21/12/2024
Kalosh-Celiku

NGA KALOSH ÇELIKU

Koha, është: Sot, Shqiptarët të pushojnë me hapjen e Universiteve të partive politike shqiptare edhe nëpër katunde. Dje, nuk jemi, Sot. Mesiguri, nuk do të jemi as Nesër. Moti kohë është dashur ta hapim Universitetin Shqiptar, në Shkup. Edhe sot, nuk është vonë si ide historike me parashikime për Ditën e Nesërme. Populli shqiptar thotë: më mirë vonë, se hiç.

Punë tjetër, është ajo, se: Çka rrokullisin “vëllezërit” e Njerkës në kokë për t’i vënë edhe në Ditën e Sotshme në shërbim të tyre arsimin dhe kulturën shqiptare si propagandë politike të “vëllazërim-bashkimit”. Merreni me mend: aq shumë që na kanë dashur si “vëllezër”, saqë dy hapa më larg Shtëpisë na e kanë bërë gropën e mbuluar me gjethe. Ose, kashtë. Gropë, në të cilën një ditë do të bien vetë si “vëllezër” të Njerkës. Një gjë patjetër, duhet ta kenë të qartë “vëllezërit” e Njerkës: Nuk jemi Sot, ato edhat e Xha Balit, Ujku kur u troket te porta. Këmbën ua rrëfen për dritare të lyer me miell.

Arsimi dhe kultura shqiptare me shekuj ka ecur dhiareve malore. Herë pas here, edhe nëpër zjarre. Gati të gjithë e dimë, sesi: kemi ecur nëpër pusi dhe sa plumba ende i kemi në trup. Shembull, akoma i freskët: Univrersiteti i Tetovës. “Foshnja e vdekur, e lindur para kohe”, sipas Dhëndrrit “shqiptar”. Mosnënshkrimi i një Partie Politike Shqiptare në fletëthemelim, edhe pse vetë ishte iniciatore e themelimit të Universitetit të Tetovës. E shiti Universitetin e Tetovës me themelimin e Univeristetit të Evropës Juglindore për pazare politike. Njësoj, siç e shiti pak më herët Nëna e saj Parti për Fakultetin Pedagogjik, në Shkup. Mirë, do të thoni ju si shqiptarë, i fituam brenda një kohe disa universitete. E vërtetë, Universitete të politizuar deri në palcë, e jo vatra arsimore të shqiptarëve për Ditën e Nesërme. Vende pune partiake, familjare dhe klanore i hapën partitë politike shqiptare për partizanët e tyre me diploma të blera në Univeristetin e Shkupit, “Qafë Thanë“ (Shqipëri), “Jazhincë” (kufi me Kosovën) dhe Bullgari. Prandaj, Sot është, koha: mashat shqiptare politike ta mbyllin gojën me veprimet e tyre “patriotike – historike” në dobi të arsimit dhe kulturës shqiptare, kanë marrë: FUND.

Partitë Politike Shqiptare, të pushojnë t’i emërojnë këto dudumë “shqiptar” nëpër ministri të arsimit dhe kulturës shqiptare, që “haber” nuk kanë nga profesioni në të cilin thirren si “pedagogë e artistë”, e marrin pagesa mujore në emër të popullit shqiptar. Kësaj radhe, nuk do të hyjmë në shitëblerjen e “diplomave universitare” edhe nëpër katunde, po në punën e tyre të shenjtë për arsimin dhe kulturën shqiptare.

Hë për hë, nuk na duhet në shërbim truri i tyre “sakat” neokomunist! Shqiptarët, e dinë fare mire, sesi: me sa vështirësi në sistemin komunist jugosllav, janë hapur ato shkolla shqipe, universitete shqiptare, Institucione arsimore e kulturore, që një ditë partitë politike shqiptare t’i politizojnë deri në palcë për qëllimet e tyre partiake dhe përfitime karrieriste dhe materiale familjare. Punësimin e partizanëve të tyre në Universitet, familjarëve dhe farefisit. Diplomat universitere dhe titujt shkencor, nuk i ka dhënë Universiteti, por Nëna Parti si libreza anëtarësie.

Realitet mbi sipërfaqe në rrymën e ujit, nga i cili edhe gjatë kohë nuk do të mund të çojmë krye si popull shqiptar. Mallkimi na ka zënë i gjallërimit të hapjes të shkollave të para shqipe në kohën e Ernest Koliqit. Fatkeqësisht, kur sot në Maqedoninë e Veriut, asnjë shkollë shqipe nuk e mbanë në ballë emrin e atij ministri të arsimit largpamës. Ministri i arsimit, që e mbuloi me mësuesë vullnetarë, Shqipërinë e “Madhe”. Përmëkeq, shkollat shqipe të kësaj ane shqiptare ende nuk i mbajnë emrat e vetaranëve të arsimit shqiptar misiomsrë: Mahmut Dumani, Nexhat Pustina, Mehmedali Hoxha etj. Histori arsimore të cilën e dimë i madh dhe i vogël. Vështirësitë e tyre nëpër hurdhat komuniste për të dalur mbi sipërfaqe të lumit. Politizimi i tyre deri në palcë, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ndryshimet demokratike në IRJ të Maqedonisë, sot: Maqedonia e Veriut), arsimit dhe kulturës shqiptare i vunë vulën e Dexhallit me trumbeta në ballë. Arsimin dhe kulturën shqiptare (themelet e një shteti, shoqërie) i morën në dorë partizanët e “vëllazëruar” të Partitve Politike “maqedonse” dhe Shqiptare për pushtet. Përmes mashave shqiptare, që e sakatuan edhe më zi se, “vëllezërit” e sistemimit.

Strategjia e këtyre neokomunistëve “demokratë”, prodhimi i diplomave universitare me shumicë e pakicë, në Tregun e “Bit-Pazarit”. Tituj shkencor, që bleheshin për pak para në Shkup, Prishtinë, Sofje e Tiranë. Sakatimi i paparë deri më sot i planprogrameve shkollore nga kakademikë shqiptar e profesorë të dalldisur nëpër institucione të shtetit të “pëbashkët”. Emërimi i trusakatëve me porosi të partive politike shqiptare në përpilimin  listës për planprogramet dhe lekryrat shkollore. Finansimi i revistave për fëmijë me gërshërë të tollumbaxhinjëve partiak të Tun – Batunit (nën nivelin artistik të “Gëzimit” dhe “Fatosit”, në sistemin e kohës komuniste), duke i heshtur shumë revista kulturore letrare të udhëhequra nga emra eminentë të kulturës dhe letërsisë shqipatre, që mezi e shihnin dritën.

Tregtari i “Bit-Pazarit”, dhe “Çobani” i Sharrit Plak, nateditë çirreshin për arsimin dhe kulturën shqiptare, e në anën tjetër e goditën tinëz pamëshirë si masha shqiptare pas shpine. “Veprat e tyre artistike” me fakte të shumta policore, ende janë gjallë dhe nuk ka nevojë t’i përmendim me emra dhe mbiemra në këtë shkrim publicistik.

Aspak, nuk duhet të na befasojë Sot: realiteti i “vëllazërim-bashkimit”: shqiptarët, pse ende nuk kanë arsim dhe kulturë shqiptare të barabartë në të njëjtin nivel arsimor e kulruror me “vëllezërit” e Njerkës në këtë shtet të “përbashkët”?! Shembull konkret, ende i freskët: bojkotimi (për të dytën herë) i Mbrëmjeve të Pozisë Strugane nga Kryetari i Komunës të Strugës. Askushi nuk ia vëndon veshin zërit të tij të ndërgjegjes paralajmëruese. Thirrjes njerëzore për ndihmë. “Vëllazërim-bashkimit” të një niveli të barabartë në Shtetin e “përbashkët”. Nesër, mos na lindin probleme politike të paparishikuara me “vëllazërit” e Njerkës.

Përgëzime, Kryetarit të Komunës Strugës! Vështirë, është sot të jetosh me “vëllain” në një Shtëpi, kur ai nuk të del zot si vëlla “Nane”. Arat, livadhet, pyjet dhe Shtëpinë i ka marrë për vete, e ty t’i ka lënë për “sadaka” (lëmoshë) enët dhe lugët. Nuk është në gjendje të njoh dhe respektojë gjuhën shqipe me popullatë shumicë shqiptare, në Strugë. Histori më vete kulturore, që opinioni shqiptar e di fare mirë, se: Unë, në atë Manifestim të Poezisë Strugane publikisht e kam shitur darkën për një birrë.

Përgjigjen, sot e kemi para syve: Nuk e shohim cungun, por ashklën. Vetë i kemi pri kësaj “veprimtarie patriotike – politike”. Dhe, e kemi sjellë Sot me forcat tona politike në këtë “derexhe” (xhendje). Përmëkeq, e kemi veshur edhe me ferexhe të zezë. Partizanë të partive politike e hoxhallarë të rrejshëm na kanë pri në ballë për “Liri”. “Fitorja” e merituar, është kjo, që e gëzojmë Sot: “Liri” me ferexhenë hedhur krahëve. Mirë do të ishte së paku ta kishte struken krahëve. Kësulën e bardhë të Bjram Currit në kokë. Dy koburet historike të Isë Boletinit në brez, në Londër. Po, ja nuk i ka këto armatime legjendare shqiptare. E ka çallmën e Hoxhës Allahut në kokë me tri-katër shajkaça nën setre.

Fatkeqësia: Pavetëdije, ende e pyesim veten: Si të dalim nga kjo hurdhë politike, kur vullnetarisht si kope e dhenëve, shkaku të një Delje të nënkryeme kemi kërcyer bythekrye në lumë. Sot për Sot, përpiqen të na nxjerrin gjermanët dhe amerikanët në breg të lumit.

Ditën e Nesërme me Diell mbi malin Ҫelëvjollcë, një Zot e di kush do të na nxjerrë nga hurdha e Lumit Zajazit, rrënjëve të shelgjeve?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok