23/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Shqipëria ka plot perla të shpërndara, por vetëm 1 gjerdan.

I vetmi Gjerdan me perla varur në gushën e Shqipërisë është një shkurtesë nga Gramshi në Mokër duke kaluar nga Kodovjati në Slabinjë, ose viceversa, nja 30 kilometra posht e përpjetë nëpër një terren me rrudha si tru njeriu.

T’i numurosh të tëra perlat e këtij Gjerdani është punë që s’bëhet. Duhet një muaj rrotull mangallit piq e haj një thes me gështenja.

Ky Gjerdan ka ujë. Shumë ujë. Burime që buçasin, kroje që rrjedhin, përrenj që nuk shterrin as në gusht. Liqene alpinë mahnitës me ujë shërues.

Tabela të vogla tregojnë emra fshatrash ku rruga që shkon me dredha humb mes gjelbërimit drejt fshatrave që nuk duken se janë zhytur në klorofilë, janë fshehur brenda bimësisë.

Greku, austriaku, bullgari, serbi, rusi, francezi, italiani, gjermani, të gjitha ushtritë këtu kaluan, të gjitha luftrat këtu u bënë. Pse strategët preferuan të ndeshen nëpër grykat dhe gërxhet e Gjerdanit, dhe jo në ultësira ? Përgjigjen e kësaj pyetjeje gjeneralët s’ja kanë besuar askujt, e kanë marrë në varr.

Gërvishte pak truallin e Gjerdanit. E pamundur kazma apo lopata të mos preki ndonjë gëzhojë, tytë, kondak, gavetë, helmetë, lënë mënjanë nga ndonjë hero në hjekë, a hedhur tutje nga ndonjë dezertor duke ja mbathur.

Banorë kockëmëdhenj me shumë flokë të bardhë duken si ilirë ose vikingë. Kanë vetdijë të theksuar qytetare. Të tregojnë historira, gojdhana, komplikime nga më të çuditshmet që të lënë pa frymë.

Gjerdani, te vendi i gushës afër qafës ku të gjithëve u krruhet pashmangshëm, ndodhen fshatra ku punohet. Blegtori. Dhen e dhi. Pak bujqësi. Më tepër mbledhje në natyrë e bimëve mjeksore.

Te klavikulat ka burime që rrjedhin. Disa teposhtë “porsi malli i vashës që djeg më të fshehtë”. Të tjerë telartë, “porsi malli i trimit që buçet pëpjetë”.

Gjerdani i gushës, në lartësinë e Tiroidës, ka rrafshnalta të freskëta ku duhet të veshësh xhup edhe në behar.

Gjerdani ka pyje. Shumë pyje. Me drurë nga më të ndryshmit, dhe më të rrallët: Ah, Bredh, Panjë, Rrobull i kuq, Zgorrofet, Plep, Frashër, Bush, Shkozë.

Laryshi kafshësh që zor se ka dikund tjetër: Ujq, arinj, dhelpra, derra të egër, lepuj, kunadhe, ketra.

Nëpër fshatrat nga kalon Gjerdani prodhohet gjithçka që ta do mideja dhe ta lyp shëndeti: mish, lesh, shajak, qumësht, djathë, pastërma, turshi, rrush, raki, pekmez, mjaltë. Të gjitha bio. Të gjitha të shijshme. Të gjitha të mrekullueshme.

Gjerdani është përplot me gjurmë qytetërimesh antike. Mbishkrime mbi shkëmbinj. Rrënoja tempujsh të lashtë. Përralla, legjenda, historira, luftra.

Vende kulti. Kisha të shumta. Magjepsësi Manastir i Shën Marenës. Guva dhe shpella me emrat dhe legjendat përkatëse ku janë strukur heremitë, dijetarë, profetë, shenjtorë, sidomos kristianë të llaftarisur, ndjekur nga musulmanët me hanxharë në brez dhe thika ndër duar.

Përgjatë gjithë Gjerdanit ka rrugë mbi të cilat gjatë dhjetra viteve kanë kaluar skodat që kanë transportuar lëndë drusore. Të bëhet e kalueshme në të gjitha stinët, kësaj rruge i duhet ndrequr bazamenti, asgjë tjetër.

Në pjesën e epërme të Gjerdanit, në mesin e kurrkundit, ku mbretëron heshtja, qetësia, gjelbërimi i përjetshëm, ajri i pastër, pamjet janë të gjitha për wallpapera dhe dëbora mban disa muaj, mund të ndërtohen pista për ski aq të mira dhe aq të bukura sa do tërheqin qeflinj të sporteve dimërore nga e gjithë bota.

Gojët e shqyera thonë se rruga nëpër Gjerdan është e pakalueshme, duhet tank, traktor, diagaç, helikopter, aeroplan. Nuk është e vërtetë. Beharin e shkuar Gjerdanin e kalova me Suzuki. Dhe nuk isha i vetmi. U këmbeva një këtu e një atje me disa të krisur. Dy çekë. Një francez. Një italian. Një gjermankë. Të pestë motociklistë. Të pastë të dalldisur nga bukuritë.

Banorët e këtij Gjerdani, sidomos çobenët, nuk i mbërthejnë kopsat apo zinzhirët e pantallonave në pjesën e përparme. T’i pyesësh pse e mbajnë gjithë kohës dyqanin hapur, të thonë: Sepse gjithë këto mishra e pastërmara që hamë na e mbajnë bajonetën gjithë kohës ngrehur, dhe kopsa e zinxhirë nuk na duhen.

Po e harroja Gjerdanin e hatashëm, si harrojmë diçka të dashur por të pamundur, ngadalë dhe me dhimbje, dhe plaga po zinte kore.

Kur koren e plagës ma ngacmoi befas Shtatlartësia e Tij, Kryeministri lavdiplotë, kur vajti këto ditë te dy nga perlat e Gjerdanit, Liqenet e Lukovës.

Gjejini ku të mundni paret për ta bërë Gjerdanin e perlave të Mokrës dhe Gramshit ashtu si meriton, atraksionin turistik më të famshëm, më të fuqishëm dhe më të larmishëm në botë. Dilni e lypni: Zvicër, Kanada, USA, Australi, Japoni, Kinë. E pamundur të mos ketë në tërë këtë dynja të interesuar ta gjallërojnë Gjerdanin tonë, që kur të bëhet si e meriton, asnjë shqiptari nuk do i shkojë mendja ta braktisi vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok