27/07/2026

Historia kombëtare – një e drejtë ende e mohuar për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi

0
Histori-e-Shqiptareve1

Padrejtësi që vazhdon

Nga Gjekë Gjonaj

Mësimi i historisë është  e drejtë themelore

Historia është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet identiteti i një populli. Përmes saj brezat e rinj njohin rrënjët e tyre, zhvillimet historike, figurat kombëtare, sakrificat dhe vlerat që kanë formësuar identitetin e tyre. Pikërisht për këtë arsye, e drejta për të mësuar historinë kombëtare është një e drejtë themelore arsimore, kulturore dhe njerëzore, e garantuar nga standardet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Megjithatë, nxënësit shqiptarë në Mal të Zi, edhe sot në një sistem që deklarohet demokratik dhe multietnik, vazhdojnë të mos e gëzojnë plotësisht këtë të drejtë. Ata nuk kanë mundësi të njihen në mënyrë të plotë dhe sistematike me historinë e popullit të tyre, sepse tekstet mësimore të historisë nuk e pasqyrojnë atë në masën që kërkojnë nevojat arsimore dhe identitare.

Tekstet ekzistuese dhe boshllëku i historisë kombëtare

Tekstet mësimore të lëndës së historisë për klasat VI–IX të shkollës fillore dhe klasat I–IV të gjimnazit janë hartuar nga autorë joshqiptarë dhe botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, me miratimin e Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi.

Sipas historianëve dhe mësimdhënësve të kësaj lënde, këto tekste nuk përfshijnë një pjesë të konsiderueshme të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Historia e shqiptarëve paraqitet në mënyrë të kufizuar, fragmentare dhe shpeshherë pa kontekstin e nevojshëm, duke lënë jashtë shumë procese historike, personalitete dhe periudha që kanë rëndësi të veçantë për formimin e vetëdijes kombëtare të nxënësve.

Si rrjedhojë, brezat e rinj shqiptarë në Mal të Zi diplomojnë me njohuri të pamjaftueshme për historinë e popullit të tyre, për luftërat e tij shekullore, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare.

Një çështje identitare ende e pazgjidhur

Mohimi ose kufizimi i së drejtës për të mësuar historinë kombëtare nuk është thjesht një problem pedagogjik. Ai prek drejtpërdrejt të drejtën identitare të një komuniteti autokton.

Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton dhe pjesë e pandashme e historisë së këtij shteti. Pikërisht për këtë arsye, mungesa e përmbajtjeve të mjaftueshme nga historia kombëtare në tekstet zyrtare përbën një mangësi serioze, e cila nuk përputhet me standardet demokratike dhe me detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare.

Një shtet demokratik nuk matet vetëm me ligjet që miraton, por edhe me mënyrën se si garanton zbatimin praktik të të drejtave të qytetarëve të tij.

Premtimi i parealizuar për 20 për qind histori kombëtare

Vite më parë, Ministria e Arsimit e Malit të Zi premtoi se tekstet e historisë për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe do të përmbanin rreth 20 për qind përmbajtje nga historia kombëtare shqiptare.

Ky premtim u mirëprit si një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të një padrejtësie të kahershme. Megjithatë, sipas mësimdhënësve dhe ekspertëve të historisë, ai nuk u realizua në praktikë.

Për më tepër, nuk u sqarua asnjëherë se në çfarë forme do të realizohej ky 20 për qindësh: nëse do të integrohej në tekstet ekzistuese, do të zhvillohej përmes njësive fakultative apo do të mbulohej me materiale plotësuese?! Kjo paqartësi bëri që problemi të mbetej i pazgjidhur edhe pas shumë vitesh.

Një iniciativë që plotëson boshllëkun e madh

Pikërisht për shkak të mungesës së historisë kombëtare në programet mësimore, një grup historianësh, pedagogësh dhe ekspertësh morën përsipër një nismë me rëndësi të veçantë.

Grupi punues, i përbërë nga Dr. Nexhat Avdiu, Mark Junçaj, Sabit Kurti, Jetmira Sella, Endrit Cuca, Tomë Lucaj, Dom Nik Ukgjini dhe Ismet Kallaba, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve institucionalë, hartoi dhe botoi dy tekste plotësuese shkollore me titull “Historia e Shqiptarëve”, një për arsimin fillor dhe një për arsimin e mesëm.

Këto botime janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Shtëpisë  Botuese “Albas”, me synimin për të plotësuar boshllëkun e krijuar në programet ekzistuese të historisë.

Tekstet përmbajnë njësi mësimore të përzgjedhura nga historia kombëtare shqiptare dhe u ofrojnë nxënësve mundësinë të njihen me ngjarjet, figurat dhe proceset historike që deri më tani kanë munguar ose janë trajtuar sipërfaqësisht.

Vetëm fillimi i një procesi të domosdoshëm

Botimi i këtyre dy teksteve përbën një hap shumë të rëndësishëm, por nuk është zgjidhja përfundimtare. Ato nuk mund dhe nuk duhet të mbeten vetëm materiale ndihmëse. Qëllimi i tyre duhet të jetë integrimi institucional në procesin mësimor, përmes miratimit nga institucionet kompetente shtetërore dhe përdorimit të tyre në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Vetëm në këtë mënyrë nxënësit shqiptarë do të kenë mundësi të mësojnë historinë që u takon, historinë e popullit të tyre, të qëndresës shekullore për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si edhe të njohin personalitetet që kanë kontribuar në historinë shqiptare.

Një përgjegjësi e përbashkët

Realizimi i kësaj të drejte nuk mund të mbështetet vetëm mbi përpjekjet e një grupi autorësh apo të një institucioni. Ai kërkon bashkëpunimin serioz të të gjitha subjekteve politike shqiptare, historianëve, studiuesve, mësimdhënësve, institucioneve arsimore, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe, mbi të gjitha, institucioneve shtetërore të Malit të Zi.

Kjo nuk është vetëm një çështje arsimore. Është një përgjegjësi kombëtare dhe qytetare. Vetëm përmes dialogut institucional dhe vullnetit politik mund të sigurohet që nxënësit shqiptarë të mësojnë historinë kombëtare nëpërmjet teksteve të miratuara zyrtarisht dhe të përdorura në procesin e rregullt mësimor.

Koha për veprim, jo vetëm për premtime

Dy tekstet plotësuese “Historia e Shqiptarëve” tashmë janë botuar dhe janë përuruar para opinionit publik. Ato përfaqësojnë një punë serioze shkencore dhe pedagogjike dhe dëshmojnë se ekzistojnë kapacitetet profesionale për ta plotësuar këtë boshllëk.

Tani ka ardhur koha që këto botime të mos mbeten në raftet e bibliotekave apo në sirtarët e institucioneve shtetërore. Është momenti që ato të shndërrohen në pjesë të procesit të rregullt mësimor dhe të hapin rrugën për hartimin e teksteve të reja, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse të historisë.

Kjo nuk është një kërkesë politike dhe as një privilegj për shqiptarët në Malin e Zi. Është realizimi i një të drejte elementare: që çdo fëmijë të ketë mundësi të mësojë historinë e popullit të vet, të njohë rrënjët e identitetit të tij dhe të ndërtojë të ardhmen mbi njohjen e së kaluarës.

Sepse një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohet mbi harresën e historisë së një pjese të qytetarëve të saj. Ajo ndërtohet mbi njohjen, respektimin dhe përfshirjen e barabartë të historisë dhe identitetit të të gjithë popujve që e përbëjnë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok