GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU VAZHDON TË “PUSHTOJË” AMERIKËN
Nga Frank Shkreli
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, trim i trimave, i përgjithëmonshmi i Kombit — shqiptar i përmasave botërore, në Ditëlindjen e tij, 6 Maj. Por, a është i tillë, Gjergj Kastrioti -Skenderbe për të gjithë shqiptarët?!
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ditëlindjen e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu — Presidentja Osmani ka kujtuar ditëlindjen e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – Lajme – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net)
Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e kujtoi Gjergj Kastriotin Skenderbe në ditëlindjen e tij me një deklaratë, fund javën që kaloi — Albin Kurti | Facebook, duke e cilësuar Heroin Kombëtar me këto fjalë: “Luftëtar i guximshëm e patriot i madh, prijës i shquar dhe strateg ushtarak, politikan vizionar dhe diplomat i shkathët, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, kurse figura e tij prej heroi, nga koha e tij te rimarrja prej rilindasve dhe deri te ne sot, ka mbetur qendror në identitetin shqiptar. Lavdi heroit të kombit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për jetë e mot!”, është shprehur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Ditën e lindjes së Skenderbeut.
Ndërsa në Shqipëri nuk pashë të jetë kujtuar kjo ditë. U vendosën kurora me lule pranë monumentit të Dëshmorve të Kombit – Një akt shumë me vend!
Por, pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit -Skenderbe, në Sheshin me të njëjtin emër në Tiranë, nuk lexova të jetë vendosur, asnjë buqetë me lule për të kujtuar, zyrtarisht, “kryendërtuesin e atdheut të shqiptarëve” – Qofsha i gabuar për këtë, dhe nëse jam i gabuar, kërkoj ndjesë, paraprakisht! Nejse, duket sikur pozita dhe opozita politike në Shqipëri janë kacafyt në një fushatë për pushtet – “për jetë e vdekje” – dhe nuk kanë kohë as të mendojnë për Skenderbeun, as për historinë e Kombit dhe as për rolin e këtij vigani në historinë e shqiptarëve dhe dhe në ruajtjen e identitetit historik të Kombit shqiptar. Sidoqoftë, kjo është puna e tyre dhe e votuesve shqiptarë që tolerojnë shkelje të tilla të historisë së kombit dhe të heronjve të saj, si Gjergj Kastrioti -Skenderbe, por të jenë të sigurt, të dy palët e politikës shqiptare, se pa Skenderbeun – nuk shkohet “përpara”, as nuk fitoni të “bashkuar”.
Kam drojë se në këtë fushatë politike në Shqipëri, por jo vetëm, pasi ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur përvjetore të jetës dhe veprimtarisë së Skenderbut kanë kaluar pa u përmendur fare nga disa qarqe të caktuara – duket se edhe sivjet aktivitetet dhe brohoritjet politike në Shqipëri, me qëllim ose pa qëllim, vazhdojnë të jenë pjesë e një harrese që çon drejt shuarjes së kujtimit të tij dhe të veprave të lavdishme të Krye-Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbe.
NDËRKAQ dhe për fat të mirë, shqiptarët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mundohen që çdo vit ta kujtojnë Skenderbeun, në data të caktuara, për vetën e tyre dhe të brezave këtu, por edhe për amerikanët që edhe ata të dinë e të mësojnë se kush ishte Gjergj Kastrioti-Skenderbeu i Kombit shqiptar dhe kush në të vërtetë janë shqiptarët!?
Komuniteti shqiptaro-amerikan, nën drejtimin e aktivistit të dalluar të komunitetit tonë këtu, Z. Mark Gjonaj, i cili me ndihmën e shumë organizatave shqiptaro-amerikane, organizuan edhe sivjet — në pervjetorin e dytë të shpalljes me emrin “Rruga Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronks të Nju Jorkut — Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me një rrugë të tijën në Nju Jork | Gazeta Telegraf — u organizua festimi dhe panairi i rrugës. Të Dielën me 7 Maj, për nja 6 orë me mijëra pjesëtarë të komuniteti shqiptaro-amerikan morën pjesë dhe u argëtuan me programe të ndryshme, nga dhjetëra këngëtarë e këngëtare të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Nju Jork për këët qëllim. Ata me kreanri kombëtare, me fjalë, këngë e valle shpalosën traditën dhe kulturën, muzikën, vallet popullore, ushqimet dhe aktivitete të tjera, jo vetëm për komunitetin, por edhe për amerikanët vendas. Ishte kjo një ditë gëzimi e festimi, në kujtim të Heroit të madh të Kombit shqiptar – aty në hapësirën e rrugës që mban emrin Gjergj Kastrioti -Skenderbeu – këtu në Amerikën e largët u mblodhën shqiptarët nga të gjitha trojet dhe pa dallim — duke shpalosur krenarinë dhe Bashkimin e tyre rreth Kryeheroit Kombëtar.
Ndërsa në një komunitet tjetër shqiptaro-amerikan – që cilësohet si më i vjetri këtu në Shtetet e Bashkuara – në Uster të shtetit Masaçusets, jo larg Bostonit – një kryeqenër tjetër e madhe e shqiptaro-amerikanëve, me 21 të Marsit që kaloi, mësuam se Këshilli Bashkiak i atij qyteti miratoi, në parim, kërkesën e përfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan atje për të emëruar një rrugë të atij qyteti me emrin Gjergj Kastrioti- Skenderbe. Kronika e gazetarit Ardian Murraj në Youtube: VOAL Gjergj Kastrioti Scanderbeg Way, Public Works Committee, 04 /24 /2023 – YouTube. Sipas këtij informacioni, Komiteti i Punëve Publike të Bashkisë së qytetit të Usterit miratoi, përfundimisht dhe zyrtarisht, me 25 Prill, 2023 vendimin për nderimin me emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Way). Ceremonia zyrtare festive e nderimit me emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të mbahet në prag të Festivalit Shqiptar të Usterit, që pritet të bëhet gjatë fundjavës së parë të muajit Qershor, 2023.
Shpesh media shqiptare në përgjithësi ia “ben me hile” këtij komunitetit në Uester, duke e qitur në harresë pa të drejtë, pasi edhe sot ashtu si, historikisht, ky komunitet ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve në Amerikë që kanë emigruar heret, por që është ringjallur si të thuash me emigrantë të ardhur dekadat e fundit nga të gjitha trojet shqiptare, por sidomos nga Shqipëria, prandaj vendimi për të emruar një rrugë në emër të Skenderbeut është domethënse për shqiptaro-amerikanët, duke u kujtuar atyre Heroin dhe Atdheun.
“Kjo shënoi me të vërtetë një ngjarje historike pasi lidhet me disa vite jubilarë përkujtimorë së bashku dhe po kaq festive për shqiptarët e Usterit të cilët kanë treguar në vazhdimësi përpjekjet e mërgimtarëve të vendosur këtu gati 150 vite më parë. Prania e bashkëatdhetarëve shqiptarë dhe të Kosovës (në seancën e Bashkisë) me flamuj dhe kostume popullore ishte e gëzueshme dhe solemne pasi ata bashkohen rreth Heroit të tyre Kombëtar, figurës shumë të dashur për ta, Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, ka shkruar me këtë rast gazetari Ardian Murraj në kronikën e tij mbi këtë ngjarje historike për komunitetin shqiptaro-amerikan në Uester dhe për shqiptaro-amerikanët, në përgjithësi.
Gazetari Murraj me të drejtë lavdëron rolin historik të komunitetit shqiptaro-amerikan në Uester të shtetit Massachusetts, “Si një bashkësi që vlerëson dhe shkëmben vlerat e historisë, kulturës dhe traditave të shumë kombësive Usteri u bë qyteti parë në Masaçusets që nderon një figurë legjendare të historisë botërore të lidhur ngushtë me krenarinë e një populli, një histori që bashkatdhetarët shqiptaro-amerikanë kanë filluar ta shkruajnë pasi ata shquhen gjerësisht dhe janë pjesëmarrës në zhvillimet e jetës së këtij qyteti”, është shprehur ai.
Përkujtimi i Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, sidomos në Shqipëri e Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pa përjashtuar edhe diasporën shqiptare qoftë në Amerikë, qoftë në Evropën Perëndimore – ka shumë rëndësi, sepse siç është shprehur me një rast Ernest Koliqi: “Pak janë ata të huaj që na përfillin. Dikush na urren, shumica harron se ka një komb shqiptar. Kemi nevojë për kuptim e mbështetje sepse shumë paragjykime ushqejnë përgjithësisht të huajt mbi ne dhe çeshtjet tona…”. Duke shënuar përvjetorë të Gjergj Kastriotit -Skenderbe, ka shkruar Koliqi, i kujtojmë vetes dhe botës, njëkohësisht, ekzistencën tonë dhe vuajtjet e padrejta që na kanë mbuluar, por njëkohësisht, një përkujtim i tillë i Skenderbeut, sjellë një shërbim të pashoq, Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo. Është obligim moral dhe atdhetar që Skenderbeu të kujtohet dhe të mos harrohet nga diaspora shqiptare në Amerikë, por as nga Shqipëria dhe Kosova. Përkujtimi i Gjergj Kastriotit -Skenderbeut është një përgjegjësi numër një e udhëheqësve aktualë të Kombit – në të njëjtin nivel siç është përgjegjësia e tyre për mbrojtjen e sigurisë, të territorit shqiptar dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.