21/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Ashtu e kam ditur edhe unë Dan; Që nuk flitet keq për të vdekurin. Për të vdekurin flitet vetëm mirë. Sepse i vdekuri nuk dëgjon, dhe nga fjalët e mira nuk i rritet mendja. Keq flitet vetëm për të gjallin, i cili dëgjon, kupton, turbullohet, dëshpërohet, ndonjëherë aq tepër, sa bën si bëre ti.

Kjo simetri e frikshme, ky trend makabër me të vdekur të cilët duhen ruajtur nga rritja e mendjes, dhe të gjallë të cilët edhe pa asnjë shkak duhen ndëshkuar me fjalë të helmëta, tashmë në Shqipëri i ka shpërndarë aq thellë metastazat, sa “mirë” flitet vetëm për të vdekurit e këqij, dhe “keq” vetëm për të gjallët e mirë. Shtoi kësaj edhe nuancat, tmerret e pafundme që rrjedhin nga kombinimet e panumërta të heshtjes memece, të folurit gjysmak, të gjallët e vdekur, të vdekurit e gjallë, të gjallët e gjallë, të vdekurit e vdekur, edhe pse i vdekur e merr me mend vetë ti sa e ngatërruar bëhet tabloja.

Prandaj, unë o Dan, gjatë këtij komunikimi postum me ty, do bëj diçka më të thjeshtë. Do kujtoj disa dromca ilustruese.

Me rastin e vetëvarjes tënde, Edi Rama shkroi një redaksional. Një tekst hyper patetik. Një eksperiment intelektual, një sprovë grafologjike lakrimogjene, për nga efektet pothuajse identike me atë që i kushtoi Gim Myftiut ca vite të shkuara. Requiemi i Ramës për ty më kujtoi atë që ti Dan vet’ më pate thënë një ditë se të kishte mbetur hatri lidhur me një udhëtim që ti dhe Rama kishit bërë në Itali, kur gjatë atyre dy apo tri ditëve Rama s’të kishte folur asnjë fjalë.

Unë e ti Dan jemi njohur më 1981 në Pogradec, kur diku buzë Liqerit të thashë pa të përshëndetur;

-A e di ti Dan Klosi se atje përtej në katin e dytë të një shtëpie të rrënuar që duket si kullat e Frankfurtit, gjysmë shtrirë mbi një divan gdhihet e ngryset i fundmi Rilindas, Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Lasgush Poradeci ?

-Faleminderit. Nuk e pi.

Më la pa mend kjo lloj përgjigjeje që besoj se kishte kuptimin; “Mos më ngatërro me këto gjëra”. Por nuk e zgjata.

Nga ajo ditë u bëmë miq. Nga ata që takohen rrallë. Sepse unë, vëllain në burg, ti në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, nuk mund të ishim aq miq sa të dëgjonim Bitëllsat dhe të kërcenim Rock and Roll në ndonjë bodrum të Shallvareve. Ama e vërteta është, duhet thënë patjetër edhe kjo, njohja jonë ndodhi ndërkohë që pothuaj të gjithë miqtë e mëparshëm më patën braktisur.

Në ato kohë ti më tregoje gallata nga Shtëpia Botuese.

Po bëhej një mbledhje ku flitej kërcënueshëm nëse i vlente apo jo Diktatorit “Viti i Mbrapshtë”. Ismaili, i strukur nga atje ku rrinte, të dërgoi ty dorë më dorë një pusulle të palosur ku kishte perifrazuar veten:

“Ç’më ka hije pena, Dan o kapedan,

ta botoj “Vitin”, bytha s’po ma mban”.

Dhe qeshnim pafund me këtë e të tjera të tilla.

Pavarësisht si u kokolepsën punët më vonë, ti në atë kohë ishte dishepull i zjarrtë i Ismailit. Apo jo ?!

Një herë tjetër të thashë se Dritëro Agolli nuk është as shkrimtar as poet, por vetëm inkuizitor. Nuk refuzove, por the: Kujdes me këto gjëra, se Dritëroi mund të jetë a të mos jetë si thua ti, por nuk është budalla.

