22/12/2024
Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

Anët tona janë plot me ujra, mullinj, burime, kroje, puse, pellgje, përrenj, ujvara, që i përdorim për të hequr etjen, për tu larë, për tu dehur, për të shëruar sëmundje, për të rrotulluar mokrra, turbina.

Te Kroi ku rrjedh sylinari, atje fillon jeta, atje rroket fjala, rrjedh muhabeti, tjerret strategjia, buçet hileja, kalitet hazërxhevapi, lidhet ilakaja, kthehet dollia, rrëmbehet puthja, negociohet biznesi, shpallet profecia.

Ky Kroi këtu rrëzë këtij gardhi për të cilin më pyete zotrore, ky Krua që është vetëm njëri nga qindra kronjtë e këtyre anëve, ka historinë e vet.

Gjyshi im mullixhi ishte një qejfli ujrash, një ujëdashës i pashoq, një erudit i lëngjeve. Si i tillë, edhe për shkaqe profesionale, gjyshi dinte ku ishin e ku s’ishin rezervat hidrike të nahies tonë: burimet, prrockat, ujvarat, rrëketë, liqeret, pellgjet. Gjeniut të hundës, qellzave, mokrrave, i mjaftonte të kthente një gëllënkë ujë, pastaj veç të kishe ngè ta dëgjoje. Të linte me gojë hapur duke të rrëfyer fijepërpe nga cilat rryma të nëndheshme, nga cili burim, a pus, a Krua, vinte ai ujë, e të tjera e të tjera, që më mirë s’po t’i them, se po t’i thash, të bie truri në tilt. Gjyshi mbante me vete ca shishka qelqi që i quante “etalon”. Sa herë kalonte pranë ndonjë Kroi apo burimi, gjyshi mbushte një etalon. E merrte me vete në shtëpi. Bënte matjet, krahasimet, klasifikimet. Qelqeve u vinte etiketa. Në vartësi të cilësive etjeshterruese, dehëse apo shëruese të secilit ujë, mbi secilën etiketë letre gjyshi vizatonte me penë nga një figurinë si ato që përdorin kalamajtë sot nëpër mesazhe, (•‿•) (◑‿◐) ✮ ⋆ ˚。 ⋆。°✩ dhe të tjera në vartësi të gjendjes emocionale që të shkakton pirja e ujit të secilës qelqe, i qeshur, i mrrylur, i qetë, i çartallosur, e me rradhë. E shikon sa i squt ishte gjyshi im katunar mullixhi Mokre që përdorte emoj-et para se të shpikej Interneti.

Gjyshi im, që shpirti i pastë rahmet, kaloi një herë pranë këtij Kroi në këtë vend rrëzë këtij gardhi ku këtë çast ndodhemi un e ti. Provoi ujin e Kroit. I pëlqeu. Mbushi një qelqe. E mori me vete. Mirpo pas ca ditësh nuk u ndje mirë. mullixhiu zuri qoshen. Pastaj shtratin. Nuk e zinte gjumi. Fliste me vete. Mbeti drithi pa bluar. Thanë se iku nga mënt e kokës. Erdhi disa herë te Kroi ku rrinte si i nemitur. Dhanë e morën ta sillnin në vete. Sollën Prift dhe Hoxhë që i kënduan rrëzë veshit, ay hiç. I pandjeshëm nga Kryqi dhe nga Çallma dhe çdo banalitet tjetër i kësaj Bote, u muar vesh se gjyshi kishte rënë në dashuri me Kroin. Me ujin e Kroit. Me shijen e ujit të Kroit, përbërjen kimike, kripërat, mineralet, viskozitetin, temperarurën, shushurimën apo muzikën e rrjedhës. Me ta ndjerë në ç’gropë kishte rënë, nuk u mendua gjatë. Braktisi mullirin. Ngriti plaçkë e laçkë nga fshati i vet. Erdhi ndërtoi shtëpi të madhe me tetë dhoma në fshatin tjetër pranë Kroit që dashuroi. Se ti e di që dashuria për lëngjet, për ujin në veçanti, është më e fortë se dashuria për Femrën. Thonë se gjyshi im, që i ndrittë shpirti atje ku është, pasi dashuroi Kroin, harroi gruan. Më dehës se çdo shampanjë, shih sa hijshëm rrjedh dhe dëgjo sa bukur këndon Kroi i gjyshit tim mullixhi, dhe thuaj pastaj se s’bëri mirë që këmbeu gruan me Kroin, kopjen me origjinalin.

E ruajmë si sytë e ballit këtë Krua.

Kemi në shtëpi një koleksion të tëra shishkash me ujra që na i la amanet gjyshi mullixhi para se të jepte shpirt.

Kishte të drejtë gjyshi që dashuronte ujra. Uji është ekonomi, gastronomi, mjeksi, psikoterapi, industri, histori, gjeografi, gjeologji, mineralogji, kimi, astronomi, astrologji, madje dhe Art. Ka ujra e ujra. Ka ujra për të larë trupin dhe lëveret. Ka ujra për të rrotulluar mullirin. Ka ujra për të shuar etjen. Ka ujra për tu dehur. Ka ujra për tu mbytur. Ka ujra të shenjtë si uji i Kroit pranë manastirit të famshëm në hyrje të shpellës së shenjtores ku sot e kësaj dite vijnë njerëzia nga an’ e anës për të lagur fytyrën me shpresë se do tu ecë Fati i ngecur.

Njerzit u ngjajnë ujrave që pijnë. Thuam nga cili Krua pi, të të them se cili je, themi ne mokrarët këtej nga rrëzat tona.

Ka dhe të tjerë ujra. Ujrat e lumenjve, deteve, oqeaneve. Halli se asnjë prej atyre nuk të deh sa uji i Kroit të gjyshit mullixhi, më tepër se vera dhe rakia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok