22/12/2024

Gjergj Kastriot simbol i bashkimit kombëtar dhe përkatësisë evropiane

0
Gjergj-Kastrioti-Skenderbeu

Nga Gani Mehmetaj
Osmanët në të gjitha kështjellat e vendbanimet shqiptare nga Shkupi në Pargë e kanë eklipsuar diellin, e kanë ngurtësuar Arbërinë, kanë lënë vragë në psikologjinë e karakterin e shqiptarëve si asnjë pushtues tjetër. Fama e Krujës është ndërtuar mbi luftërat kundër Perandorisë Osmane, por askund sikurse në Krujë nuk e kanë goditur qytetin më të lavdishëm shqiptar të mesjetës, janë përpjekur ta shlyejnë të kaluarën, i kanë rrënuar kishat e manastiret, mbi to kanë ndërtuar xhami e teqe, i kanë shlyer nga faqja e dheut shtëpitë e pallatet ku jetuan aristokracia e princat shqiptarë. Me sundimin e gjatë e errësirën pesëqindvjeçare i dhanë ngjyrim tjetër Krujës, i dhanë ngjyrim të zymtë Arbërisë.
Rrënojat e mureve, fortifikatave, vrojtoreve ushtarake arbërore ende dëshmojnë për një të kaluar tragjike e heroike njëkohësisht. Sa shumë lavdi e fatkeqësi në një hapësirë, ku shkëmbi e ambienti i vrazhdë mbizotëron. Sa shumë legjenda e fshehtësi në këtë shpat, ku vapa të përcëllon në ditë vere, kurse era e detit të rreh dimër e vjeshtë. Rrugicat e qeta lakadredha, shtëpitë karakteristike, pjerrtësia që ta mpinë qafën, janë gjëra tjera që e shquajnë qytetin e dikurshëm të Gjergj Kastriotit.
Legjendat e dëshmitë historike e mundën pushtuesin, e përballuan historinë e pamëshirshme, pavarësisht gjymtimeve të dhimbshme, duke rrëfyer për Krujën e Gjergj Kastriotit që e mbrojti jo vetëm këtë qytet mbi njëzetë e pesë vjet, por nga ky qytet doli rrezatimi e organizimi që i dha liri e shkëlqim Arbërisë.
Legjendat janë zëvendësim tjetër a plotësim i historisë së dhimbshme që nuk janë shënuar në kronikat e kohës, por i bartën me vete arbëreshët në Kalabri, i bartën malësorët-luftëtarët e Gjergj Kastriotit në Panoni e Hungari, i ruajtën arbërorët kur u tërhoqën në bjeshkët e mjegullta shqiptare, ku i kalova një pjesë të pushimeve verore në fëmijëri.

Flijimi i grave në këmbë të kështjellës
Legjendat në formë të rrëfimeve gojore, të bartura ndër breza, ishin më të fuqishme se sa armët e pushtuesit, që e mbajtën gjallë ndjenjën e përkatësisë dhe krenarinë. Vallja e vdekjes, hedhja nga shkëmbi në humnerë vjen edhe nga Kruja. Legjenda e grave e vajzave që nuk iu dorëzuan ushtarëve turq, por iu dorëzuan vdekjes, është ndër legjendat më tragjike në historinë e qytetërimit evropian.
Legjendat për flijimin i ndryn në vete Kruja e dikurshme, ndërsa fshehtësia e varrit më të famshëm jo vetëm në Gadishullin Ilirik, është fshehtësia tjetër që të lë pa gjumë. Pelegrinët e rinj e të vjetër, aventuristët e shtigjeve të gjata, të prirë për të papritura që ta rrisin adrenalinën nuk është keq t’u qepen shpateve shkëmbore dhe të kërkojnë të fshehtën pesëqindvjeçare. Janë shumë vendbanime në Krujë e përqark që dëshmojnë flijim, heroizëm, vdekje, fshehtësi.
Kruja ishte qyteti i ëndrrave të mia fëmijërore, toka e shenjtë.
Sa herë e kam recituar me shqetësim e i rrëmbyer në shkollën fillore para bashkëmoshatarëve poezinë e Naim Frashërit për Skënderbeun:
“Krujë o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë,
se po vjen si pëllumb i shkruar,
të shpëtojë Memëdhenë…
Ndërsa më bëhej se isha unë ai që fluturonte mbi kalë të bardhë drejt Krujës. Shumë vjet më vonë, kur ngjitesha qytetit të vjetër, ndërsa rrugët me dredha ma kërkonin përqendrimin e jashtëzakonshëm, përpiqesha të luaja rolin e detektivit të filmave kriminalistikë, duke hamendësuar ku mund ta kishte varrin Gjergj Kastrioti, sepse asnjëherë nuk më ka bindur Marin Barleti, Fan Noli e Naim Frashëri se eshtrat e mbretit të shqiptarëve janë shpërndarë nëpër botë, sado që ndonjëherë mënyra se si e këndonte pikëllueshëm Ismail Kadare pasvdekjen e heroit tonë në poezi ma përkëdhelte sedrën si pasardhës i Gjergjit, shtrirja në tri kontinente, ishte diçka e rrallë.
Edhe pasi e vizitoja qytetin e Kështjellën, edhe pasi i vrojtoja muret e rrënuara, sytë më shkonin nga kurora e maleve të zhveshura sipër kështjellës, ndërsa më rrinte pezull pyetja e bërë qindra herë: athua ku mund ta kenë fshehur varrin e Gjergjit françeskanët arbërorë që e mbajtën betimin dhe nuk e zbuluan fshehtësinë?
Për Krujën është shkruar më shumë se për çdo qytet tjetër arbëror-shqiptar, është qyteti historik më i vizituar nga shqiptarët e të huajt. Është vend pelegrinazhi, orë historie, ku duhet të gjejnë identitetin edhe shqiptarët e humbur, të cilët shekujt i kanë ngatërruar me pushtues të rinj e të vjetër me fije të dukshme e të padukshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok