22/12/2024

Gjakun e derdhur të shqiptarëve nga krimet serbiane sot e njëqind vjet më parë nuk guxojmë ta harrojmë kurrë

0
Fazli-Maloku

Nga Fazli Maloku

Dimri i janar-shkurtit të vitit 1921 ku në disa fshatra shqiptare të Kosovës: Popovë, Samadrexhë, Sharban, Keqekollë dhe Prapashticë, hordhitë ushtarako-xhandare të Serbisë, në aksionin e njohur në popull “Rrëfija”, therren me bajoneta, vranë me armë zjarri dhe dogjen me zjarr përsëgjalli mijëra shqiptarë të Kosovës pa dallim moshe e gjinie, si dhe u plaçkitën gjithë pasuria bile edhe gjënë e gjallë. Në këtë plojë e mizeri të paparë ndonjëherë, në fshatin Sharban, gjegjësisht në lagjen “Brajshori”, do të vriten, therren e digjen me zjarrë dhjetëra banorë shqiptarë pa dallim moshe e  gjinije. Në mesin e të djegurëve ishte edhe halla ime (motra e babait tim) s’bashku me djalin e vetëm, dyvjeçar. Për këtë ngjarje, babai im i ndjerë, Ajeti, shpjegonte:

“Në këtë vit posa kisha mbushur13 vjet. Babain tim ma kishin vrarë serbët më 1912. Unë më nënën, Halime, vëllain Mehmetin, motrat Hamide e Shehide jetonim në fshatin Halabak. Motra e madhe, Eminja, ishte e martuar në Sharban gjegjësisht në lagjen Brajshori. Burri i saj – Imeri, kishte muaj që ishte vdekur nga “veremi”( TBC-ja ). Motra Emine jetonte me djalin 2 vjeç. Ditën e kobshme, nëna kishte dëgjuar se fshatin Sharban, e kishin djegur shkiet me zjarr me të gjithë banorët! Më rroku përdore dhe u nisëm për në Sharban që bënte një orë rrugë. Borë e madhe dhe ftohtë i madh. Kur mbrrijtëm në vendin e quajtur “Iria e Sharbanit”, zbriste “suharia” (njësiti ndëshkues serbian), të gjithë hipur në kuaj. Këtyre iu printe fqinji ynë, Hasan Lëkuroshi, si goxhobash i fshatit. Me të parë nënën u ofrua dhe iu drejtua nënës. ” Nuk ke ku shkon oj halla Halime. Qika e jote dhe të gjithë të tjerët e lagjës Brajshori, janë djegur në zjarr”! Unë fillova të qaj dhe iu lidha nënës për trupi. I tëri dridhesha ca nga acari ca nga dhëmbja për motrën Emine. Nëna, nguli këmbë. Dua ta shkeli edhe një herë atë vend, se mos ka shpëtuar dikush gjallë. Vazhduam rrugën. Me tu afruar lagjës, vinte një erë tepër e rëndë që të zinte frymën. Çfarë të shohësh! E tërë lagja ishte bërë shkrumb e hi! Vetëm oxhaqet kishin mbetur në këmbë. Njëri nga ta tymonte. Ju afruam. Një vajzë e moshës 13-14 vjeçare, ulur në shkëmb bri zjarrit, me duartë në faqe, vetëm na shikonte, nuk fliste, por për çudi as nuk qante. Nëna e pyeti: Çfarë bënë këtu oj e shkretë?! Përgjigja ishte: Kam futur një kulaç misernike në hi dhe po e pres të piqet me hangër. Nuk më ka mbetur njeri i gjallë. Unë isha duke ju prerë dushk e kranë dhive në mal. Edhe vetëm një të mbetet i gjallë, po u dashka me hangër, me jetu! Unë gjithëkohën vetëm qaja dhe nuk e lëshoja dorën e nënës. Trupat e të vdekurve ishin bërë si cunga të zi. Nuk dallohej asgjë.Të lodhur e të rraskapitur mezi u kthyem në shtëpi”.

Se gjaku nuk harrohet kurrë, babai im – Ajeti, ndjesë pastëshpesh më thoshte: “Sa herë shoh ndonj shka të moshuar, më rrënqethet i tërë trupi dhe them: Ky ndoshta ma ka vrarë babain tim-Ramën?!”

Për këto krime e gjenocid serbian të këtij viti – 1921, ndaj shqiptarëve, pati edhe reagime të shumta e kundërshti, por të gjitha shkonin në vesh të shurdhër! Unë po i veçoj vetëm dy nga qindrasosh:

Gazeta beogradase e kohës “Rad”, e datës 5 gusht 1925 shkruante: ” Që disa vite shtëpitë shqiptare digjen flakë. Është vështirë të dëgjosh britmën e fëmijëve dhe pleqëve e të tjerëve që keqtrajtohen e mirren nëpërkëmbë, me qëllim të plaçkitën e të shfarosen shqiptarët…Në Kosovë jehojnë pushkët…Serba ka formuar një provincë me qytetarë të rendit të dytë. Atje kallen të tëra. Vriten shumë njerëz, mizoritë janë të pakufishme. Askush më në këtë vend nuk ka turp. Si kanibal i fundit, pushteti predikon shfarosjen e një populli për shkak të urrejtjes fetare e nacionale… Askush nuk do të shoh ndalur ushtrinë, xhindarmërinë e nëpunësit tanë, që janë fajtorë për gjakun që atje po derdhet… Mirëpo po predikon therrje e gjakderdhje të reja. Fshatrat shqiptare ngjajnë në kasaphane të vërteta. Punisha, derimëtani ishte më dorëmbari (më katili -FM), gratë dhe fëmijët shqiptarë i therrte me sukses. Ai – Punisha, dinte që të vriste me një plumb nga gjashtë veta përnjëherë!!

Më 10 maj 1921, z. Abrey Herbert, shtroi pyetjen në Parlamentin britanik për masakrat serbiane ndaj shqiptarëve:

” Se a janë në dijeni se më 25 janar 1921, dy batalione serbe të komanduara nga një major, vajtën në fshatrat e Llapit afër Prishtinës, në Keçekollë, Prapashticë e Sharban, ku i dërguan banorët shqiptarë meshkuj, prej moshës 12 vjet afër një mali, i vranë e masakruan me mitraloza, pastaj kaluan në fshatra, ua futën zjarrin shtëpive dhe i masakruan të gjitha gratë dhe fëmijët, duke i lënë vetëm 14-të përjetues, nga popullata prej 1680 veta më 320 shtëpi dhe a janë këkuar informata nga Qeveria Jugosllave lidhur me këtë”?!

Por, përse politikanët tanë aktualë në trojet shqiptare, zakonisht shprehen : Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e bërë gjatë viteve 1998-99?! Kjo është vështirë të kuptohet. Masakrat e krimet serbiane kanë vazhduar në mënyrë kontinuele ndaj shqiptarëve s’paku nga viti 1885.

Askush nuk ka të drejtën, të falë serbit, gjakun e shqiptarëve, të vrarë e masakruar në etapa kohore të ndryshme.

Fazli Maloku, 20 janar 2021, Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok