08/10/2024

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU NË TUZ TË MALËSISË! PO ULQINI ÇKA PRET!?

0

Nga Frank Shkreli

Një ditë pasi Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias deklaroi — gjatë një vizite zyrtare në Tiranë — se “Skënderbeu është një hero kombëtar në të dy vendet tona”, u njoftua se Kuvendi Komunal i Bashkisë (Komunës) Tuzi, miratoi të mërkurën vendimin për të vendosur në Tuz, përmendoren kushtuar Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti -Skenderbeut. Natyrisht, se vendimi i ditës së mërkurë për të vendosur permendoren e Gjergj Kastriotit — Skenderbe në Tuz ishte i rastësishëm, sa i përket vizitës së ministrit grek në Shqipëri, por ishte një përgjigje si e porositur nga Perendia për shovinistët grekë –sidomos në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare nga Tirana për të kundërshtuar pretendimet greke, madje edhe ndaj Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë, që zyrtarë të lartë dhe akademikë të huaj të gjitha ngjyrave –sidomos, turqë, serbë e grekë – të cilëve, fatkeqësisht, nganjiherë u bashkohen edhe shqiptarë — që ngrejnë dyshime mbi identitetin dhe historinë e vërtetë të Skenderbeut. Hedhin pretendime të tilla djallëzore, nga koha në kohë, për të provokuar me qëllim për të turbulluar ujërat ballkanikë, në përpjekjet e tyre shekullore për të hedhur dyshime me qëllim zbehjen e historisë dhe të identitetit të shqiptarëve në trojet e veta. Në të kaluarën, shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, na ndryshonin emrat duke i sllavizuar/grekizuar/turqizuar ato, e ku ta di unë. Përveç ndryshimit të emrave shqiptarë këto hiena anti-shqiptare vazhdojnë të luftojnë identitetin shqiptar duke hapur varreza “heronjsh” të rrejshëm të tyre e duke ndërtuar permendore anë e mbanë Shqipërisë, edhe mu në mes të Tiranës, “heronjve” të huaj, si veç për të ndryshuar dhe për të pretenduar se edhe ata kanë hise në atë tokë. Është e vështirë të merret me mend se si dhe pse qeveria e Republikës së Shqipërisë, por as Republika e Kosovës dhe as akademitë shkencore të dy kryeqyteteve shqiptare nuk reagojnë ndaj provokimeve të tilla greko-turko-serbo-maqedonase, ndaj identitetit të shqiptarëve dhe ndaj të Përgjithëmonshmit të Shqiptarëve, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI, (më rastin e 500-vjetorit të Skenderbeut, 1968) Heroin dhe Kryetrimin e shqiptarëve dhe shpëtimtarin e Evropës — Gjergj Kastriotin -Skenderbe.

Kush janë, ku janë dhe pse janë “të parët” e shqiptarëve sot që do duhej të reagonin?  Detyra numër një e të cilëve duhej të ishte mbrojtja e sigurisë terriotirale dhe interesave kombëtare, në të gjitha kuptimet dhe nënkuptimet, përfshir mbrojtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqiptare – përfshir edhe Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin – Skenderbe. Turko-serbo-grekët sikurë veprojnë në bashkpunim dhe në garë me njëri tjetrin, kur bëhet fjalë për përvetësimin ose denigrimin e personaliteteve të historisë kombëtare të shqiptarëve, si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe Nënë Tereza. Provokojnë, dinakërisht, në këtë mënyrë, sepse e dijnë se ndaj sulmeve të tyre grabitqare kundër shqiptarëve, nuk reagon askush në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe identititetit të tyre – as në Tiranë, as në Prishtinë.  Për pothuaj një gjysëm shekulli, sllavët e jugut – serbët dhe maqedonasit – e kishin bërë të vetën Nënë Terezën, sepse origjina e saj shqiptare nuk mbrohej nga askush, për arsye që dihen.  Shyqyr që u shemb komunizmi se bota do e “njihte” atë gjithnjë si “sllave” ose “maqedonase”.

Por, fatbardhësisht, në venat e disa shqiptarëve, pa dallim, vlon ende ai gjaku identifikues i shqiptarit me heroin e tyre të Përgjithëmonshëm, Gjergj Kastriotin -Skenderbe.  Pardje, arrijti një lajm i mirë nga Komuna e re e Tuzit, në Malësinë e Madhe. “Në Malësi është ditë me shumë rëndësi, ditë historike. Kem tri pika dhe tri mesazhe në agjendën e sotëme. Mesazhi i parë është miratimi i buxhetit. Mesazhi i dytë është që të respektojmë të kaluarën. Për këtë, kemi miratuar vendosjen e permendores së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Malësi dhe mesazhi i tretë është se ky institucion, ky pushtet, që jemi këtu, do ta mbrojmë tokën e Malësisë”, është shprehur Nikë GJeloshaj, i pari i Komunës së Malësisë në Tuz.

Kuvendi i Bashkisë Tuz, (nën Mal të Zi) miratoi vendimin për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Tuz, vitin e ardhshëm, “sepse pa të nuk mund të krijojmë të ardhmen”, u shpreh Kryebashkiaku i Malësisë, Nikë Gjeloshaj. Eh, vaj medet, sikur të gjithë udhëheqsit shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare të mendonin, ose të pakën të shpreheshin, si Nikë Gjeloshaj, se pa Gjergj Kastriotin -Skenderbe, Kombi shqiptar nuk ka të ardhme, as drejtim.  Gjergj Kastrioti-Skenderbe, qoftë edhe me praninë e një permendoreje në atë krahinë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, u tregon shqiptarëve rrugën që duhet ndjekur.

Vendimi i Komunës Tuzi për të ngritur në kryeqytetin e Malësisë së Madhe – në Tuz — permendoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në vet-vete është një hap i parë por i madh që duhet të vlerësohet, pasi dihet se për realizime të tilla, asgjë nuk është e lehtë, në trojet shqiptare – siç është edhe rasti i Ulqinit, ku për një kohë tashti pengohet vendosja e monumentit të Skenderbeut edhe në atë qytet të lashtë iliro-arbëror.  Pyetja ime për autoritetet e Bashkisë së Ulqinit është: Deri kur me këto pengesa dhe pse kështu!?  (Lexoni shkrimin e bashkvendasit tim, Xheladin Zeneli) — Kujt i pengon ndërtimi i monumentit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut Ulqin? (ulqini-online.com).

Prandaj, në rastin e Tuzit, fjala e dhënë është fjala e mbajtur, për malësorët. Tashti, pasis është marrë vendimi për ngritjen e monumentit të Heroit Kombëtar, është e rëndësishme që ky projekt të realizohet sa më parë që të jetë e mundur, pa vonesa e pengesa politike ose burokratike, të cilat jam i bindur se janë të shumta, por të shumtë mund të jenë edhe personat që nuk dëshirojnë të shohin një monument të tillë në Tuz.

 

Nuk jam i sigurt nëse ka një marrëveshje se në cilin mjedis të qytetit të Tuzit do të vendoset përmendorja e Heroit dhe e Simbolit të përjetëshëm të identitetit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Por duke marrë parasysh se largësitë gjeografike nuk janë aqë të prononcuara në ato anë – nuk besoj të jetë shumë larg nga Deçiqi, ku është zhvilluar beteja midis forcave të malësorëve shqiptarë dhe atyre osmane – që sipas historianëve, shënoi një këthesë të rëndësishme në shkëputjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Pikërisht, malësorët kishin vendosur që ta largonin njëherë e mirë turkun nga Deçiqi, duke valvitur Flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbe në vend të flamurit të Turkisë. Pas 5 shekujsh, për herë të parë ç’prej kohës së Skenderbeut, në trojet shqiptare me 6 prill, 1911, u ngrit flamuri kuq e zi — i pa njolla — i Gjergjit të Madh – Skenderbeut.  Frank Shkreli: Kreshniku kombëtar Dedë GjoLuli – “Malësori mujti” | Gazeta Telegraf

E përjetëshme qoftë trashëgimia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, si dhe kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe.  I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar, një kohë e trazuar për fatin e tij sot — me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin e shqiptarëve kudo që janë dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot. Këthehu, o Gjergj Kastrioti -Skenderbe!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok