„HIJET E SHPRESËS“ nga Linzi paralajmëron prezantimet e ardhshme në gjuhën gjermane

Nga Dafina Selimi
Ishte një pasdite e këndshme letrare që bashkoi krijues shqiptarë e austriakë, vlerësime kritike, poezi dhe muzikë, duke paralajmëruar një kapitull të ri për romanet e Ramiz Selimit në hapësirën kulturore gjermanofolëse.
Prezantimi i romanit “Hijet e shpresës” të shkrimtarit Ramiz Selimi, i organizuar në Linz, shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin letrar të autorit, por njëkohësisht edhe një paralajmërim për etapën e re të veprimtarisë së tij krijuese, prezantimin e veprave në gjuhën gjermane dhe afrimin e letërsisë së tij me lexuesin austriak.
Kjo mbrëmje kulturore, e cila mblodhi shkrimtarë, studiues, artistë, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe miq austriakë, dëshmoi se letërsia mund të krijojë ura komunikimi përtej kufijve gjuhësorë dhe kulturorë.
Një dimension të veçantë kësaj ngjarjeje i dhanë edhe të pranishmit austriakë, Manfred Allersdorfer, Waltraud Aigner, Franz Jetschgo, dhe gazetari Josef Pfisterer, i cili, përmes një shkrimi paralajmëroi ardhjen e autorit dhe të prezantimeve të ardhshme në gjuhën gjermane për opinionin austriak. Prania dhe interesimi i tij për këtë zhvillim përbëjnë një sinjal domethënës për hapjen e një komunikimi të ri letrar me publikun vendës.
Në këtë kuptim, prezantimi në Linz nuk ishte vetëm një takim me lexuesit shqiptarë të diasporës, por edhe një paralajmërim se romani “Hijet e shpresës” dhe krijimtaria e Ramiz Selimit synojnë të dalin gjithnjë e më shumë në hapësirën kulturore gjermanofolëse. Gjatë vitit të ardhshëm, prezantimet e veprave të autorit pritet të zhvillohen në gjuhën gjermane, duke filluar nga Vjena, Linzi, Mynheni dhe do të përfundojnë në vendin ku zhvillohet ngjarja e romanit në Rohrbach.
Një analizë që e vendos romanin në kontekstin e një krijimtarie të tërë
Programin e drejtoi Dr. Safet Gerxhaliu, i cili me moderimin e tij i dha aktivitetit një rrjedhë të përmbajtur dhe dinjitoze.
Biografinë e autorit e prezantuan Edvana Gjashta dhe Mimoza Koraqi, duke sjellë para të pranishmëve rrugëtimin jetësor dhe krijues të Ramiz Selimit.
Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit ishte leximi i analizës letrare të redaktores dhe shkrimtares Violeta Allmuça, me titull “Tetralogjia e jetës njerëzore”.
Në këtë vlerësim, Allmuça u ndal te zhvillimi artistik i autorit përgjatë katër romaneve: “Rrënjët e kujtesës”, “Dëshirë e djegur”, “Shpirti i plagosur” dhe “Hijet e shpresës”. Ajo vuri në pah mënyrën se si Ramiz Selimi e ka shndërruar përvojën personale në një rrëfim artistik me përmasa më të gjera njerëzore dhe shoqërore.
Violeta Allmuça vlerësoi veçanërisht origjinalitetin e rrëfimit, pasurinë gjuhësore, strukturën narrative dhe aftësinë e autorit për të ndërthurur historinë individuale me kujtesën kolektive shqiptare. Ajo theksoi se “Hijet e shpresës” meriton vëmendjen e kritikës së mirëfilltë letrare.
Një tjetër kontribut analitik solli profesori Sakip Imeri, i cili paraqiti një analizë mbi recensimin e profesorit Dr. Kristaq Shabani, duke e zgjeruar hapësirën e diskutimit mbi vlerat artistike dhe tematike të romanit.
Ndërkaq, Dafina Selimi lexoi një ese kushtuar veprës, duke sjellë një tjetër këndvështrim mbi përmbajtjen dhe mesazhin e saj.
Bisedë me autorin dhe dhurata simbolike
Një pjesë e veçantë e programit ishte bashkëbisedimi me autorin. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” Anton Marku parashtroi disa pyetje për autorin Ramiz Selimin, të cilat krijuan mundësinë për të diskutuar mbi procesin krijues, burimet frymëzuese të romanit, personazhet dhe dimensionin njerëzor të veprës.
Në këtë pjesë të aktivitetit u veçua edhe gjesti simbolik i artistit të njohur nga Kosova, Ismet Krasniqi – Lala, i cili pos humorit dhe monologut brilant, i dhuroi autorit një plis tradicional dhe flamurin kuq e zi. Kjo dhuratë u prit me emocione, duke simbolizuar lidhjen me rrënjët, identitetin dhe kulturën shqiptare, pavarësisht largësisë gjeografike.

Mesazhi i autorit: Njeriu ka nevojë për drejtësi që ia njeh dinjitetin
Në fjalën e tij para të pranishmëve, autori Ramiz Selimi ndau me publikun dimensionin njerëzor dhe filozofik të krijimtarisë së tij:
“Romani ‘Hijet e shpresës’ lindi nga nevoja për të rrëfyer njeriun përballë plagëve të jetës, kujtesës, emigrimit dhe paragjykimit… Njeriu nuk ka nevojë për mëshirë që e zvogëlon, por për drejtsi që ia njeh dinjitetin. Njeriu mund të humb shtëpinë, vendlindjen dhe qetësinë shpirtërore, por kurrë nuk duhet të humb humanizmin dhe shpresën për të ardhmen,” u shpreh Selimi, duke paralajmëruar gjithashtu se saga e Dardanit do të vazhdojë në fshatin Lembach me romanin e tij të radhës, “Në labirintin e paragjykimeve”.
Në mbyllje të kësaj ngjarjeje madhështore, autori shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Komunën e Klinës për mbështetjen financiare, redaktoren Violeta Allmuça, recensentët Prof. Dr. Kristaq Shabani, Prof. Prend Buzhala dhe Prof. Munish Hyseni, si dhe për mentorin Safet Gërxhaliu, pastaj shtëpinë botuese “Ura” dhe dizajnerin Altin Qyqalla. Falënderimet më të ngrohta shkuan për familjen e tij, bashkëshorten Sanije, vajzat Dafina e Erleta, dhe djalin Isufi, të cilët mbeten frymëzimi dhe shtylla e çdo suksesi të tij letrar.
Poezia dhe muzika i dhanë mbrëmjes një dimension tjetër
Atmosfera e aktivitetit u pasurua edhe me interpretime artistike. Këngëtari i ri dhe kitaristi Bashkim Morina sollën një atmosferë të veçantë dhe mbresëlënëse. Këngëtari solli emocione përmes muzikës, duke i dhënë mbrëmjes një ngrohtësi të veçantë.
Në pjesën përmbyllëse u lexuan poezi nga poetët Gjin Morina, Anton Marku, Besim Xhelili, Angjelina Marku dhe Fitnete Krasniqi. Interpretimet e tyre e shndërruan aktivitetin në një takim më të gjerë letrar, ku romani, eseja dhe poezia u ndërthurën në një atmosferë miqësore e artistike.
Në përfundim të programit, për mysafirët u shtrua edhe një koktej pritjeje, i cili krijoi hapësirë për biseda të lira, shkëmbim mendimesh dhe takime mes krijuesve shqiptarë e miqve austriakë.
Pasditja në Linz u mbyll me emocione, poezi, muzikë dhe një koktej miqësor, por mesazhi i saj shikon përtej këtij takimi: vitin e ardhshëm, Ramiz Selimi synon t’i sjellë “Hijet e shpresës” para lexuesit në gjuhën gjermane dhe angleze.
Një rrugëtim i ri po hapet. Kësaj radhe, hijet e historive shqiptare do të kërkojnë të gjejnë jehonë edhe në shumë gjuhë tjera.