Në 1988, ti, edhepse thoshe se i adhuroje, s’kishe asnjë ide ku tretej Lasgushi dhe ku dergjej Petro Zheji. Edhe tek Lasgushi, edhe tek Zheji, ty Dan të shoqërova unë.

Zhejin e dëgjove me shumë vëmendje. Më tregove edhe se si në një tjetër mbledhje në po atë shtëpi botuese, në një moment kur një i ardhur nga një komitet partie kishte përmendur “një gënjeshtër që thuhej në Bibël”, Zheji e kishte ndërprerë duke i thënë; “Ju lutem, a mund të dal pak jashtë ?” E kishte lejuar lektori Zhejin të dilte duke menduar se Zhejit i duhej të shkonte në fund të korridorit. Mirëpo Zheji që kishte vajtur në një apartament të ngushtë aty pranë ku jetonte aso kohe, ishte kthyer pas pak minutash me një Bibël në duar duke i thënë komitetsit: “Ja Bibla, ku është ajo gënjeshtra ?!”

Lasgushin, edhe atë e dëgjove gjithashtu me shumë vëmendje. Gjatë asaj vizite, në një moment Lasgushi të la pa frymë kur tha: Tani mund të flasim sa të duam, se ai ka vdekur. Fjalë këto, për të cilat, tre vite pasi Diktatori kishte ngordhur të ikte koka. Unë me këto thagma të Lasgushit isha mësuar. Ndërsa ty, megjithëse me atë batutë qeshe sa deshe, sa s’të ra pika. Gjatë atij takimi me Lasgushin, që për mua mund të ishte i njëqindti, ndërsa për ty i pari dhe i fundit, ti more edhe shënime në një bllok. Që pastaj ai bllok të humbi dhe e qave tërë kohën. Por nuk e kuptova kurrë natyrën e adhurimit tënd për Lasgushin. Ndërkohë që s’ma bëre kurrë të ditur cilën poezi apo poet preferoje, për Poezinë e Lasgushit më pate thënë disa herë se nuk e pëlqeje.

Pastaj erdhi ’90-a, dhe ato që dihen.

Në një miting në Sheshin “Skënderbej”, kur turma po shpartallonte klubin e Ministrisë së Brendshme dhe po digjte makina, t’u afrova dhe të thashë se ishte rast i mirë për ta bërë si në Shkodër, domethënë të gjenim një mënyrë për t’i thënë turmës të rrafshonte komitetin e partisë së Tiranës, godinën ku sot është selia e Partisë Socialiste. Në vend të përgjigjes lëshove një hungërimë refuzuese idhnake.

Pak më vonë u mor vesh prishja jote e beftë me Ismailin. Idhnimi yt i papritur me Ismailin më ka mbetur sot e kësaj dite më i mistershëm se unazat e Saturnit. Qarkulluan fjalë, madje një miku im e shkroi edhe në një libër se ke qenë spiun i Sigurimit dhe ke marrë më qafë Linx Ngjelën. Këtë gjë unë nuk e kam besuar dhe nuk do ta besoj pa u hapur dosjet, të cilat, meqë ra fjala, duhet urgjentisht të hapen. Por ti Dan disa gabime atëherë i bëre. Ju të dy, ti dhe Edi Rama, u rrekët t’i ngrinit piedestal dikujt që e quajtët shkrimtar dhe disident, por që në fakt nuk është as i tillë as i atillë. Sa i përket të qënit antikomunist, ishte një njeri që ka vrarë me dorën e vet, dhe, sa i përket të qënit shkrimtar, është aq i paditur sa nuk thotë “pastaj”, por “mbasandaj”.

Jo për gjysmakët dhe hipokritët që sot bëjnë sikur pendohen duke thënë se bënë gabim që nuk të ndenjën afër, dhe as për legenat që mburren se po flasin demek mirë për ty në kafazin e budallenjve që quhet Fejsbuk, por për njerëzit seriozë, duhet thënë edhe se shumicën e muhabeteve dhe shakave, ashtu i kishte ti Dan, me vdekje. Për shembull, kur takoheshim më thoshe: “Eh, në betejën kundra mediokritetit, edhe unë mund të mburrem me një viktimë, Mira Meksin. Të cilën vërtet e masakrova, por nuk arrita ta vdisja dhe ta varrosja. Ndërsa ti Edison ke bilanc më të mirë në këtë drejtim, dhe të kam zili. Sepse prejkur bëre atë shkrimin “Sikur Rudina…”, Xhunga nuk thotë më jam shkrimtare, jam romanciere.

Vrau veten një soc-aktor që pat’ luajtur role komisarësh dhe komandantësh trima në atë luftën që ka ekzistuar vetëm nëpër filma. Ky aktori, pas ’90-ës, befas ktheu pllakën. U kujtua t’i ngjajë Klint Istvudit. Më vonë vendosi të vetëvritet si Bekim Fehmiu. Unë, i habitur nga kjo marri’, bëra një shkrim me titull “Secili vdekjen e vet” ku thoja se kush ka bërë jetë plehu nuk mund të pretendojë vdekje gjeniu. Ti Dan, pa ma përmendur emrin, reagove atëherë tek gazeta “Shekulli” me një shkrim idhnak “Këta s’të lënë as të vdesësh”. Gënjeve. E provove më se një herë, dhe askush s’të pengoi. Pak ditë pas daljes së shkrimit tënd reagues idhnak, pronari i gazetës që botoi shkrimin tim, më tha se ti Dan, pezmin nuk e kishe pasur as me ata që gjatë Diktaturës penguan të shumtët të jetonin, dhe as me ata që sot, sipas teje, pengojnë ndonjë të rrallë si ty të vdesi, por me tjetër njeri. Me vet’ pronarin e asaj gazete, i cili të kishte refuzuar marrjen në punë si fotografe të gruas tënde Jutta.

Dan, bëre përkthime të mira, të zgjedhura, të vlefshme, por të ftohta.

Librat e tu nuk u lexuan. Pra Autor nuk ishe.

Publicistika jote, nuk ishte më e keqja, por qe kryekrejt sa propagandë në favor të njërit krah të politikës, po aq edhe idhnake për krahun tjetër.

Ti Dan nuk u pajtove me Diktaturën. Por ti nuk u pajtove as me Demokracinë. Dhe ky ishte problemi. Nga ajo kohë në këtë kohë, ti Dan solle mbi shpinë një ngarkesë të tepërt. Një avantazh, një supremaci, një kult të parathënë etërish, diçka që gabimisht kujtoje se të përkiste. Ishte ky hamallëk i kotë, që s’të la të jetosh i qetë, dhe ta theu kurrizin.

Dy ditë para se të varje veten ti Dan, vdiq një kushërira ime. Por për kushërirën time, e cila, meqenëse e kaloi gjithë jetën internimeve, e kishte jetën me mijëra herë më dramatike se tënden, timen dhe shumë të tjerëve, nuk u kujtua asnjë gazetë e asnjë televizor e s’u bë asnjë homazh.

Një daja im i cili vdiq në moshë të shtyrë para pak viteve më pat treguar një episod me babain tënd. Ai, yt atë, e kishte lënë të vdekur në vend një ballist duke i rënë nga mbrapa në kokë me një lopatë. Ta pata thënë këtë punën e lopatës. Nuk e mohove, dhe as nuk e pranove, madje as nuk u habite. Që më le përshtypjen idhnake se s’ishte çudi të kishe dijeni për të tjera kazma e lopata, sqeparë e tortura mbi kurrize shqiptarësh të pafajshëm.

Këto që të kujtova, sigurisht që nuk përbëjnë tablo të plotë. Por besoj se janë të mjaftueshme që brenda kontekstit shoqëror që flet gjithmonë mirë vetëm për të vdekurit dhe gjithmonë keq vetëm për të gjallët, është i mjaftueshëm për të ma rrëqethur mua mishin dhe ty kockat.

Lëri Dan se ç’po thonë të shiturit mediatikë. S’ishe as më pak e as më tepër se një mallakastriot idhnak që provove diçka madhështore; Se nuk është për të pasur frikë nga vdekja, e cila është e tëra, por nga jeta, që është pjesa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok