Nga Edison Ypi
Pas përplasjes së kokës pas muri në hetuesi, s’i kishte mbetur asnjë dhëmb në gojë.
Të burgosur pa asnjë dhëmbë kishte plot të tjerë. Çudia me këtë të burgosur ishte se ky pa asnjë dhëmb në gojë hante njëlloj si të tjerët që i kishin të tëra dhëmbët.
Që ecnin pa këmbë, dëgjonin pa veshë, shihnin pa sy, kishte patur plot në atë burg.
Por s’mbahej ment asnjë si ky që hante pa dhëmbë.
Jashtë burgut, përdorimi i dhëmbëve për shkuljen e tapave metalike të shisheve, për thyerjen e arrave, bajameve, lajthiave, deri edhe coptimin dhe gëlltitjen e qelqeve, nuk bënin përshtypje, ishin të zakonshme.
Thuhej se nga mospërdorimi për shkak të ushqimit të pakët, dhëmbët shndrroheshin në një vegël të panevojshme, në send batall, në gjymtyrë atavike.
Flitej për dhëmbin e qenit, dhëmbin e qumështit, dhëmbin e shkulur që duhej hedhur mbi çati, dhëmbin e verdhë të kurvit, dhëmbët e ofiqarëve rusë që Pjetri i Madh, pasi pa në ëndërr se u bë dentist, ua shkuli me darë kovaçi.
Slogani; “Proletariati lufton dhëmbëpërdhëmbë me imperializmin” e bënte më se të qartë rëndësinë e dhëmbëve në arenën ndërkombëtare.
Shprehja “Sa më pak dhëmbë në gojë dhe sa më pak tru në kokë, i bëjnë mirë shëndetit” marrë nga një Bejte e Hasan Zyko Kamberit, pëshpëritej më së shpeshti atje ku hahej dhe mendohej më pak, në burg.
Në përpjekje për të mësuar diçka rreth misterit të ngrënies pa dhëmbë, bëheshin hamendje nga më të ndryshmet.
Supozohej se punën e dhëmbëve qyqarit në fjalë ja bënin kockat e forta të nofullave.
Të tjerë thoshin se ai, me dhjamrat, kockat, dejet, e nakatosura me ujë, sajonte në fshehtësi një lloj llapaje që e gëlltiste ngadalë për të mos u dukur si pirje por si ngrënie.
Ngrënia pa dhëmbë mbeti mister për një kohë të gjatë.
Enigma u zbulua pas shumë vitesh kur i bugosuri që kafshonte dhe hante pa dhëmbë, vdiq.
Pas vdekjes ju gjetën nën dyshek dhëmbë hekuri, dy dentiera llamarine, e poshtmja dhe e sipërmja, mbështjellë me gazetën Drita. I kishte bërë vetë me gërshërë dhe limë. Dhëmbët e hekurta me njolla ndryshku i vinte kur hante dhe qante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok