26/12/2024

HELENA  LULI (MIRAKAJ) NUK  JU  HARROJ  KURR!

0
Elena-Luli-Mirakaj

Nga Fritz RADOVANI

E Nderueme e perjetëshme Helena Luli (Mirakaj), nuk ka Shkodranë që t’harron Ty, o Ndera e Shkodres së masakrueme si asnjë qytet tjeter i yni, e ndoshta, edhe i krejt atij kontinentit të vjeter Europjan!

Jo, jo asnjëherë nuk mund t’ Ju harrojnë Ju Rozafa e Shkodres apo rruga Badra, dhe kthesa e saj rruga Marvukaj, ku gurtë e saj edhe sot shndrisin si t’ ishin shtrue me gurë të çmueshem prej lotve Tueja o zonja Helena!

Nuk asht e largët jo, ajo kohë kur këto Poete aq shumë të dashtuna dhe aq shumë të nderueme do të hyjnë n’ zemrat e Vajzave Shqiptare! Ato do të studjohen nder shkollat Shqiptare, se janë Nanat e paharrueshme të Atyne breznive të 50 vjetve vuejtje, tortura, uri, interrnime dhe burgosje me masakrat e izolimet ma barbare komuniste që njef historia ynë!

Prej Tyne sot vajzat tona do të mësojnë persekucionin barbar komunist, po ma e randsishmja që duhet perjetsue  asht qendresa e Atyne fatzezë  dhe perballimi i së keqes me krenari dhe nderim të perjetshëm. Vlerat morale të Atyne Nanave Heroina asnjëherë nuk i kalbë dheu i Rrëmajit se Ato, janë të skalituna nder gurt e atyne Alpeve të nalta që jo vetem s’njohin mort po, as s’ e njohin fjalen harresë të Historisë së lavdishme!

Nana ime njiihej me Ju zj. Helena që në kohen kur Ajo ishte e re dhe Ju Zonjë e Nderueme Helena ishit nder mësueset e para në Shkoder, po per fatin e keq. “ historia e arsimit kerkon me Ju harrue edhe pse gabon!”…

Ju kishit një natyrë joshëse e shumë terheqëse, gjithmonë e buzqeshun!

Vetem kjo më shtyni me e pyet Nanen se, kush ishte kjo grue e re Helena, gjithmonë e qeshun dhe e veshun me tesha të zeza? Nana më shpjegoj  se Asaj grue i kanë vra burrin komunistët në mal se asht kenë oficer Gjelosh Luli, i fisit njoftun të Ded Gjo’ Lulit që ngriti Flamurin në 1911, që ua çoj atje At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, me e ngritë në Malin e Bratilës, pranë Hotit. Ndersa, kjo asht edhe e Fisit Mirakaj, me disa vetë të vramë e të mbytun edhe Ata, nga barbarët kriminela komunista mbas 1944. Ajo kishte dy vajza me emnat Klara dhe Izabela, njenën ma të bukur se tjetren, janë fise të bukra. Në të vertetë vajzat i njifshe të dyja. Ishin afer  moshes sime dhe shumë të sjellshme. Ma vonë më pat shpjegue Nana se Helenen e njifte që në moshë të re në shkollen e Motrave Stigmatine të Shkodres ku edhe Ajo vazhdonte mësimet, dhe binte në sy per bukurinë e Saj. Nana kujtonte dhe më shpjegoi edhe një prirje të Helenës që, Ajo asht kenë vajzë e re kur ka fillue me shkrue vjerrsha shumë të bukra.

Shumë vonë gati aty mbas viteve 1980, njëditë e pyeta: Zonja Helena, a vazhdon me shkrue edhe tashti poezi? – Ajo buzqeshi dhe tue më dhanë doren shumë miqsisht, më dha me kuptue se vazhdonte me shkrue sa me kalue merzinë që nuk i ndahej prej vitit 1945, kur ishte e interrnueme.

Asaj jeta i solli aq telashe sa vjerrshat e shkrimet u harruene krejtësisht mbas vrasjes së Burrit saj, të ndjerit Gjelosh në 1947 dhe, interrnimeve e burgosjes së Helenës krejt’ e pafajshme, vetem pse ishte e motra e Kol Bib Mirakaj dhe Zonja e oficer Gjelosh Lulit, i vramë tradhëtisht në Mal. Pak ditë perpara se të nisem per Australi, unë kam shkue njëditë tek e bija Izabela per me takue Zonjen Helena dhe, kemi kalue disa orë bisedë me Ate. Nuk i mbajti lotët kur i tregova se shpejtë do t’ iku per Australi. Më mori doren dhe ma shterngoi fort tue më pyet me një dhimbje të thellë në Shpirtë: A thue premton Zoti që të shihemi prap ma vonë?

– Unë nuk i premtova asgja, sikur t’ ma ndinte zemra se nuk shihemi ma!!

Në vitin 2001 mora vesht se Zonja Helena Luli e kishte mbyllë jeten e Saj.

Dhimbja me pushtoi Shpitin se nuk më pelqente me ndigjue vdekjen e Saj mbas aq shumë vuejtjesh që, Ajo Zonjë e Nderueme kishte kalue në jetë!

Sot, Vjerrshat e Poetes së paharrueshme Helena Luli xanë një vend nën tokë nder shkambijt’ e groposun të kujtesës sonë Shqiptare.

Edhe ato janë të daltueme vetem nder gur! Vlerat e Tyne janë aq sa të mëdha aq, edhe të domosdoshme per edukimin e rinisë sonë, ku Poetja Helena, me një mjeshtri ka mërrijtë me qendisë dallgët e jetës së një grues së vejë me dy vajza jetime, nën peshen e randë të diktaturës së pashpirtë vrastare ateiste dhe kriminale antikombtare komuuniste.

Sot vlerat e atyne poezive kuptohen shumë mirë nga të gjithë ata mija e mija qytetarë që lindën, u rriten dhe u plakën të rrethuem nder tela me ferra, pa asnjë shpresë se do të jetojnë ndonjëherë në paqë dhe të lirë.

Lexoni ju lutem! Ja si e shikon jeten Poetja Helena tek vjerrsha “Lutje”:

“Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí”. Poete Helena e vuen në zemer gjendjen ku ka mërrijtë Atdheu.

Ma poshtë Helena ja shka shkruen: “E dijmë mirë se tokës amtare – I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”), pikrisht aty ku Ajo, nuk pajtohet me shkatrrimin dhe me vorrosjen e të gjitha atyne tipareve burrnore dhe të nderueme të Trojeve tona kreshnike.

Poetja nuk rri me pa por, e vajton gjendjen e Shqipnisë së mjerueme:

“Vendit tonë i hupi ndera – Si n’për jerm iku lavdia – T’liga punë bijtën te dera – Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”).

Vlenë me u shpjegue kjartë urrejtja per sigurimin, ja edhe nama e Saj:

“Kurrë kësi djelmsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”).

E, vazhdon… Edhe pse Poete Helena Luli ka pësue ate shka mundet me e kuptue vetem kush e ka provue, Ajo deri në fund të jetes i mështetet Zojës së Shkodres, ku gjenë se aty asht themeli i edukates së Shkodres:

“Ty amanet – T’a lamë Shqipninë – O Zojë e dashtun – Na kthe lirinë!”

Shpresa e plotë dhe e palëkundun e një Martirës së Vertetë Shqiptare!

Vargu ku shihet kjartë madhështia Shpirtnore e Poetes sonë Helena Luli (Mirakaj)! Ajo asht Perjetësisht nder shekuj e Paharrueshme!

Poezitë e Saja nuk duhet të vonohen pa u studjue nder Shkollat tona!

Detyra kryesore e studimit tyne duhet të fillojnë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodres dhe, të hyjnë nder shkollat Shqipe jashta Atdheut, atje ku eksodi dhe persekucioni ka largue breza të tana të nderueme!

Jo pak Shqiptarë i kanë jetue vargjet e poezitë e Helena Lulit (Mirakaj)!

Breznia e Helenës asht nder ma të Nderuemet e Shqipnisë masakrueme!

Nderoni Ato Figura që sot e meritojnë o Vllazen e Motra Shqiptarë!

Kujtoni gjithmonë se nder petkat e zeza të Helena Lulit (Mirakaj), do të gjeni të shkrueme me shkronja të bardha dhe t’ arta, kujtimet e një udhe Kalvarit të pafund që e vazhdon prap sot Populli shumë i vuejtun i yni!

E pra, Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë meritue këte shtypje barbare!

E mos harroni asnjëherë Ato Nana të vuejtuna të Shkoderloces, që me këto vajza perdore shkonin çdo mengjes nder livadhe me ba normat, dhe ndoshta pa pasë se shka me ua lagë as gojen loçkave të veta, u kalonte dita t’ unëshme derisa kah darka Nanat e shkreta kthenin n’shtëpijat boshe, ku nuk kishin asgja me hanger as pervedi e as vocrraket e tyne.

Jo vetem një vorfni e tejskajshme, po edhe e vazhdueshme nder të gjitha Trojet tona pa asnjë shpresë me pa njëditë ma të mirë! Kaluen muej e vite të zhytuna në skam, vorfni dhe vuejtje po, ajo ma e vështira ishte se: As nuk shihej kund një rreze drite n’ ate mbretni vorfnije e fukaralleku!

E ndoshta sot, fjalët e mija janë të pabesueshme nga trashigimtarët e atyne katilave barbar’ e hajdutë që jo vetem vorfnuen Shqipninë, po edhe e kthyene në Tokë të shkretnueme me shpopullimin kriminal komunist.

Kush e mendonte një qeverisje antikombtare si ajo që ka sot Shqipnia?

Askush! Vetem tradhëtarët e Atdheut dhe hajdutët e djeshem vrastarë!

Europa asnjëherë nuk duhet ta pranojnë këte që po ngjet në Shqipni!!

A e kujtoni ndonjëherë ju o europjanë, se Trojet e kujt po mbesin shkret?

Europa asnjëherë nuk duhet pajtohet me ate që edhe po “persëritet”!!

Si mundet Europa me u pajtue me anijet e mbushuna me Shqiptarë, që po largohen nga Atdheu per mos me u kthye kurrma në Trojet e veta?!

E asnjëherë mos i harroni Ato Nana të Nderueme per sjellje e nderë bash aso kohe, kur gjithshka komunistët barbar e perdornin kunder tyne!

E mos harroni se pa Emnat e Tyne të Nderueme Shqipnia nuk bahet!

E kush ishin Ato Nana që persa vite e mbajten Atë Tokë të njomun me lot!

Kurr mos harroni se Ato Shkrimtare, ishin dhe janë edhe sot ndera e lavdia e Shqipes sonë Dykrenare, të Gjergj Kastriotit dhe e Nanës Tereza!

Melbourne, 10 Gusht 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok