhe krahinat e saj zënë një vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kjo vërteton qartë kontributin e kësaj treve në Pavarësisë e  Shqipërisë. Idriz Seferi vdiq në kohën kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia. Ai vdiq i brengosur pasi atdheun e la të copëtuar, vendlindjen e la nën errësirën e huaj. Ëndrra e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk u përmbush në të gjallë të tij. Ajo u bë realitet në vitin 1999 me fitoren e lirisë dhe me 17 shkurt 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Edhe sot pas 96 vjetësh nga vdekja e Idriz Seferit, mbeten aktuale mësimet që dalin nga veprimtaria e tij:

  • Të ndalohet shpopullimi i Kosovës dhe i trojeve etnike shqiptare.
  • Të eleminohen grindjet, përçarjet dhe të bashkohen gjithë shqiptarët për të ndaluar veprimtarinë armiqësore të Serbisë.
  • Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara dhe të përballohet çdo rrezik që i vjen Kosovës nga Serbia dhe armiqtë e tjerë.
  • Klasa politike e Kosovës të mos shitet për privilegje e pasuri por të jetë e devotshme për çështjen kombëtare.

Idriz Seferi dhe shokët e tij janë modeli që duhet ndjekur për veprimtarinë e tyre atdhetare. Ata me veprën e tyre do të motivojnë gjeneratat e reja në mbrojtjen e kauzës kombëtare…

Tiranë, më 29.06.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok