26/12/2024

I ZIU SHAQO BOLENË …

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Ky Shaqua nga Bolena duhej të kishte qënë, përderisa mori për llagap emrin e fshatit. Këtë mbiemër mbase e kanë marë shumë veta, por hakçe hakçe vetën këtij i shkon për shtat dhe i ndrin fshatit si ylli majë bredhit të vitit të ri. Ja dëgjoni e jepmëni hakë…

Shaqua i la në vathë ato pak cangadhe që kish doli malit kundra një mbretërie të tërë, asaj të ‘’taljanit’’ dhe më pas kundër ‘’jermanit’’dhe u vuri drunë. Do thuash ti që dhe ai mori tri plumba  në trup! Dakort xhanëm, por po të llogaritësh se sa shokë ju vranë, hesapi s’del dhe aqë keq për Shaqon. Mendo vetë, vetëm nga Bolena mbenë në luftë mbi pesëdhjetë djem e vajza

Hesapet e luftës mirë i kish bërë Shaqua, por ja që një hesap s’e kishte bërë tamam: kur vendosi të zbriste në “qitet”. Në fakt duke bërë hesapet e luftës i doli në “defterë” e vërteta që  “qitetin”  nuk e  ruanin dot ‘’qitetarët’’. Ja, bën hesap vetë, erdhi ‘’taljani’’ i parë, ’’qitetarët’’ nuk e mbrojtën dot. Më t’u lëshua çobanëria me Selam Musanë e Salarisë me guna mbi tela  dhe e çliroi. Ua lane prapë ‘’qitetarëve’’ ‘’qitetin’’, por ata se mbajtën  që se mbajtën dot, kur ja, erdhi prapë ‘’taljani’’ i ‘’ditë’’. U ngre prapë fshatarësia me dyfek në dorë mal më ma e breg më breg dhe e mundi ‘’taljanin e ditë’’ .Tek u nisëm të iknin në fshat, ja behu ‘’jermani’. Bam e bum  Shaqo ziu e ‘’shaqëria’’, u prenë e u grinë se qe dhe i sertë ‘’ki dreq jermani’’, po prapë bënë si bënë  dhe e shpëtuan ‘’qitetin’’. Tek do iknin prapë tek cangadhet i ranë mëndjes; -Po sikur të vijë prapë ‘’taljani tretë apo jermani i ditë’’  prapë do zbresim na? Allë na pret koha mahere? Po na ja tek jemi këtu,.le të rime, aq më tepër që “qitetarët” muarnë Tiranën vargan vargan. Kështu që po ‘’ertinë’’ prapë ’’jermanët e taljanët’’ këtu na ne dhe jo “qitetarët” që vanë në Tiranë..

Kështu vendosi Shaqua të qëndrojë në ‘’qitet’’.

Siç thamë, hesapin s’e kish bërë mirë se ‘’qiteti’’ ka halle ore. S’ka aty t’u bërtasësh dhënve a dhive të varen ‘’përposh’. ’’Qiteti’’do laps e penë e jo llafe grash në përua kur lajnë e shpëlajnë lëveret e fëmijëve. Po Shaqo ziu vetëm  kërrabën e dyfekun dinte në këtë botë. Ku të mësontë mavria laps e penë.

Ndajë varri një sorro dekorata në gjoks dhe vate  i qau  hallin‘’kumandarit’’ të tij: “kështu e kështu e si do ma bëç,  se u’ vetëm për difek jam e dua të ri në qitet, se mos vijnë dhe na e marin prapë e s’pret puna mahere sa të zbres na fshati u’ e të tjerët, se këta qitetarët  vetëm për sullaco e varavingo pazarit janë, që na Sheshi i Flamurit e njëra më Skelë, më tutje s’dinë fare”.

“Kumanari” qesh e bot e qafë më qafë me Shaqon dhe i tha;-Ti Shaqo mer difekun e do rishë roje te Komiteti dhe shiko mirë ore se mos na hin bërna ndonjë armik e na bën gjëmën. Partia ka besim te ti Shaqo ndajë të na ndero!.

Që të fluturonte nuk i duheshin krahët Shaqos. Me vrap me dyfek në dorë e zuri portën e Komitetit dhe s’linte as mizë të kalonte pa e pyetur për babanë e për gjyshin, për krushkun e për mikun. Kur i mbushej mëndia i linte të kalonin Për ca malukatër desh bëri hatanë, se njëri që i biri i një ballisti (ç’kërkon balli në komitetet tona xhanëm) dhe tjetra qe shumë e pispillosur, si ato që kishte me vete “taljani”. Nejse zbriti një nga shefat dhe e sqaroi se i kishin thirruar ata që të vinin, ndaj duhej t’i linte të shkonin. Të themi dhe atë që është: dhe me këta shefat e kishte pakëz inatin Shaqua. Ja, më qe bërë  shef i biri i Remziut  që vetëm në fund doli në luftë dhe i hodhi a s’i hodhi nja tri dyfeqe. Kulmi qe kur erdhi “krietar” Liçua. Ai de, që as të mbante difekun s’dinte, po e mësonte Shaqua si ta shkrepte. Pesë kile burrë ish kur erdhi në luftë dhe ja tani, një të kthierë nga Moskovi e hop “krietar”. Mirë kjo se edhe haetë, por ditën e tretë e thirri në “zirë” dhe e bëri fërtele, mor po leckë fare e bëri dhe pse thua ti?  Sebepi qe pse kishte ndaluar të hinte në Komitet nipin e Shefki Beut i cili ishte i dërguar nga Komiteti më i madh, nga Tirana. Haetë “kijo”. Po ku është armiku atëherë që ta mbërthente Shaqua e të ruantë komitenë.

-Të kemi vënë  të tundësh derën e jo të tundësh Komitenë Shaqooo-i sokëlliu ‘’krietari’’ në fytyrë! -Mbëlidh radakën të them, se do të ta them pas veshit tjatër herë. S’ta kemi shumë ngenë se kemi halle plot.

Nejse nejse, hiq të bërtiturat shpëtoi mirë këtë herë.  I hoqën vetëm  vërejtje të rrëndë. E mblodhi mëndjen e nuk i ndalonte më njerzit të hinin e të dilnin, të ngjiteshin e të zbrisnin. Dëgjonte pakëz i mërzitur si kërcisnin shkallët ë drunjta të Komitetit kur hipte e zbriste shoqja Behije tetëdhjetë qillo tule e tetë okë lule. Tha njëherë ta ndihmonte duke e shtyrë nga pas a duke e tërhequr nga rëpara, po “ lere” tha mavria burrë, s’dihet si e marinë e më del për ters kjo punë. Rinte e dëgjonte  llomotitjet e Gërta Gërbosë nëpër zyra e nëpër shkallë që si pushonte e si pushonte e flamosura gojë.

Ama se ç’punë bëntë tamam tamam kjo Gërta Gërbo a Gërta Gërxho (pse dreqin i thoshnin kështu me emrin e një artisteje të madhë andejë nga frëngjia, kur kësaj vetëm ti shikoje dhëmbët, dhe në krevat ta kishe s’bëheshe dot burrë), pra ç’punë bënte kjo Gërta, Shaqua as ja kishte idenë Vetëm një herë kishte shkëmbier llafe Shaqua me të, atëherë kur ajo e talli e i tha;- Ike dhe ti Shaqo, u plake a mavri, u plake.

Shaqos i hipi inati. Ç’dreqin ka kjo pizevenkë me mua, tha me vete ndërsa asaj ju përgjegj; -U plaka u plaka, po vëne vëne ama, jo i tëri.

Kjo fyryfiçka vetëm të nesërmen e mori vesh se ç’donte të thoshte Shaqua me atë “vëne vëne“ dhe bëri një zallamahi në komitet e vate drejt e te Sekretari i Partisë duke i thënë se Shaqua kishte koncepte armiqësore ndajë ta arestonte.

Sekretari i Partisë s’kishte nge të shikonte se çfarë vëndi  a pjesë e trupit i qe plakur dhe çfarë nuk i qe plakur Shaqos dhe cilat qenë vëndet armiqësore të tij. S’deshi a s’pati kohë kjo s’u muar vesh se pas disa ditësh e arestuan  për  veprimtari armiqesore.

E vërteta është që Shaqua s’kishte gisht në këtë punë, në arestimin pra, por hajde mbaje triumfin e Gërtës e cila trumbetonte poshtë e lart se: ajo e para e zbuloi veprimtarinë armiqësore të sekretarit të partisë që kur vajti dhe denoncoi te ai faktin se Shaqua e shikonte nga këmbët kur ngjitej nëpër shkallë. Tani, kjo puna e këmbëve doli von në skenë, a Gërta e sajoi me qëllim që të kujtonte dynjanë që tja shikonin vërtet këmbëtë,  se e paskëshin lënë pas dore atë deli bukurane, a ja kishte shtirë ndër mënd  shoqja Behije, këtë nuk e di tamam. Kishte një zakon kjo Gerta apo Gërta si ato radiot e moskovit kur i vë në prizë, niste e nuk pushonte pa mbaruar emisionin informativ, jo vetëm të zyrave po të tërë qytetit. Ja niste që në saba;

-E morët vesh moj motrani? Xhixhua dhe Xhixhia  vajtën te xhaxhesha që të pajtonin Muçon dhe Ruçon  se qënkëshin zënë për të bijën e Mahmutit. Etj etj. Dhe as që i vente në mëndjë se asnjë nuk e njihte xhixhon, xhixhinë e xhaxheshën e saj, pale më Ruçon e Muçon.

Por duke  qënë se  këtë punën e Shaqos e tha dhe e stërtha aqë shumë,  sa erdhën e  u mërzitën gratë e Komitetit, bile një ditë Rukia s’ja përtoi;

–  Moj, po ç’ke me Shaqon se nuk e kuptoj, Ç’të ka thënë e ç’të ka parë?

–  Këmbët moj, tha Gërta duke u rotulluar si balerinat, nuk e shikon që unë kam këmbë.

-Që je dykëmbësh e shoh, ja priti Rukia, po ç’ka për të parë te ato këmbë si kunja cipali për të kruarë dhëmbët, këtë nuk e kuptoj. Po na lerë rehat tani, se ne kemi ardhur për punë këtu e jo për të dëgjuar si leh ti tërë ditën  ham ham e hum hum.

Të qeshurit që shpërtheu mes grave bëri që  një gruaje ti zihej fryma, e desh u bë hataja në komitet.Por shyqyr zotit s’pati dëme në njerëz, vetëm ca lotë  nëpër faqe.

Thonë se që në atë moment ja njitën llagapin ‘’Shoqja ham ham  ham’’ e qesh e bot gjithë komiteti e tërë ata që e morën vesh.  -Kujt i flet kështu ti moj ham ham ham-lehu a bërtiti Gërbua a Gërxhua, quaje si të duash se unë s’kam nge për të përzgjedhur llagape-.Moj e tilla e këtilla ham ham ham.

Thonë se për tu mbyllur kjo zënkë u mblodh organizata e Fronti të Qytetit dhe sekretari i Frontit, pasi parashtroi problemin, duke dashur që tja japë fjalën  Gërxho Gërtës  tha;-Tani do na sqarojë problemin vetë ‘’shoqja ham ham ham’’.

Ilariteti në sallë e tërboi kryetarin e Frontit që e kishte dhe ca si kushërirë të gruas Gërxho Gërbon ndaj ju kthye me tërsëllimë sekretarit, i cili kërkonte të falur pas çdo fjale të kryetari. Pasi e bëri ‘’pesë para burrë’’ sekretarin ju kthye Gërtës me mendimin që t’i jipte fjalën:-Tani pa na sqaro problemin, por të lutemi, mos leh shumë se s’kemi kohë të tepërt .

Të qeshurat që shpërthyen bënë që të qarat e saj të dëgjoheshin si kuisje të vërteta  bushtre që porsa kishte pjellë.

Këto ndodhën në mbledhjen ë Frontit, por Shaqua s’kishte gisht fare në to. Që s’kishte gisht e di dhe unë, sepse atë ditë e kishte thirur në zyrë “krietari” i ri, shoku Visi dhe i kishte thënë të dorzonte  “difekun” se tani s’ka më armiq në “qitet”.

Më mirë ta kish vrarë se sa i tha ato fjalë.  Ju kthye Shaqua e s’ja përtoi fare:

-Plumbat e armikut u’ i kam akoma në trup e ti më thua se s’ka armiq në qitet. Ka more ka, po s’vijnë këtu se këtu jam unë e ju ruaj. Po ku dini ju. U ngrohët me ato zira e me ato fëmëra    që gër mëren  tërë ditën poshtë e përpjetë dhe e harruat Shaqon fare. Kush e bëri luftën more, u’ apo ti. U’ e bëra, u’.  Ja me këtë difek e bëra. Me këtë difek që ti do të ma heqësh. Po nuk e jap jo, nuk e jap. Do e mbroj qitetin u’ edhe nga ca si ti.  More vesh, mora thuaj. Ja, kështu. Hë.

Kështu sokëlliu Shaqua atë ditë te “zira” e shokut Visi, i cili thonë, që mezi e kish marë shkollën atje në Moskovë. Mandje “shoqja ham ham ham” u kishte dëftuar disave  se ai, shoku Visi pra, vetëm pesa kish marë në  shkollë. Bile ajo ja kishte parë vetë dhe ja kishte marë me  duar shokut Visi, dëftesënë pra,  atë ditë kur e pinë  kafen e mbasdites  bashkë te hoteli në anë të detit. Atje de, në katin e dytë, nga duketë dhe deti e Sazani bashkë. Është vërtet Hotel i mirë ai, ndajë vete shpesh Gërta Gërxhua herë  me shokun Visi e herë me shokun  Nasi. Dhe ju , po të kini ndonjë mik që doni ta nderoni, te ai Hotel çojeni dhe ju siguroj unë që e fituat davanë..

Shaqua s’kishte nge për këto kafera e hotelera. E kish zënë hall i madh vërtet. E peshoi mirë e mirë punën, e mati gjatë e gjërë muhabetin dhe i dha karar që të gjënte ndonjë punë tjetër. Domosdo që do ti jipnin. Pse pak kish luftuar ai për këtë  pusht-pushtet. Pesë vjet në male s’janë pak, tre plumba në trup e shtatë dekorata në gjoks domosdo që do ti hapnin udhë. Ndajë një ditë u ngre  e i vate komandantit të tij të kompanisë të luftës, se komandanti i batalionit, ai de që e regulloi në fillim Shaqon në punë roje komiteti, paskësh dalë armik i regjur i shtatë agjenturave.

I vate në zyrë atje në Këshill dhe i qau hallin. Zyra qe vërtet e ftohtë se qe në katin përdhes, zyrë e vogël xhanëm, po më i ftohtë që “kumandari i tij” në muhabet;

-Dëgjoi Shaqo, se s’kemi kohë të tepërt na. Jemi njëra në grikë me hallet e popullit e s’kemi kohë për goricat e tua. Të të vëmë në zirë, ti s’ke shkollë . Ja thuame  ç’punë mund të bësh në to. Të të vëmë shef tregëtie, ti as cangadhet e tua nuk i tregëton dot. Të të vëmë shef llogarie, as të mbledhurat e as të zbriturat s’di ti bësh. Ndajë ri atje tek je dhe sidomos, ri rehat, se ca llafe na kanë ardhë ne, dhe një rëmujë është bërë andej nga Fronti për tija. Ndajë ri rehat e lëri dënglat.

Shaqo ziu s’pa nga iku.

Që nga ajo ditë ndryshoi i tëri aqë sa nuk njihej fare. Rinte i heshtur në punë e nuk kërkonte fare llogari kush hinte e kush dilte, kë takonte e ku e takonte.  S’thonë kot, po t’u qep e keqja, nuk të ndahet. Dhe e keqja e zuri atë ditë që e thirën të dorzonte dyfekun në Degë të Brëndëshme ndryshe do vinin tja mirnin me policë. Pse s’e vranë kur ja thanë këtë llaf. Qe  e prëmte ajo ditë. E prëmte e zezë siç thonë kaurrët. Në një ditë të tillë  e gozhduan Krishtin atje larg në Jerusalem a ku di unë. E çë pastaj se e gozhduan? I hoqën gjë dyfekun atij?  Kish luftuar me dyfek ai si Shaqua dhe t’ja hiqnin tani? Jo .I ngulën nja dy gozhdë në duar e në këmbë, e çë pastaj? Ku ma gjëje ta gozhdonin Shaqon, jo me tre gozhdë po dhe me tridhjetë e tre gozhdë evgjiti, a perona, si u thoshnin atyre. Ua bënte hallall Shaqua.Vetëm dyfekun mos t’ja mirnin more, vetëm dyfekun. Te ai e kishte xhanin Shaqua.  Ja që  vetëm dyfekun i morën, thua se ja bënë për inat.

Qe e prëmte ajo ditë.   Sheshi para Komitetit ishte gati i shkretë, ndaj dëgjoheshin tej e përtejë hapat e Shaqos tek vej e vinte  para portës kryesore. Befas  ndaloi sikur çoç ju kujtua. Hoqi festen e leshtë nga koka  me dorë të djathtë dhe e tundi sikur përshëndeste dikë larg e larg. Pastaj i bëri trupit një gjysëm rrotullim nga e  djathta, pastaj nga e majta, mbështeti dy duart në kokë dhe duke u  ulur ngadalë mbi gjunjë, ashtu duke u rotulluar lëshoi një klithmë therrëse;

– I ziuuu, o i ziuuuuuuuuuuuu.

Dy tre kalimtarë ndaluan të trëmbur nga kjo klithmë dhe morën pozicionin sikur donin ta ndihmonin të ngrihej. Njëri e kapi nga dora, po Shaqua e shtyu tutje dhe hodhi një hap  djathtas. Më i moshuari diçka kuptoi, por s’donte ta besonte. Shaqua e hodhi këmbën djathas si në valle. Nuk e hodhi para si në gjëmë, si në vaj.

-Këtu çoç ka tha me vete, ndërsa shokut i tha nënë zë që ta linte rehat Shaqon.

Shaqua nuk shikonte si mblidheshinj njerëzit. Tundi dhe njëherë festen sikur të qe shami, dhe zuri përsëri kokën me të dy duartë duke u tundur sa majtas-djathtas dhe duke u ulur sikur donte të ulej mbi gjunjë, dhe ja dha prapë me një sokëllimë rënqethëse që i bëri të dridhen ata që e dëgjuan;

I ziuuuu,o i ziuuuuuuu.

Lëvizjet qenë të këngës, tingulli qe i vajit. S’mirej vesh se ç’qe, këngë a vaj. Të qe këngë s’kish kuptim. As përvjetor, as festë, as themelimi i Partisë apo i Rinisë. Pastajë ç’ne Shaqua do këndonte. Po tribunat ku janë, po shokët e partisë domosdo në ballë të tribunave. Pastaj pse me vargje të tilla do këndohej, me “ i ziu, i ziu”. Domosdo diç i ka ndodhur Shaqos. Zi ndillte e gjithë pamja e tij ndajë një grua duke çjerur faqet bërtiti; -Korba, mos i ka pësuar gjë djali, se e ka të vetëm mavria.

Se  nga mbiu Gerta Gërxhua menjëherë në shesh s’e mori vesh njeri, vetëm kur ja dha  vikamës;

-Uaa, e di unë moj motrani e di. I ka ikur plaka me atë mballomaxhiun nga lumi i Vlorës, se i kam parë vetë një ditë atje tejë. E dija moj e dija  unë, e dija po s’më besonin.

-Qepe moj, tu qepshin të trembëdhjetë vrimat- i pëshpëriti pas veshit egërisht një zë. Gerta  u kthye rëmbyeshëm por e hapi gojën nga habia dhe mbeti ashtu gojëhapur

….

Shaqua  hodhi këmbën e djathtë dhe vazhdoi;

……………..  I ziu Shaqo Bolenë

Dhe sikur donte ta theksonte më tepër e përsëriti vargun  përvajshëm;

I ziuuuu, more i ziuuuuuuu, oooo i ziu Shaqoooo  Bolenëëëëë

Sikur të qe penduar që e zgjati kaqë shumë këtë varg e ripërsëriti po këtë herë të shoqëruar me vargun tjetër që s’dihej si i doli nga shpirti mes atij ngashërimi të vargut të parë duke thënë;

I ziu Shaqo Bolenë

Që bëre difek me mbrenë

-Dreq o punë- se kush tha -i këren këngë vetes ki. Dreq o punë këjo.

-Kërreja Partisë Shaqo, kërreja Partisë këngënë, se do e haç në Burrel. Do i lëshë kockat  minjerave o i zi!

-Futja more kumanarit, futja kumanarit një varg, se do i lëçë  kalamanjtë rrugëve. Në Bënçë do veç. Najë futja kumanarit. S’bënetë qameti po t’ia futësh njëherë. Vetëmë  një varg, Shaqooo.

Po Shaqua as ja kërreu Partisë dhe as ja futi kumanarit, hodhi hapin ashtu i përulur dhe vazhdoi:

Lëftove o lëftove, o o h o lëftove o  sa tune dhenë

Tri pluma në trup të menë

Sikur donte të theksonte mirë numërin e plumbave e citoi përsëri me një thirje që  drodhi të pranishmit;

Hajdeeeeee deeeeeee o tri pluma o tri plumaaaaa o ho ho

Tri more pluma  o në  trup të menëëë

Nuk vinte re Shaqua se njerëzit reth tij qenë shtuar duke krijuar një formë rethi dhe as që disa po i mbanin si nënë zë dhe si fshehur iso. Ai nuk shikonte gjë. Xhanëm në atë shesh qenë vetëm dy, Shaqo Bolena dhe kënga e tij, apo më mirë këngëvaji apo vajkënga. Se i dridhej buza e i dridhej zëri Shaqo Bolenës si në vaj, paçka se e hidhte hapin si në vallen e rëndë të burrave.

Vazhdonte a vajtonte Shaqua;

Po nashin,o po nashinë, po nashinë more  mirë ta gjenë

Të lanë lidhur si qënë

Që të ruaç komitenë

Kur erdhi në këtë pikë e drejtoi trupin, pa njëherë reth e rrotull si i habitur se pse qenë mbledhur ata njerëz aty kur dihej se atë ditë s’kishte pritje kryetari, pastaj si të kujtohej për diçka  u përul majtas e djathtas, goditi fortë tokën më këmbë dhe duke mbajtur dorën e majtë  në kokë, si nëpër gjëma dhe të djathtën me festen shtrënguar duke e zgjatur drejt qiellit, ja dha me sokëllimë:

E hume o e hume, e hume  Shaqo Bolenë

E hume o e hume, e hume se s’dije penë.

Këtu qe gjithë sekreti i këtij vaji apo kënge, quaje si të duash. Unë që e dëgjova vetë ju them që nuk qe këngë po qe vaj. Ah si e drodhi zërin te ajo e shkreta fjalë  “e hume”. Kishte humbur i ziu vetë kuptimin e jetës, lumturinë e të jetuarit, i kish vdekur gëzimi i jetës, ndaj domosdoi vetëm do vajtonte. Ndaj i dridhej zëri më të qarë, sa që filluan të fshinin sytë ca pleq që e dëgjonin Shaqoziun që vajtonte:

E hume se s’dije penë, oohooo

Sot që të hoqnë dufenë.

Askush nuk duartrokiti mbarimin e vallës së kënduar të Shaqo Bolenës para zyrave të Komitetit, madje asnjë s’mori vesh si iku e nga iku e ku vate.

Thonë se e thirën në  Komitet te Partisë dhe i dhanë një dru të mirë dhe u muar një vendim që kjo këngë të harohej sikur s’kish qënë ndonjëherë. Bile bile, një profesor i ditur erdhi urgjent nga Tirana dhe në një mbledhje Fronti apostafat për këtë këngë, sqaroi të pranishmit se kjo këngë e kënduar a e vajtuar nga Shaqua në shesh të “qitetit” ishte shumë reaksionare dhe me ndikime të huaja. Qe tepër e pakuptimitë, hermetike, revizioniste, futuriste, pesimiste , iste dhe viste, dhe aspak frymëzuese. Qe as më shumë e as më pak ndikim i armikut te jashtëm e të brëndshëm në jetën tonë socialiste.  Hataja e mbledhjes nuk qe kjo fjala, hataja qe kur u ngre një veteran dhe kërkoi në mes të mbledhjes që të arestohej Shaqua, kudo që qe, e ti hiqeshin edhe dekoratat që i qenë dhënë për luftën se në fakt ai, Shaqua pra, s’kishte marë pjesë në asnjë luftë kundër armikut dhe se ato plagë që thonë se kishte në trup, nuk i kishte farë. Ose po i kishte, nuk i kishte marë në luftë, po mund t’i kishte marë në ndonjë “palo luftë” si ajo e ballistëve. Ndaj duhej ti shikonte mirë ai de, Sigurimi këto punë. Ç’bënin ata të Degës xhanëm? Flinin në bithë. Kështu e ruanin atdhenë dhe Partinë ata?

Zallamahinë në këtë mbledhje e shtoi edhe diskutimi i shoqes “ham ham ham“ që e nisi fjalën e saj si me pëshpërimë me një ‘’Turp më vjen por do e them. Për Partinë de, për Partinë unë jap çdo gjë’’. Pasi u kollit nja dy- tri herë, si të pastronte fytin, afroi mikrofonin te goja dhe ja nisi:

-Ki Shaqua moj motrani kish rënë keq ne sevda me mua. Ëhë, për kukën time në ju gënjej moooj. Po mani vesh, mani vesh e mo qeshni ju nga  mesi e përposh sallësë.

-Si ju thashë në krie, ki Shaqua moj xhane kish rënë në sevda me mua, najë kathe ditë më binte lule te zira. Po, po. Lule .Lule e ç’deli lule moooj. Ku t’i gjëçë nashtinë ato lule. Po  u’, e nurëshme siç jam, ja mirja e ja hidhja na dritarja moj. Kështu rodhi këjo punë Ai mëlidh e sill, e unë mer e hidh. Se unë moj xhanet e mia, vetëm nga ai imi pranoj lule.(Po ai i mavrisuri s’është as për lule e as për tule. Vetëm për një çik xurxule). Po nejse,  për Shaqon llafosim nashtinë këtu, se u’ e niqja gjithënjë.

-Pa erdhi e t’u lig buri i botës moj motrani, sa të vinte ligsht ta shije ashtu. Nga një lis që qe në krie, t’u bë burri si  një shufër arixhiu. Nga sevdaja ime, moooj. Najë një ditë s’duroi dhe ja dha këngës më të qarë te sheshi para Komitetit e më thosh në këngë: -Trëndëlin o trëndëlinë / Pse s’më do mua të zinë/U për ti prisha shtëpinë… Si thua ti moj? E ke dëgjuar ndrishe këngën. U më marsh të keqenë. Ua kjo. Moj e tilla e këtilla. Ham ham ham.Ua, erdhi këjo të na tregojë Ham ham ham….

Për Shaqo Bolenën s’u dëgjua më.  Edhe unë s’di gjë të saktë, rron a ka vdekur, ku iku e ku mbeti, por këngën e tij e di gjithë Labëria, përkundër urdhërave të dhëna për tu haruar a dënuar. E di gjithë Labëria dhe e këndon. Duhet t’ju them se kjo këngë nuk është kënduar asnjëherë nëpër dasma a ziafete. Jo se e kishte ndaluar Partia, jo. Po se nuk i shkon  gëzimit të njeriut melodia e saj. Si mund të gëzosh e të këndosh në një dasëm , psh, me fjalët ‘’i ziu,i ziu’’ kur vetë veshja e nuses sjell e ndjell vetëm bardhësi. Jo jo, nuk shkon në gëzime kjo këngë. Ama ke një hall a ke një brengë, të kanë heqë nga puna a të kanë ikur fëmijët në kurbet e ti s’ke fare haber si janë e ku janë? Je duke ecur monopatit i vetëm e i trishtuar e do një shok të qash hallin? Atëherë pooo. Ja tek të vjen Shaqo Bolena me këngën e tij famoze; I ziu o i ziu ,i ziu Shaqo Bolenë’’

Do ta heqësh emrin e Shaqos e të vëshë tëndin? Do të ndryshosh tekstin se ty ‘’nuk ke hall pse të vunë roje komiteti’’,por ke tjetër hall. Ndryshoje emrin e  tekstin. Shaqos nuk i ngelet hatri fare.

Për këtë ju siguroj unë.

Nga libri “Vesa mbi këngë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok