25/04/2024

Idetë social liberale në  Gjirokastrën e viteve 1920-1924

0

Ballkoni i klubit të opingarëve në Gjirokastër

Nga Dorian Koçi

Gazeta “Drita” e Gjirokastrës e drejtuar nga patrioti Veli Hashorva do të dilte në mbrojtje të Avni Rustemit kur ky i fundit po gjykohej në Paris për vrasjen e Esat pashë Toptanit.Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29 nëntor 1920 në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një mocion gjykatës së Parisit: ”I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez, fisnik e liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit me tradhti të lartë Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi kështu për të shpëtuar Atdheun”. Protestat ishin nga mbarë vendi, madje edhe nga vende e miq nga gjithë bota, nën presionin e të cilëve Avniu u lirua. Pa kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 Dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në Bashkinë e Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës i uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve. Mirse na erdhe Avni Rustemi!”.

Vitet 20’ janë dhe fillimet e demokracisë parlamentare në Shqiptare. Grupet politike dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë ngjyra lokaliste, krahinore por ndonjëherë do të ndikohen dhe nga shoqatat e grupimet që i kanë votuar. Veli Hashorva është një nga organizatorët e Shoqërisë “Drita”(1921-1924). Shoqëria “ Drita” ishte klub demokratik, arsimor, kulturor e politik që ushtroi veprimtarinë e vet në Gjirokastër. Është quajtur edhe klubi i «Opingarëve», meqë kishte për simbol një palë opinga, që personifikonin njerëzit e thjeshtë. Organi i vet ishte gazeta “Drita” që drejtohej nga Veli Hashorva . Shoqëria “Drita” arriti rezultate të mira gjatë fushatave të zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit më 1921 dhe më 1923. Veprimtarinë e vet demokratike e liberale e përforcoi sidomos gjatë Lëvizjes që Qershorit në 1924 që Fan Noli e Ali Këlcyra e kanë emërtuar si Revolucioni i Qershorit 1924.

Shoqëria “Drita”që në zgjedhjet e vitit 1921 u rreshtua kundër Myfit Libohovës dhe përkrasve të tij në Prefekturën e Gjirokastrës. Shoqëria “Drita”duket se ishte frymëzuar nga ide socialiste që kishin filluar dhe kishin zënë rrënjë në mjedisin shqiptar. Ka shumë të ngjarë që ashtu si dhe studentë të tjerë në Stamboll Veli Hashorva të lexonte idetë socialiste në gazetën Turk Huku (Drejtësia turke) që propagandonte ide socialiste.  Shoqëria “Drita” mori pjesë në Kongresin e Shoqërive që u mbajt në Vlorë ku u formua Konfederata “Atdheu”.

Në një njoftim në Revistën Agimi që botohej në Shkodër njoftohet se më 3 qershor të vitit 1921 Shoqëria “Drita” e Gjinokastrës deklaroi bashkimin me Federatën “Atdheu” tue qenë pranë dhe z Avni Rustemi i cili u zgjodh kryetar i mbledhjes së përgjithshme. Pjesëtarët e qendrës “Atdheu”të Gjinokastrës u zgjodhën këta zotni; Kryetar z Petro Poga, Sekretar z Veli Hashorva me tre pjesëtarë të tjerë qi janë z Kiço Koçi, z Hasan Xhiku dhe z Beso Gega.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok