22/12/2024

“I përkas kombit të Nënë Terezës”

0
mother-teresa

Nga Alma Lama

Për Nënë Terezën kam dëgjuar për herë të parë kur isha në klasën e tetë. Ishte periudha kur ajo kishte bërë vizitën e parë në Shqipëri. Atë kohë filloi të përdorej edhe një shprehje që më pati bërë shumë përshtypje, kur flitej për një sjellje humane apo bujare: “nuk jam Nënë Tereza, ose është si Nënë Tereza”. Cinizmin e kësaj shprehje arrita ta kuptoj vite më vonë, kur më ra rasti të shoh një dokumentar për jetën e Nënë Terezës; për veprimtarinë e saj humane me njerëzit e varfër, të sëmurët, nevojtarët. Ajo i prekte, ju ofronte ndihmë atyre qenieve njerëzore që ndoshta shumica i shih me indiferencë dhe përbuzje.

Nënë Tereza, me mëkimin e dashurisë së saj të pakushtëzuar, kishte prekur hyjnoren, atë që njerëzit kishin dëgjuar nëpër shekuj, por e kishin parë shumë rrallë në praktikë. Shembulli i saj ishte një mësim universal mbi humanizmin, përtej kishës, përtej besimit, përtej çdo lloj ideologjie që i ndan njerëzit. Për këtë arsye, murgesha e thjeshtë, që kishte frymëzuar me miliona, u nderua me Çmimin Nobel per Paqe.

Si për shumëkënd, figura e saj edhe për mua u kthye në symbol. Shembulli i saj është i vështirë të ndiqet në praktikë, por siç na mëson ajo “nëse ju nuk mund të ushqeni 100 njerëz, atëherë ushqe të paktën një”.

Gjatë punës sime si Ambasadore në Itali, nuk ka aktivitet ku nuk jam prezantuar me krenari “Unë i përkas kombit të Nënë Terezës”. Sepse ajo është pasaporta më e vlefshme për çdo shqiptar, sepse ajo është si drita që mund të trembë errësirën me të cilën shpesh janë munduar që të na prezantojnë si komb, të na veshin, të na denigrojnë.

Unë besoj se nuk është rastësi humanizmi, dashuria dhe përkushtimi i saj. Këto vyrtyte i kanë rrënjët e thella tek fisnikëria e një populli që u persekutua nëpër shekuj, por që kurrë nuk e humbi humanizmin dhe bujarinë.

Por edhe Nënë Tereza kishte armiqtë e saj. Paradoksale, cinike, por e vertetë. Akuzohej për keqpërdorim fondesh. Kishte cinikë që guxonin të përlyenin figurën e saj nëpër media, me shpifje dhe aludime. Sepse përbaltësit gjenden kudo dhe në çdo kohë, të gatshëm të nxijnë gjithkënd. Të tillë për fat të keq pati edhe brenda kombit tonë, që jo rrallë e fyen Nënën e gjithë botës.

Natyrisht, koha i përgenjeshtroi, siç i përgënjeshtron të gjithë smirëzinjtë dhe mendjeerrëtit. Nënë Tereza u shpall shenjtore, ndërsa ata mbetën banorë të përhershëm të skutave të cinizmit.

Sot Nënë Tereza ka ditëlindjen.

Kujtimi i saj i nderon të gjithë, sepse ajo i përket gjithë botës, por asnjë komb nuk duhet të ndihet më krenar me këtë grua të shquar, sesa kombi shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok