Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit
Përgatiti: Albert Vataj
Na kishte paralajmëruar që shtatëdhjetë vjet më parë se rreziku i vërtetë nuk është t’u bësh njerëzve të besojnë gënjeshtra. Jo, por t’i bësh të heqin dorë krejtësisht nga e vërteta.
Hannah Arendt ishte një filozofe politike, e lindur në Gjermani. Ajo i mbijetoi ngritjes së nazizmit, u arratis nga Evropa dhe ia kushtoi pjesën tjetër të jetës një pyetjeje tronditëse, si mundet që një shoqëri “civile” të rrëshqasë në një makth totalitar? Në vitin 1951 botoi “Origjinat e totalitarizmit”, një vepër që edhe sot tingëllon shqetësuese aktuale.
Ideja qendrore e Arendtit ishte kjo, se sistemet totalitare nuk fitojnë sepse i bindin të gjithë për ideologjinë e tyre. Fitojnë sepse shkatërrojnë aftësinë e njerëzve për të menduar. Pikë.
Në një nga vëzhgimet e saj më të njohura ajo shkroi:
“Subjekti ideal i regjimit totalitar nuk është as nazisti i bindur dhe as komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi mes faktit dhe trillimit (dhe mes së vërtetës dhe së rremes) nuk ekziston më.”
Rilexoje.
Qëllimi nuk është besimi.
Është konfuzioni.
Është rraskapitja.
Është mbytja e njerëzve me pohime kundërthënëse, me gënjeshtra dhe kundërgënjeshtra, derisa ata të reshtin së përpjekuri për të kuptuar çfarë është reale. Sepse kërkimi i së vërtetës kërkon energji. Dhe pushteti, kur synon të dominojë, shpesh pikërisht atë energji përpiqet të shterojë.
Kur nuk dallon më të vërtetën nga e rrema, nuk dallon më as të mirën nga e keqja. Dhe kur kjo ndodh, bëhesh i manipulueshëm. Jo sepse të kanë bindur, por sepse ke pushuar së menduari me kokën tënde.
Arendt kuptoi një gjë thelbësore, sipas së cilës, totalitarizmi nuk kufizohet vetëm në indoktrinim. Para së gjithash, ai shkatërron vetë mundësinë për të formuar bindje. Nëse nuk beson më në asgjë, nëse nuk i beson më askujt, nëse gjithçka të duket e manipuluar… atëherë nuk i reziston më asgjëje. Lëviz i mpirë, i dorëzuar, ndërsa rreth teje bota errësohet.
Në esenë “E vërteta dhe politika” (1967), Arendt analizoi mënyrën si funksionojnë gënjeshtrat në sistemet politike. Problemi, shkruante ajo, nuk është vetëm që pushteti përhap të pavërteta, është se gënjeshtra e vazhdueshme e gërryen vetë idenë e së vërtetës. Kur gjithçka vihet në dyshim, kur çdo fakt bëhet “i njëanshëm”, kur realiteti trajtohet si thjesht një opinion… atëherë e vërteta humbet fuqinë.
Dhe kur e vërteta nuk ka më fuqi, as drejtësia, as morali, as dinjiteti njerëzor nuk e kanë.
Arendt e pa këtë të ndodhte në Gjermaninë e viteve ’30. Ajo kuptoi se nazistët nuk mjaftoheshin me gënjeshtra, krijuan një ambient ku gënjeshtra bëhej aq e përhershme, aq mbytëse, sa njerëzit e zakonshëm pushonin së shqetësuari për atë që ishte e vërtetë. Bëheshin cinikë. Të shkëputur. Të mësuar me të. Dhe brenda asaj mpirjeje, tmerri bëhej i mundur.
Ajo nuk e shkroi këtë për të shpërndarë faj. E shkroi si paralajmërim.
Mund të ndodhë kudo.
Mund t’i ndodhë kujtdo.
Dhe shpesh nuk nis me dhunë. Niset me erozionin e ngadaltë të aftësisë sonë për të dalluar realitetin nga trillimi.
Atëherë, çfarë bëhet?
Arendt besonte se përgjigjja qëndronte te ajo që e quante “të menduarit”. Jo thjesht të përthithësh informacion, por të futesh në të. Të vësh në dyshim. Të reflektosh. Të marrësh në konsideratë perspektiva të ndryshme. Të refuzosh përgjigje të lehta dhe shpjegime komode.
Sepse momenti kur ndalon së menduari në mënyrë kritike, momenti kur pranon një narrativë pa pyetje, edhe nëse të pëlqen, edhe nëse të konfirmon, është momenti kur je tashmë i cenueshëm.
Totalitarizmi nuk vjen gjithmonë me çizme dhe tanke. Shpesh vjen në heshtje, në dorëzim, në cinizëm, në fraza të përsëritura si një anestezik, “të gjithë gënjejnë”, “askujt s’i besohet”, “kush e di çfarë është vërtet e vërteta?”.
Ajo rraskapitje, ai dorëzim, ishte pikërisht ajo kundër së cilës Arendt na paralajmëronte.
Hannah Arendt vdiq në vitin 1975, por paralajmërimi i saj mbetet i gjallë. Mbro aftësinë tënde për të menduar.
Kërko prova.
Dallo faktet nga opinionet.
Mos lejo që zhurma e gënjeshtrave të të bëjë të heqësh dorë nga e vërteta.
Sepse në momentin kur pushon së u shqetësuari për atë që është e vërtetë, ke humbur tashmë atë që ka më shumë rëndësi.
Beteja nuk është vetëm të besosh gjërat “e duhura”.
Është të refuzosh të ndalosh së menduari.
