25/07/2024

IDEOLOGU I PAEPUR I LËVIZJES PATRIOTIKE ILEGALE SHQIPTARE PROF. YMER BERISHA

0

TI KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Profesor Ymer Berisha u lind më 1912 në Gjurgjevik të Madh, fshat afër Klinës. Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit, shkollën Normale e kreu në Elbasan. Fakultetin e Shkencave Natyrore, dega e Historisë- Gjeografisë dhe Akademinë Ushtarake e kreu në Romë- Itali. Pas, kryerjes së fakultetit, u kthye në Shqipëri, dhe punoi si mësues në shumë fshatra të Shqipërisë Veriore. Më 1939, kur Italia e okupoi Shqipërinë, ai së bashku me xhaxhanë e vet Sejdi Berishën, kaloi në Kosovë. Më vonë, në Prishtinë filloi të punojë si profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” (1941-1944). Pas pushtimit të Kosovës më 1944 u arratis në malet e Drenicës dhe nga aty organizoi rezistencën e armatosur kundër pushtuesve  të rinj. Prof. Ymer Berisha konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Gjatë tërë jetës së vet ishte luftëtar i denjë kundër fashizmit e komunizmit (të kësaj ideologjie sllave).

Ai luftonte  për Kosovës dhe për të gjitha trojet shqiptare, që ishin të copëtuara padrejtësisht nga shovinistët fqinjë dhe fuqitë e mëdha. Rrezikun kryesor e shihte tek shovinizmi serbomadh, që mbante Kosovën dhe aspiratat e saja nuk përfundonin me aq. Të njëjtin rrezik e shihte edhe në jugun e Shqipërisë, nga shovinistët grekë. Profesor Ymer Berisha njihte vetëm një ideologji, ajo ishte ideologjia kombëtare shqiptare, idealet e së cilës gjetën mishërimin e vet në Mbledhjen e Mukes dhe në vendimet historike të Bujanit.

Mendohet se iniciator dhe themelues i ONDSH-së ishte vet ai, po më 1945, në Kuvendin e Dobërdolit formoi edhe organizatën tjetër ilegale “Besa Kombëtare”. Në emër të kësaj organizate “Nga malet e lira të Dardanisë” i shkruan shefit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjeneralit Hadson, një letër me të cilën e njoftonte për terrorin sllavo-komunist mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, dhe duke kërkuar ndihmë e përkrahje nga aleatët anglo-amerikanë. Si patriot që ishte, Ymer Berisha, do të angazhohet drejtpërdrejt në proceset e Kosovës, duke mbajtur kontakte me masën e gjerë shqiptare. Profesori i Gjurgjevikut, në vjeshtën e vitit 1944 do të vijë në Drenicë dhe do të bisedojë me Shaban Polluzhën, Sadik Zenelin, Jusuf Gradicën Rexhep Vojvodën dhe me shumë njerëz  të tjerë autoritarë të kësaj ane e të Artakollit për fatin e Kosovës. Në Drenicë, me 28 nëntor do të mbajë një tubim me fshatarët e kësaj ane dhe aty do të thotë “ Nuk ka besë më me serbë, prandaj duhet të organizohemi dhe të luftojmë deri në bashkimin kombëtar”. Si intelektual i formuar që ishte, ai ishte njohës i mirë i rrethanave politike dhe qysh atëherë kishte shprehur dyshimin rreth realizimit të vendimeve të konferencës së Bujanit. Duke i njohur mirë këto rrethana, ai bënte përpjekje të vazhdueshme që shqiptarët në Drenicë, në Llapushë dhe në disa pjesë të Dukagjinit t’i bind për t’iu kundërvënë politikës okupuese me të gjitha forcat, madje së fundi edhe me kryengritje të armatosur.

Me fillimin e kryengritjes në Drenicë, Ymer Berisha do të thoshte se suksesi i saj do të varet nga zgjerimi i saj në të gjitha anët e Kosovës. Në Drenicë do të sjell armë dhe si deklaron Hajriz Domaneku, në Obri kishte sjellë disa automatikë me të cilët luftuan deri sa u shua rezistenca e Drenicës. Pasi shuhet lufta e Drenicës, profesori prej këtu kaloi në ilegalitet dhe kaloi në anën e Prizrenit, Podrimes dhe Rahovecit. Më vonë angazhohet në unitetin e ilegales shqiptare, dhe në territoret e Dukagjinit formoi komitetet e rajoneve, të rretheve e të komunave, që kishin të vyejtën strukturë si në NDSH-e.

Më 22 tetor 1945, ai e informoi shefin e misionit ushtarak anglez, gjeneralin e zënë ngoje për përfundimin e luftës së Drenicës dhe për gjendjen në Kosovë. Por ky raport kishte rënë në duart e OZN-es, sepse korrieri ishte bashkëpunëtor i tyre e që nuk ishte hera e parë që një njeri i tillë ishte infiltruar në radhët e lëvizjes. Profesori ishte i shqetësuar për situatën që mbretëronte pas aneksimit të Kosovës Serbisë. Sepse për nga përmasat, qëllimet, metodat që përdoreshin, propaganda që zhvillohej, dhuna që zbatohej mbi shqiptarët ishte e njëllojtë me atë që ushtrohej dhe përdorej në vitet e sundimit të dinastisë mbretërore të paraluftës. Përpara luftës shqiptarët ishin element destabilizues për Jugosllavinë, ndërsa pas lufte ishin separatistë, e çka jo tjetër. Duke e vërejtur pakënaqësinë e dëshirimin e popullit, Ymer Berisha vënë lidhje me të gjitha organizatat ilegale, që vepronin në Kosovë dhe intensivisht punoi për të bërë bashkimin e tyre. Sipas Gjon Serreqit, që i jep deklaratë hetuesit në burg, thotë se “ Me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës kemi pasur lidhje prej qershorit të vitit 1946, nëpër mjet të Rexhep Lushit, korrierit të Hilmi Zariqit. Aksione të përbashkëta nuk kemi pasur. Ata kanë kryer aksione në Dukagjin, kurse ne këtu. Ymer Berishën të gjithë ne e kemi nderuar si organizatorin më të aftë. Ai na pat njoftuar se është i ndërlidhur me Muharrem Bajraktarin me konsullin anglez në Tiranë, Hadsonin”, përfundon Gjoni para organeve hetimore. Këtë deklaratë ai e jep diku në orët e hershme të mëngjesit.

Ymer Berisha kishte lidhje të ngushta edhe me Ukë Sadikun dhe me të gjithë krerët e shqiptarëve në ilegalitet. Pas një aktiviteti të dendur në fshatrat e Gjakovës, dhe pas një konsultimi që pati me Ukë Sadikun, atë, profesorin e njoftojnë se në malet e Lipovicës do të mbahet kongresi V i ONDSH-së, dhe ai ishte i ftuar të marrë pjesë në të. Sipas të dhënave që i jep Gojko Medenica, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim e sipër për në Kongresin V të ONDSH-së, që mbahej në Lipovicë. Së bashku me përcjelljen bëjnë rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof. Ymer Berisha vritet me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosën rëndë. Së bashku me ta vritet edhe mësuesi Fehmi Kura.

Vdekja e prof. Ymer Berishën dhe e bashkëluftëtarëve të tij do të mbahet fshehur deri më 25 korrik 1946, kur do të mbahet Kongresi i Lipovicës. Atëherë zbulohet korrieri i rrejshëm ( në të vërtet ishte spiun i Spasoje Gjakoviqit), Rexhep Alush Carabregu, që një kohë të gjatë kishte luajtur lojën e korrierit duke bartur letra nga Shtabi II( Organizata nr.2) në Drenicë dhe “Besa Kombëtare” në Dukagjin. Nga trysnia  që iu bë atij nga gjyqi popullor i kongresit në Lipovicë, ai pranoi se Ymer Berisha me ndihmën e tij kishte rënë në grackë dhe ishte likuiduar. Andaj gjyqi popullore e dënoi aty për aty me pushkatim edhe Rexhep Carabregun aty afër, ku mbahej kongresi.

Kongresi i Lipovicës i filloi punimet më 25 korrik 1946, dhe në këtë kongres u propozua që komandanti i përgjithshëm i ilegales shqiptare u emërua prof. Ymer Berisha, në mungesën dhe në padijen për vrasjen e tij për 15 ditë më parë. Pasi u zbulua likuidimi i Ymer Berishës nga ana e UDB-es, shtypi i kohës bënte njoftimin e shkurtër se u vra ballisti, antipopullori, antidemokratik Ymer Berisha, spiun gjerman, i cili ka qenë i shtyrë dhe i përkrahur nga reaksioni i jashtëm, ka qenë udhëheqës kryesor politik i të ashtuquajturës “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar” me të cilat ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët ishin në shërbim të reaksionit të huaj”. Pa fijen e turpit, shtypi i kohës i mëveshëte lloj-lloj epitetesh, duke filluar nga ato më të çoroditurat e deri tek ato më fyeset për një patriot e atdhetar siç ishte ai. Qëllimi i parë dhe i fundit i të gjithë këtyre të rënëve kishte vetëm një emër dhe një synim që të gjitha trojet shqiptare të bashkoheshin në një shtet etnik- Shqipërinë etnike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok