10/03/2025

HEROIZMI I NËNËS SALË JASHARI

0
Sale-Jashari

Historia e një fotografie

Nga Bedri Tahiri

Dita e 10 marsit 1998 agoi e ftohtë akull. Fërfëlliza me borë të grinte si me shpatë. Acar në natyrë, acar në zemrat e njerëzve. Pas disa ditësh bllokimi, filloi depërtimi i njerëzve në skenat e një teatri monstruoz, në lagjen Jashari në Prekaz, ku qe zhvilluar një nga tragjeditë më të mëdha të kombit shqiptar.

Lajmi se do të varrosen të pavdekshmit dhe të terrorizuarit e pafajshëm, mori dhënë si vetëtima. Sërish ndrojtje e frikë nga snajperistët e pabesë, që vëzhgonin përmes shënjestrash. Por respektimi dhe nderimi i të vdekurve ishin kult adhurimi në traditën tonë. Ndaj, lumenjtë e njerëzve rrodhën drejt Jasharëve.

Po ç’të shihje, o Zot? Kudo shkrumb e hi. Flaka s’kishte kursyer asgjë. Vetëm oxhaqet blozënxira qëndronin në këmbë, duke sfiduar mynxyrën makabre. S ‘frymonte gjë e gjallë. Edhe pse kishte rënë shi e borë, ende aty-këtu pipëtinte tym i zi. Një viç i porsalindur e thithte t ‘ëmën e pashpirt. Shtëpitë gërmadha të kallnin datën, e të ngjethnin mishtë. Misri, mielli, fasulja, bulmeti e gjëra të tjera ushqimore ishin shtypur me tank zinxhiror. Pamje tmerruese, që lapsi nuk i përshkruan dot…

-O burra, unë them që t’i varrosim të gjithë tok, matanë lumit, në Livadhin e Pajtimit,- foli dikush me zë të lartë.

-Ta pyesim edhe vajzën e Shabanit, – ia priti dikush tjetër.

-Ku të doni, ore vëllazen,- tha ajo. Këta nuk janë vetëm të mitë, janë të të gjithëve, janë të Kosovës, janë të Shqipërisë. Por, edhe unë pajtohem që të varrosen këtu ku qe bërë pajtimi kombëtar e ku pati folur edhe babai, ndjesë pastë.

Dhe, ashtu u vendos. Kodra bleroshe nxinte nga dheu i zi, i baltosur që avullonte qetas. Të gjithë punonin me gjithë shpirt. Përballë ujqërit sodisnin me syrin në shënjestër e duke kërcënuar që kjo të bëhej sa më shpejt…

Shtëpia e Hamit Jasharit sërish e rrethuar. Hienat po nuhasin diç nëpër rrënojat e saj. Ne morëm andej që të shuanim kureshtjen. Sakaq u gjet një kufomë gruaje me kokë të përgjysmuar. Ishte Salë Jashari, Tringa e Prekazit, që kishte qëndruar si heroinë e motit. Më tutje edhe një kriminel serb me ballin e qëndisur prej plumbave të saj.

-O Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë cerberët në të mërmëritur, duke bërë kryq e duke urdhëruar që trupin e Salës ta hiqnim nga aty.

Dhe, nga kolona jonë që vëzhgonim atë llahtari, katër-pesë veta, që qëlluan më afër, morën një derë të shkallmuar dhe në të e vendosen Nënën Salë, të cilën e dërguan në një shtëpi afër varreve të hapura, më duket ishte shtëpia e Sefer Jasharit. Aty pranë nesh edhe gazetari vushtrrias, Shefki Popova, i cili shkrepi aparatin e tij dhe kjo foto u botua të nesërmen në “Bujku”.

Në mesin e atyre që e bartën (dy të parët në foto) ishin: Remzi Tahiri nga Galica (vëllai im) dhe Basri Halimi nga Prekazi i Epërm, e prapa tyre Muhamet Shabani nga Galica e shumë të tjerë që ndërroheshin e nuk i kam njohur (kam dëshirë që të lajmërohen ata që njohin ndonjërin prej tyre).

Sa pamje të rënda. Gazetarja e RAI-t, Elizabet, rrëzohet përtokë. Alivanoset e tmerruar. Një kove uji nga pusi e sjell në vete. Skena të tilla njeriu normal s’mund t’i marrë me mend…

Lavdi për jetë e mot Nënës Salë Jashari dhe të gjithë të rënëve për LIRI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok