HOLOKAUSTI
Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji – Franc Kafka
Nga Prof. Xhelal Zejneli
* * *
Holokausti ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në hyrje të shumë kampeve naziste të përqendrimit ndodhej slogani Arbeit macht frei (Puna të bën të lirë). Holokausti ka ndodhur në vitet 1941-1945 në Rajhun e Tretë dhe në shtetet evropiane nën pushtimin nazist. Krimi i kryer prej nazistëve është cilësuar si gjenocid sistematik, vrasje masive dhe pastrim etnik. Gjatë holokaustit kanë humbur jetën rreth 6 milionë hebrenj. Motiv i vrasjeve kanë qenë antisemitizmi dhe racizmi.
* * *
Në Rajhun e Tretë (Reich), hebrenjtë ishin të detyruar të mbanin “Yllin Hebraik” të verdhë (gjermanisht: Judenstern).
Holokaust ose shoa (hebraisht: HaShoah përkthehet si “katastrofë”). Janë terma për përndjekjen shtetërore sistematike dhe për gjenocidin ndaj grupeve të ndryshme etnike, fetare dhe politike gjatë Luftës së Dytë Botërore nën udhëheqjen e Reich-ut gjermano-madh dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shembuj të hershëm holokausti janë “Nata e kristaleve” dhe programi eutanazik “Aksioni T4” që më vonë u shndërruan në veprim të njësive të vdekjes dhe në kampe përqendrimi, si dhe në përpjekje të organizuara masive dhe qendrore për vrasjen e çdo pjesëtari të mundshëm të grupeve që kanë qenë shënjestër e nazistëve. Viktimat përfshijnë edhe 1,5 milionë fëmijë. Me holokaust janë përfshirë rreth dy të tretat e hebrenjve të cilët më herët kanë jetuar në Evropën kontinentale.
Shënim: “Nata e kristaltë” (Kristallnacht) njihet edhe me emërtimet Reichskristallnacht dhe Pogromnacht (Nata e xhamave të thyer; Nata e pogromit). Me këta terma nënkuptohet pogromi i hebrenjve në Gjermaninë naziste dhe në Austri që ka ndodhur më 9 dhe 10 nëntor të vitit 1938. Me urdhrin e Adolf Hitlerit të datës 28 tetor 1938, mbi 12.000 hebrenj me prejardhje polake, midis tyre edhe filozofi dhe teologu rabin Abraham Joshua Heshel (Abraham Joshua Heschel; Varshavë, Poloni, 11.01.1907 – New York City, Nju-Jork, ShBA, 23.12.1972) si dhe kritiku letrar i ardhshëm Marsel Rajh-Ranicki (Marcel Reich-Ranicki; Uloklavek, Poloni, 02.06.1920 – Frankfurt mbi Majnë, Gjermani, 18.09.2013) – dëbohen nga Gjermania. Ranicki ishte kritik letrar gjerman me prejardhje polake, përkatësisht hebraike. Konsiderohej si një nga kritikët letrarë bashkëkohorë më me ndikim në lëmin e letërsisë gjermane. Në Gjermani e quanin edhe Literaturpapst (Papa i letërsisë).
* * *
Studiuesit e japin foton e tregtizës së një pronari hebre në Magdeburg, të shkatërruar gjatë “Natës së Kristaltë” (Natës së xhamave të thyer) në nëntor të viti 1938. Në prill të vitit 1945 japin edhe foto kufomash të viktimave në varrin masiv të kampit të përqendrimit Bergen-Belsen.
* * *
Deri në kufirin polak u deportuan me trena. Kufitarët polakë refuzuan t’i pranojnë. U detyruan të presin ditë të tëra në kushte të rënda, para se autoritetet polake i lejuan të hyjnë.
Në shenjë hakmarrjeje, 17-vjeçari Hershel Grynspan (Herschel Feibel Grynszpan; Hanover, Gjermani, 28.03.1921 – 08.05.1945), prindërit e të cilit po ashtu ishin deportuar, më 7 nëntor 1938 diplomatin e ambasadës gjermane në Paris, Ernst von Rath (Frankfurt mbi Majnë, Gjermani, 03.06.1909 – i vrarë në Paris më 09.11.1938). Hershel Grynspani ishte një emigrant polako-hebre, i lindur dhe i rritur në Weimar të Gjermanisë. Këtë vrasje, nazistët e shfrytëzuan si pretekst për të ndërmarrë “Natën e Kristaltë” apo “Natën e xhamave të thyer” (Kristallnacht).
Partia naziste këtë ngjarje e shpalli vepër të komplotit botëror të hebrenjve dhe e përdori si shkas për organizimin e pogromit.
* * *
Përkufizimi i gjerë i holokaustit i përfshin edhe viktimat johebraike të fushatës naziste të vrasjes masive, siç janë romët, polakët dhe grupet e tjera etnike sllave dhe pacientët e Aksionit T4 të cilët në pikëpamje mendore dhe fizike kanë qenë të paaftësuar.
Një përkufizim më i gjerë i përfshin edhe rusët, të burgosurit e luftës, homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait, zezakët. disidentët dhe kundërshtarët politikë të nazistëve, anëtarët e grupeve të tjera minoritare.
Prej vitit 1941 deri në vitin 1945 janë zbatuar përndjekje dhe vrasje sistematike të pjesëtarëve të popujve të ndryshëm.
Nën bashkërendimin e Schtzstaffel-it (SS-it), me udhëzime nga udhëheqja më e lartë e Partisë Nacionalsocialiste Punëtore Gjermane (NSDAP), çdo degë e burokracisë në Gjermaninë e atëhershme ka qenë e përfshirë në logjistikën dhe zbatimin e vrasjeve masive. Vrasjet janë kryer në mbarë Evropën që ka qenë nën pushtimin gjerman, si dhe në Gjermaninë naziste. Vrasje masive janë kryer edhe në të gjitha rajonet që kanë qenë nën administrimin e aleatëve të saj.
Viktima të tjera të krimeve naziste janë polakët, ukrainasit dhe popujt e tjerë sllavë, qytetarët sovjetikë, të burgosurit sovjetikë të luftës, komunistët, homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë.
Vlerësohet se në përndjekje kanë qenë të angazhuar rreth 42.500 institucione arrestimi. Sipas disa vlerësimeve, në zbatimin e përndjekjeve kanë qenë të përfshirë mbi 200.000 veta.
Hebrenjtë e Evropës kanë qenë viktima kryesore të holokaustit, kurse planin për gjenocidin sistematik ndaj hebrenjve nazistët e kanë quajtur “zgjidhje përfundimtare të çështjes hebraike”.
Si pasoja të Luftës së Dytë Botërore si dhe e holokaustit, së pari u mbajtën proceset gjyqësore në Nyrnberg (Nürnberg) gjatë të cilave nazistët përgjegjës u dënuan për krimet gjatë luftës. Si revolucion kulturor, u krye edhe denacifikimi (Entnazifizierung). U arrit marrëveshje edhe për reparacionet midis Izraelit dhe Gjermanisë Perëndimore. Gjatë procesit në Nyrnberg kishte tendenca për mohimin e holokaustit. Disa prej të dënuarve synonin t’i zvogëlonin përmasat e holokaustit apo ta paraqesin atë si “vepër të arsyeshme”.
Etimologjia dhe përkufizimi – Prejardhja e shprehjes – Holokaust (greqisht olokauston: “krejtësisht i djegur”, nga parashtesa olo dhe kauston – “i djegur”) është viktimë që digjet për perënditë ose për shpirtrat e të ndjerëve te grekët dhe te romakët, me ç’rast, për dallim nga llojet e tjera të viktimave, rëndom digjeshin të gjitha kafshët që viktimizoheshin. Te izraelitët e lashtë ka ekzistuar rituali i ngjashëm i djegies së të gjithë qengjave. (hebraisht olam kalil: “asgjësim me djegie”).
Fjalën holokaust i pari për këtë gjenocid e ka përdorur kuvendi kishtar i kishave protestante të Gjermanisë Perëndimore të atëhershme. Kjo fjalë gradualisht ka hyrë në përdorim të përgjithshëm dhe sot nënkupton domethënien themelore të shprehjes. Termi gradualisht ka hyrë në përdorim në gjuhë të ndryshme deri në vitet 1970 e këndej. Fjalën holokaust hebrenjtë e shënojnë me shprehjen hebraike shoa, HaShoah që do të thotë “katastrofë”.
Ekzistojnë dallime në masën e përdorimit të nocionit. Në kuptim të gjerë, përfshin edhe gjenocidin që ka zbatuar shteti nacionalsocialist ndaj romëve dhe sllavëve, si dhe vrasjen e gupeve të tjera – homoseksualëve, të sëmurëve shpirtërorë dhe fizikë, kundërshtarëve politikë, kriminelëve polakë dhe sovjetikë të luftës, dëshmitarëve të Jehovait etj.
Përkufizimi i holokaustit – Përkufizimi restriktiv i holokaustit është gjenocidi nazist ndaj hebrenjve. Përkufizimi i gjerë i holokaustit përfshin disa apo të gjitha viktimat johebraike të fushatave naziste të vrasjes masive. Manuali kolumbian për holokaustin, përkufizimin e holokaustit e kufizon te hebrenjtë, te romët dhe te pacientët e Aksionit T4 të cilët në pikëpamje mendore dhe fizike kanë qenë me të meta apo invalidë. Autorët e tij i shënojnë “që të tre grupet dhe vetëm këto grupe kanë qenë viktima të barabarta të racizmit nazist dhe të gjenocidit”. Ata po ashtu ofrojnë tre përkufizime shtesë që i përfshijnë pikëpamjet e historianëve të cilët identifikojnë disa grupe të tjera viktimash. Njëra thotë se holokausti ka të bëjë vetëm em hebrenjtë, tjetra thotë se ka pasur holokauste të ndryshme ku secili prej tyre ka goditur grup të veçantë njerëzish, kurse i treti i përfshin të gjitha krimet e nazistëve të motivuara mbi baza raciste. Historiani amerikan i specializuar për historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore, për historinë e Bashkimit Sovjetik dhe për holokaustin Timoti David Shnajder (Timothy David Snyder, Ohio, ShBA, 18.08.1969 – ) shkruan: “Ka raste kur termi holokaust përdoret në dy mënyra të ndryshme: i shënon të gjitha politika gjermane të vrasjes gjatë luftës, apo i shënon të gjitha represionet e hebrenjve nga regjimi nazist”.
Përkufizimi i gjerë i të ashtuquajturit “holokaust paralel” i përfshin:
– Të burgosurit sovjetikë të luftës që kanë vdekur si rezultat i keqtrajtimi të shkaktuar nga politika raciste e nazistëve;
– Pjesëtarët johebraikë polakë që kanë vdekur për shkak të kushteve tejet të këqija të krijuara si pasojë e pushtimit nazist të Polonisë;
– Qytetarët sovjetikë të cilët kanë vdekur për shkak të kushteve të ngjashme në pjesët e pushtuara të Bashkimit Sovjetik;
– Personat, në pikëpamje mendore dhe fizike të paaftë të cilët i kanë vrarë në kuadër të programit të eutanazisë të Reich-it gjermanomadh;
– Romët apo romd-ët dhe sintët, homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait dhe disidentët e tjerë fetarë.
* * *
Tri motrat e Franc Kafkës – Gabriele (Ellie, 1889-1944), Valerie (Valli, 1890-1944) dhe Ottilie (Ottla, 1892-1943) vdesin në kampet naziste. Otla u mbyt në dhomë gazi në Aushvic, më 7 tetor 1943. Shkrimtari mitik, autor i “Procesit” legjendar, Franc Kafka, po të ishte jetëgjatë, me siguri do të kishte përfunduar në ferrin nazist, njësoj si tri motrat e veta.
Kafka thotë: “E gjithë jeta ime është një histori e mbylljes së syve”.
* * *
Albanologu Norbert Jokli, viktimë e holokaustit – Në kampet naziste të përqendrimit humbi jetën edhe gjuhëtari austriak me prejardhje hebraike Norbert Jokli (1877 – 6 maj 1942). Ishte indoevropianist dhe një ndër themeluesit e albanologjisë. Lindi në Bzenec të Moravisë*. Diplomoi drejtësinë në Universitetin e Vjenës dhe më pas gjuhësinë (1908). Më 1907, si autodidakt filloi të studiojë shqipen. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, por duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme).
Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste më 1938, u përndoq. U arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë dhe u dërgua në një kamp përqendrimi, ku edhe vdiq. Disa studiues austriakë thonë se vdiq në kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqendrimit të Maly Trostinec-it, një lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minskut. Datë zyrtare e vdekjes së tij konsiderohet 6 maji i vitit 1942.
Shënim: Moravia është rajon historik në lindje të Republikës Çeke dhe një nga tre tokat historike çeke, bashku me Boheminë dhe Silezinë çeke.
* * *
Karakteristikat e holokaustit – “Shteti gjenocidal” – E tërë shoqëria e atëhershme gjermane ka qenë e përfshirë në veprimtaritë që janë ndërlidhur me gjenocidin, duke e shndërruar Rajhun e Tretë në atë që hulumtuesi i holokaustit, Mihael Berenbaum e ka quajtur “shtet gjenocidal”.
Shënim: Mihael Berenbaum (Michael Berenbaum; Newark, New Jersey, ShBA, 31.07.1945 – ) është studiues, profesor, rabin, shkrimtar dhe regjisor amerikan i specializuar për studimin e holokaustit.
* * *
Burokratët kanë marrë pjesë në gjetjen e evidencës për identifikimin e hebrenjve, për konfiskimin e pasurisë dhe për planifikimin e orarit të trenave me të cilët janë deportuar hebrenjtë. Fabrikat i kanë larguar nga puna punëtorët hebraikë, kurse më vonë i kanë punësuar hebrenjtë si fuqi punëtore robërish. Prej universiteteve i kanë përjashtuar studentët dhe profesorët me prejardhje hebraike. Fabrikat gjermane të farmacisë i kanë testuar barnat te të burgosurit. Fabrikat e tjera kanë ndërtuar krematoriume. Me rastin e hyrjes së të burgosurve në kampet e vdekjes, u është urdhëruar t’i dorëzojnë të gjitha gjërat apo pasuritë personale që janë caktuar dhe që janë shënuar para se të dërgohej në Gjermanin – për përdorim të serishëm dhe për riciklim. Nëpërmjet llogarive të rrejshme, Banka Kombëtare Gjermane ka ndihmuar në larjen e gjërave të çmueshme që u janë konfiskuar viktimave.
Historiani çek me prejardhje hebraike, profesor emeritus i historisë në UCLA, Saul Fridlender (Saul Friedländer; Pragë, Çeki, 11.10.1932 – ) shkruan se “asnjë grup shoqëror, asnjë bashkësi fetare, asnjë institucion shkencor apo asociacion profesional në Gjermani dhe në mbarë Evropën nuk e ka shpallur solidaritetin e vet me hebrenjtë”. Ai shkruan: “Disa kisha krishtere kanë deklaruar se edhe hebrenjtë e konvertuar do të duhej konsideruar si pjesë e kopesë, por edhe atëherë me rezervë”. Fridlender thotë se kjo e bën holokaustin të veçantë për arsye se politika e antisemitizmit ka qenë e mundur “të zbatohet deri në nivelet më ekstreme të saj pa përfshirjen e pikëpamjeve kompensuese të rëndësishme”.
* * *
Në vitin 1945 historianët i paraqesin kufomat e kampit të përqendrimit Buhenvald (Buchenwald). Paraqesin edhe hartën e getove në Evropë në të cilat hebrenjtë kanë qenë të burgosur para dërgimit në llogoret e vdekjes.
* * *
Holokausti bazohej në ideologji – Historiani çek me prejardhje hebraike dhe studiues i holokaustit, Jehuda Bauer (Yehuda Bauer, Pragë, Çeki, 06.04.1926 – Jerusalem, 18.10.2024) thotë se holokausti ka qenë i bazuar në ideologji dhe në mite dhe jo në shqyrtime praktike.
Shënim: Jehuda Bauer ka qenë profesor i studimeve të holokaustit në Institutin e Hebrenjve Bashkëkohorë “Avraham Harman” në Universitetin hebraik të Jerusalemit.
* * *
Historiani gjerman Eberhard Jackel (Eberhard Jäckel; Bremahafen, Gjemani, 29.06.1929 – Shtutgart, Gjermani, 15.07.2017) thotë: “Karakteristikë e veçantë e holokaustit është se për herë të parë një shtet e ka vënë tërë forcën e vet pas deklaratës se një popull i tërë, pa përjashtim, duhet të asgjësohet sa më parë që të jetë e mundshme”.
Shënim: Në vitin 1980 e këndej, historiani gjerman Eberhard Jackel (Eberhard Jäckel) ishte protagonisti kryesor në mosmarrëveshjen e historianëve mbi mënyrën e përfshirjes së Gjermanisë naziste dhe holokaustit në historiografinë gjermane dhe për synimet e Adolf Hitlerit.
* * *
Vrasjet janë zbatuar sistematikisht pothuajse në të gjitha rajonet e Evropës së pushtuar, në mbi 20 vende të pushtuara. Rreth 3 milionë hebrenj janë vrarë në Poloni, kurse në Bashkimin Sovjetik janë vrarë midis 700.000 dhe 2,5 milionë hebrenj. Qindra mijë hebrenj të tjerë janë vrarë në pjesë të tjera të Evropës që ishin nën pushtimin gjerman. Nga debatet në konferencat në Vanse (Wannse)* shihet qartë se “zgjidhje përfundimtare e çështjes hebraike” përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha shtetet asnjanëse (neutrale) të Evropës, siç janë Irlanda, Zvicra, Turqia, Suedia, Portugalia dhe Spanja.
Vlerësohet se numri i kryerësve të holokaustit ka qenë mbi 200.000.
Shënim: Van-i (frëngjisht: Vannes, anglisht: Gwened) është qytet në Francën veriperëndimore. Ndodhet në bregun jugor të Bretanjës, 450 km larg Parisit.
* * *
Vrasje e industrializuar – Përdorimi i kampeve të përqendrimit apo i llogoreve të vdekjes, të pajisur me dhoma gazi për shfarosjen masive sistematike të njerëzve, ka qenë karakteristikë unike e holokaustit. Janë ndërtuar me qëllim vrasjeje sistematike të miliona njerëzve, në radhë të parë me ndihmën e gazrave helmuese. Objektet stacionare që janë ndërtuar për shfarosjen në masë, janë rezultat i eksperimentimit nazist të mëhershëm me gaz helmues gjatë programit sekret të eutanazisë së pacientëve me të meta mendore.
Zbatimi i holokaustit në Gjermaninë naziste prej viti 1933 deri në vitin 1942 – Sapo e morën pushtetin në Gjermani, nazistët e fillojnë realizimin e njërit prej qëllimeve të veta programore më të rëndësishme: çrrënjosjen e çfarëdo ndikimi të hebrenjve në politikën, në ekonominë dhe në kulturën gjermane. Fushata kundër hebrenjve është kryer nëpërmjet radios dhe gazetave, kurse në të gjitha shkollat dhe në fakultete u përfshi si lëndë e detyrueshme “mësimi mbi racat”. Ky farë mësimi ishte pseudoshkencor. U miratuan edhe një sërë aktesh nënligjore kundër hebrenjve që arrijnë kulmin me shpalljen e ligjeve të Nyrnbergut (Ligji për qytetarët e Perandorisë dhe Ligji për mbrojtjen e gjakut gjerman dhe të nderit gjerman). Më 15 shtator 1935 hebrenjtë e humbin shtetësinë gjermane, privohen nga e drejta për të ushtruar çfarëdo shërbimi publik, gjë që i godet sidomos intelektualët dhe shkencëtarët, profesorët, mjekët, avokatët, gazetarët etj. As fëmijët e tyre nuk kanë të drejtë të ndjekin shkollat publike. U ndalua qëndrimi i hebrenjve në vende publike – në parqe, në biblioteka, në muze etj. U ndalua lidhja e martesës midis arianëve dhe hebrenjve si dhe marrëdhëniet seksuale,. U ndalua punësimi i arianëve nëpër shtëpitë e hebrenjve, etj. Më vonë këto ligje do të zbatohen pothuajse në të gjitha vendet e aneksuara dhe në rajonet e pushtuara. Nën trysninë gjermane, në vitin 1938 edhe Italia filloi të aplikojë legjislacion antihebraik. Nën trysninë gjermane, masa kundër hebrenjve ndërmarrin edhe vendet e Evropës Lindore, me përjashtim të Çekosllovakisë të cilën Gjermania e mori në vitet 1938-1939. Prej këtyre shteteve emigruan një numër i madh i hebrenjve.
Në vitin 1933 në Gjermani kanë jetuar rreth 500.000 hebrenj. Prej tyre, deri në vitin 1939 rreth 300.000 kanë emigruar.
Me nismën e presidentit të ShBA-së Franklin Delano Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt, 30.01.1882 – 12.04.1945), në pranverë të vitit 1938, në Evian (Évian) të Zvicrës është mbajtur konferencë ndërkombëtare për refugjatët, por pa rezultate. Asnjë vend nuk i ka hapur dyert e veta për refugjatët hebrenj. Shumë prej tyre vendosen në Palestinë. Mirëpo, në korrik të vitit 1939 qeveria britanike, e ballafaquar me qëndresën e arabëve, e kufizon vendosjen e hebrenjve në Palestinë në jo më shumë se 15.000 në pesë vitet vijuese.
Getoja e Varshavës – Mbajtja e detyrueshme e shenjës në rroba u caktua për herë të parë për hebrenjtë në Poloni. Kjo ndodhi në nëntor të vitit 1939. Më vonë kjo masë nisi të zbatohet edhe në Gjermani dhe në shtete të tjera. Hebrenjtë përsëri u vendosën në pjesë të veçanta të izoluara të qyteteve (geto). Getoja më e madhe ndodhej në Varshavë. Atje ndodhi edhe e vemja rezistencë e organizuar dhe masive e hebrenjve.
Në vjeshtë të viti 1941 filloi realizimi i planit që të gjithë hebrenjtë nga Gjermania dhe nga rajonet e zaptuara të Evropës Qendrore dhe Perëndimore të deportohen në lindje. Hebrenjtë grumbulloheshin dhe transportoheshin me vagonë mallrash. Gjatë transportit vdiqën mijëra prej tyre. Me vendimin për “zgjidhjen përfundimtare”, ky plan shpejt u ndërpre.
* * *
Industrialistit dhe humanistit gjerman Oskar Shindler (Oscar Schindler; Svitavy, Çeki; 28.04.1908 – Hildeshaim, Gjermani, 09.10.1974) i njihet merita për shpëtimin e jetës së 1200 hebrenjve gjatë holokaustit, duke i punësuar ata në fabrikat e tij të enëve të smaltit dhe të municioneve në Poloninë e pushtuar. Oskar Shindleri ka qenë anëtar i Partisë Naziste. Fëmijë të tij janë Emily Schlegel dhe Oskar Jr. Schlegel.
Rezistenca ndaj masave kundër hebrenjve – Rezistencë kundër këtyre masave ka pasur në shumë vende të pushtuara. Qëndresa më e fuqishme ka qenë në Danimarkë, ku, pas masave të para kundër hebrenjve, mbreti deklaron në radio se vetë ai do të mbajë në rrobat e veta yllin hebraik, po qe se cilido qytetar e vendit të tij detyrohet për një gjë të tillë. Në vitin 1943 gjermanët e vendosin administratën e vet të drejtpërdrejtë në këtë vend. Urdhërojnë arrestimin e të gjithë joarianëve, është organizuar transferimi sekret me anije i hebrenjve për në Suedi, kështu që të gjithë janë shpëtuar. Në shkurt të vitit 1941, për ta parandaluar deportimin e hebrenjve, në Holandë është organizuar grevë e përgjithshme. Rezistencë të fuqishme ndaj përndjekjes së hebrenjve ka pasur në Itali. Janë pranuar refugjatë prej France dhe prej vendeve të Ballkanit. Mijëra refugjatë hebraikë janë shpëtuar nga ShPK (Shteti i Pavarur Kroat; akronimet në kroatisht: NDH). Sipas studiuesve, Bullgaria nuk ka deportuar asnjë hebre, po ashtu edhe Finlanda. Në Austrinë e aneksuar Perandorisë Gjermane në vitin 1938 (Anschlus), ka pasur shumë protesta kundër trajtimit të hebrenjve. Ka pasur edhe thirrje që ndaj ndonjërit prej tyre të ketë përjashtim.
Në vendet e Lindjes, ku regjimi pushtues nazist ka qenë shumë më rigoroz (sllavët janë konsideruar racë inferiore, të përshtatshëm për robër), një lloj i tillë i rezistencës së organizuar dhe masive ka qenë i pamundur. Persona të caktuar i rezistuan zbatimit të masave kundër hebrenjve duke shpëtuar ilegalisht një numër të caktuar. Simbol është bërë Oskar Shindleri (Oskar Schindler). Më vonë Izraeli, për individët e tillë vuri në përdorim mirënjohjen Njeriu i drejtë midis popujve. Ndihmë të tillë kanë dhënë edhe lëvizjet e organizuara antifashiste të qëndresës në vende të ndryshme.
„Zgjidhja përfundimtare“ – Suksesi i ekspeditës ushtarake në BRSS i nxiti nazistët të marrin vendim që në vend të deportimit në Lindje të planifikuar më herët, të zbatohet “zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike”, d.m.th. likuidimi fizik i të gjithë hebrenjve në Evropë. Në konferencën sekrete në Berlin-Wannse të mbajtur më 20 janar 1942, (Konferenca e Wannse) e paraqiti SS-Obergruppenführer Rajnhard Tristan Eugjen Hedrih (Reinhard Tristan Eugen Heydrich, 07.03.1904 – 04.06.1942), shef i Policisë së Sigurisë dhe i Shërbimit të Sigurisë. Ai ka qenë i autorizua personalisht nga Hitleri për ta jetësuar atë plan. Të gjitha shërbimeve shtetërore u ishte dhënë urdhri të marrin pjesë në shfarosjen e hebrenjve nën administrimin e SS-it. Ishte dhënë urdhri që të paaftët për punë të vriten menjëherë, kurse të tjerët të dërgohen në punë të detyrueshme me kushte minimale jetese, derisa nuk vdesin nga rraskapitja. Si formë e likuidimeve masive ishte dhënë urdhri i vrasjes me gaz dhe pushkatim. Rajnhard Hedrih u vra në atentat në Çeki. Pas vrasjes së tij për zbatimin e planit u ngarkua Oto Adolf Ajhman (Otto Adolf Eichmann; Soligen, Gjermani, 19.03.1906 – Ayalon Prison, Ramla, Izrael, 01.06.1962). U kap në Argjentinë nga Mossad-i më 11 maj 1960. U shpall fajtor për krime lufte në një gjykim të publikuar gjerësisht në Jerusalem. Më 1962 u ekzekutua me varje.
Në bazë të vendimit për “zgjidhje përfundimtare” u themeluan kampe përqendrimi dhe llogore vdekjeje – të posaçme. Derisa në llogoret e përqendrimit (të grumbullimit) të burgosurit punonin, i vetmi funksion i llogoreve të vdekjes ka qenë shfarosja sistematike e të burgosurve, më së shpeshti me ndihmën e organizimit tejet të sofistikuar. Për shembull, kanë ekzistuar njësi të burgosurish të cilët do të kujdeseshin që krematoriumi pandërprerë të djegë kufoma. Llogore vdekjeje janë ndërtuar më së shumti në rajonin e Polonisë së pushtuar: Aushvic / Auschwitz (Oswiencim), Birkenau (Brzezinka), Treblinka, Mauthausen, Majdanek, Sobibor, Izbica e të tjerë.
Kur ushtria sovjetike gjatë vitit 1944 e pushton Poloninë, likuidimet kanë vazhduar në llogoret në tokën gjermane: në Dahau (Dachau), në Bergen-Belsen dhe në Buhenvald (Buchenwald).
Në shtator të vitit 1944, Hajnrih Luitpold Himleri (Heinrich Luitpold Himmler, Munih, Gjermani, 07.10.1900 – Lyneburg, Gjermani, 23.05.1945) jep urdhër për ndërprerjen e likuidimeve. Por, deri në çlirimin e kampit të kryer prej Aleatëve, nga uria dhe nga sëmundjet ngjitëse vdiqën në to edhe dhjetëra mijë veta. Një pjesë të të deportuarve, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq, i vrisnin sapo mbërrinin në kampe. Një pjesë tjetër, përkohësisht i mbanin në jetë si fuqi punëtore robërish. Një numër i caktuar vdisnin nga rraskapitja, kurse të tjerë, më vonë po ashtu i vrisnin. Në fillim viktimat, nëse nuk i kishin pushkatuar qindra dhe mijëra sish, i vrisnin me ndihmën e gazeve që lëshonin kamionët në lëvizje: pesëdhjetë viktima i fusnin në hapësirë të mbyllur hermetikisht. Në atë hapësirë ishte i futur gypi nga ku dilte gazi që lëshonte kamioni. Si pasojë, të gjithëve u zihej fryma. Më vonë, vrasja masive u përkrye: fabrika DEGESCH – Shoqëria gjermane për luftë kundër dëmtuesve – livronte gaz ciklon B që vepronte shpejt.
Shënim: Himleri ka qenë komandanti kryesor i policisë gjermane, i SS-it, i SD-së, i Gestapo-së dhe i RSHA-së. ishte njëri prej njerëzve më të fuqishëm të Gjermanisë naziste. U bë një prej organizuesve kryesorë të holokaustit. Në maj të viti 1945, me dokumente të rrejshme, zgjoi dyshimin e një njësisë britanike në Bremen. U arrestua më 22 maj 1945. Duhej të gjykohej në Nurnberg bashkë me komandantët e tjerë të mëdhenj gjermanë, por bëri vetëvrasje në Lyneburg (Lüneburg), duke kafshuar ampulën e cianurit të kaliumit para se të fillonte marrja në pyetje nga hetuesit.
* * *
Me ndihmën e këtij gazi gjakpirësit e SS-it kanë organizuar vrasje masive “racionale” në vagonët hekurudhorë apo në hapësirat e kamufluara si banja me dushe. Kjo ka bërë të mundur që viktimat e mashtruara të zhvishen vetë kështu që u janë marrë edhe rrobat dhe imtësitë e ndryshme që ende i posedonin. Pas vdekjes, para se t’i hidhnin në furra për t’i djegur, u janë shkulur dhëmbët e arit. Prej protezave të arit, prej gjerdanëve dhe unazave nazistët kanë grumbulluar 17 tonë ar.
Përpos vrasjes në llogore, shfarosjen sistematike të hebrenjve dhe të të tjerëve e kanë zbatuar njësitë e veçanta, të ashtuquajturit SS-Einsatzgruppen, të organizuar në përbërje të çdo armate gjermane të posaçme për veprim në prapavijë. Në to kanë marrë pjesë edhe policët ndihmës lituanë, letuanezë, bjellorusë dhe ukrainas. Përveç dërgimit në kampe dhe likuidimit, në zona të ndryshme kanë organizuar edhe pushkatime individuale dhe masive.
Pas atentatit ndaj Hendrit (Heyndrich), i tërë procesi ka qenë në kompetencë të Adolf Ajhmanit (Adolf Eichmann), i cili tregoi aftësi organizative të mëdha dhe ndikoi me të madhe që vrasja “të rrjedhë” gjithnjë më shpejt dhe të jetë gjithnjë më efikas. Pavarësisht përpjekjeve të tij, me kalimin e kohës holokausti filloi të thithë resurse logjistike të mëdha të Rajhut (Reich), duke ndikuar tërthorazi në situatën në fushëbetejë. Sipas disa vlerësimeve, kjo ka qenë një prej arsyeve përse aleatët perëndimorë dhe BRSS-ja, edhe pse kanë pasur të dhëna për atë se ç’ndodh, nuk kanë bërë përpjekje thelbësore për ta ndaluar holokaustin që ka vazhduar deri në mbarim të luftës, përkatësisht deri në shpartallimin e Gjermanisë naziste.
Holokausti në Shtetin e Pavarur Kroat (ShPK) – Në Jasenovac, i vetmi kamp i vdekjes në Evropë që nuk ka qenë nën administrimin gjerman, sipas të dhënave kroate, janë vrarë midis 70.000 dhe 100.000 të burgosur serbë, romë, hebrenj, komunistë. Sipas të dhënave serbe, në Jasenovc janë vrarë 500.000 veta. Komisioni shtetëror i Kroacisë ka konstatuar në raportin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare në Nyrnberg se numri i viktimave ëashtë midis 500.000 dhe 600.000. Kampi i vdekjes i Jasenovcit u ndërtua në vitin 1941, për t’u mbyllur në vitin 1945.
Holokausti në Serbi– Karakteristika të kampit të vdekjes ka pasur edhe kampi Sajmishte afër Beogradit që ka qenë nën administrimin gjerman. Në hapësirën e ngarkimit të mallrave të njërit prej kamionëve të lartpërmendur ishte futur gypi që lëshonte gaz. Gazi i mbyste njerëzit që ndodheshin aty. Kamioni qarkullonte edhe nëpër Beograd.
Tabela e profesor Dejvid M. Krou (David M. Crowe)*
| Shteti | Numri i hebrenjve para luftës | Numri i viktimave të holokaustit |
| Austria | 185.000-192.000 | 48.767-65.000 |
| Bashkimi Sovjetik | 3.020.000 | 700.000-2.500.000 |
| Belgjika | 55.000-70.000 | 24.000-29.902 |
| Bullgaria | 50.000 | 7.335 |
| Çekia dhe Moravia | 92.000-118.310 | 78.150-80.000 |
| Danimarka | 7.500-7.800 | 60-116 |
| Estonia | 4.500 | 1.500-2.000 |
| Finlanda | 2.000 | 0 (7-8 shtetas tëhuaj i janë dorëzuar Gjermanisë) |
| Franca | 330.000-350.000 | 73.320-90.000 |
| Greqia | 77.380 | 58.443-67.000 |
| Gjermania | 523.000-525.000 | 130.000-160.000 |
| Holanda | 140.000 | 98.800-120.000 |
| Hungaria | 725.000-825.000 | 200.000-569.000 |
| Italia | 42.500-44.500 | 5.596-9.000 |
| Jugosllavia | 78.000-82.242 | 51.400-67.438 |
| Letonia | 91.500-95.000 | 60.000-85.000 |
| Lituania | 168.000 | 130.000-200.000 |
| Luksemburgu | 3.800 | 720-2.000 |
| Norvegjia | 1.700-1.800 | 758-1.000 |
| Polonia | 3.300.000-3.500.000 | 2.700.000-3.000.000 |
| Rumania | 756.000 | 270.000-287.000 |
| Sllovakia | 136.000 | 68.000-100.000 |
| Shqipëria | / | ! |
| Gjithsej | 9.702.930 – 10.169.332 | 4.707.056 – 7.442.390 |
Duhet cekur se në raste të caktuara Tabela e historianit amerikan Dejvid M. Krou (David M. Crowe) nuk përputhet me të dhënat e studiuesve të tjerë që janë marrë me numrin e viktimave të holokaustit në vendet e evropiane. Për shembull, sipas disa studiuesve, Bullgaria nuk ka dorëzuar asnjë hebre, kurse sipas Tabelës së Dejvid M. Krou, numri i viktimave të holokaustit nga ky vend është 7.335.
Të dhëna për numrin e viktimave të holokaustit në shtetet evropiane japin edhe studiues të tjerë. Duhet cekur se të dhënat për numrin e viktimave jo gjithherë përputhen me njëra-tjetrën.
* * *
Shqipëria në kohën e antisemitizmit apo të holokaustit – Për Shqipërinë jep të dhëna të caktuara edhe historiani amerikan Dejvid M. Krou (David M. Crowe). Të dhënat, ai i ka paraqitur edhe në Tabelën e tij. Por, ka studiues që të dhënat e profesorit amerikan lidhur me Shqipërinë në kohën e holokaustit, i vënë në dyshim. Për këtë arsye, ato nuk janë pasqyruar në Tabelë.
Gjithë bota e di se gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët nuk u dorëzuan nazistëve gjermanë as edhe një hebre të vetëm. Shqitarët janë popull me virtyte të larta. Ata shquhen për be4sën, për mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë, trimërinë, guximin, drejtësinë, vitalitetin e racës etj. Sipas kodit etik të tyre, shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Shqiptari rrezikoi jetën e vet, por hebreun nuk ua dorëzoi GESTAPO-së apo SS-ve. Mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri në kohën e holokaustit e kanë dëshmuar dhe vazhdojnë ta dëshmojnë edhe vetë hebrenjtë të cilët kanë qenë të strehuar dhe të fshehur në shtëpitë e shqiptarëve. Kjo tregon se mbrojtja e hebrenjve prej shqiptarëve gjatë LDB-së nuk legjendë apo mit. Mikpritja që e kanë gjetur hebrenjtë në Shqipëri dhe gjithandej në trojet arbërore, është dëshmuar dhe është provuar edhe me fakte apo me argumente historike, si prej historianëve shqiptarë, ashtu edhe prej studiuesve të huaj.
S’ka hebre në rruzullin tokësor që nuk e di se gjatë LDB-së, në kohën e antisemitizmit apo të holokaustit, hebrenjtë në Shqipëri kanë gjetur strehim të sigurt.
Edhe autoritetet më të larta të Izraelit sot, thonë: “Shqipëria është i vetmi vend në botë ku numri i hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore është rritur”.
Shënim: Dejvid M. Krou (David M. Crowe, Jr.; lindi në Norfolk, Virginia, ShBA më 20 shtator.1943) historian amerikan. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Universitetit Chapman dhe profesor emeritus i historisë dhe i drejtësisë në Universitetin Elon. Ka qenë specialist i të drejtës penale ndërkombëtare, i holokaustit, i historisë së popullit rom në Evropën Lindore, në Rusi dhe në Kinë në shekullin XX
* * *
Holokausti la pas vetes pasoja afatgjata. Supozohet se në të janë vrarë 5,29 deri 6 milionë hebrenj, përkatësisht një e treta e të gjithë hebrenjve që kanë jetuar në botë para Luftës së Dytë Botërore. Pasqyra demografike e Evropës është ndryshuar dukshëm, sidomos në Evropën Lindore dhe Qendrore në të cilat bashkësitë hebraike nuk kanë ekzistuar më. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve vendosën të emigrojnë në ShBA, përkatësisht në Palestinë ku u krijua shteti kombëtar hebraik – Izraeli.
Romët janë grupi i dytë që ka qenë objekt i gjenocidit. Numri i viktimave të tyre është vështirë të vlerësohet. Jepen shifra midis 200.000 dhe 800.000, që përbën një të katërtën apo gjysmën e numrit të përgjithshëm të tyre në Evropë.
Me të gjitha grupet e tjera që janë shfarosur sistematikisht, numri i viktimave të holokaustit, në kuptimin e gjerë të fjalës, duke mos i përfshirë vetëm hebrenjtë, zakonisht vlerësohet në 9 deri në 11 milionë. Disa vlerësime shkojnë deri në 26 milionë.
Njësoj si Lufta e Parë Botërore, Holokausti ka paraqitur shok të madh për qytetërimin perëndimor të atëhershëm. Shumë njerëz kanë pyetur: “Si është e mundur që për vrasjet në ato përmasa janë shfrytëzuar arritjet më moderne të shkencës. Si ka qenë i mundur një nivel i tillë i pandjeshmërisë në shekullin XX, sidomos kur krimet janë kryer në një shtet kaq të përparuar, të arsimuar dhe të qytetëruar siç është Gjermania.”
Për këtë arsye holokausti shpesh përshkruhet si ngjarje unike e historisë së botës, përkatësisht përgjegjësia për të i përshkruhet një numri të kufizuar njerëzish, kryesisht Adolf Hitlerit dhe rrethit të ngushtë të ithtarëve të tij si dhe ndërthurjes specifike të rrethanave të cilat nuk pritet të përsëriten edhe njëherë tjetër.
Mirëpo jepen edhe teza se holokausti nuk do të kishte qenë i mundur, së paku jo në përmasa aq masive, sikur nazistët të mos e gëzonin mbështetjen e heshtur apo të hapur të popullatës johebraike, madje edhe në vendet e pushtuara siç është Polonia, të motivuar nga lakmia dhe nga antisemitizmi i hapur ose latent.
* * *
Kancelari gjerman Vili Brant bie në gjunjë – Në dhjetor të vitit 1970, kancelari gjerman Vili Brant (Willy Brandt, Lybek, Gjermani, 18.12.1913 – Unkel, Gjermani, 08.10.1992) vizitoi Poloninë. Kjo ndodhi 25 vjet pas pushtimit gjerman të këtij vendi dhe vrasjeve gjermane. Më 7 dhjetor 1970, në orët e paradites, para përmendores së kryengritjes në geton e Varshavës, Branti vuri kurorë. Pasi e vuri kurorën, u tërhoq nja-dy hapa pas dhe priti një çast. Sakaq, kokulur ra në gjunjë në granitin e fortë, të lagët. Kjo zgjati jo më shumë se 30 sekonda. E bëri këtë akt në emër të popullit gjerman. Për gjysmë minute hyri në histori. Fotografia e kësaj skene përnjëherë e mori dheun. Në Poloni kishte të tillë të cilët këtë akt të Brantit nuk e mirëpritën. Në vitin 1971 iu dha çmimi “Nobel” për paqe.
* * *
Gjermania ia ka dhënë njerëzimit kolosët e qytetërimit perëndimor: shkrimtarin Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, Frankufurt mbi Majnë, 1749 – Weimar, 1832), filozofin e filozofisë idealiste klasike gjermane Georg Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770 – 1831), filozofin e filozofisë idealiste klasike gjermane Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724 – 1804), filozofin dhe poetin Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844 – 1900). Është për t’u habitur se si ka qenë e mundur që holokausti të ketë ndodhur te ky popull.
Adolf Hitleri bëhet kancelar i Gjermanisë në vitin 1933. Ai ka qenë ideologu kryesor i politikës raciste të Gjermanisë naziste gjë që e ka paralajmëruar qysh në librin “Mein Kampf” (Lufta ime, 1924). Nën pushtetin e tij është kryer shfarosja e mbi pesë milionë hebrenjve dhe romëve në holokaust.
Është për t’u habitur se si ideologjinë naziste nuk e kundërshtuan sa duhet dhe si duhet edhe një pjesë e inteligjencies gjermane. Mund të përmendet rasti i filozofit të famshëm gjerman të drejtimit ekzistencialist Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889 – 1976).
Kur filozofi i madh gjerman Edmund Huserl (Edmund Husserl, 1859 – 1938), për shkak të prejardhjes hebraike u dëbua nga universiteti, vendin e tij e zuri Hajdegeri. Këtë akt si dhe disa fjalime të tij dhe paraqitje publike – sidomos Rektoratsrede i tij – në të cilat në kohën e daljes në skenë të nazizmit e zmadhonte “kushtrimin historik të Gjermanisë”, ia kanë zënë për të madhe shumë filozofë të tjerë, pavarësisht nga fakti se më vonë është tërhequr nga angazhimi i drejtpërdrejtë dhe aktiv për Rajhun e Tretë.
Përkundër kësaj, shumë nxënës dhe apologjetë të tij, por edhe filozofë origjinalë, sidomos në Francë, e konsiderojnë si njërin nga filozofët më të mëdhenj të botës bashkëkohore.
* * *
Dita e përkujtimit të holokaustit – Dita e përkujtimit të holokaustit shënohet në ShBA dhe në të gjitha shtet evropiane. Rëndësi të madhe ka United States Holocaust Memorial Museum (Muzeu Memorial i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara) i hapur në Uashigton në prill të viti 1993, në ditën e fillimit të kryengritjes në geton e Varshavës.

Hebrenjtë polakë të kapur nga gjermanët gjatë shtypjes së Kryengritjes së Getos së Varshavës (Poloni) – Foto nga Raporti i Jürgen Stroop për Heinrich Himmler, maj 1943.
