15/11/2024

HAQIF BLYTA- PATRIOTI QË IU THA ÇETNIKËVE- JO- NË TOKAT SHQIPTARE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1887- e pushkatuan më 21 janar 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari, Haqif Blyta, që në popull më tepër njihej me emrin Haqif Efendija, kishte lindur më 1887 në qytetin e Novi-Pazarit, kurse babai i tij ishte, Emin Blyta dhe nëna kishte Jalldëzen. Babai i tij në do vite të largëta ishte shpërngulur nga Gjakova, në këtë pjesë të tokave shqiptare. Sa ishin në Gjakovë, familja e Blytës mbante mbiemrin e gjyshit të  tyre, duke u quajtur Ahmeti, por pasi gjyshi i tyre kishte qenë në haxh, e thirrin Haxhi Ahmeti, andaj edhe quheshin Haxhiahmeti. Me sukses të  shkëlqyeshëm kishte përfunduar shkollën fillore në vendlindje. Për të vazhdua  Gjimnazin në Izmir. Me afat rekord kishte përfundua Akademinë Ushtarake Turke në Manastir. Pas përfundimit të akademisë, ai mori gradën e kapitenit.

Lufta e Parë Botërore (1913), e gjene në Turqi. Aqif Blyta më 1919, ishte martuar me Mahijen e Halit Komanit, nga Gjakova, me të cilën nuk patën fëmijë. Megjithatë, ata kishin birësuar dy fëmijë, që i sollën nga Gjakova. Një djalë që e kishin pagëzuar,-Qamil, dhe vajzën e kishin quajtur Mejreme.

Haqif Blyta, pas përfundimit të akademisë shquhej për trimëri dhe mençuri. Mori pjesë në Shkup në Kongresin themelues të ”Xhemijetit”. U shqua si aktivist i kësaj organizate dhe u zgjodh sekretar i saj. Po ashtu ishte ndër iniciatorët kryesor për formimin e organizatës “Xhemijet”, në të cilën do të hynin boshnjakët dhe shqiptaret nga trevat e Sangjakut, Kosovës dhe Maqedonisë. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 iu ndalua veprimtaria. Më 1923, u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo- Kroate- Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë. Ishte përkrahës i madh i atdhetarit Ferat Draga.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte ndihmuar në ngritjen e administratës shqiptare në Qarkun e Mitrovicës dhe sidomos në Sanxhak, organizoi dhe udhëhoqi me sukses mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe të viseve të tjera të Sanxhakut nga mësymjet e çetnikëve dhe të partizanëve (1941-1944).

Veç këtij angazhimi, ai ishte veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 1943.Po ashtu ishte edhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë ( 1943-1944). Duhet përmendur se, ushtaraku Haqif Blyta, duke parë dhunën e terrorin çetniko-serbe që bëhej ndaj popullatës shqiptare e myslimane në Sanxhak dhe trevat e saja, ai ishte ndër të parët që organizoi luftën dhe mbrojtjen e tyre. Ishte në mënyrë kategorike kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga tokat e veta. Ai ishte njëri ndër politikanët dhe patriotët më të shquar shqiptarë të Sanxhakut, të Pazarit të Ri, i periudhës ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke e parë aktivitetin e madh të Haqif Blytës, qarqet serbe nuk e duronin një njeri të tillë, i cili në çdo kohë ishte i gatshëm të reagonte për padrejtësitë e mëdha që i bëheshin popullit shqiptar. Andaj ndërmorën masa që në mënyrën sa më të shpejt ta likuidojnë patriotin. Ndaj Haqif Blytës u organizuan tri atentate. Po që të tria rezultuan të pasuksesshme. Ngase ata kishin harrua se Haqifi ishte strateg dhe mjeshtër i hileve ushtarake. Dy të parat i kishin organizua serbomëdhenjtë nga Beogradi, ndërsa atentatin e fundit e kishin përgatitur komunistet, dhe për atentator kishin caktuar Hasë Rozhajën. Por, Hasa kur kupton se për këndë bëhej atentati, atentati dështon.

Atdhetari Haqif Blyta ishte luftëtar dhe strateg i njohur, andaj edhe çetnikët ia kinin frikën. Më 1941, duke i grumbulluar forcat e veta ushtarake, Haqif Blyta, me sukses e mbron Novi Pazarin nga çetnikët, të cilët ia kishin mësy nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e qytetit dhe mandej tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovarë nën udhëheqjen e Shaban Polluzha arritën të mbrojnë këto territore.

Në janarin e 1945, atë që nuk arritën ta bëjnë çetnikët e Drazha Mihajloviqit ndaj popullatës së Sanxhakut të Pazarit të Ri, e bëri pushteti “popullor” serbo-komunist. Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguan në Pazarin e Ri. Sipas vendimit të Komisionit shtetëror për përcaktimin e krimeve të okupatorit dhe ndihmësve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, Haqif Blyta u akuzua për bashkëpunim me pushtuesit gjermanë, për lidhje me Komitetin Kombëtar Shqiptar nga Kosova dhe Dukagjini, me ndihmën e të cilit veproi në drejtim të bashkimit të qarkut të Dezhevës (Pazar të Ri), Shtavicës (Tutin) dhe atë të Senicës me Shqipërinë, mandej për vrasje masive. Në aktakuzë gjithashtu shkruan sa Blyta udhëhoqi me një trupë të caktuar, e cila quhej Shtab për shpërnguljen e Serbëve.

Me aktvendimin e gjykatës së divizionit ushtarak të krahinës së Sanxhak, nr. 6 e 19 janar 1945, Blyta u dënua me vdekje- pushkatim. Autoritetet ushtarake fillimisht kërkuan varje publike, por ai vendim ishte revokuar dhe Blyta ekzekutohet. Insistohej që ekzekutimi të jetë publik dhe ai është kryer më 21 janar 1945, në ora 11,00, në Pazar të Ri (Novi Pazar).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok