22/12/2024

Historiku i përgjakshëm i 1 majit

0
Albert-Zholi1

“8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parrulla e hedhur për herë të parë në Australi

Për herë të parë 1 maji është kremtuar në Shqipëri në vitin 1905, kohë kur ishim ende pjesë e Perandorisë Osmane

Përgatiti Albert Z. Zholi

Festa e 1 Majit, apo dita ndërkombëtare e punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886.

“8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parrulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855 e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Nga kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ato që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate qenë pa dyshim organizatat e punëtorëve amerikanë.

Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh. Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane.  Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë. 1 maji i vitit 1886 ra ditë shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen, 4 maj.

Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre. Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë provë tetë eksponentë anarkikë.  Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës.

Më 20 korrik 1889 kongresi themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 majin e 1890-ës manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima.

Vetëm në gusht të vitit 1891, kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”.

Për herë të parë në Shqipëri

Për herë të parë 1 maji është kremtuar në Shqipëri në vitin 1905, kohë kur Shqipëria ende ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.  Të paktën kjo shkruhet në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” të autorit Stilian Adhami, publikuar në vitin 1969. Autori shkruan se me 1 maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan në një manifestim nëpër rrugë dhe një piknik jashtë qytetit të Shkodrës, në urën e Mesit.

1 maji në sistemin monist

Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, 1 Maji ose “Dita e klasës punëtore” konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Me rastin e saj organizoheshin aktivitete dhe manifestime në të gjithë vendin. Një manifestim i madh zhvillohej në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit, ndërsa në tribunën kryesore të vendosur para godinës së Kuvendit Popullor dilte udhëheqja e PPSH për të përshëndetur klasën punëtore. Paradat që organizoheshin në formën e kuadrateve (kuadratet e nxënësve të shkollave, kuadratet e studentëve, kuadratet e klasës punëtore nga ndërmarrje të ndryshme të vendit, kuadratet ushtarake), përshëndesnin udhëheqësit e lartë të Partisë. Kjo festë shfrytëzohej për të treguar se Partia dhe udhëheqësi i saj ishin të pagabueshëm dhe po e udhëhiqnin vendin drejt lulëzimit ekonomik.

Pasditja shoqërohej me aktivitete festive nëpër shkolla, në kooperativa apo në ndërmarrje të ndryshme ku shpalleshin edhe punonjësit e dalluar të vitit.

Edhe një herë, me këtë rast, klika e kohës gjente rast të reklamonte arritjet dhe madhështinë e “Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën”.

Festa e 1 Majit, nga një festë me origjinë manifestimin dhe protestën për lehtësimin e kushteve të punës së punëtorëve, u kthye në një festë ku Partia-Shtet reklamonte “zhvillimin e madh që kishte vendi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok