GJITHSESI AI ËSHTË PRAPË NË PRISHTINË…

Nga Visar Zhiti
Kur shkoja në Prishtinë, gjithmonë gjeja më shumë nga ç’prisja…
Befasi të bukura për mua mbeten bisedat në mbrëmje me miq të pazakonshëm, që thyenin rutinën me ato që thoshin, të guximshëm si udhëtimet e tyre nëpër Europë, por dhe brenda vetes duke arritur dhe tek tjetri.
Jam takuam me shkrimtarin Bajram Sefaj, jo rastësisht, e kërkuam njëri-tjetrin. Flokëbardhë dhe mjekërrbardhë që më kujtoi shkumbëzimet mahnitëse të Drinit të Bardhë, atje ku buron, në vendlindjen e tij, në Pejë, – Riburim le ta quajmë.
Bajram Sefaj të vështronte butë, por thellë me ata sytë e picëruar, zëri i ngrohtë, – më kënaqte pakënaqësia e tij e mençur, humori, më shumë se ballkanas, si parisien më dukej, po ai kishte jetuar më shumë se 30 vjet në Francë, ka dhe romanin me titull “Parisi kot”, qesha, kur ma dha. Borsalina e tij e zezë e bënte më personazh, personazh të vetes se tij, por jo vetëm kaq, gjithë mbrëmja prishtinase më bëhej metropolitane.
E dija që Bajram Sefaj kishte punuar
si gazetar në “Rilindje”, aq e dashur për misionin, pastaj në gazetën “Vjesnik” të Zagrebit dhe gazetar e redaktor në Televizionin e Prishtinës së tij, etj, etj.
Shkruante prozë më shumë, por edhe poezi, madje edhe për fëmijë. Me atë sinqeritet hokatar duhej të merrej vesh mirë me të vegjëlit, të çdo lloji, s’është fjala veç për moshën. Por ai na la dhe publicistikë, udhëtimet nëpër vende, takimet me personalitete, godet që në tituj: “Shenjë kohe – signum temporis”, “Gazetaria ime”, “Shpen’ udhëtar” dhe… dhe “Plot Shqipëri”.
Sa bukur! Dhe ai përplotëson në letrat shqipe.
Poezia e tij ma kujton më shumë atë të folurën e tij në mbrëmje, me gotën e verës përpara, se ai fliste me poezi të çlirët dhe… si vazhdim ma shton mallin poezia e nipit të tij, Nezir Sefaj.
Mjafton ta takoje dhe vetëm një herë. Gjithsesi do më duket sikur do ta ndeshim prapë rrugëve të Prishtinës, plakun sokratik.
Dhe do t’i lexoj me zë dy poezi të tij. Ç’do më thotë? Se ajo “as…” në fund ka mbetur përgjysmë:
BAJRAM SEFAJ
Mëkate
mëkatet e mia
janë të mëdha
të rënda janë
as ujë drini
s’i lanë
as squfuri
s’i djeg
veç vuajtjet
e mia
hakut u vijnë
Pa fjalë
s’ka
as lamtumirë
as
mirupafshim
nuk do të vi
sonte në mbrëmje
as
nesër në mëngjes
nuk do të kthehem
as….