22/12/2024

HAMDI GASHI- RROFTË  KOSOVA, RROFTË SHQIPËRIA

0
Sabile-Basha

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1903- e varën më 23 qershor 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trimi i Drenicës, Hamdi Gashi, ishte i lindur më 1903. Ishte i biri i Hisen Gashit dhe nipi i Mulla Alisë, të fisit Gash të Dubofcit të Drenicës. Ai u lind në qytetin e Vushtrrisë. Shkollën fillore e kishte kryer në Vushtrri, në gjuhën turke dhe shkollën e mesme ushtarake në Stamboll, në vitin 1912. Për të vazhduar më 1921, në Torino të Italisë Akademinë Ushtarake, (drejtimi policor). Pas përfundimit të shkollës, Hamdi Gashi e ndjen si obligim dhe atdhedashuri që të mbrojë vendin e tij nga terrori serbe e malazeze, që kishin sulmuar Kosovën. Ai mori pjesë aktive në kryengritjen e Llapit më 1912. Pas kthimit nga lufta në Llap, ai jetonte në Vushtrri, por qarqet serbe e kërkonin dhe donin që të arrestonin e ta likuidonin trimin e madh Hamdi Gashin. Hamdiu kur e zbulon se serbet kishin shpallur edhe shpërblim  për nxënien e tij, ai me ndihmën e shokëve kalon në Drenicë për të vazhduar jetën në ilegalitet të thellë.

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, më 1914, kur Austro-Hungaria sulmon Serbin, forcat serbe edhe njëherë ia mësyn shtëpisë së Hamdi Gashit  për ta arrestuar. Hamdiu i zbulon me kohë xhandarmerinë, dhe me ndihmën e gruas Myrvelasë dhe motrës Fatime, ik nga rrethimi, duke u vendosur në xhamin e qytetit. Nga aty me ndihmën e Miftar Galicës kalon në Drenicë, në fshatrat Galicë dhe Dubofc. U strehua dhe qëndroi ilegalisht mbi një muaj në familjen Gashi e familje të tjera. Gjatë qëndrimit në fshatrat e Drenicës, vinin lajme jo të mira nga terreni, andaj Miftar Galica e ndihmoi Hamdiun që të kaloi në Shqipëri. Pas disa muaj qëndrimi në Shqipëri, familja e Ahmet Bekteshit nga Mitrovica i ndihmojnë që edhe gruaja e tij të kaloi tek Hamdiu. Ai atje vendoset në Fier, ku qëndron deri me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Sa ishte aty, Hamdi Gashi ra në kontakt me shumë patriot që kishin ikur nga Kosova dhe ishin vendosur në Fier dhe fshatrat për rreth. Sidomos ishte i pa ndarë me familjet e Zija, Hetem e Ehat Prekazit. Pastaj, ishte shoqërua edhe me familjen e Azem Bivolakut, që ishte i njohur  si kaçaku i Azem Bejtë Galicës. Duhet përmendur se Hamdi Gashi nuk kishte fëmijë, ndaj Azem Bivolaku, në shenjë respekti e dashurie i fal për adaptim Hamdiut vajzën e tij të posalindur- Hyrijen. Hyrija deri në fund të jetës e ndjeu vetën të privilegjuar që ishte e bija e Hamdi Gashit, dhe pas pushkatimit të babait të saj siç e quante ajo, emrin e tij ia vuri djalit të saj, duke e pagëzuar-Hamdi.

Duke e parë mençurin dhe aktivitetin luftarak të trimit nga Drenica, e emërojnë më 1939, nënprefekt të Fierit. Por, me fillimin e LDB, Hamdiu së bashku me Komitetin e Kosovës merr pjesë në shpalljen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Por Mitrovica, Vushtrria, Jeni Pazari dhe një pjesë e Drenicës kishin ngelur jashtë kufijve shqiptar. Andaj, ai edhe më tej vazhdon luftën dhe angazhohej që ti bashkojë këto toka me shtetin amë. Më 1941, Hamdiu caktohet nënprefekt i Vushtrrisë. Më 1943, në vendin e tij caktohet Asllan Boletini, dhe ai kalon po në të njëjtën pozitë në Skenderaj.

Hamdi Gashi ishte një orator i madhe, dhe kudo që delte para popullit për të mbajt ndonjë fjalim, masat i bënte për vete. Kishte ndikim të theksuar tek popullata. Ishte antikomunist i përbetuar dhe kudo që shkonte propagonte kundër komunistëve dhe ushtrisë jugosllave. I u tregonte popullatës se si me tradhti Kosova ngeli nën okupimin serbë. Ishte simpatizant i organizatës së Lidhjes së Dytë të Prizrenit që u mbajt me 16-19 shtator 1943. I përkrahte vendimet e kuvendeve që i solli Lidhja.

Pasi se përfundon Lufta e Dytë Botërore më 1945, dhe në Jugosllavi, Kosovë e Shqipëri vendoset pushteti komunist, Hamdiu nga Skenderaj kthehej në Vushtrri. Më 1945, si gjithkund në Kosovë njashtu edhe në Mitrovicë, bandat kriminele serbe bënin kërdinë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, se si qëllim suprem i tyre ishte realizimi i planit makabër i Vasa Qubrilloviqit dhe shumë të tjerëve, ku thoshin se koha më e përshtatshme për ti asgjësuar shqiptarët është periudha e luftës, kur askush për asgjë nuk di dhe askush për asgjë nuk jep ndonjë llogari për krim. Situata politike për çdo ditë vinte duke u rënduar, andaj shokët e këshillojnë që të largohet nga Kosova, por ai assesi nuk pranon. Një natë të vonë OZN-a, e rrethon shtëpinë e tij dhe e arrestojnë. Fillimisht e dërgojnë në burgun e Prishtinës, e pastaj e dërgojnë në burgun e Mitrovicës, respektivisht në burgun famëkeq të hotelit “Jadran”, ku ishin vendosur

një numër i madh i të burgosurve-intelektual nga Mitrovica dhe rrethina. Këtu zhvillohet hetuesia ndaj tyre, megjithëse, kaherë ishte vendosur për fatin e tyre.

Andaj, procesi gjyqësor, thënë ndryshe procesi jo gjyqësor, i cili u bë në formë të grumbullimit të njerëzve më të devotshëm dhe më atdhetar të Mitrovicës dhe rrethinës më tepër i ngjante një plojës së përgatitur më herët se sa një procesi të mirëfilltë gjyqësor. Procesi makabër gjyqësor u organizua dhe u mbajt në Mitrovicë, me gjasë ishte parapërgatitur shumë më herët. Ishin bërë planet si dhe sa veta do të arrestoheshin, kur dhe kush do të arrestohet, sa dhe si do të dënohen. U befasova kur në dosjen e tyre hasa hiq më pak se emrat e dymbëdhjetë (12) vetave, të cilët në një mënyrë ishin ajka e atdhetarëve dhe e intelektualëve  të rrethit dhe qytetit të Mitrovicës.

Para trupit gjykuese, dolën njëri pas tjetrit të akuzuarit shqiptar, që të gjithë të prangosur në duar dhe këmbë, por, që të gjithë ishin krenar dhe të patrembur. Ishte elita e popullit të Mitrovicës e rrethinës, që dënohej pa fakte e argumente: 1. Ethem Ferati, nënprefekt i Mitrovicës, 2. Xhevdet Bajrami, 3. Osman Solidi, tregtar, 4. Tefik Bekteshi, adjutant i Pajazit Boletinit, 5. Musa Çollaku, tregtar, 6. Shaban Mustafa, kryetar i Bashkisë së Mitrovicës. 7. Ramadan Rexha, Komisar i Batalionit IV të Brigadës së Drenicës, 8. Abdyl Zhubi, shef i logjistikës së regjimentit të Kosovës, nga Mitrovica, 9. Nebih Hoda-Kuçi, udhëheqës financiar në nënprefekturën e Vushtrrisë nga Vushtrria, 10. Hamdi Gashi, nënprefekt i Nënprefekturës së Vushtrrisë nga Skenderaj, 11. Bahri Abdyrrahmani, tregtar  nga Pazari i Ri, dhe 12. Todor Cvetkoviq, mjek i punëtorëve të Trepçës.

Në data të ndryshme të pranverës së vitit 1945, dymbëdhjetë veta ishin arrestuar në shtëpitë e tyre, në natën skëterrë, me    tradhti duke i quajtur “armiq të popullit”, për arsye se kërkonin dhe luftonin për një Shqipëri Etnike. Për çështje siguria, arrestimin dhe  dënimin e tyre e kishte marr për sipër që ta kryente Gjykata Ushtarake e Mitrovicës. Procesin gjyqësor e kishte përgatitur Gjykata Ushtarake në Mitrovicë me trupin gjykues në përbërje: Mirko Peroviq, major nga Bllaca, ishte caktuar për kryetar, Millosh Gjudoviq, gjykatës, (komandant i rajonit), Hasan Çerkezi, (kapiten) dhe porotët:  Mustafë Xhabiri, Muharrem Alija, nga Mitrovica, ndërsa prokurori që përfaqësonte aktakuzën, ishte Vllada Popoviqi, major nga Gjilani, djali i Tomë Popoviqit, që ishte në zë për krimet dhe terrorin që kishte ushtrua ndaj shqiptarëve me qetat çetnike në Anamoravë.

Në ora tetë të mëngjesit kishte filluar procesi gjyqësor, dhe masa e tubuar me të madhe kishte brohoritur: “Smrt-kolac-konopac”( “vdekje, në hu, në litar”). Nga të gjitha fshatrat për rreth e më larg, kishin ngarendur serbët që të shohin, se si pushteti “popullor”, po i dënon “armiqtë e popullit”.

Salla e hotelit ishte shumë e vogël për ti zënë të tërë ata, që kishin ardhur me urdhër të udbashve nga fshatrat e ndryshme për rreth, vetëm e vetëm që ta bënin këtë proces gjyqësor sa më “madhështor”.

Pa tjetër duhet përmendur se me këtë grup ishin arrestua edhe Idriz Rexha dhe atdhetari i njohur Bedri Gjinaj.  Porse, për këta dy, udbashët, më herët ishin përkujdesur që ti nxirrnin nga birucat e burgut, dhe në mënyrën më misterioze ti likuidonin, e sot nuk dihet as për varret e tyre.

Sipas një dokumenti që e disponon Arkivi i Kosovës, të cilën e kishte lëshuar Gjykata e Lartë Ushtarake Jugosllave thuhej se  disa të akuzuarve që iu kishte shqiptua dënimi, më herët me 20 vjet burg, ajo këtë dënim iu ngriti në dënimin me vdekje-pushkatim. Këtë e dëshmon edhe Ramadan Rexha, kur thotë se me 22 qershor 1945, në ora 15, kryetari i trupit gjykues, Mirko Peroviq bashkë me gardianin iu ofrua derës ku ishim vendosur të dënuarit prej 10-20 vjet burg, aty, ai e hap derën dhe na njoftoi se Gjykata e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë, personave me dënime kohore siç ishte: Hamdi Gashi, Xhevdet Bajrami dhe Musa Çollaku iu shndërrohet në dënimin nga 20 vjet burg, me vdekje-pushkatim. Menjëherë gardianët, ata të tre i morën dhe i vendosën në qelit ku ishin shokët e tjerë që ishin të dënuar me vdekje. Ishin shtatë veta që prisnin vdekjen. Ishin shtatë veta që prisnin momentin më të trishtuar që të përshëndeteshin me familjet e tyre për të fundit herë. Ata, ishin të njoftuar se, që nesër do të kryhet ekzekutimi (23 qershor 1945), në ora 10 të ditës.

Është për tu habitur, se në këtë proces gjyqësor, nuk pati mbrojtës, nuk pati dëshmitar, nuk u mbajt procesi verbal. Nuk kishte edhe as një të vetmen provë që vërtetonte fajin e tyre. Mund të themi se sigurisht, edhe është e vërtet se të pandehurit ishin dënuar shumë më herët, ndoshta ende pa u zënë, ngase një fshatar dëshmonte më vonë, se varrezat e të akuzuarve ishin të hapura shumë ditë më herët se sa të mbahej procesi gjyqësor. Nga këto të dhëna, mund të konkludojmë se i tërë procesi gjyqësor ishte vetëm një lloj farse që më vonë u përcoll dhe u aplikua shumë shpesh në proceset gjyqësore që u organizonin ndaj shqiptarëve, e që më së shumti erdhi në shprehje pas vitit 1981, kur gjykatësit, dënimet i nxirrnin të gatshme nga sirtarët e tavolinave.

Më 23 qershor 1945, në ora 10 të ditës, të dënuarit i hipën në kamionë. Kamionët dhembshëm morën rrugën në të majtë në lindje të qytetit, dhe pasi kaluan Urën e Sitnicës, u ndalën tek një bregore e vogël, afër varrezave të serbëve. Edhe sot kujtojnë fshatarët e Shupkovcit me dhembje, se si ata i rendojnë  njërin pran tjetrin dhe i varin në shtyllat e përgatitura më herët, dhe që të shtatit i varin në litarë. Por, para se të binin në litarë, edhe njëherë si bubullimë u dëgjua thirrja e tyre “Rroftë Kosova, Rroftë Shqipëria…” dhe ranë në tokën-nënë për të cilën kishin flijuar edhe jetën. Krismat e pushkëve jo vetëm që thyen heshtjen e asaj dite qershori, por  ata edhe njëherë bënë aktin më makabër ndaj atdhetarëve që nuk luftuan vetëm për vete por, për tërë shqiptarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok