Historia e arsimit shqip është një kalvar vuajtjesh dhe sfidash pafund
Nga Ndue Ukaj
Historia e arsimit shqip është një kalvar vuajtjesh dhe sfidash pafund.
Unë jam rritë në një mjedis me tregime të tilla, në Stubëll të Epërme, në një fshat piktoresk, ku u legalizua shkolla e Stubllës e vitit 1905.
Si fëmijë, i dëgjoja me andje tregimet gjyshit dhe të moshuarve rreth asaj shkolle dhe e imagjinoja priftin e vyeshëm Dom Mikel Tarabulluzin, me veladonin e tij dhe një shandan tek përhapte dritë në një errësirë të pafund, pastaj imagjinoja ata nxënës të varfër e të shtypur nga sundimi osman, të frikësuar tek hynin e dilnin në dyert e asaj shkolle të vjetër, për të fituar pak dritë, objekti i së
cilës sot është Muze i Shkollës së Parë Shqipe të legalizuar në Kosovë.
Pos shkollës, Stublla ime ka ruajtë dhe ka zhvilluar brez pas brezi tregimin për periudhën e Martirëve të Karadaket të vitit 1846-1848, tregim ky që lidhet ngushtë me shkollën dhe ekzistencën tonë kombëtare.
E këto dy tregime, në të vërtetë përbëjnë një faqe të rëndësishme në historinë e përpjekjeve tona për liri dhe arsimim në gjuhën shqipe.
Si fëmijë dhe pak më vonë si i ri, teksa dëgjoja lajme për rrënimin e Jugosllavisë dhe ndieja duhmën e keqe të robërisë që përhapej shpejt në vendin tonë, shihja dhe përjetoja mbylljen e shkollave shqip, helminin e nxënëse, tek këto dy ngjarje kërkoja të gjeja kuptim dhe shpjegim për kohët e liga të viteve të ’90- ta.
Dhe brenda nesh u ndez çuditshëm një forcë
prometheane.
Isha fëmijë kur e kuptova rëndësinë dhe domethënien e madhe të shkronjave dhe më vonë ato ndikuan që në mua të ndizej dashuria për shkrimin dhe leximin.
Përnjëmend është fantastike të zgjohesh në lartësitë Stubllës dhe të pashë horizonte të pafundme, vargmalet e bukura, kodrën e Stubllavaçes, si një kurorë madhështore dhe të kujtosh se aty ishte një shkollë e lashtë, një shkollë – kishë, që si kandil rrinte përballë territ dhe injorancës që kishte goditë atdheun tënd; të kujtosh ata heronj të guximshëm që për të ruajtë gjuhë, kulturë e fe, flijuan çdo gjë.
Tregimet e tilla vërtet kanë forcë prometheane dhe gjithmonë të japin guxim e frymëzim të jashtëzakonshëm.
Shoqëria jonë e ligështuar moralisht dhe pa ideale të mëdha ka nevojë përsëri t’i ripërtërijë tregimet e tilla frymëzuese, që t’ mos na godasë harresa, forca e së cilës është e tmerrshme.
Derisa kremtojmë sot Ditën e Mësuesit, ne duhet t’ i shpallim luftë armikut tonë të madh: harresës e
injorancës. Vetëm kështu mund të bëhemi nxënës të mirë të historisë.