23/11/2024

Gjergj Hasanaj, personalitet  me merita  në fushën e arsimit, kulturës dhe folkloristikës  shqiptare

0

Nga Gjekë Gjonaj

Trieshjanët e kanë në gjen arsimin. Këtë a kanë dëshmuar disa personalitete të njohura të arsimit dhe kulturës mbarëshqiptare  nga ky cep i Malësisë,  që në fillimet e shekullit XX , të cilët u diplomuan në universitetet më të njohura evropiane  të kohës, ku edhe fituan titujt më të lartë shkencorë të profileve të ndryshme  dhe  ushtruan detyra të larta në disa shtete të Evropës dhe Amerikës.  Ata, natyrshëm , kanë qenë  shembull dhe  frymëzim për brezat e rinj trieshjanë  në kërkim të dijes. Duke e njohur  jetën dhe veprimtarinë e këtyre  intelektualëve të mirëfilltë  them se lista e trieshjanëve të arsimuar është shumë e gjatë.  Por, në atë listë  njerëzish të arsimuar gjithsesi  prijnë  mësuesit, të cilët  me punën e tyre me përkushtim kontribuuan në misionin e tyre fisnik  të dhënies së dijes  dhe edukimit të   brezave të rinj. Paralel me këtë mësuesit  i kontribuan shoqërisë shqiptare të Malësisë dhe trevave tjera shqiptare në Mal të Zi  që të ruajnë, mësojnë, zhvillojnë dhe kultivojnë gjuhën e bukur shqipe. Në atë listë mësuesish  dhe mësimdhënësish  të artë të gjysmës sëdytë të shekullit 20 vend të merituar zë edhe protagonisti i këtij shkrimi përkujtimor,  Gjergj  ( Marash ) Hasanaj, nga fshatiStjepoh i Trieshit.  Kthimi i tij nga Prishtina në vendlindje  me diplomën e mësuesit, që e mori në Shkollën Normale ishte  jo vetëm një  gëzim i papërshkrueshëm   për të personalisht e  familjarët e tij, por kishte rëndësi të madhe për arsimimin dhe edukimin e    bashkëvendësve të tij, nga të cilët nuk u nda që nga viti 1954 e deri në vitin 1972, kur u detyrua të marrë rrugën  pa kthim të  mërgimit, në Detroit-SHBA.

Sot kur e kujtoj  këtë mësues model, arsimtar të gjuhës dhe letërsisë shqipe, drejtor shkolle, mbledhës të folklorit e bamirës, kam para sysh  njeriun e mirë  e modest me vlera të  veçanta,  intelektualin e pajisur me dije dhe i edukuar në frymën kombëtare, punonjësin serioz e cilësor të arsimit,  drejtuesin e suksesshëm  të shkollës dhe të afërm   me kolegët e bashkëpunëtorë. Për mua mbetet i paharrueshëm bashkëpunimi i tij me  babain tim, e kolegun e tij të shtrenjtë e të besueshëm , Gjon Gjonaj, deri në ndarje  të rrugëve të jetës së tyre. Bashkëpunimi i tyre   si kolegë në fushën e arsimit dhe fusha të tjera me rëndësi shoqërore, kishte zgjatur plot 18 vite. Detyrat e sfidat që i zgjidhnin bashkërisht, dhe me disa kolegë të tjerë,  qenë me rëndësi të madhe. Rezultat i këtij bashkëpunimi ishte respekti i ndërsjellë, gatishmëria për të ndihmuar njëri-tjetrin si dhe sinqeriteti i gjithanshëm për të mbështetur  njëri – tjetrin në çdo situatë sado e vështirë apo e rrezikshme qe ajo për momentin.

Sukseset dhe meritat e Gjergj Hasanajt  në fushën e arsimit, kulturës dhe folkloristikës  shqiptare  janë të shumta dhe të një rëndësie të veçantë, që  nuk mund të përmblidhen  në një shkrim të vetëm gazetaresk. Ato janë të mundshme të pasqyrohen  vetëm në një monografi  eventuale të tij, të cilën  e meriton. Pa asnjë mëdyshje. Megjithatë po fokusohem në disa nga  të arriturat e tij  që kanë lënë gjurmë të pashlyera në  jetën arsimore dhe kulturore  jo vetëm në Triesh, por  edhe më gjerë.

Ky njeri i rrallë, i rritur e i  shkolluar në varfëri të skajshme, në një mjedis  patriarkal, me rregulla fisnore, në një sistem komunist, kur çdo veprim atdhetar konsiderohej si armiqësi, i tejkaloi sfidat e kohës. Me fillimin  e punës në shkollë, e cila kishte statusin katërvjeçar,  i vuri vetes për detyrë që ajo të rritej. Dhe, falë angazhimit të tij dhe përkrahjes së mësimdhënësve të tjerë, ia doli të realizojë dëshirën dhe vullnetin e tij, por edhe ëndrrën e trieshjanëve arsimdashës, që shkolla ekzistuese katërvjeçare   të rritet në shkollë  të plotë tetëvjeçare.  Për meritat e tij të mëdha  në  hapjen e shkollës tetëvjeçare dhe zgjidhet  drejtor i parë i saj, detyrë të cilën e kreu me sukses gati dy dekada.  Përveç kësaj me angazhimin e tij të matur, me mençurinë që kishte, por edhe me përkrahjen pa rezervë të mësuesve përparimtarë  të shkollës arriti që  ta pagëzojë shkollën me emrin e heroit tonë kombëtar “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ishte kjo një vepër madhështore dhe pothuaj e pamundur për kohën, me të cilën mburren sot e përgjithmonë trieshjanët. Në kontesktin  dhe rrethanat e kohës  në të cilën shkolla  e Trieshit emërohet me emrin e prijësit tonë legjendar mund të vlerësohet si një shembull patriotizmi, të cilin edhe sot  ia kanë lakmi  disa shkolla  me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Gjergj Hasanaj e arriti kulmin e krijimtarisë së tij , si mbledhës i folklorit burimor shqiptar në Malësi të Madhe dhe në mesin e shqiptarëve tjerë në Mal të Zi . Mbasi  mblodhi dhe sistemoi këngët e   ndryshme nga thesari ynë popullor   botoi veprën “ Malësori këndon” në vitin 1971. Pas botimit të kësaj vepre të rëndësishme për folkloristikën shqiptare nuk pati një jetë të qetë e të rehatshme nga pushteti, për ç ‘arsye u detyrua të braktisë  vendin e tij që e donte me gjithë zemër e shpirt dhe të shpërngulet në Amerikë, ku edhe vdiq në vitin 1978  në rrethana ende të pazbardhura.  Vepra dhe  personaliteti i tij  duhet të nderohet dhe të respektohet për kontributin e madh që dha  në profesionin e arsimtarit dhe  në vjeljen e folklorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok