22/11/2024

GËZUAR DITËN E VERËS

0

Nga Lutfi ALIA

Më 14 mars, në një atmosferë festive, shqiptarët kremtojnë Ditën e Verës, që ishte, është dhe do të jetë festa më e bukur popullore mbarë shqiptare.Festa hiroshe Dita e Verës e ka origjinën në antikitetin iliro-albanez,e ruajtur e transmetuar me tërë bukurinë e saj në ditët tona dhe per keto vlera është shpallur dhe festë kombëtare. Te gjithe e njohin si festa popullore e Elbasanit, ndërsa në fakt nuk është festë lokale, sepse ishte e do të mbetet festa mbarë shqiptare, e kremtuar nga Doklea,Vermoshi,deri në Mitrovicë e Prishtinë; ngaShkodra, deri në Kostur e Çamëri; nga Durrësi dhe Elbasani – deri në Shkup e Manastir. Festohetnë fshat e në qytet, kudo në trojet arbërore, por dhe nga arbëreshët e Italise, të cilët e morën me vete dhe vazhdojnë ta kremtojnë këtë festë tradicionale dhe në ditët e sotme. Ndonëse diku festohet më pak e diku më shumë, rëndësi ka se kjo festë e lashtë pagane ilireeshhte ruajtur,vazhdon të kremtohet dhe Dita e Verës e rinovuar, është bërë festa më e bukur shqiptare.Populli i Elbasanit, ka merita të pakontestueshme, se e ruajti besnikërisht këtë festë tradicionale shumë shekullore, e mbajti të pastër, e festoi me gjithë bukurinë e saj, me të gjitha ritet e lashta, i dha shpirtin e vet, duke shmangur çdo lloj tentative për t’i ngjitur elemente fetare, ashtu si nuk e lejoi të ngatërrohet politika. Ndonëse në shumë treva të tjera kjo festë u zbeh, u “harrua”, elbasanasit e festuan rregullisht, sepse e ndjenin në shpirt, si pjesë integrale e jetës dhe e kulturës elbasanase, e ruajtën e përjetuan dhe e kremtuan me gjithë bukurinë dhe vlerat e saj, kësisoj Elbasani prej shumë shekujsh, u ba zemra dhe Tempulli i Ditës së Verës.

Origjina e festës “Dita e verës”.

Dita e Verës është festë e lashtë me zanafillë ne antikitetin e larget pagan dhe kremtohej me 1 mars, ditën e fillimit të muajit të parë të vitit, që shënonte fundin e dimrit të acartë, rizgjimin, ripërtëritjen, plazmimin e natyrës dhe fillimin e pranverës,ishte festa e dashurisë për njeriun, për natyrën, për jetën.Në antikitet, dita e parë pranverës kremtohej në tempujt e Artemises, e bija e Zeusit me hyjneshën Latona dhe motra binjake e Apollonit. Ashtu si të gjithë popujt antikë të Mesdheut edhe ilirët nderonin kultine Artemisesdhee kremtonin festën e pranverës në tempujt dedikuar asaj,të ngritur në Apolloni, në Durrës, në Kandavia, në Butrint etj.

Në lashtesi, njerëzit i gëzoheshin daljes nga dimri i ftohtë, përjetonin ndryshimet e natyrës, shkrirjen e borës, kaltërsinë e qiellit dhe ngrohtësinë e diellit, gjelbërimin dhe çeljen e luleve, lulëzimin e pemëve, daljen e bagëtise në kullota, gëzoheshin fëmijët, por dhe të rriturit, që fillonin përgatitjet për mbjelljet e pranverës dhe fillimin e këtyre ndryshimeve stinore e festonin me Ditën e Verës. Si kuptohet, në thelb, kjo festë ka fantazinë dhe simbolizmin, që shprehin daljen nga izolimi dimëror, braktisjen e të ftohtit dhe ky kapërcim astronomik dhe shoqëror, festohet me gëzime kolektive, me argëtime, me alegri dhe humor, që shënojnë dhe kulmin e festës. Pranvera vjen me vrull dhe fuqishëm pas dimrit, pra shpreh kapërcimin nga kaosi – mundimi – izolimi, në rregullin dhe normalitetin natyral dhe social. Kjo festë shënon “hyrjen në pranverë”, me perceptuar të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin, rizgjimin, ripërtritjen e natyrës dhe të shoqërisë, kundrejt dimrit të egër, të ftohët, letargjik, izolues. Ky kapercim nga dimri në pranverë, festohej me rituale të kultit diellor, perëndisë Dielli – jetëdhënësi, të shprehur me profecitë për shëndet, mbarësi e begati gjatë vitit të ri. Adhurimin për perëndinë “Dielli”, iliro-albanezët e përjetë-suan me emërin e ditës së fundit të javës “e diela”, njëlloj si anglo-saksonet (Sunday), por ndryshe nga popujte tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar Dita e Zotit – Domenica.Vitalitetin, bukurinë dhe mirë-sitë e stinës pranverë, populli ynë i ka mishëruar në urimet: “Asht si vera”, “Shendrit si pranvera”, “Tu bëftë jeta verë”, “Punë si verë”, “Shëndeverë”, ashtu duke iu dhënë vajzave emrat Vera dhe Pranvera. Ditën e parë të vitit, që shënonte fillimin e ripertritjestë natyrës dhe të jetës,ilirët, e festonin më 1 mars.Në lashtësi viti kishte 10 muaj me 304 ditë dhe fillonte me 1 marsin pranveror, çka spjegon pse muaji i 7° quhet  shtator, i 8° tetor, i 9° nëntor, i 10° dhjetor. Ky emërtimi sipas rradhës të muajve nuk u ndryshua dhe kurmbreti i Romës Numa Pompilio (754 – 673 p.K)i shtoi vitit muajt dimëror, janarin dhe shkurtin, duke e bërë vitin kalendarik me 12 muaj – 365 ditë, të barabartë me vitin djellor. Janari u quajt për nder të Ianuarius,hyut Romak ruajtësi i portave dhe i urave, në kuptimin, janari hapte portat e vitit të ri; ndërsa muaji februarii, u quajt në nderim të hyut etrusk Februs dhe hyjneshës romake Febris, që e kishin kulmin e lidhjes dashurore më 14 shkurt,datë që disa shekuj më vonë, u bë festa e Shen Valentinit, festa e të dashuruarve.Ilirët ruajtën emrin janar, ndersa per februarii përdoren dy emra shkurti(muaji më i shkurtër i vitit) dhe fruri (forme e modifikuar Februs – Febris). Muaji shkurt fillimisht kishte 29 ditë dhe 30 ditë në vitin e brishtë, por perandori August (63 para K – 14 pasK) i a hoqi një ditë, duke i bërë me 28 ditë dhe 29 ditëmuajin e vititte brishtë dhe ia shtoi muajit gusht, që u bë jashtë rradhe me 31 ditë, me qëllim, që muaji i dedikuar Augustit, të mos ishte më i shkurtër se korriku (Julius), që kishte emërin e Julius Çesarae.Sipas kalendarit të vjetër Julian, i shpallur nga Jul Çesari në vitin 46 para K (funksio-noi deri në shekullin XVI), dita e verës festohej më 1 mars, ndërsa pas 15 tetorit të vitit 1582, me kalen-darin Gregorian, viti u spostua me 10 ditë në vitin 1600, 11 ditë në 1700, 12 ditë në 1800 dhe 13 ditë në vitin 1900. Shtesa e ditëve në çdo një shekull, u diktua nga numëri i viteve të brishtë, andaj, duke filluar nga viti 1901, me shtesën 13 ditë me kalendarin Gregorian, Dita e Verës kaloi më 14 mars. Pra kjo ditë nuk ka lidhje me kalendarin lunar turk, përkundrazi Dita e Verës Shqiptare përkon me 14 marsin diellor, që është dhe festa e Hyut Mars, që i ka dhënë emërin muajt të parë të pranverës.

Dita e Verës në antikitetin ilir.

Në periudhën post-helene, hyjnitë u përvehtësuan dhe u përshtatën nga romakët, kështu hyjnesha Artemise u identifikua me hyjneshën Diana dhe kudo ku kishte tempuj të Artemise, romakët nuk i shka-tërruan, por i ruajtën dhe ia përshtatën panteizmit romak, duke i dhënë emërin Diana. Diana ishte hyjnesha e romakëvedhe e ilirëve, ishte hyjnesha e pranverës, e pyjeve dhe e lëndinave, mbrojtëse e kafshëve të egra, e burimeve, e lumenjeve, ishte gjuetaria me hark, mbrojtëse e grave, hyjnesha e dritës dhe e hënës, e zjarrit, e fertilitetit të natyrës. Diana nderohej nga gratë romake dhe ilire, si hyjnesha e fekondimit dhe e lindjes, e mbrojtjes të shëndetit të grave dhe të fëmijëve, si e përshkruan Ovidi në veprën Fasti, pjesa III, faqe 397. Romakët dhe iliret, Dianën e njihnin dhe me emrin Lucina, nga Lucinus – bartëse e dritës, shpërndarëse e dritës mbi tokë, duke filluar nga dita e parë e pranverës. Në periudhën e gjatë të pushtimit romak të Ilirisë, kulti i Dianës, u përvehtësua dhe nderohej nga të gjitha fiset ilire, të cilët për këte hyjneshë, kishin ngritur tempujt e Dea Diana, ndër të cilët tre më të famëshmit janë, tempulli i Diana në Doklea, tempulli i Diana në Kandavia – Kunavia dhe tempulli i Diana në Butrint. Qyteti i Doklea ishte qendra e fisit ilir të Dokleateve dhe qyteti i lindjes i perandorit Romak Diokleciani (Munro J.A.R: The roman town of Doclea in Montenegro. Archaeologia 1896).Në Doklea, romakët ndertuan shumë vepra publike dhe kulti, ndër të cilat dhe tempullin Diana. Në Enciklopedinë Italiane (viti 1933), bazuar në historinë romake shkruhet: ”Da una stazione militare ossia castello, sorto nel territorio della tribù illirica dei Doclati o Docleati, si sviluppò dapprima una comunità di diritto latino attribuita alla colonia di Scodra (Albania) e affidata a un principe indigeno, poi da parte di Vespasiano fu fatta municipio regolare. Aaveva foro, basilica, templi, di cui uno dedicato a Diana. Fu distrutta dagli Avaro-Sloveni all’inizio del sec. VII”. “… Ishte një stacion ushtarak dhe kështjellë, e ngritur në territorin e fisit ilir Doklatet ose Dokleatet. U zhvillua fillimisht si komunitet i të drejtës latine, pjesë e kolonisë së Shkodrës (Albania). Drejtimi i qytetit iu besua fillimisht një princi vendas, por më pas Vespasiano e bëri municipio të rregullt. Kishte foro (qendra politike, fetare dhe tregetare), bazilikën dhe tempuj, nga të cilët njeri i dedikuar Dianës. Doklea u shkatërrua nga Avaro-Sllovenët në shekullin VII i pas K”.

Krijimi i kultit dhe rritja e hegjemonisë të hyjneshës Diana ndër fiset ilire, dëshmohet me tempullin  madhështor kushtuar Dianae Candaviensis – Diana e Kandavias, që sipas burimeve historike romake, ndodhej në verilindje të Skampës, pranë një stacioni të rrugës Egnacia. Disa studiues sugjerojnë, se ky tempull ishte në Çermenikë, të tjerë thonë ne Babje të Librazhdit, të tjerë mendojnë se ishte i ndërtuar thellë në malësi dhe nga atje, festimet për nder të kësaj hyjneshe u përhapën në trevat e tjera, sidomos në Skampa – Elbasan. Njoftimin e parë për këtë tempull e dhaaustriaku Camillo Praschniker, i cili zbuloi mbishkrimin Add Diana Candaviensis – tempulli i Dianës të Kandavias”. Në tempullin e Diana festohej Dita e Verës, që fillonte me pelegrinazhet banorëve, me lutje dhe sakrifikime dhemë pas festa vazhdonte me argëtime, me këngë, valle dhe me lojra popullore.Ashtu si objektet e tjera të kulteve pagane iliro-albanez dhe tempulli i Diana i Kandavia, ka lënë gjurmët në toponimet e trevës ku ishte ngritur, ashtu dhe në kulturën e banorëve, që ruajnë shumë rite të lashta, që shprehin nderimin për kultin e hyjneshës Diana. Pas dyndjeve të barbarëve të Teodorikut (shek IV-VII pas K), tempulli Diana i Kandavia, u rrënua plotësisht, por malësorët kanë ruajtur plot toponime, legjenda dhe rite pagane, që sugjerojne të themi se, tempulli ishte i ngritur në malet e larta të Martaneshit, si është shprehur me bindje Eqerem Bej Vlora, kur përshkruan bukuritë mahnitëse të maleve dhe pyjeve të kësaj treve. Toponimet Lugu i Deas, Luçiana, Zana e Mansit, Kroi i Divave, Koliba, Delicia, Lugu i Shtyllës, Linja e Zanes, Vendi ku lahet Zana, Gurra e Lugut të Deas, Përroi i Shtrigës etj, janë emëra të lidhur me hyjneshën dhe tempullin Diana Candaviensis, që ngrihej mes këtyre maleve, ku kremtohesh dhe dita e parë e pranverës.

Artemise helene, Diana romake, Zana iliro – albaneze.

Ilirët kishin dhe nderonin perënditë e veta, hyjnitë ilire, që me pas u përzien me ato helene dhe romake, ose u zëvendësuan me hyjnitë e panteizmit romak, por edhe romakët morën nga kultura ilire.Ashtu si helenet nderonin Artemise, romakët nderonin Dianën, ndersa iliro-albanezët nderonin hyjneshën Zana, hyjnesha e pranverës. Kulti pararomak i Zanës mbijetoi dhe është i pranishëm kudo në trojet shqiptare. Sipas rrëfenjave popullore, hyjnesha Zana, shetiste nëpër pyje dhe male, lahej në burimet e freskëta, pushonte nëpër livadhet e gjelbëruara e plot lule dhe me fillimin e pranverës, shkonte në faltoren e vet, ku merrte dhuratat, që i blatonin banorët.

Lexuesi me te drejtë mund të pyesi: Vallë a ka lidhje teonimike ndërmjet Artemises helene, Diana romake dhe Zana iliro – albaneze? Natyrisht kanë të njejtin matriks, kanë vazhdimësi dhe ngjashmëri, të diktuara nga ndikimet, huazimet dhe shkëmbimet ndërmjet kulturave helene, romake dhe iliro-albaneze. Lidhjet ndërmjet tre hyjneshave, ndeshen kur analizojmë përafrimet bindëse mes emrave të hyjneshave pagane dhe legjendave e rrëfenjave mistike, që tregohen rreth tyre. Të tria hyjneshat jo vetëm ngjajnë, por në thelb janë të njejta, vazhdimësi e njera tjetrës, nga thellësitë e lashtësisë, deri në kohët e reja.

Hyjnesha Zana – Thana iliro-albaneze.

Kjo lidhje teonimike dhe ngjashmëria, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e etnografëve, linguistëve, etimiologëve, historianëve, mitologëve, antropologëve dhe teologëve. Pikërisht kjo afërsi mes emrave Diana e Zana, e nxiti Eqerem Çabejin, të vihet në kërkim të përputhmërisë të miteve me shkencën.Si u tha më sipër, romakët e zëvendësuan Artemise me Diana, andaj të dyja këto hyjnesha ishin të ngjashme mes tyre. Për sa i përket lidhjes të hyjneshës Diana me Zanën iliro-albaneze, i madhi Eqerem Çabej ka thënë: “Diana romake u shtri në Iliri, përmbi perëndeshën e vendit Zana, e cila i ngjante asaj dhe i dha emërin e vet“. Pra, Diana jo vetëm shkrihet me Zanën – hyjneshën ilire pararomake, por gjatë procesit të romanizimit të ilirëve, ajo merr emërin e saj dhe nga Zana, bëhet Diana. Ky unifikim i hyjneshës ilire me hyjneshën romake, u mpiks në shpirtin ilir, që eadhuronte dhe e nderonte si hyjnesha e pranverës.Hyjnesha ilire Zana-Thana, u bë Diana romake, por u ndryshua shumë pak nga Zana ilire, sepse u ruajt në traditën tonë me mitet e Zanës, Orëve dhe Shtojzovalleve.Eqerem Çabej, duke analizuar lidhjen e emërit Zana ilire, me Diana romake spjegon: “Kulti i fortë i Dianës në Shqipëri dhe në mbarë vendet e tjera te Gadishullit Ballkanik të kohës antike, si shihet nga dëshmia e mbishkrimeve latine, na shtyjnë të pranojmë, se hyjnesha Diana është një ‘interpretatio latina’ e hyjnisë epike vendase pararomake, pra të Zanës ilire.”Në lidhje me hyjneshën Zana, thuhet se emëri i saj më i lashtë është Thana, madje rreth këtij argumenti kemi dhe një shpjegim të qartë A.Meyerit, i cili thotë: “Në emërin ilir Thana, mund të ruhet një shkallë e vjetër shqipe e emërit Zana”. Ky version sugjerohet dhe nga zbulimet arkeologjike në trevat e Ilirisë veriore të banuar nga fiset Oseriate, ku janë gjetur altarë blatues dhe mbishkrime në kolona mermeri: Thana patrono  Thana padrone, si dhe emërat e hyjnive ilire Vidaso e Thana (Thanae). Sipas ilirologut A. Stipçeviç, nga mbishkrimet dhe figurat e hyjve në altare, rezulton se Thana ilire, përkon krejt me profilin e Dianës romake, madje emri Thana është forma arkaike e emërit Zana.

Kultin e Zanës hyjneshë ilire, na e deshmojnë rrefenjat tona të shumta popullore, që tregojnë për Zanën e Malit, atje mes bjeshkëve e pyjeve, si shkruan i madhi At Gjergj Fishta për Zanën e Veleçikut, Zanën e Miliskaut etj. Zana është qenie mitologjike, ndërsa Orët që e shoqërojnë kanë detyra të caktuara, ashtu si amazonat e Artemisës dhe nimfat e Dianës. Në rrëfenjat tona popullore, Zana dhe Orët janë qenie mitologjike, ndërsa Shtojzovallet (shtoiZot vallet), vjen si eufemizëm si për Zanat dhe per Orët, ose për të dyja së bashku. Zana përshkruhet shumë e bukur, si të gjitha hyjneshat, ndaj në popull thuhet e bukura si Zanë, ndërsa Orët mund të jenë të bukura dhe të shëmtuara dhe këtu del miti i shtrigës, pra përputhje me format Artemise dhe Diana shtriga, që i vrasin burrat, kur ata tinëzisht i vështrojnë duke u larë në liqen, nën dritën e hënës. Edhe Zana hyjneshë, si dhe Orët, Shtojzovallet, zotërojnë fuqi të misterëshme: aftësinë për të shituar burrat, që guxojnë t’i shihnin shtojzovallet tek lahen lakuriqe, ose duke vallëzuar nën dritëne hënës, pra i ndëshkojnë burrat, që tinëzisht guxojnë t’i trazojnë gjatë ekstazës në vallëzim njelloj si vepronin Artemise helene dhe Diana romake. Në kontekst të fuqisë të Zanës, për të ndëshkuar ata që cënonin mëvetësinë, intimitetin dhe privacy e jetës së  tyre hyjnore, populli ynë përdor mallkimin “të shitofshin Zanat”,  njëlloj si mallkimi “të vraftë Zoti”, një ndëshkim i mistershëm dhe i rëndë, që e zotëronte vetëm Zana hyjnesha, e cila i shitonte burrat, duke i lënë pa mend në kokë për tërë jetën. Ne Lunik në faqen e Malit të Zgarës ndodhet një shkëmb i zi, mbi të një pyll i virgjër dhe një ujvarë, e cila në traditën popullore njihet me emrin “Linja e Zanës”.  Sipas gojëdhënës, Zana kishte nderur në faqen e shkëmbit rrobat e saj të bardha, që i kishte larë në ujvarën që rridhte nga Mali i Zgarës.”Po aty, në Malin e Zgarës ndodhet edhe një tjetër toponim që lidhet me emrin e Zanës së Çermenikës. Pranë një ujëvare është “Vëndi ku lahen Zanat”. Banorët e fshatrave përreth besojnë se pranë burimeve të malit të Zgarës, nën ujëvarë, në anë të përroit të Zgarës dhe në zallishtet buzë të lumit të Rrapunit, lahej Zana.

Një tjetër ngjashmëri e Zanës iliro-albaneze, me mitet e Artemises dhe Dianes është vallja e Zanës me Orët dheShtojzovallet, valle në rreth, të kapur dorë për dore, pra si amazonat e Artemises që vallëzonin në dritën e hënës, ashtu si vallëzonin dhe nimfat e Dianës romake.Në ditën e verës iliro – albaneze, hyjnesha Zana ishte në vendin qendror, asaj i dedikoeshin blatimet dhe nderimet, në shoqërinë e pandarë të Oreve dhe Shtojzovalleve.

Dita e Verës – Dita e Pranverës – Dita e Luleve – Dita e Ripërtritjes të natyrës, festohet me gezime dhe alegri popullore, përjetohet me bukurinë e thjeshtësisë së saj, organizohet me kulturë, duke respektur ritet e rregullat e origjinës pagane, kremtohet me madhështi, me këngë e valle, me argëtime, me lojra dhe gara, që përfshijnë të gjithë popullin.Për origjinën e lashtë te kësaj feste shqiptare, në të kaluarën është shkruar pak dhe ndër ato shquhen dy figura eminente të letërsisë, kulturës dhe historisë shqiptare.

  1. Konica dhe At B. Palaj për lashtësinë dhe natyrën pagane të festës: Dita e Verës Shqipëtare.

Eruditi Faik Konica, 120 vjet më parë, duke i u drejtuar miqëve dhe shokëve të Lidhjes Shqiptare Vatra,

në një letër të shkruar me stilin e tij elegant, plot art e kulturë, rrëfente si e festonin Ditën e Verës, shqiptarët e trojeve jugore:“Është dita në të cilën gjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, kremtonin perënditë e luleve dhe të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si ne pikturat e Botticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin detyrë t’i u faleshin perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe, që e quajmë Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”.

Një përshkrim tjetër për kremtimit të Ditës së Verës nga malësorët e veriut, na e ka dhënë At Bernardin Palaj, në një shkrim të 101 vite të shkuara, e përshkruan me art tërësinë e riteve, që zhvilloheshin në festën e Ditës së Verës, pa mëdyshje, rite me origjinë në lashtësinë ilire:”Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese: gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë laknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë, që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darke, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë: ‘Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtringat’ etj. etj. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë“.

Shpesh lexuesit pyesin: A kemi ne legjenda të Zanës, të ngjashme me të Artemisës dhe Dianës?

Legjenda e perrisë të liqenit të Valit.

Në Martanesh, tregohen 3 legjenda të lashta të kohëve pagane, të ngjashme, ose më saktë, variante të miteve Artemise – Diana – Zana dhe tëamazonave, nimfave, orëve dhe shtojzovalleve.

Legjenda e vajzës e liqenit të Valit: “Një bari, çdo mëngjes, kur kalonte buzë liqenit të fshatit, shihte një vajzë shumë të bukur, që dilte nga liqeni dhe krihte flokët, duke e vështruar veten në pasqyrën e ujit. Ndërsa krihej, kjo sirenë dhe këndonte bukur, por sapo konstatonte se po e shihte bariu, çdukej në ujin e liqenit. Për tre ditë me rradhë, bariu e vështroi dhe dëgjoi këngët e vajzës. Këtë ngjarje, Ai ia tregoi një plake, që banonte pranë Perroit të Shtrigës dhe i kërkoi këshilla, si të vepronte ta kapte bukuroshen, para se të zhytej në ujin e liqenit.Plaka i tha të qepte një këmishë të gjatë, pa grykë dhe ta linte buzë liqenit e ta priste kur vajza të dilte nga uji dhe ta vishte këmishën e bardhë. Kështu veproi. Si çdo ditë, të nesërmen në mëngjes, pa lindur dielli, sirena doli nga liqeni duke kënduar e sapo e pa këmishën e veshi. Bariu doli nga vendi ku ishte fshehur, e kapi dhe çoi në shtëpi. Vajza ishte shumë e bukur e shume punëtore, por nuk fliste, megjithatë bariu u martua dhe lindën një djal shëndeverë. Kështu kaluan tre vite së bashku, por gruaja nuk fliste. Bariu i mërzitur shkoi te plaka t’i kërkoi këshilla si të vepronte, që bashkëshortja e tij e bukur të fliste. Plaka, pasi e dëgjoi, i tha: Kur të kthehesh në shtëpi, merr një thikë dhe bëj sikur do ta therish djalin, ajo do të trembet dhe do të flasi. Bariu veproi si e prositi plaka. Gruaja kur e pa këtë skenë u tmerrua dhe thirri me zë të lartë: “Çfarë po bën mor burrë? Kështu më humbe mua dhe djalin tonë. Po të kishe duruar dhe tre javë, do të kishim gëzuar jetën së bashku?”. Kështu foli gruaja e bukur dhe në çast ajo së bashku me djalin ranë në tokë të vdekur”. 

Kjo legjendë e kaherëshme, është transmetuar me mistikën antike, ku ndërthuren legjendat e hyjneshave Artemise, Diana dhe Zana, që lahen në ujin e liqenit, por gjejmë edhe kultin e amazonës, nimfës, sirenës, orëve e shtojzovalles, në veçanti gjejmë kultin e Eko-s nimfës të pyjeve, të cilën hyjnesha Era (gruaja e Zeusit) e kishte ndëshkuar të mos fliste, e kishte bërë memece, me të drejtë të shqiptonte vetëm fjalën e fundit. Paralel me këto figura mitologjike, ndeshim mitin e plakës – shtriga. Natyrshëm lind pyetja, por cila shtrigë? Në këtë legjendë kemi elemente të njejta dhe përsëritje të ngjarjeve, si ato me shtrigën e Borëbardhës, njerkën shpirtëkeqe të Hirushes, ndodhi të lidhura me shtrigat e Kastratit, me shtrigat e Salemit, pse jo dhe me shtrigat-magjistricat e Makbethit.

Dy legjenda të ngjashme tregohet dhe nga banorët e fshatit Lena, me bariun dhe perrinëeLiqenit te Zi,por duke shtuar praninë e dashit: “Bashkë me perrinë, nga uji i liqenit të Zi dilte edhe një dash i zi, i cili kulloste me dhentë e bariut, madje nga ndërzimi me ato, lindën 12 qingja leshzi. Ditën, që bariu ndoqi këshillën e plakës – shtrigë, bashkë me gruan dhe djalin, u çdukën dhe dashi i zi me 12 qingjat, që u kthyen brenda në liqe”.Në këtë legjendë, na shfaqet numëri biblik 12 dhe perseritet numuri tre, 3 ditë, 3 javë, 3 muaj, 3 vite; pikërisht numëri tre simbolik i folklorit të popullit tonë dhe të popujve të tjerë.

14 MARSI – DITA E VERËS SHQIPTARE

Kjo festë hiroshe mbarëshqiptare festohet e ndriçuar me të ngrohtin përkëdhelës të diellit pranveror, me bukuritë e gjelbërimit të njomë, me plazmimin e natyrës dhe lulëzimin e marsit. Festa organizohet në sheshe vendesh të shenjta, tradicionalisht të kohëve pagane, ku dikur kanë ekzistuar tempuj dhe mjedise të shenjta pagane. Pjesmarrja masive popullore, alegria, këngët dhe vallet, janë pjesë e piknikut të Ditës së Verës të organizuar në paraditen e 14 marsit, janë komponente integrale të festës. Vajzat kendojnë e vallëzojnë si amazonat, si nimfat e shtojzovallet dhe djemtë i ndjekin me valle burrënore e luftarake, melojrat dhe gara, si në tempujt e Artemise dhe të Dianës. Krahas karakterit mitik, lojrat dhe garat në Ditën e Verës, imitojnë situata me elemente të luftës si Kala Dibrançe, garat me kuaj, mundje e lirë etj, të cilat krahas karakterit argëtues, evokojnë nderimin e hyut Mars, hyu i luftës, që kremtohet këtë ditë.

Dita e Verës, apo ekuinoksi pagan, shënon kalimin nga dimri në pranverë dhe ky kapërcim astronomik stinësh, festohet me një mori ritesh pagane të “kodifikuara”; me ceremoni gazmore, që zgjasin disa ditë; me festime familjare dhe kolektive, që kulmohen ditën e 14 marsit, si në një festival të vërtetë popullor.

Megjithë ndikimet e kulturave të tjera dhe modifikimet e pjesëshme, Dita e Verës mbetet ende e pastër, festa e të gjithëve dhe mbarëshqiptare, dita hiroshe dhe gazmore e kremtimit të fillimit të pranverës dhe gjallërimit të natyrës e të jetës.

Dita e Verës e festuar nga shqiptarët, asht e lidhur me mite të lashta, me festat e hyjneshave Artemise, Diana dhe Zana, që na e përkedhelin ëmbël memorjen dhe fantazinë tonë, deri në atë pikë, sa na hutojnë me bukurinë dhe magjitë e tyre. Pikërisht ditën e festës, Artemise, Diana dhe Zana, dilnin nga thellësitë e errësirës, ndriçonin natyrën, duke lajmëruar ardhjen e pranverës, ripërtritjen e natyrës dhe rigjallërimin shpirtëror dhe shoqeror. Ritet festive, që në antikitet kryheshin në nderim të hyjneshave, janë ruajtur dhe janë elemente integrale të Ditës së Verës në ditët e sotme. Keto rituale, në tërësi shprehin rigjenrimin, ripërtritjen, kalimin nga bota e “nënëdheshme”, pra nga dimri i ftohët dhe izolues, në rizgjimin e natyrës dhe gjallërimin e jetës kolektive. Kapërcimi nga muajt e dimrit të ftohtë, që në koshiencën tonë lidhet me letargjinë e florës dhe të faunës, kremtohet me festën e rizgjimit e natyrës, me gjallërimin e jetës dhe të spiritualitetit, pra me festën Dita e Verës.Ekuinokset dhe solsticet, venë në lëvizje ritmet e natyrës, i bëjnë muajt të rendin duke e ndarë vitin djellor nëstinët në katër pjesë të barabarta, që janë pauzat dhe kërcimet e valles së madhe kozmike, pjesëtar të cilës jemi dhe ne. Stina e pranverës festohej nga helenet, me pelegrinazhe në tempujt e hyjneshës Artemise; nga latinët që shkonin në tempujt e Diana, nga ilirët në tempujt e Thana – Zana.Dita e verës festohej dhe nga popuj të tjerë, sip.sh në traditën neo-druide, ekuinoksi pranverorë quhej Alban Eiler (agimi i tokës) dhe i referohej ditës të barazuar me natën. Popujt nordikë, në ditën e ekuinoksit organizonin festa për nder të Ostara, hyjnesha antike e agut (alba), që është edhe hyjnesha e pranverës dhe e dashurisë, e njëjtë me hyjneshën Freya e vikingëveetj, etj.

Në mënyrë të veçantë dhe me shumë perkushtime, Dita e Verës shqiptare festohet nga e gjithë fshatarësia malësore dhe fusharake, sepse është festë e lidhur ngushtësisht me bujqësinë dhe blegtorinë e ky aspekt sugjeron origjinën e lashtë, që përhumbet në shekujt e antikitetit, si festëe hyjneshave Artemise, Diana, Zana, të cilat nderoheshin si mbrojtëse të pyjeve, të korijeve, të arave dhe të mbjellave, e kafshëve të egra dhe shtepiake, e shpendëve të egra dhe shtëpiake. Simbologjia e hyjneshave Artemise, Diana dhe Zana, lidhet si me divinitetin, ashtu dhe me natyrën, me botën e kafshëve të egra, andaj në piktura dhe shtatoret, që zbukuronin tempujt, hyjneshat prezantohen të shoqëruara me kafshët. Kulti i Dianës adhurohej dhe nderohej nga populli ynë, sidomos nga fshatarët, pasi si Artemise, Diana dhe Zana jetonin në male, në livadhe, në pyje, pra nuk ishin hyjnesha qytetit. Adhurimin e hyjneshës Diana-Zana, shqiptarët e shprehin nëpërmjet disa simboleve, të cilët i ndeshim kudo në familjet fshatare, si në gurët e portave të shtëpive, ku gdhenden motivi i diellit, ose hëna e re (në pozicion horizontal-kulti Selen), ndërsa mbi portën e shtëpive vendosin brirë kafshësh (të cjapit, të dashit, të kaut), ndërsa gjuetarët, vendosin brirët e kaprollit, ose të dhive të egra. Vendosja e brirëve të kafshëve të egra, nuk është ekspozim trofeshë gjuetie, as formë zbukurimi, por respektimi i një riti të lashtë pagan, që simbolizon nderim dhe devocion ndaj Artemise – Diana – Zana, kësisoj u kërkojnë hyjneshave të jenë e pranishme dhe të mbrojnë jetën e pjestarëve të familjes, të shtëpisë dhe të pronave.

Dita e Verës shqiptare, nuk është vetëm argëtim, as piknik thjeshtë në natyrë, por është festë tepër komplekse, është festa që zhvillohet me ritualet e veta, në një spacium disa ditorë, e shtrirë në pesë faza, është një festival i vërtetë mbarëpopullor. Ky aspekt i gjërë dhe kompleks i kësaj feste hyjnore shqiptare, më nxiti ta trajtoj në vazhdim, si i kam përjetuar në vendlindje dhe në Elbasan, në këtë qytet të bukur, gazmor, me kulturë,me art, me histori dhe shpirt fatdhënës, që për shumë shekuj, ishte dhe është zemra dhe tempulli i kësaj feste hiroshe dhe vitale mbarëpopullore.

FAZA I: 11 – 12 MARS: PARAPËRGATITJET PËR FESTËN.

Impenjimet parapërgatitore për festën Dita e Verës, janë të shumta dhe me pjesmarrje të gjithë antarëve të familjes, por në vijën e parë, janë “specialistet” e festës, gjyshet dhe nënat, të cilat organizojnë dhe drejtojnë të gjitha aktivitet, duke respektuar besnikërisht rradhën e proçedurave rregullat dhe ritualet e lashta.Përgatitjet e festës fillojnë 3 ditë para, pikërisht më 11 mars, që përkon me festimin e ditëstë Artemises dhe konsistojnë vetëm në grumbullimin e harxheve për gatimin e gjellëve dhe ëmbëlsirave, lyhet shtëpia me gëlqere, pastrohen mjediset e brendëshme dhe oborri i shtëpisë, lahen dhe sistemohen veshjet, që do të vishen ditën e festës. Në lashtësi, përgatiteshin këmisha lini dhe triko leshi, më vonë u përdorën stofa dhe basma pambuku, të bardha dhe me ngjyra.Në disa treva jugore të vendit, si Korçë, Kostur, Kolonjë, Përmet, parapërgatitjet fillojnë në ditët e fundit të shkurtit, sepse Dita e Verës festohet më 1 mars, sipas kalendarit të vjetër Julian, që ende zbatohet nga kisha ortodokse, çka ka krijuar variacione në datat e kremtimit të festave fetare me popullatën e besimit katolik, që ndjekin kalendarin Gregorian. Banorët e besimit musliman, ditën e verës e festojnë sipas kalendarit lunar, (kalendari alla-turka), me që dita e parë e muajit është 14 marsi, kështu rastësia u ka diktuar ta festojnë me datë 14.

Faza përgatitore më 11 mars, është një reminishencë lashtë e ritualeve, të pelegrinazheve në tempull, me blatimin e dhuratave të shumëta dhe sakrifikimet, në përkushtim të këtyre hyjneshave të pranverës. Në enciklopedinë italiane “Treccani”, për festimet në tempullin e Dianës Iliretë Kandavia shkruhet: “Ilirët, nga të gjitha anët e Ilirisë, udhëtonin me muaj për të nderuar dhe për të shprehur devocionin ndaj Hyjneshës Diana, perëndesha e Universit dhe e Riprodhimit, mbretëresha e pyjeve dhe e malevehyjne-sha e pranverës, e dritës”. Për ta nderuar hyjneshën dhe në përkushtim të saj, në tempull çoheshin lule, fruta, ushqime, ndizeshin pishtarët dhe bëheshin sakrifikime.Këto rite të lashta u ruajtën nga populli ynë, por me disa modifikime. Pasi barbarët e Teodrikut, i shkatërruan tempujt e Dianës në Doklea dhe në Kandavia, ilirët, nuk i braktisën traditat dhe ritualet e nderimit të hyjneshës Diana – Zana, por i zëvendësuan me rituale te reja imitatore, si vendosja e luleve në portat e shtëpive, mbledhja e ushqimeve, gatimi i embelsirave dhe zgjedhja e një cjapi, ose dashi per sakrifikim. I gjithë ky arsenal dhuratash ishin të paprekëshme, deri në ditën e festës të Ditës së Verës.

Gjatë ditëve para festës mblidhen lulet e thanës, që çelin të parat dhe shënojnë fillimin e pranverës, por këto lule simbolizojnë dhe forcën (i fortë si thana). Nuk është çudi qe emëri i kësaj peme, të lidhet me hyjneshën ilire Thana – Zana, ashtu si bimë dhe pemë të tjera, kanë emëra hyjnishë parahelene, si thamë për bimën Artemise (shqip: Pellini). Kësisoj, ne fazen përgatitore mblidhen dhe degë me luletë pemëve frutore, tufat e vjollcave (manushaqet), karakaftet, degë kerce-perce, veshtulla, ferra-shtriga, narcizat, luleshqerratetj, të cilat thuren në kurora dhe vendosen në portën e shtëpisë dhe në dhomat, duke i shoqëruar me urimin: “Të lulëzoi e begatë dhe e fortë jeta në shtëpinë tonë”.

Bima kerce-perce, kur hidhet në zjarrin e natës para festës, digjet duke kërcitur, pra kerce – perce, e me këtë digjen të keqiat dhe prapsitë, që kërcënojnë pjestarët e familjes; ndërsa bima ferra-shtriga, quhet kësisoj, sepse sipas bestytnive të lashta, gjembat e saj të vegjël e të mprehtë, çpojnë dorën dhe e largon shtrigën, kur tenton të hapi derën e shtëpisë.Këto rituale pagane, kryhen nga gjyshet, duke i shoqëruar me urime dhe formula lutjesh, të cilat i shqiptojnë me zë të lartë, që dita e verës të sjelli të mira, mirësi, bukuri, begati, shëndet për pjestarët e familjes dhe të fisit.

Këto rituale shoqërohen dhe me disa formula magjie, me bestytnitë, që hyjnitë, t’i mbrojnë, t’iu largojnë të keqen, tersëllëkun, varfërinë, sëmundjet dhe t’i mbrojnë nga syri i keq, si i pershkruan mjeshterisht At B. Palaj, i cili tregon dhe për disa rite magjike të veçanta, që kryheshin rreth një shekull më parë dhe megjithë modifikimet, ende praktikohen në ditët e sotme, si në malësi dhe në qytetet shqiptare, sidomos në Elbasan. Tre ditë para festimit të Ditës së Verës, burrat i fshehin veglat e punës; gratë i fshehin shoshat, furkat dhe krëhërat e tjerrjes së leshit, për t’i ruajtur nga syri i keq. Burrat nuk prekin fshesat, furkat dhe mjete të tjera që i përdornin gratë, pasi sillnin tersëllëk. Tre ditë para festës, burrat nuk i përdorin armët për gjueti, që të mos i zemërojnë Artemisen, Dianën dhe Zanën dhe kësisoj shmangin ndëshkimet prej hyjneshave.

Zbukurimi tipik dhe më i përdorur gjatë kësaj feste janë veroret, të përgatitura me penjë leshi me ngjyra, me fije të kuqe dhe të bardhë, të përdredhura në mënyrë elegante, që iu vihen në qafë dhe në kyçet e duarve vajzave si dhe djemëve te vegjel. Veroret, e kanë marrë këtë emër, sepse përdoren vetëm në  festën e Ditës së Verës. Ngjyra e kuqe simbolizon festë dhe shendet, ndërsa e bardha pastërti shpirtërore.

Për djemtë dhe vajzat e rritura, gjyshet mbledhin degëza të holla kulpre dhe pasi i shkriftojnë me rrahje të kujdesëshme, me fibrat e tyre përgatisin unaza dhe dorëza (byzylyke) elegante. Veroret, unazat e caronkthit dhe “byzylykët” e kulprës, mbahen fshehur dhe i u vihen fëmijëve në mëngjezin e 14 marsit.

Në traditën tonë, për ditët e festës, gatuhen ushqime dhe embëlsira tipike, sidomos kulaçi i ditës së verës, që ne vitet e hereshme e ëmbëlsonin me mjaltë, ose me musht. Këto kulaçë, fillimisht përgatiteshin me miell gruri, ndërsa pas vitit 1620 dhe në vazhdim, kur turqit sollën dhe përhapen kultivimin e misrit në trojet tonat, banorët e Elbasanit e gatuan kulaçin me miell misri dhe prodhuan një ëmbëlsirë e veçantë, shumë të shijëshme, e njohur me emërin e famshëm ballokume Elbasani, ëmbëlsirë e brishtë, me aromë të këndëshme dhe shije delikate, e cila konsumohen ditën e verës më 14 mars.Për festën Dita e Verës, elbasanasit gatuajnë dhe një ëmbëlsirë tjetër të rrallë: Revaninë me miell misri,ndërsa trevat e Dibrës, Tetovës, Prizrenit, Opojës, Gostivarit, Tropojës, Kukësit etj, gatimi tipik për ditën e verës asht flija.

FAZA II – 13 MARSI.

Është vigjilja e festës. Paradite pastrohen mjediset e shtëpisë dhe fillon gatimi i ushqimeve, për drekën dhe darkën e vigjiljes dhe sidomos me përgatitjen e hiseve (rracionet e ushqimeve), që do të merren në piknikun e Ditës së Verës më 14 mars, që kremtohet në natyrë të hapur, në vende me bukuri të rrallë.Të parët tanë, për të zbutur zemërimin dhe për të fituar mbrojtjen e hyjneshës Artemise, të Dianës dhe të Zanës, sakrifikonin në tempull tre kafshë (cjap, ose dash). Rituali i sakrifikimit ruhet dhe praktikohet rregullisht. Ashtu si dikur, kur në tempull kryheshin sakrifikime për hyjneshat edhe në kohët moderne, shumica e familjeve sakrifikojnë një cjap, ose një dash, ose nje qingj, ndërsa në vitet me veshtiresi eko-nomike, kjo traditë u kufizua me një gjel. Gjatë diteve te festës, ishte rreptësisht e ndaluar të gatuhej mishi i kafshëve të egra të vrara në gjueti, çka bëhej për të mos fyer hyjneshat Artemise, Diana e Zana.

Më 13 mars fëmijët dalin nëpër korije dhe livadhe, për të mbledhur lulet, fillimisht lulet e thanës, degë me lule kumbullash, bajamesh etj., mbledhin karakaftet dhe vjollcat (manushaqet), që janë lulet e para, që çelin me bukuri delikate, duke u rritur me ngrohtësinë e rrezeve të diellit pranveror.

Në Elbasan, djemtë ngjiten në Ullishtë e vrapojnë të mbledhin sa më shume vjollca, për të përgatitur buqeta të vogla me këtë lule, që të josh me bukurinë e petaleve me ngjyrë të ndezur violet. Tufat me vjollca, të lidhura me delikatesë me një fije bari, i sistemojnë me kujdes, në një shportë të vogël, të thurur me kërcellat e gjata dhe të buta të një barishte, që çel në këtë kohë. Vjollcat i dhurohen prindërve, ndërsa djemtë e rritur, ua dhurojnë me kënaqësi vajzave, që i adhurojnë.Në trojet shqiptare lulezojnë dy tiper violash, me emërat shkencore të bukur si pamja e tyre: Viola albanica dhe Viola epirota – albanica. Lule vjollca quhet dhe Manushaqia – lulja mavi, si dhe Menekshe, pra i kanë dhënë këtë epitet, për ngjyrën violet të ndezur të petaleve.

Banorët e Elbasanit, Korçës, Kosturit, Kolonjës, Labërisë, Çamërisë etj, i këndojnë këngë, ku poetët dhe kompozitorët anonim popullorë, kanë bashkuar gëzimin e verës, me idilin e dashurisë për vajzën e bukur si manushaqe.

Manushaqe lule,

lule që këputen,

do t’i bëj varse për gushën,

ditën që do bëhesh nuse.

Në Elbasan dhe në trevat malore për rreth, mblidhet një lule tjetër e bukur dhe e rrallë, e njohur masivisht me emërin Karakaftja. Djemt rendin në ullishta, ku e kërkojnë me kujdes këtë lule, që rritet e fshehur nën ullinjtë dhe mundohen të mbledhin sa më shumë, për të bërë dy buketa, një për në shtëpi dhe tjetrën për të dashurën. Karakaftja është lule e rrallë dhe janë fatluma ata djemë, që arrijnë të bëjnë dy buketa. Ashtu si është e rrallë, kjo lule ka dhe emër të veçantë, Karakafte, apo lulja “Syzeza”.Gjithmonë më ka tërhequr kjo lule e bukur me butësi të kadiftë, me petale me ngjyra të murrme misterioze.Karakaftja bën pjesë në familjen e Iridiacea, specie e rrallë tuberose e gjinisë risomatosae, që në ditët e para të pranverës çel vetëm një lule me madhësi 5 cm. Emëri latin është Hermodactylus tuberus, i formuar nga pamja e frutit me formë bishtaje, që botanistët e krahasojnë me  gishtat e hyut Hermes (Hermodactylus). Karakaftia njihet me emëra të ndryshëm, kësisoj italianët e quajnë “Vejusha e bukur” dhe “Gojë ujku”, bullgarët e quajnë “Irisi i zi”, në Martanesh, Çermenikë dhe Xibrraka e quajnë “Syzeza”, në malësinë e Krujës, Mirëditës, Pukës dhe të Kukësit njihet me emërin “Zambaku i zi” etj.

Sipas mitologjisë helene, hyu Hermes ishte lajmëtari i hyjnive, andaj besohej se Karakaftja – lulja Syzeza, që rritej poshtë ullinjëvee në ballë të diellit, ishte lajmëtarja e pranverës.Autorë të shumtë elbasanas dhe jo elbasanas si piktorë, poetë, shkrimtarë, etnografë, antropologë, gazetarë, autor tektesh kënge dhe kompozitorë, e kanë karakaften si frymëzim në krijimtarinë tyre dhe kjo lule, “shihet dhe ndjehet” e pangopur në mjedisin e artit, ndaj duhet përditë e më shumë të mbahet si nusja e bukur, që ka kryevendin në atmosferën e festës Dita e Verës.Ndër krijimet e shumta, zgjodha poezine Karakaftja, të poetit Fatmir Terziu, qe i ka thurur këto vargje të bukura, plot art e ndjenja:

Bukuria jote bojalleshë në petalet e buta.

Drita amshuar ngjiz përmallimin hyjnor tek bruca,

buzët e mia ngjiten mes flatërzëve të tua si fruta.

Mos ik kaq shpejt lule ‘nostradamus’

ta them hapur të nëntën profeci, ç’është e vërteta,

nën ullinj paqen vajzat ende mbledhin,

mbi nurin, që trupi yt lë duke u kallur nga jeta,

edhe pse sakrifica të tilla vërtetë dhembin,

ti paqshëm na mjalton si bleta.

Mos u tret duke kujtuar, se do të ikësh,

stinët vijnë shpejt sall e shtojnë dashurinë,

ti je vetë një risk zbritës,

për vetë jetën, paqen, rininë

dhe për mitin tënd të pavdekshëm …………..

Hyjni Ceka, studiuesi elbasanas që është marrë gjerësisht me festimet e Ditës së Verës në Elbasan dhe ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj, në librin e tij “Dita e Verës”, Monografi (“Onufri” 2001), shkruan se kjo festë i përkushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, gjithë motit e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, qysh hejrit, në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çerme-nikës (Djana Kandaviensis). Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Diana mbahej në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë… e pyjeve dhe e gjithë natyrës…”. Keto konkluzione konfirmohen me mendimet e arkeologut të mirënjohur shqiptar, Hasan Ceka i cili shkruan. “Shkencëtarët tanë, shkruan në studimin e tij Hyjni Ceka, shpjegojnë se te Mansi i sotëm kemi Manthion antik, stacionin e famshëm të Egnacias, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë që vinin në Skampin për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj. Ai Rrapi i Mansit, me kroin e pozicionin karakteristik, mund të ketë shërbyer nëpër vite për të mbledhur fiset e arbërve rreth Hyjneshës Dianë (apo Zanë) të Kandavëve. “Dita e Verës e Elbasanit,  çuditërisht sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire. Ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm, për kultin e Zanës te Kandavëve: Diana Candaviensis”.

Pranvera vjen e shoqëruar me ndriçim të ngrohtë dhe plot me lule shumëngjyrëshe, që e zbukurojnë natyrën dhe festën e ditës se verës. Lulet jane dekori i festës dhe sipas trevave, banorët kanë dhe lulet e tyre të preferuara. Në të gjitha trojet shqiptare, lulja e parë e preferuara është viola – manushaqia, por ka dhe veçori, p.sh elbasanasit kanë karakaften, vjollcat dhe luleshqerrat, lulet e pemëve frutore, që i vendosin në portat e shtëpive, në dritare dhe në mjediset e brendësme, kësisoj e fusin lulëzimin pranveror në shtëpi. Në Martanesh, djemt dhe vajzat mbledhin manushaqe, karakafte, bisqet e gjelbërta të kerce-perces, kerra-shtriga dhe veshtullën, që i vendosin në derën e shtëpisë, në dorezat e dritareve dhe në mjediset e brendëshme, si zbukurim, që shpreh ardhjen e pranverës në shtëpitë e malësorëve.

Më 13 mars gatuhen ushqime të rralla, si qepë me mish, i fameshmi çomleku, qe eshte gjellë tipike dhe e lashtë. Sipas mitologjisë greke, qepa personifikon përjetësinë. Gatimi i ushqimeve me qepë praktikohej në Egjyptin e lashtë, si deshmojnë zbulimet arkeologjike, ku kanë evidencuar qepë te pikturuara në afresket e varreve te faraoneve. Në vendin tonë, gjellët me qepë gatuhen kudo, nga veriu në jug të trojeve shqiptare, ashtu si gatuhen mish jania, tasqebabi, birania (mish me oriz dhe qepe) etj.

Një rit i veçantë për pasditen e 13 marsit, është zjeria e vezëve, rit që praktikohet në të gjitha trojet shqiptare. Në Elbasan, Martanesh, Çermenikë, Polis, Shpat, Prizren, Kukës, Tropojë, Gjakovë,  Çamëri, Labëri, vezët duhet të jenë të bardha dhe uji i vlimit të vezëve, ruhet për mëngjezin e 14 marsit, pasi të gjithë pjestarët e familjes, do të lajnë fytyrën me ujin e vezëve, duke e shoqëruar me urimin: “Të jetë e bardhë jeta e familjes”, “Ardhësh e bardhë moj pranverë në shtëpitë tona” etj.

Në trevat e Dibrës, Pogradecit, Korçës, Kosturit, Kolonjës, Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Lushnjës etj, vezët e zjera i ngjyrosin, por ky zakon është i vonshëm dhe është imitm i vezëve të pashkëve ortodokse.

Rituali i vezëve të zjera është tepër i lashtë, me origjinë pagane dhe është simboli universal i rilindjes dhe i kozmosit. Për festën e ripërtritjes të natyrës, vezët e zjera evokojnë legjendën e lashtë, mitin e zogut Feniçe, që sipas mitologjisë, para se të vdiste, e përgatiste folènë në formë veze, që pasi ngrohej nga rrezet e diellit, me hirin e kurmit të tij formoheshin vezët, nga te cilat lindëte zogu Feniçe, prandaj antikët e quajtën “zogu i zjarrit”.Vezët e zjera iu jipeshin fëmijëve në mëngjezin e 14 marsit.

Pasditen e 13 marsit, amvisat e shtëpisë përgatisin hiset e ushqimit për secilin pjestar familje, duke ia vendosur rracionin në frutjera, apo në pjatë veçmas, ose e mbidhnin në një pecetë, për ta marr ditën e nesërme, në piknikun e festës të Ditës së Verës, ku shkonin bashkërisht me të gjithë banorët. Amvisat përgatisin dhe hiset, që do t’iu çohen “dhurata” familjeve të tjera më 14 mars, për të uruar festën Dita e Verës. Në traditën elbasanase, për zakonin e dërgimit të hiseve – dhurata në familjet e tjera thuhet “do bëjmëkëmbë”, pra shkohet për urime me dhuratat (me hisen e gjellëve, të embëlsirave dhe të frutave). Së pari, vizitat kryhen ndër pjestarët më të afërt të familjes, pra bëjnë “këmbë” te gjyshat, dajat e xhajat, te hallat dhe tezet, më pas shkojnë për vizita të motrat e martuara, me preferencë ato që jetojnë së bashku me vjerrin dhe vjerrën. Për vizita shkohet dhe te kushërinjt dhe ndër komshijt.

Pra, vizitat e urimeve për Ditën e Verës, shoqërohen me dhurata, çka evokon një ritual të lashtë, blatimin e dhuratave hyjneshave në tempulljt e Artemise, të Dianës dhe të Zanës iliro-albaneze.Darka e 13 marsit, është e mbushur me veprimtari te shumta, me argëtime familjare dhe kolektive.Në pasdite, djemt shkojnë në mal, ku mbledhin shkarpa dhe dru, me të cilat formojnë turra, që do t’i vëjnë zjarrin në darkë. Zjarri është rituali i zakonshëm, i lidhur me legjendat mistike të hyjneshave Artemise, Diana e Zana dhe praktikohet në të gjitha trojet shqiptare. Zjarret ndizen sapo perëndon dielli dhe kur muzgu fillon të ndriçohet nga drita e hënës, por edhe nga flakët e zjarreve. Në trevat veriore dhe verilindore të vendit, djemtë mbledhin degë dëllenje dhe pasi krijojnë një pirg të madh, në darkë ndezin zjarre dhe thuhej sa më shumë tym dhe xixa te çlirohen, aq më e begatë është vera. Zakonisht zjarret ndizen në kodra, nga grupe familjesh,  madje bëhet garë, cila familje do të krijoi zjarrin më të madh.Riti i zjarrit ndiqet nga grupe banoresh, që vendosen në rreth dhe i gëzohen kësaj atmosfere magjike, ku flakët e larta grisin errësirën dhe ndriçojnë fytyrat e banorëve. Kur flakët fillojnë të pakësohen e të shuhet zjarri, djemtë përgatisin pishtarë me urat e druve, që ende nuk janë djegur tërësisht. Djemtë i marrin urat e zjarrit dhe duke i tundur bëjnë të shpërthejnë xixa të shumta si “fishekzjarre”. Shpesh, sidomos në malësi, pishtari përgatitet me dru pishe.Në Gostivar, Karshiakë, Kerçovë dhe Lushnje, organizohen zjarre me pirgje kashte misri ose gruri dhe bëhen pishtarë me kashtën të lidhur në majën e një shkopi, ose përdoret një litar, duke i lidhur në skaj një tufë kashte dhe pasi u vihet flaka, rrotullohen, duke krijuar tym dhe xixa të shumta.Në Martanesh, sapo ndizet zjarri, djemt i gjuajnë gurë me bahe, një mjet i lashtë, i përdorur për të hedhur gurët sa më larg, një mjet gjuetie dhe lufte, i njëjtë si fjonda e Davidit të Izraelit. Djemt rrjeshtohen në të dy brigjet e lumit, ne kodrinën e Bahes dhe sejcili grup hedh gurët me bahe, në drejtim të bregut përballë. Hedhja e gurëve me bahe praktikohej dhe nga banorët e dy Dibrave.Riti i hedhjes të gurëve me bahe, kryhet me bestytninë se gurët vrasin të keqen, largojnë djajt dhe shtrigat, që dalin natën. Në darkë, të gjithë mblidhen rreth zjarreve duke kënduar këngë të traditës vendase dhe duke vallëzuar rreth përqark zjarrit, ashtu si vallëzonin amazonat e Artemises, si vallja e nimfave të Dianës dhe si vallja e Shtojzovalleve të Zanës iliro – albaneze. Flakët e zjarrit simbolizojnë hyjneshën Diana, origjinën e saj nga flakërimi i dritës. Sipas mitologjisë, Diana ishte krijesa e parë në zanafillë, kur u shfaq Kaosi, që u nda në dritë dhe terr. Pas saj erdhi i vëllai Luçiferri, të cilit i ra hisja e dritës, por Diana e nxitur nga xhelozia dhe uria për dritën, e gëlltiti të vëllanë së bashku me flakët dhe ndjeu në trup flakërimin e pasionit. Ky flakërim ishte agu (agimi) i ditës. Kur do të çilte agu, Luçiferri i shpëtoi të motrës dhe zbriti nga qielli në thellësi të tokës, që të fshihej në errësirë, por Diana e ndoqi pas, me shitime dhe shajni, prej nga lindën Nimfat (Orët dhe Shtojzovallet), krijesa gjysëmperëndi, që ngjasonin me njerëzit, por që ishin të pavdekëshme dhe shoqëruese të Dianës dhe të Zanës. Rikthimi i Dianës mbi tokë me dritën e zjarrit, simbolizon fillimin e pranverës, rifillimin, ripërtritjen e jetës. Diana, nga thellësitë e skëterrës u ngjit mbi tokë ditën e ekuinoksit pagan, u rikthye triumfues në sipërfaqe, në mbretërinë e saj, duke marrë me vete dhuntitë e dritës, shkëlqimin, ngrohtë-sinë, ripërtritjen, plazmimin, fertilitetin e natyrës dhe fertilitetin human.Rikthimi i Dianës me dritën, në ditën e fillimit të pranverës, banorët antikë e festonin me zjarret, në mënyrë, që të gjithë pjesmarrësit të shihnin flakët e zjarrit të Dianës. Ditën e verës, romakët ndiznin zjarre nëpër kodra dhe sipas traditës, sa më gjatë të rrinin ndezur, aq më prodhimtare do të ishte toka, si dhe ujisnin livadhet, për të rritur prodhimin e barit.Në traditën druide, zjarret ndizeshin në muzgun e ditës te ekuinoksit pranveror.

Në festën tonë, pas argëtimeve me këngë e valle, kryhet një rit tjetër i lashtë, djemtë e kapërcejnë zjarrin tre herë me rradhë dhe kësisoj në flakët e zjarrit djegin të keqiat, shtrigat, shpirtin e keq, syrin e keq, sëmundjet, tersëlleqet.Në malësi thuhet, se kur zjarret me dëllenja dhe pishtarët çlirojnë shumë xixa, atëhere pranvera do jetë me shumë reshje, me begati dhe me të korra të bollëshme, që do ndihmojnë për të përballuar periudhën e gjatë të izolimit nga dimëri i egër.

Pasi perfundojnë aktivitetet e shumta ditore, në darkën e 13 marsit zhvillohen dhe disa rituale të veçanta e shumë interesante, kryhen ritet e magjisë. Në darkë, familja mblidhet rreth zjarrit e pasi hanë darkën me çomlek, tavë mishi me pestil, tavë kosi, turli, pulë me qullë me arra, mish jani, fergesë elbasani etj, gjyshet kryejnë magjitë e ditës së verës, që evokojnë lashtësinë iliro-albaneze të këtyre riteve, çka shihet në simbolikën tipike që shprehin. Nje shekull me parë At Bernardin Palaj përshkruante si kryheshin këto rite në malësitë e veriut, ku tregon ritualin e zjarrit dhe lutjet, profecitë pagane dhe magjitë, për të larguar shpirtin e keq, të ligën, sëmundjen, djajt dhe shtrigat, për të shituar të keqiat.

Në Elbasan, Shmil, Shpat, Polis, Labinot, Peqin, Dibër, Martanesh, Çermenike, Shengjergj etj, pasditen e 13 marsit, fëmijët merrnin një shat e shkonin nëpër korije dhe në pyll, ku mblidhnin një lloj tuberi (një zhardhok), të cilin elbasanasit e quajnë “buka e derrit”, ndërsa martaneshasit Pasi i hiqnin gjethet, burkthat i pastronin dhe me pas i ndanin në dy pjesë. Njeren e hidhnin në tavan dhe mbi çatinë e banesave, me profecinë për të larguar xhindet dhe shtrigat nga shtëpia,pjesën tjetër pasi iu hiqnin pjesën e brendëshme, i shndërronin ne kupë, që do t’i përdornin në  mëngjezin e 14 marsit, për të pirë ujë, madje pihen tre kupa uji, njera pas tjetrës. Me kupat e burkthit, kryhej një rit tjetër magjie. Kupa u vihej mbi kokë fëmijëve dhe me një lëvizje të shpejtë të trupit e hidhnin në tokë. Në se kupa e burkthit bie përmbys, parathotë se gjatë vitit, personi do të  ketë shendet të dobët, por për të rregulluar shëndetin në të ardhmmen, e përsërsnin këtë veprim tre herë, deri sa kupa të binte për së mbari dhe kur burkthi bie me pjesën e hapur lart, atëhere do të  gëzonin shëndet të mirë.Gjatë ditëve para festës, martaneshasit mblidhnin dhe caronkthat, një bimë me zhardhok me pamje karrote, që rritet nëntokë dhe pasi e shkulnin dhe e pastronin nga gjethet dhe nga dheu, e rrihnin me një dru, deri sa ta shkriftonin, duke e bërë fije – fije, te cila i lidhnin nyje, ose i gërshetonin në qark, me profecinë të lidhnin të ligat e pjestarëve të familjes. Proçedura e lidhjes të fijeve të caronkthit shoqërohet me këngë, që këndohet në veçanti për sejcilin fëmijë.Gjatë fëmijerisë time, i kam përjetuar këto rite e proçedura magjie, fillimisht i kryente gjyshja ime Aishja e me pas vajza e dajës Sybe Kurti, e shquar për intiligjencë dhe kujtesë të rralle, e cila i ka ruajtur dhe i praktikon në ditët e sotme me 40 nipat dhe mbesat e saj, duke i përsëritur formulat e magjisë me këngë, për sejcilin me rradhë, duke i “lidhur” caronkthat, deri sa fëmijët t’i zinte gjumi.Këtë formulë magjike, po e prezantoj në vazhdim, ashtu si e këndon kushërira ime Sybe Kurti:

Në këtë ditë të verës,

Jam tuj lidh dhesin dhe përdhesin Rossellës,

Jam tuj lidh dhesin dhe përdhesin Emmës,

Jam tuj lidh buburrecin

Atë që rri nëpër male,

Atë që rri nëpër livadhe,

Atë që rri nëpër trape,

Atë që rri nëpër gardhe,

Atë që rri nëpër ferrat,

Atë që rri nëpër vijat,

Atë që rri nëpër pyjet,

Atë që rri nëpër shtigjet,

Atë që rri nën urat …

Do ta mbledh,

Ta gjymtoj, ta baj trung si caronkthi,

Kur të baj me krujt kryet,

I dalshin sytë,

Kur të baj me krujt faqet,

I dalshin zorrët dhe zbërrnaqet … etj.

Përpos këtyre, me fibrat e shkriftuara të caronkthave, përgatiten disa rrathë, që i shtohen verores me penjë leshi me ngjyra dhe ua lidhin në qafë fëmijëve në mëngjezin e 14 marsit. Sipas bestytnive, veroria – gjerdan dhe rrathet e caronkthitgarantonin mbrojtjen e fëmijëve nga syri i keq, nga shtrigat dhe nga xhindet, nga te keqiat tersëlleqet dhe nga sëmundjet, deri në verën e vitit të ardhëshëm. Gjerdani me penjë me ngjyra t e kuqe e të bardhe dhe me hallka caronkthi, mbahet deri më 6 maj, ditën e festimit të Shen Gjergjit, kur të gjithë fëmijët, i hedhin në lumin e fshatit, kësisoj uji i merr dhe i çon larg të gjitha të këqiat, tersëlliqet dhe sëmundjet.

FAZA III: AKTIVITETET E PARADITES TË 14 MARSIT.

Është mëngjesi festiv i Ditës së Verës, e përjetuar me gëzim shpirtëror, me hare dhe entusiazem, që i pushton natyrshëm dhe në mënyrë spontane të gjithë dhe gjithëçka të lidhur me ardhjen e pranverës, me ngrohtësinë diellore, me ripërtritjen e natyrës, me shpërthimin e gjelbërimit, me lulëzimin, që se bashku inspirojnë begatinë dhe vazhdimësinë e jetës së shëndetëshme.Ritualet e mëngjezit të ditës së verës janë pothuaj të njejta në të gjitha trevat shqiptare, diku më shumë, diku me pak, diku të plota, diku të pjesëshme, por të gjitha me elemente antike iliro – arbërore, që janë ruajtur e transmetuar brez pas brezi, deri në ditët e sotme.Për të evokuar lashtësinë e këtyre riteve, por sjell një përshkrim të historianëve romakë, dedikuar festimit të pranverës për nder të hyjneshës Diana, ku gjejmë plot ngjashmëri, me ritet që kryhen në festën e Ditës së Verës Shqiptare. “Në festë merrnin pjesë dhe skllevërit. Në mëngjes, pronarët dhe skllevërit zgjohen herët, lahen dhe fillojnë përgatitjet për festimet. Gratë falen në tempullin e hyjneshës, ku shenjtëronin veshjet e reja. të ditë, gratë i luteshin dhe i kërkonin ndihmë Dianës në cilësinë e Luçina, mbrojtësja e lindjeve; gjuetarët i dedikonin armët, dhëmbët e derrave dhe brirët e drerave. Pas këtyre ritualeve, nga tempulli, turma e popullit shkonte të festonte në pyllë dhe të gjithë mbanin në duar pishtarë …

Si rezulton nga ky dokument historik, këto rituale janë të njejta me ato që praktikohen në ditët e sotme.

Më 14 mars, banorët e Elbasanasit zgjohen herët dhe hapin dyert e dritaret, që të hyjë drita, mirësia, shëndeti, të dali e keqia, e liga dhe të hapet bujaria për vizitorët. Derën e shtëpisë e hap më i moshuari.

Ata që zgjohen me vonesë, ndodhen para një të papriture, pasi të afërmit dhe komshijt, ua “mbyllin” derën nga jasht me fije peri. Një ritual i çuditshëm, një formë “ndëshkimi” për “dembelat”, të vonuarit për ditën e festës, madje në traditën elbasanase, përdoret shprehja “Të lënsha gjumin e mengjesit”, me kuptimin për të larguar nga vetia, një person të “mërzitshëm”, andaj i “uron” më mirë të vazhdoi të flej, se sa të takohen.  Në mengjes herët, gjyshet dhe nënat, mbi jastekun e fëmijeve, vinin lule thane dhe tufa bari të njomë, të shoqëruara me urime-bekime për shëndet e mbarësi në jetë. Gjithashtu, në mëngjes herët, djemt dhe vajzat merrnin shtamat dhe shkonin në krua, për t’i mbushur me ujë të freskët dhe gjatë kthimit shkulnin plisa bari të gjelbëruar dhe i vinin në pragun e derës. Më pas, djemtë plehëronin dhe ujisnin portokallat, ullinjtë dhe pemët e tjera frutore në kopështin e shtëpisë.

Në Martanesh, zgjimi bëhet në 05. 30 të mëngjesit dhe të gjithe dalin jasht në oborr, për të dëgjuar këngët e zogjëve, që gjallërohen duke shoqëruar lindjen e diellit, ndërsa djali më çapkën ngarkohej me detyrën të këpuste tufa me barë të gjelbër, që ua dhuronte të gjithë pjestarëve të familjes dhe farefisit.Në Elbasan, sapo zgjohen në mëngjes herët, banorët i lajnë sytë me lulet e verës, me manushaqet dhe me karakaftet dhe më pas pijnë ujë, tre herë me kupën e “bukës së derrit“. Martaneshasit e pijnë ujin me kupën e burkthit, tre herë me rradhë, ndërsa fytyrën e lajnë me ujin e vezëve të zjiera natën e vigjiljes. Pirja e ujit me “bukën e derrit” dhe e ujit të vezëve me burkthin, kryhet me profecinë, të vij një vit i shëndetshëm dhe i begatë.Para ngrënies të mëngjesit, gjyshet, nënat dhe vajzat e rritura, iu lidhin fëmijëve veroret në qafë dhe në kyçet e duarve, ndërsa të rriturve iu venë unazat dhe gjerdanat e kulprës, si dhe u lidhin në qafë veroret me fije peri të kuq e të bardhë dhe me gjerdane caronkthi. Këto rite kryhen në intimitet familjar, madje në se aty pranë kalon dikush dhe thërret, apo uron festën, askush nuk i pergjigjet, por shqipton formula magjie mbrojtëse: “Të lënsha gjumin e sabahut, ethet e verës dhe morrat e pleshtat”.Pasi vishen me rrobat më të mirat, organizohet ceremonia e urimeve dhe e shpërndarjes të dhuratave në kushërinjt, komshijtë dhe miqtë. Hiset e ushqimeve, që kishin përgatitur në darkë, vihen në shporta, ose në shamia-peceta dhe bashkë me një tufë bari i jipen në dorë djalit më të vogël të shtëpisë, me prindër gjallë, i cili ngarkohet me detyrën të bëjë “këmbë”, pra të prijë vizitat e urimit të Ditës së Verës dhe për të dorëzuar hiset – dhurata. Misioni i vizitave dhe i shpërndarjes të dhuratave, u ngarkohet vetëm djemëve dhe jo vajzave.

Vizitat fillojnë në shtëpitë e gjyshave, të xhajave, të dajave, të tezeve, të hallave dhe motrave të martuara

e me pas ndër kushërinj e miq. Kur arrijnë në shtëpitë e të afërmëve e të miqëve, djali pasi e vendos tufën e barit në pragun e derës, bën urimin: “Gëzuar ditën e verës, ju sjelltë shëndet e begati” dhe hynë brenda me këmbën e djathtë dhe ia dorëzon hisen më të moshuarit.Familja pritëse, e qeras djalin me embëlsira dhe pas përfundimit të ceremonialit të urimeve, të gjithë pjestaret e familjes e përcjellin deri tej oborrit dhe i japin hisen e tyre, që kanë përgatitur një ditë më parë, pra kësisoj shkëmbehen dhuratat.Krahas ceremonive të nderimit dhe të respektit, festa Dita e Verës, përmbanë dhe një aspekt spiritual, që frymëzon gëzim dhe lumturi të gjithë individëve, familjeve dhe shoqërisë. Spiritualiteti shprehet me rituale të veçanta urimesh, që janë pasqyrime të riteve antike pagane dhe ne kompleks shprehin:

– Përfitime personale familjare dhe kolektive, të lidhura me festen e Ditës së Verës. Te gjithë ndjehen të kënaqur e të gëzuar me ardhjen e pranverës, me ripërtritjen  natyrës dhe të jetës.

– Çdo person, familje dhe kolektiva, kanë dhe përfitime shpirtërore, që i inspiron festa popullore me urimet, përshëndetjet, profecitë dhe ritet magjike. Këto rite nga një anë krijojnë sugjestionime personale për të gëzuar shëndet të fortë dhe begati, por ndikojnë dhe bashkëndahen me të tjerët, me urimet dhe aktivitetet e 14 marsit,  me piknikun dhe argëtimet masive si në një festival popullor. Sa më shumë të kthehemi pas në vitet e shkuara, aq më shpesh dhe më intensive i ndeshim këto aspekte spirituale pagane.

Në trevën e Skraparit, mëngjesin e 14 marsit, femijët shkojnë derë më derë, duke kënduar këngën e Ditës së Verës e pasi shkëmbejnë urimet, iu dhurojnë vezë, që fëmijet i thyejnë në kokë njeri tjetrit. Amvisat skraparllije, paraditen e ditës së verës, krahas embëlsirës, gatuajnë anak (laknur me hithra).Në disa fshatra të Lushnjës, kryesisht të besimit ortodoks, dita e verës festohet më 1 mars, ndërsa në fshatrat e tjera me 14 mars dhe krahas vezëve, zjejnë kallinj misri dhe grurë, që ua dhurojnë femijëve, që shkojne per vizita urimi, duke kënduar dhe duke përplasur dy gurë në mënyrë ritmike. Pasi urojnë festën e Ditës së Verës, fëmijët kërkojnë misra të ziera, grurë të zier dhe vezë të zjera. Përdorimi i grurit të zier si dhuratë ditën e verës nga banorët e Myzeqesë, është ritual shumë i lashtë, është Koliba (gruri i zier me perime, zarzavate dhe fruta, kryesisht me arra), që praktikohej nga ilirët, gjatë blatimeve në tempujt e Artemise në Apolloni,në Butrint, në tempujt e Dianës ne Doklea dhe në Kandavia.

FAZA E IV – PIKNIKU MË 14 MARS.

Pikniku organizohet në vende të shenjta, tradicionalisht të kohëve pagane, në mjedise të hapura, që lejojnë pjemarrje masive.Banorët e Elbasanit, në grupe familjare, në mëngjes e lënë qytetin dhe shkojnë në piknik në vendet me bukuri të rralla natyrore, si te Rrapi i Mansit, Kroji i Kalit, Ulliri i Qejfit, Çezma e Lepurit, Çezmja e Kasinës, Byshek, Gjinar, Llixhat, Gurra e Labinotit etj. Vendi më i preferuar i piknikut është lëndina te Rrapi i Mansit. Që në krye të herës, ky vend idilik, në faqen e një kodre në lindje të qytetit të Elbasanit, njihej dhe thirrej nga vendasit Ledhja e Madhe, emër që i referohej një grumbulli rrënojash antike, që dikur ishin me famë të madhe për ilirët. Pas pushtimit romak, gjatë ndërtimit të udhës Egnacia, aty te Ledhja e Madhe romakët ngritën një mansio (stacion-bujtina), që shërbente si vend çlodhje për legjionarët, udhëtarët dhe karvanet etj. Nga mansio te Ledhja e Madhe dhe nga rrapi që mbiu aty, lindi toponimi, që përdoret ende dhe sot: Rrapi i Mansit. Ka të ngjarë, që Mansio i Scampus, pra ajo bujtina romake, të jetë ngritur pikërisht mbi rrënojat ku dikur, ngrihej tempulli hijerëndë i Zanës ilire (Ledhja e Madhe!), tempull që në vitin 479 pas Krishtit, u rrënua nga barbarët e Teodorikut, ashtu si ata shkatërruan kështjellën e Skampës, si dhe shumë tempuj e Dianes ne Dioklea, Diana Kandavia dhe kështjella dhe qyetet të tjera ilire.Është pikniku i Ditës së Verës, kulmi i festës, i zhvilluar paraditen e 14 marsit, deri në pasdite vonë në prag të muzgut. Pikniku nis në orën 10.00 dhe organizohet spontanisht, pa lajmërime, pa tellalla, pa shpallje. Festa Dita e Verës më 14 marsit, kremtohet në natyrën e ndriçuar nga bukuria dhe gjelbërimi i njomë, në mjedise me lulëzim masiv, mbështjellë me të ngrohtin përkedhelës të diellit pranveror.

Lëndina e Rrapit të Mansit, ky shesh i shenjtë pagan, prej shekujsh,  per elbasanasit është kryevendi për piknikun e  Ditës së Verës.Në këtë lëndinë të hijëshme dhe të shenjtë pagane, banorët argëto-hen me këngë, me vallet e vajzave dhe të djemëve, që kërcejnë plot dinamizëm. Vallet e djemëve shprehin jo vetëm karakterin burrënor, por përmbajnë dhe elemente luftarake, të lidhura me kulturën dhe historinë e vendit tonë.Një vend tjetër i preferuar nga elbasanasit për piknikun e festës të Ditës së Verës, është lëndina e vogël në anë të kurorës madhështore të Ullishtës, ku gjelbëron një pemë ulliri e veçuar nga të tjerat dhe pranë një burim uji. Ky mjedis romantik, i njohur me emërin “Ulliri i qejfit”, frekuentohet për organizimin e piknikut të Ditës së Verës nga banorëte lagjeve veriore të qytetit.

Në vitet ’30 – ’50 të shekullit të kaluar, në argëtimet e festës Dita e Verës në Elbasan, një vend të posaçëm kishte grupi muzikor i Usta Isuf Myzyrit. Këngët e bukura melodioze, e zbukuronin dhe e gjallëronin atmosferën festive të atyre ditëve, ne veçanti piknikun e 14 marsit. Për argëtimin e fëmijëve në ditët e festës, në sheshin poshtë Rrapittë Mansit, ndërtonin një karuzel (rrotullame), si dokumentohet në një fotografi të rrallë të vitit 1924, e fotografit amerikan Merl La Voy (1885 – 1953).

Në të gjitha trevat e tjera të Shqipërise, pikniku i festës Dita e Verës, organizohet në vende të shenjta pagane.Banoret e Lurës mblidheshin në bjeshkë, në livadhet e lulëzuara rreth liqejve të bukur të Lurës.

Në Martanesh pikniku organizohej sipas fshatrave, banorët e Lenës në lëndinën e Malit të Kaptinës dhe në livadhet e Ballenjës; banorët e fshatit Gjon në livadhet e Luçanës, banorët e Peshkut në Ballenjë e Vogël dhe valatosët ne sheshin e keshtjellës të Qytezës.Shqiptarët e Shkupit e organizonin piknikun në Kalanë e Shkupit, tetovaret shkonin në keshtjellën mbi qytet, në Reçica e Vogël, osene maline Shipka Popov.Lezhjanët, mblidheshin në sheshin e Kështjellës mbi qytet. Korçarët shkonin në piknik në Dardhë dhe në Voskopojë.Në Malësinë e Madhe banoret mblidheshin në livadhet e bukura të Vermoshit, në Theth, në Razëm etj, etj.Nënat dibrane i përcjellin fëmijët në piknik, me një urim të rrallë, por kuptimplotë: “Ferci, ferci nona, u bëfsh më i fortë se thona”.

Të gjitha familjet marrin ushqimet e gatuara një natë më parë dhe i gëzohen festës në bukurinë e natyrës të lulëzuar, duke u argëtuar me këngë, valle, humor dhe lojra të shumta popullore.Vallet e vajzave, të kapura per dore në rreth, shprehin një simbolikë antike, janë si vallet e amazonave të Artemise, të nimfave të Dianës dhe të shtojzovalleve të Zanës iliro-arbërore. Dihet se 14 marsi është dhe festa e Hyut Mars – hyu i luftës, kësisoj lojrat dhe garat, kryhen dhe për nder të tij. Marsi ishte hyu i romakëve, andaj ata e quanin veten “bij të Marsit” dhe kultin e tij ia transmetuan dhe ilirëve. Në kulturën antike romake dhe ilire, Marsi ishte dhe Uer sacrum – Pranvera e shenjtë, andaj në veçanti rinia, gjatë festës, shprehnin dhe devocionin për hyun Mars. Në nderim të Marsit – hyu i luftës, gjatë veprimtarive festive, rinia imiton dhe situata me elemente lufte, si vallja e shpatave, loja Kalaja Dibrançe, garat me kuaj në Dibër dhe Shishtavec, sporti i mundjes në Gollobordë, prova e forcës së krahut, e praktikuar në të gjitha trevat nga veriu në jug etj.Ndër lojrat që zhvilloheshin gjatë piknikut më 14 mars, po rikujtoi disa më tipiket, që zhvillohen në treva të ndryshme të vendit si:“Shkodrëza”, “Mjaltaz”, “Kykyzash” (Shkodër, Lezhe, Kosovë, Hot, Grudë, Pukë); “Furka”, “Topqellthi” dhe “Loja e gunave”, në Vlorë; “Shpatullore” në Shkodër, Dibër, Durrës, Lezhë, Pukë; “Caf-caf” në Fier, Elbasan, Berat, Lushnje dhe në Shkodër; “Gurapeshë” në Postribë, Kosovë, Lumë, Malësi e Madhe, Dibër, Mat, Martanesh, Çermenikë etj.  “Ujku dhe delet” në Krujë, Kurbin, Mat, Mirditë; “Hutini” në Tiranë; “Gjerdeku”, “Skifteri” në Vlore;  “Klloçka, bufi dhe zogjtë“ në Lushnjë; “ Klluka”në Shkodër, ndërsa arbëreshët e quajnë me emërin e vjetër “Pulëza”; “Pidak” në Peshkopi, Kukës, Shalë, Rrafshi Dukagjinit, Drenicë, Prizren; “Guxhaz” në Kosovë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Mirditë dhe Has.Në të gjitha trevat, nga veriu në jug të vendit tonë, në këtë ditë feste, zhvillohen lojra të tjera, si cingëla (në trevat veriore dhe në Kosove quhet kut e klince), dokërr, loja me zare dhe me arra, kërcimi me litar, loja “luftash” etj, etj.

Në Ditën e Verës, rinia dhe fëmijët mbledhin luleshqerrat (latinisht: Bellis perennis – e bukura e përherëshme), e njohur me emëra të ndryshme: luleshqerra, luledele, lule buke, lule dashurie, lulebuku-rishte, lule kacidhe. Kjo lule delikate, sipas mitologjisë simbolizonpastërtinë trupore dhe shpirtërore, pafajësinë, thjeshtësinë, modestinë, dashurinë, çiltërsinë dhe vajzën pa mëkate. Luleshqerra njihet dhe me emërat Margerita dheKammomila etj.

Per luleshqerrën ekzistojnë shumë legjenda dhe rrëfenja të lashta me natyrë mistike, fetare dhe profane.

Sipas mitologjisë romake, nimfa Blide, për t’i shpëtuar Vertumno-s, hyut të pyjeve dhe stinëve, i cili e kërkonte me insistim të vallzonin së bashku, ajo u trasformua në lulen e vogël Bellis (lulja e bukurisë).

Anglosaksonët e quajnë “Daisy”, nga kombinimi i dy fjalëve “Day’s + eye -Syri i dites”, sepse ajo rri e çelur gjatë tërë ditës dhe i mbyll petalet natën, andaj bazuar në këtë veçori, saksonët e përdornin për kurimin e sëmundjeve të syve dhe si somnifer (për të vënë në gjumë), por në fakt nuk ka asnjë lloj efekti qetesues. Në disa zona të Inghilterrës, e quajnë dhe “thunderflower – lulja e bubullimave”, pasi kulmin e lulëzimit e arrinë në muajt e verës me stuhi të shpeshta shiu, andaj besonin se, kjo lule i mbron njerëzit nga rrufetë.Rreth mistereve dhe fuqive çudibërëse të luleshqerrave edhe populli ynë tregon legjenda. Malësorët tonë besojnë, se kur i shohin në ëndërr në muajt e pranverës dhe verës, paralajmëronin mbarësi e shëndet të mirë, ndërsa kur i shihnin në ëndërr në muajt e vjeshtës dhe të dimërit, parathonin shëndet të keq dhe tersëllëk. Fshatarët tonë fushorë, thonë se pranvera nuk ka hyrë e mbarë për të filluar mbjelljet, përderisa nën një gjurmë këmbe në livadhet, nuk kanë lulëzuar 9 deri 12 luleshqerre.Disa fise angleze, besonin se luleshqerrat e egra në kopështin e shtëpisë, sjellin tersëllëk etj.

Vajzat i mbledhin luleshqerrat në lëndinat e piknikut dhe përgatisin buketa të vogla, si dhe thurin kurora e gjerdanë të bukur. Kurorën më të madhe e mbajnë vetë dhe e vendosin në kokë gjatë gjithë ditës të 14 marsit, të tjerat ua dhurojnë shoqeve.Për djemtë, luleshqerra është simboli i dashurisë së fshehtë, pasi me këtë lule, hetojnë në se vajza që ai adhuron, ka të njejtat ndjenja. Ky sekret zbulohet me profecinë e heqies një e nga një të petaleve të bardha, duke pyetur, për çdo petal që shkul: “Më do? Nuk më do?” Në se petali i fundit, përkon me fjalën “më do”, atëhere djali gëzohet se ka marrë një konfermë profetike, se vajza e tij e preferuar e dashuron dhe e kundërta, pikëllohet kur petali i fundit përkon me fjalët “nuk më do”. Këto veprime zakonisht kryhen në intimitet, pa e bërë publik emërin e vajzës, që ka në zemër (dashuria Platonike). Pas kësaj prove, djali i dhuron vashës se tij një buketë me luleshqerra, por fshehtas, të mos e shohin të tjerët, në rast të kundërt prishet “magjia e dashurisë”. Luleshqerra, kjo lule e thjeshtë, ka forcën t’iu dhuroi buzëqeshje dhe gëzime të dashuruarve, andaj e quajnë dhe lulja e dashurisë.

Një lule tjetër, që çel në muajin mars në lëndinat e trojeve malore, është narcizi, apo lule Batra. Djemt dhe vajzat e mbledhin në buketa dhe i vendosin në portat e shtëpive, por jo në mjediset e brendëshme, pasi ia njohnin efektet toksike, për çka e konsiderojne lulja që ndëshkon ashpërsisht.Sipas mitologjisë helene, Narcizi ishte i biri i nimfës Liriope, me Cefiso – hyun e lumenjëve, ndërsa në një versioni tjetër përshkruhet i biri i hyjneshës Selene me bariun Endimione. Sipas Ovidit (në veprën Metamorfoza), Narcizi i bukur, i refuzoi të gjitha vajzat që i shprehnin dashurinë dhe për këtë sjellje, mori ndëshkimin të dashurohej me bukurinë e fytyrës së vet, duke u vështruar në pasqyrën e ujit të lumit, ku ra dhe u mbyt nga vetëkënaqësia dhe egoizmi.Lulja e narcizit shpreh simbologji potente. Ka shumë mite dhe legjenda, që e bëjnë këtë lule protagoniste dhe metafora e karakteristikave humane, si simbol i dyfishte, i të mirës dhe i të keqes.Romakët antike dhe ilirët e konsideronin lule e fushave të Elisè, pra ishte simbol i botës së pertejshme, andaj e mbillnin nëpër varret. Për druidet dhe keltët, narcisi ishte simbol i pastertisë, madje kishte fuqinë të perthithi mendimet negative dhe agresivitetin njerezor, andaj duke absorbuar të keqen, u shndërrua ne lule helmuese. Në ikonografinë kristiane, narcisi simbolizon rilindjen pas vdekjes, andaj lidhet me Pashkën, ndërsa në disa vepra të piktorëve hollandezë, simbolizon dashurinë në amëshim të Zotit, kundër dashurisë egoistike të njeriut. Për kinezët, Narcisi simbolizon fatin e mirë dhe prosperitet për vitin e ri, pasi lulëzimi i narcizave përkon me vitin e ri hënor të Kinës.Gallët e quanin “Zambaku i kuarezmës”, pasi lulëzon në këte kohë, madje më 1 mars, ditën e Shen Davidit,fiset galle mbanin në veshjet një lule narcizi, me profecinë se lulëzimi i hershëm i kësaj lule, parathotë vit të mbarë e plot prosperitet. Malësorët e vendlindjes time dhe nenShishtavec besojnë se, kur në livadh çel vetëm një lule narcisi, kjo është shenjë jo e mirë, parathotë pranverë dhe verë jo të mbarë, ndërsa kur lulëzon me bollëk, parathotë se pranvera dhe vera do të jenë të begatëshme.

FAZA E PESTË.

Janë ditët në vazhdim, që përcjellin përjetimin dhe jehonën e festës. Zgjatja e kësaj faze, varjon sipas trevave dhe mbyllet me disa rituale karakteristike.Në Elbasan, fëmijët fillojnë t’i heqin veroret, kur shohin dallandyshen e parë, dhe i hedhin në ferra, që dallandyshet t’i marrin, për të ndërtuar foletë e reja.Vajzat dhe djemtë e Shkodrës, të Malësisë së Shkodrës, Malësisë të Gjakovës, të Kosovës, i heqin veroret me 21 mars, ditën e ekuinoksit pranveror astronomik dhe i vendosin në degët e lulëzuara pemëve të kopshteve të shtëpive dhe presin të vijnë t’i marrin zogjtë.Banorët e trevave verilindore të vendit, i heqin veroret ditën e festës katolike të Shën Gjergjit. Para fillimit të ceremonive të kësaj feste, fëmijët mblidhen në grupe e shkojnë t’i hedhin veroret mbi ferrat dhe në degët e pemëve te kopshteve dhe presin dallandyshet, te vijne t’i marrin.Në Martanesh, veroret dhe gjerdanët e caronkthit, mbahen deri më 6 maj, ditën e festës ortodokse të Shen Gjergjit, kur fëmijet, zbresin në breg të lumit të fshatit dhe i hedhin në ujin e lumit, që i merr dhe i çon larg të gjitha të këqiat, syrin e keq, tersëlliqet dhe sëmundjet.

Djemt dhe vajzat Permetit, Skraparit, Beratit, Labërisë, Lushnjes, Çamërisë dhe të Delvinës, i mbajnë veroret deri me 21 mars, ditën e ekuinoksit pranveror dhe këtë ditë i heqin dhe i hedhin mbi ferra, ose mbi trendafilat dhe presin të vijnë t’i marrin dallandyshet, që t’i përdorin për të ndërtuar folenë.

Vajzat dhe djemtë e Korçës, Pogradecit, Gramshit, Kolonjës dhe Kosturit, veroret i heqin pas një jave dhe i vendosin mbi shkurret e rrugës së fshatit dhe në degët e pemëve të oborrit dhe presin zogjtë, që të vijnë t’i marrin. Kur zogu e merrte veroren e vajzave të rritura dhe të fejuara, do të thoshte se ajo do të martohej brenda vitit.Si kuptohet jehona e festimeve të Ditës së Verës, vazhdon spontane, edhe një javë, madje ne disa treva dhe mbi një muaj, por në të gjithë vendin mbyllet me te njejtin rit pagan, heqien dhe flakjen e veroreve mbi pemet e lulëzuara

MISTIKIA, SPIRITUALITETI DHE BESTYTNITËNË FESTËN DITA E VERËS.

Gjatë këtij shtegëtimi shumëshekullor, ceremonite e festës kanë pësuar dhe ndyshime, janë ndikuar nga kulturat e kohës, ashtu dhe nga jeta moderne, por në thelb festa mbetet e njejtë, duke ruajtur shumë komponente dhe rite pagane, që praktikohen dhe në ditët e sotme. Në arsenalin e ritualeve të Ditës së Verës, ende ruhen disa elemente të lashta mistike dhe spirituale, bestytni, namatisje dhe rite magjie, të cilat nuk kanë lidhje me ritualet e besimeve fetare.

Dihet se pikniku i Ditës së Verës, organizohet në vende të shenjta pagane si lëndina, livadhe, sheshe, kodrina etj, pranë te cilave ndodhen shpella, guva, lisa dhe rrapa të lashtë, burime uji, ujvara, liqej të vegjël e sidomos rrënoja tempujsh të lashtë.  Miti i ndermit të këtyre vendeve të shenjta pagane, është ruajtur deri në ditët tona, dhe frekuentohen nga persona, që besojnë se ato kanë “fuqi misterioze”, janë “çudibërëse”, sjellin miresi, mbarësi, shërojnë sëmundjet, krijojnë qetësi shpirtërore, largojnë të keqen, tersëllekun, syrin e keq etj. Këto rezidua ritesh pagane, janë pjesa konfidenciale e festës dhe megjithë natyrën e tyre iracionale, ende ka njerez qe i praktikojnë dhe në ditët e sotme. Në këto vende njerëzit luten, ndezin qirinj, blatojnë dhurata në kërkim të mirës, të fatit, të shëndetit të fortë, të begatisë, bëjnë dhe namatisje për të larguar syrin e keq, sëmundjet etj.

Dikur, këto vende, frekuentoheshin më shumë nga gratë, që kishin probleme me shëndetin, ose me jetën e tyre bashkëshortore, por dhe nga vajza të pafejuara e të pamartuara, që luteshin për të gjetur fatin e jetës dhe nga nëna që kërkojnë ndihmë për fëmijët e sëmurë. Sipas bestytnive këto vende kanë efekte shëruese, fatësjellese dhe mbrojnë shëndetin e familjarëve dhe të fëmijëve. Personat e sugjestionuar nga këto efekte mbinatyrale, shkonin në burimet e ujit, ku lanin duart dhe fytyrën, meditonin e luteshin nën hijen e lisave, selvive apo të rrapave të lashtë, ose qëndronin në vetmi në lëndina të shenjta, ose në rrenojat e tempujve të shenjtë paganë dhe aty shqiptonin formula lutjesh.Vendet më të preferuara për ritet mistike dhe spirituale gjatë festës Dita e Verës, ishin disa shpella karstike, ku paretet e përçudnuara e shumëngjyrëshe, mungesa e dritës, fërshellimet e holla të rrymave të ajrit, që qarkullojnë nëpër guvat dhe plasaritjet shkëmbore, format e çuditëshme të stalagmiteve dhe stalaktiteve, krijojnë një atmosferë misterioze, që ushqenë fantazinë dhe supersticionet e njerëzve që i frekuentojnë këto mjedise.

Në trojet shqiptare, ekzistojnë disa shpella, që populli i konsideron me efekte mbinatyrore, pra që bëjnë “mrekullira” si Shpella e Zezë  Pellumbas – Tiranë, Shpella e Vendit të Mirë në Martanesh, Shpella e Eremitit në Koshorishte (Lunik-Librazhd), Shpella e Vertekicës në Diber, Shpella e Mushtishtit, shpellat “Gryka e Madhe” në Pejë etj.Supersticionet e kohëve të shkuara, kishin ndikuar që disa njerëz, gjatë festës Dita e Verës, frekuentonin si shpella ashtu dhe mjedise të tjera të shenjta pagane, por natyrisht këto besime iracionale, nuk ndihmuan asnjë prej këtyre njerëzve edhe në ndonjë rast që lutjet dhe blatimet e tij perkuan me plotesim te kerkesave ishte thjesht nje fenomen i relacioneve rastesore. Gratë e trevës së Dibrës, në ditën e verës frekuentonin shpellën e Vertekicës, të tjera shkonin ne burimin e Ujit te Kuq, me bestytninë se këto vende do t’iu sillnin pjellëshmëri, shtatzani të mbarë, fatin e mirë dhe shëndetin për femijët.Në Elbasan, përpos Rrapit të Mansit, grate dhe vajzat shkonin të Kroji i Kalit, Çezma e Kasinës etj, ku meditonin dhe luteshin për familjet e tyre, të gëzonin shëndet, mirësi e begati.Ne Martanesh frekuetonin shpellën e Vendit të Mirë ne Ballenjë, një guvë karstike e thellë, dikurishte pjese e tempullit Diana Candaviense.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok