11/12/2024

“GYPAT” QË NDALOJNË VENDOSJEN E SHTATORES SË ANTON ÇETËS NË PRISHTINË

0
u6_Anton-Cetta7

O Zot, mos na korit më shumë se tri herë në ditë!
Nga Frank Shkreli
Me 3 Janar, 1920 ka lindur në Gjakovë, Anton Çeta, profesori, shkrimtari dhe patrioti i shquar i Kombit shqiptar, si njeriu, i cili përveç kontributeve të shumta në fushën e albanologjisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi — ai duke shtrirë dorën e pajtimit, ka pajtuar me mijëra familje në hasmëri, jo vetëm në Kosovë por edhe në diasporë. Njerëz të penës që e kanë njohur dhe kanë bashkpunuar me Profesor Anton Çetën, si dhe media të ndryshme në Kosovë, kanë kujtuar me këtë rast, kontributin e madh të tij, në shënim të 100-vjetorit të lindjes së “plakut të urtë”, siç e njihte populli.
As udhëheqsit e Kosovës nuk munguan të kujtonin Profesor Anton Çetën me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha me këtë rast se,“Para një shekulli u lind Anton Çetta, njeriu që do mbetet në historinë e kombit tonë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit shqiptar në Kosovë, duke e bërë të pavdekshëm këtë thesar të kulturës sonë shpirtërore. Ai do mbahet mend përjetë si njeri i urtë, i mençur, humanist dhe kontribues i shërimit të plagëve të gjakmarrjes në fillim të viteve të dekadës së fundit të shekullit njëzet. Kombi ynë do të mburret për jetë dhe mot me figurën e albanologut Anton Çeta. HTH”, është
shprehur presidenti Thaçi. Ndërsa në 100 vjetorin e lindjes së njeriut të paqës, siç e quan ai, Anton Çetën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa bëri këtë koment për media: “Në 100 vjetorin e lindjes, kujtojmë sot shkrimtarin, folkloristin dhe patriotin shqiptar, i cili, mision jetësor e kishte paqën. Anton Çeta punoi pareshtur për pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve si kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve…Anton Çeta dhe shumë veprimtarë të tjerë janë udhërrëfyes për gjithë historinë tonë, se si punohet për atdheun”, përfundon Z. Mustafa shënimin e tij, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Anton Çetës.
Ndërkohë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kujtimin e tij, thekosi se Anton Çeta ishte diçka më tepër se pajtues gjaqesh, ai ishte “Unifikuesi në lëvizjen për liri e pavarësi” të vendit, duke shtuar se, “Iluministi atdhetar, Anton Çeta, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar, ia doli që me lëvizjen e tij ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi. Kujtimi për unifikuesin shqiptar, pajtimtarin e mijëra gjaqeve dhe humanistin e madh, nuk është zbehur as pas 24 vjetësh nga vdekja e tij. Angazhimi i tij me peshë historike do të jetë frymëzues për brezat”, është shprehur Haradinaj.
Përball këtyre vlerësimeve për kontributet e çmuara kombëtare të Anton Çetës nga udhëheqsit më të lartë të Kosovës, si është e mundur, atëherë, që njëkohësisht zhvillohet një debat i ashpër, sipas disa mediave në Kosovë, për vendosjen ose jo të shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik në këtë përvjetor të lindjes së tij, aty ku ishte paraparë fillimisht të vendosej. Është ky një debat i ashpër mospajtimi për vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në historinë e shqiptarëve! Sipas medias vendore, kundër vendosjes së shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik, na qenka vet ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton Çeta — nepërmjet kryetarit të tij, Hysen Matoshi, i cili është shprehur se oborri i këtij instituti nuk është i përshtatëshëm për shtatoren e Anton Çetës, sepse “Aty kalojnë gypa të sistemit të ngrohjes dhe kanalizimit”. Në oborrin e këtij institucioni nuk ka hapësirë për një shtatore”, ka deklaruar, vendosmërisht, kryetari i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjin. Mediat vendore lënë të kuptohet gjithashtu se kjo nuk është çështje “gypash”, por diçka tjetër. Ky qendrim i Hysen Matoshit nuk duket i sinqert përball faktit se, sipas disa mediave, jo vetëm Instituti Albanologjik i Kosovës që kryeson Z. Matoshi, por as institucionet e tjera shtetërore nuk kanë organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në 100-vjetorin jubilar të lindjes së Anton Çetës. Duket se çështja e vendosjes ose jo e shtatores së Anton Çetës në Prishtinë, të jetë më shumë një çështje rrypash se sa gypash!
Për mosmarrëveshjet se ku dhe nëse do të gjëndet një vend për shtatoren e Anton Çetës foli edhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili pasi përmendi 100-vjetorin e lindjes së, “njeriut i cili arriti që me veprat e tij të përqafojë një popull të tërë, veprimtarin e njohur, Anton Çetta”, aludoi tek mospajtimet në lidhje me (mos)vendosjen e shtatores, duke thënë se,“Të gjithë sigurisht se keni dëgjuar për mospajtimet rreth lokacionit potencial të shtatores se Anton Çettës, por kjo nuk është temë sot”, është shprehur Shpend Ahmeti.
Ndonëse Kyretari i Bashkisë së Prishtinës premtoi se do të gjëndet një zgjidhje për vendosjen diku të shtatores së Anton Çetës, (e cila është përfunduar më shumë se një vit më parë dhe pret e mbyllur në atelienë e skulptorit që e realizoi, Z. Agon Qosa) kjo situatë të sjellë në mend edhe dramën e shtëpisë-muze të At Gjergj Fishtës në Shqipëri, ku janë dhënë herë premtime e herë justifikime se pse nuk mund të rinovohet shtëpia-muze e Fishtës, për pothuaj 30-vjet tashti. Në atë rast, ishte i qartë mos vullneti i autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar që kanë qenë kundër rinovimit të shtëpisë muze të Fishtës (megjithse, kohët e fundit, edhe atje është premtua se do të rinovohet shtëpia-muze ku ka jetuar Poeti Kombëtar). Shohim! Por, në rastin e Anton Çetës nuk më duket të jetë i njëjti paragjykim nga autoritetet më të larta të Kosovës ndaj pajtuesit të Kombit, Anton Çetës, siç dëshmojnë edhe deklaratat e tyre më lartë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Pajtuersit të Kombit. Pasi ishte Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale që e ka financuar shtatoren e përfunduar të Anton Çetës, me paratë e taksa-paguesve të Republikës së Kosovës.
Prandaj është vështirë që në këtë 100-vjetor të lindjes, të merret me mend se pse shtatorja e Anton Çetës –shqiptarit të madh, i cili, sipas bashkpuntorit të tij të ngushtë, Prof. Zekeria Canës, punoi aq shumë që gishtin e krimit ta zevendësojë me dorën e pajtimit ndër shqiptarët– vazhdon të jetë e mbyllur në atelienë e skulptorit Agon Qosa, në pritje të një vendimi se kur dhe ku do të vendoset.
Pa ditur saktësisht se cilat janë arsyet për mos vendosjen e shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose diku tjetër, në 100-vjetorin e lindjes, unë jam dakort se një zvarritje e tillë, sidomos, pa një deklaratë transparente nga autoritetet se pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, pajtohem me çfarë tha Riza Krasniqi nga Këshilli Organizativ për Vendosjen e Shtatores së Anton Çetës para Institutit Albanologjik. Z. Krasniqi e cilësoi Profesor Anton Çetën, një, “Ndër njerëzit më të shenjtë që ka kombi ynë”, dhe shtoi se është, “Turp për ne që në 100-vjetorin e lindjes së Anton Çetës të mos kemi një komplet të veprave të tij e as shtatore”.
Sipas medias në Kosovë, duket se edhe reagimet e publikut kanë qenë gjithashtu mjaft të ashpra dhe kritike ndaj mos vendosjes së shtatores së Anton Çetës, në këtë përvjetor. Jam në pajtim gjithashtu edhe me Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Anton Çetës u angazhua që, “të zotohemi, të punojmë e të shpresojmë për sa më pak hasmëri në mes të shqiptarëve e sa më pak hasmëri në mes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”. Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, Anton Çeta nuk do të dëshironte asgjë më pak, as më shumë se kaq. Z. Kryebashkiak, nëqoftse je i sinqert për këtë angazhim, atëherë gjëje vendin e denjë ku të vendoset shtatorja e Anton Çetës. Këtë mospajtim, rreth vendit për vendosjen e shtatores së tij në 100-vjetorin e lindjes së tij, Anton Çeta do ta konsideronte si një pajtim të munguar!
O Zot, mos na korit më shumë se tri herë në ditë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok