30/12/2024

HISTORIA E NJË GRYKE

0
Klisyra1

Nga Blerim Latifi

Lugina që shihni në fotografi shënjon kufirin që ndan rajonin e Drenicës nga ai i Mitrovicës. Nëpër të kalon rruga që shpie nga Mitrovica në drejtim të Pejës. Është një luginë e vogël, që në pranverë të mahnit me panoramën e bukur, ndërsa dimrit të shkakton një ndjenjë të vogël mërzitjeje, me pamjen e zymtë të malit të zhveshur. Territori i saj i përket Prekazit. Sot lugina dhe mali anash saj duken të qeta e të heshtura, por e kaluara e tyre është e mbushur me histori të përgjakshme.Kjo histori qëndron e ruajtur në vetë emrat e tyre. Mali quhet Klisyra.

Prej nga vjen ky emër? Cila është domethënia e tij?

Qysh herët ky emër më kishte intriguar dhe më vonë e pata kuptuar se bëhet fjalë për një emër me orgjinë greke.

Dikush mund të pyes me habi: Ç’kërkon një emër grek në toponiminë e Drenicës?

Nuk ka asnjë mister këtu. Ky emër ka mbetur që nga koha e Perandorisë Bizantine, gjuha administrative e së cilës ishte greqishtja. Dhe emri “Klisyrë” në greqisht do të thotë grykë, vend i ngushtë kalimi. Një emër ky që saktësisht e përkufizon gjeografinë e vendit për të cilin po flasim. Klisyra është gryka përmes së cilës hyhet në Drenicë,  nga drejtimi i Mitrovicës.

Ajo që në këtë mes përbën mister është fakti se si ky emër ka arritur t’u mbijetojë shekujve, pas zhdukjes së Perandorisë Bizantine. Ndoshta rëndësia që kjo grykë ka patur për banorët e kësaj ane, ka ndikuar që emri Klisyrë të kristalizohet në memorien e tyre kolektive. Në Mesjetë, por edhe më vonë, grykat e maleve kanë qenë pikat kryesore në strategjitë e mbrojtjes, prandaj lufta për kontrollin e tyre gjithmonë ka qenë e ashpër dhe e pamëshirshme. Dhe, natyrisht, Gryka e Klisyrës nuk bënte përjashtim prej këtij rregulli. Edhe vetë etimologjia e emrit të luginës së saj e dëshmon këtë. Ajo quhet Vajtesh.

Emri “Vajtesh” do të thotë vend i vajit, vend i veshur në zi. Aty burrat shkonin për të vdekur, duke lënë pas fëmijë jetimë, gra të veja dhe shtëpi të mbyllura përgjithmonë. Në vitin 1907, kur Shemsi Pasha u nis për të shtypur kryengritjen e Ahmet Delisë, në Vajtesh u bë një kasaphanë e tmerrshme. Pashai turk mundi të marrë kontrollin e grykës vetëm pasi artileria e tij ia vuri zjarrin Klisyrës.

Në Luftën e Parë Botërore, ushtria austro-hungareze, gjithë kohën mbajti aty një qendër të kontrollit ushtarak dhe kur pas tyre erdhën serbët, barakat austro-hungareze i shndërruan në stacion të xhandarmërisë.

Aty afër ishin rrënojat e një kishe të vjetër, gurët e të cilës thuhet se shërbyen për të ngritur këtë stacion. Sot përveç toponimit “ara e kishës” asnjë gjurmë tjetër e saj nuk ekziston aty. Mbase mund të mendohet një lidhje midis kishës së vjetër dhe emrit Klisyra. Kisha mund të ketë qenë nën autoritetin e Patriarkanës së Stambollit, gjuha e të cilës ishte greqishtja. Sidoqoftë kjo është vetëm një hipotezë logjike.

Në ditët e revoltës së tij kundër regjimit serb, Azem Bejta njëherë ia kishte dalë ta shkatërrojë stacionin e xhandarmërisë, por pastaj serbët, nën mbikëqyrjen e ushtrisë, e kishin ringritur sërish.

Pas protestave që Hasan Prishtina dhe Fan Noli bënë në Lidhjen e Kombeve për dhunën që ushtronte qeveria serbe mbi shqiptarët e Kosovës, vendet perëndimore dërguan një delegacion faktmbledhës në Kosovë. Delegacioni arriti në Mitrovicë dhe prej andej mori rrugën për në Drenicë. Xhandarët serbë hoqën uniformat, vunë në kokë plisat e bardhë dhe kur delegacioni arriti në Vajtesh, ata shtinë mbi të. Delegacioni u kthye pas në Mitrovicë, ku autoritetet serbe u kujdesën t’i “informojnë” se përgjegjës për të shtënat janë kaçakët e Azem Bejtës.

Ishte një kohë kur propaganda dhe gënjeshtrat serbe për Kosovën kishin ndikim absolut në botën perëndimore. Kosova vuante terrorin e skajshëm serb, por zëri i saj nuk dëgjohej askund dhe Vajteshi vazhdonte të kullonte gjak.

Në vitin 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vajteshi mori rëndësi ndërkombëtare. Aty u vendos kufiri midis Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste, deri në kapitullimin e kësaj të fundit në vitin 1943.

Kur në dimrin e vitit 1945, Shaban Polluzha nisi kryengritjen kundër partizanëve të Titos, gjëja e parë që bëri ishte dërgimi i një batalioni për ta bllokuar grykën në Vajtesh. Një muaj më pas, kur brigadat partizane arritën të marrin grykën, fati tragjik i kryengritjes së Shaban Polluzhës u vendos. Ende sot, aty rrotull, nëpër mal, gjenden varret e shumë luftëtarëve të Shaban Polluzhës që u vranë në përpjekje për të ndaluar partizanët komunistë të hynin në Drenicë. Të gjitha janë varre luftëtarësh të panjohur. Kur po shetisja aty pari, u nisa t’i gjej dy prej këtyre varreve që ua dija vendin qysh prej fëmijërisë, por rrugët e vjetra në mal ishin mbyllur nga vegjetacioni i dendur dhe m’u desh të kthehesha pas.

Dekada më vonë pas rënies së atyre luftëtarëve të panjohur që prehen në ato varre, kur shpërtheu kryengritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, serbët vrapuan të marrin nën kontroll grykën e Klisyrës. Vendosën aty njësi të rregullta ushtarake dhe gjithë zonën përreth e minuan. Pas luftës, për shumë muaj nuk guxuam të hynim në pyjet e saj, derisa erdhën njësitë e KFOR-it dhe e deminuan territorin.

Ngjarja e fundit e zhvilluar në këtë vend ishte ajo e 8 shtatorit 2018 kur një numër i madh qytetarësh vunë barrikada në rrugë për të mos lejuar kalimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në drejtim të Pejës.  Vuçiqi u kthye pas. Pasardhësit e rojtarëve të vjetër të grykës më në fund e kishin përmbushur ëndrrën e këtyre rojtarëve : ta bënin grykën të pakalueshme për armiqtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok