I am from Kalaja e Dodës
Nga Edison Ypi
-Nga je ?
-I am from Kalaja e Dodës.
-Çfarë di për Kalanë e Dodës ?
-Kalaja e Dodës, është një parajsë natyrore me njerëz energjikë, tejet punëtorë, dhe dramatikisht të varfër. Me ajër të pastër, dimër të ashpër gjysmën e vitit mbuluar nga dëbora, ujra rrjedhës, pyje dhe kullota të bukura si nëpër ëndërra. Babai im bashkë me të tjerë, para se të vinin të ndërtonin këto vilat në Tiranë, kanë tërhequr njëri-tjetrin në Angli.
-Pse në Angli ?
-Sepse në Angli po të punosh shumë fiton shumë. Anglezët kanë paret, u duhet puna. Ne kemi punën, na duhen paret. Kjo vila ime që po sheh këtu besoj se e dëshmon çka po të them.
-Çfarë di për Anglinë ti tjetri from Kalaja e Dodës ?
-Anglia është Mbretëri, ka Mbretëreshë, është vend i pasur. Ajo që mua më mahnit është se Anglia nuk ka Kushtetutë. Që domethënë se anglezët e bëjnë sot Drejtësinë si e kemi bërë ne para disa shekujsh, me Kanun.
-Po ti tjetri nga je ?
-I am from Zall Dardha. Edhe ne from Zall Dardha kemi ndërtuar vila. Ja, ajo atje me tre kate. Dy vëllezërit e mi që punojnë në Londër më kanë thënë se një vilë të tillë anglezi mund ta ndërtojë me djersën e pesë brezave, ose kurrë. Dembelat dhe parazitat pëshpërisin se ne dibranët sjellim nga kurbeti vetëm pare, asgjë tjetër. Në fakt, dibrani sjell nga Anglia gjithçka që Anglia ka.
-A mund ta plotësosh ti tjetri këtë from Zall Dardha lidhur me atë se çfarë sjell Dibra nga Anglia ?
-I am from Maqellara. Unë që kam një xhajë në Mançester dhe një baxhanak në Liverpul e di mirë se Dibrani sjell nga Anglia jo vetëm Sterlinën, por edhe seriozitetin, edukatën, dashurinë për punën, rregullin, respektin, disiplinën, shkurt qytetërimin.
-Ti tjetri, a di ti për Anglinë ndonjë gjë më tepër se ky maqellarsi ?
-I am from Cereneci. Anglia është nona dhe baba e qytetërimit. Anglia është ajo që e rrotullon në majë të gishtit politikën e botës. Kaq di unë për Anglinë. Po deshe të dish më tepër pyet këtë tjetrin.
-I am from Muhrri. Në Angli kam dy djem daje. Anglia është ishull. Ka qënë Perandori. Kalaja e Dodës e Shqipërisë ka disa ngjajshmëri me Kalanë e Dosës së Anglisë, që është Skocia. Këto dy Kala Dode janë të largëta por thonë se kanë ngjajshmërira antropometrike dhe fjalë të përbashkëta. Ku ka zë s’është pa gjë.
-Po ti kuqsi me quka në turi a di ndonjë gjë për Anglinë ?
-I am from Ostreni. Kam një djalë xhajë në Londër. Të gjitha shpikjet e botës i ka bërë anglezi. Në Angli makinat e kanë timonin nga e djathta. “I am from Ostreni” ma ka mësuar xhaja.
-Ti që gjithë kohën qesh duke dëgjuar miqtë e tu, prezantohu dhe na thuaj çfarë di për anglezët dhe Anglinë.
-I am from Zerqani. Unë di Anglisht edhe “I love You”. Baballarët tanë kanë spiunu ata që vinin për me u arratis. Këtë mëkat kaq të madh s’di ai do ta lajmë ne dibranët.
-Ti veshllapush, a do shtosh diçka ?
-I am from Bulqiza. Këtu në këtë lagje luksoze të Tiranës me emrin e bukur Little England, qarkullojnë fjalë të liga sikur ne from Kalaja e Dodës kemi nga dy gra, një këtu, një atje, çka unë e refuzoj me neveri. Kunati im në Angli që punon dhjetë orë në ditë më ka thënë se pronari i tij 55 vjeç shkon ende në shkollë ku mëson gjuhën spanjolle dhe pianon. Kur e pyet, thotë: Do vete në shkollë sa të jem gjallë. Nuk dua të vdes i paditur.
Këtu mbaroi biseda me dibranët tigra dhe luana që mezi i mblodha.
Ku ndodhet Little England ?
Më interesante se çdo muze’ me mbretër dhe perandorë. Më magjepsëse se çdo ekspozitë me piktura dhe gravura. Më sugjestive se çdo Aulë universitare ku një profesor ulok pritet të flasi për zanafillën e Universit dhe Brimat e Zeza. Kalo Lumin e Tiranës mbi urën e Babrroit. Ngjitu mbi kodër. Aty e ke.