GLADIATORËT DHE QIRIRI I NIKOLIN KURTIT
![Nikolin-Kurti-Zhiti](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Nikolin-Kurti-Zhiti.jpg)
Nga Visar Zhiti
Lexoj se është shuar Nikolin Kurti… dhimbshëm më shfaqet qiriri që më dhuroi, kur u kthye nga Kosova në Tiranë, sikur shoh dritën e shpirtit të tij tani, por dhe një si vrull gladiatori të tij, – do të thosha, për të bërë më të mirën dhe më të lartën për kujtesën kombëtare, me art dhe shpirt.
Po, po! Me Inxh. Nikolin Kurtin më lidhën dy punë:
– Gladiatorët ilirë – dy skulptura të mëdha të skulptorit të mirënjohur Jani Paço
– dhe Dom Shtjefen Kurti, në fakt qiriri i tij nga Kosova jonë, Dardania.
– Po ka dhe një të tretë, do të thosha, përkushtimi qytetar i Nikolin, mirësia dhe respekti që tregonte, zelli për t’i arritur ato që duheshin…
Ndoshta me Inxh. Nikolin Kurtin jemi parë si fillim në meshë, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, por e kujtoj kur vinte në Ministrinë e Kultures, me kostum të zi, serioz dhe i përzemërt, më solli një dosje: “Gladiatorët ilirë”, ja, dhe fotot, më tregoi se skulptori Jani Paço i realizoi, ndërkohë ishte zbuluar amfiteatri antik i Durrësit, është amaneti i tij, duhej të vendoseshin diku këto skulptura të mëdha, që shpërfilleshin, madje i kishin lënë mënjanë nën pluhur në një magazinë, të shtrirë, të vrarë sërish nga moskuptimi ynë…
Unë do të doja të ishin në qendër, te shkallët në hyrje të Muzeut Kombëtar në kryeqytet, s’po zgjatem të tregoj, por as tani s’e kuptoj pse s’donin dhe cilët pengonin, u lidha me Bashkinë e Durrësit, etj, etj, por sot falë përkushtimit të Inxh. Nikolin Kurtit Gladiatorët Ilirë janë në një park ndanë detit në Durrës.
Me Inxh. Nikolin Kurtin ishim parë sërish në tubime të ndryshme e kuvende, në mesha, shkëmbenim fjalë me shumë respekt, më bënte përshtypje serioziteti i tij dhe pasioni, gjithmonë do të flisnin për Dom Shtjefën Kurtin.
Shoh mesazhet e tij, më shkruante shpesh së fundmi për artikujt apo videot që kishte për bëmat e Domit patriot, ç’dilte ndonjë gjë e re, etj. Më kishte shprehur mirënjohjen prekëse dhe mua për ato pak fjalë modeste që kisha botuar për të Lumin Dom Shtjefen Kurti.
Së fundmi, kur isha në Tiranë, më tha se donte të takoheshim, do më jepte dy libra dhe një qiri, sa të kthehej nga Kosova. Kam shkruar per atë takim: mallëngjyes për mua, në rrugën e Atjonit, ku ai zbriti nga taksia sa për pak dhe do të ikte po me atë taksi se qëllimi i tij ashtu si dhe dëshira e tij ishin të dhuronte veprën “I lumi Dom Shtjefën Kurti – Jeta dhe pavdekësia” me autorë Dr. Nikollë Loka dhe vetë Ing. Nikolin Kurti, botimi dy gjuhësh, edhe anglisht, “Blessed Dom Shthefën Kurti – Life and Immortality” dhe shoqërohet me dokumentacion dhe me një album fotografish me ngjyra, që flasin, – thashë, – që nga Domi e deri te Papa.
Libri tjetër, i përgatitur nga Dr. Nikollë Loka sërish, i një rëndësie tjetër të veçantë dhe historike, “Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigi Gashi”. Poshtë emrave të tyre ishte shkruar: Dëshmirarë të popullit martir”. Kjo trini klerikësh në vitin 1930, në janarin e ashpër të maleve, kaluan ilegalisht kufirin nga Jugosllavia për në Shqipëri, nga Tirana shkuan në Romë duke u keqkuotuar se mos kishin ndërprerë shërbimin në Kosovë, por jo, përkundrazi dhe nga Roma shkuan në Gjenevë. Në zyrat e Lidhjes së Kombeve dorëzuan Promemorien ‘Për gjendjen e minoritetit shqiptar në Jugosllavi’, si u shkekeshin të drejtat, shtypeshin, dëboheshin apo vriteshin…
Dhe ky akt madhor e bëmat më pas do t’i kushtonin jetën Dom Shtjefen Kurtit duke e çuar burgjeve të Shqipërisë, në pushkatim, por dhe në udhën e lume të shenjtërimit…
…Dom Shtjefën Kurti ishte ai, ku rrëfehej Nënë Tereza dhe në oborrin mbretëror, ku rrëfehej Mbretëresha Geraldinë, – kisha shkruar. Patjeter që e gjeta në librat e dhuruar. Dhe është axha i z. Nikolin Kurti. Dhe ai vazhdonte porosinë e tyre, me përdëllim…
Më kishte sjellë dhe qiririn nga Kosova, me portretin ikonik te Dom Shtjefën Kurtit…
Kur të ndes këtë qiri, do të shoh sërish nga drita e shpirtit të martirit dhe e gjithë martirëve tanë, – shkruajta atëhere dhe shtoj tani: në atë dritë u përzje dhe drita e shpirtit të Nikolin Kurtit. Qoftë i parajsës! – mërmëris nga larg.