05/03/2026

Genius loci i Prekazit

0
Heronjte-Delia-Jashari

Nga Prof. Blerim Latifi

Në traditën romake besohej se çdo vend kishte një “gjeni” mbrojtës, një shpirt që përcaktonte natyrën dhe identitetin e tij. Romakët e quanin këtë genius loci, shpirti i vendit.

Për ta kuptuar Adem Jasharin dhe 5 marsin e vitit 1998, duhet të njohim pikërisht shpirtin e vendit të tij. Dhe genius loci i Prekazit është shpirti i kryengritjes.

Për më shumë se një shekull, ky shpirt e ka dëshmuar veten vazhdimisht, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.

Në dimrin e vitit 1891, pikërisht këtu u dha kushtrimi kundër përpjekjes së qeverisë osmane për të vendosur administratën e saj në Drenicë. Rreth dy mijë burra, nën drejtimin e Ahmet Delisë, i bënë rrafsh me tokën sarajet Hamidie.

Po këtu, në marsin e vitit 1903, u dha kushtrimi kundër vendosjes së konsullit rus në Mitrovicë. Se cili ishte fati i tij pasi kryengritësit rrethuan qytetin, dihet nga të gjithë.

Po këtu, katër vite më vonë, shpërtheu një tjetër kryengritje kundër satrapit Shemsi Pasha. Prekazi u dogj, por edhe shumë nizamë lanë kokën aty. Muranat e tyre ende ekzistojnë.

Në pranverën e vitit 1912, Hasan Prishtina erdhi nga Stambolli në Prekaz për t’i kërkuar Ahmet Delisë ndihmë për fillimin e kryengritjes së përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane (shih: Kujtimet e Hasan Prishtinës). Kur e pyetën Hasan Prishtinën se pse pikërisht aty po mendonte të fillonte kryengritjen, ai u tha: Ahmet Delia asht i fjalës; kur ai ma jep besën për nji punë, tokë e qiell me u bâ bashkë, ai s’ma luen besën.

Po atë vit, kur krerët e Kosovës po tërhiqeshin,.disa drejt Shkupit, duke menduar se qyteti nuk do të binte në duart e ushtrisë serbe, e disa drejt Shqipërisë, burrat e këtij vendi vendosën të qëndronin për të mos e dorëzuar pa luftë katundin.

Biseda e Ahmet Delisë me ushtarin serb i thotë të gjitha: “Kush t’ka thanë këtu me hi? A e din se këtu i thonë Shqipni?”

Gjaku rrodhi pragjeve, kullat u dogjën, por mbi to lindi një legjendë që u bë mësim për brezat se si duhet vepruar ndaj pushtuesit.

Mes viteve 1919–1924, ky vend u bë epiqendra e Lëvizjes Kaçake. Posllanikët serbë në Beograd e quanin Komunën e Prekazit “shtet brenda shtetit”, ndërsa gazetat e Tiranës e quanin “Shqipnia e Vogël”.

Në vjeshtën e vitit 1944, kur brigadat partizane pushtuan Drenicën, lëshuan urdhër që kryetarët e komunave të shkonin në Skenderaj për t’u dorëzuar. Atje torturoheshin dhe pushkatoheshin. Vetëm njëri prej tyre nuk pranoi të dorëzohej: Isë Zymer Prekazi.

Ai dha kushtrimin e kryengritjes dhe ky kushtrim u dëgjua nga Shaban Polluzha. Pjesa tjetër e historisë dihet.

Mes viteve 1945–1952, Prekazi u bë strehë e sigurt e grupeve të rezistencës antijugosllave. Jam rritur duke dëgjuar historitë për luftëtarët e këtyre grupeve: Ali Fazlia, Isë Zymeri, Shaban Fazlia, Sherif Terstena, Dervish Kopriva, Dush Akrashtica e shumë të tjerë.

Mes shumë atyre që u bënin konak këtyre trimave ishte edhe mësuesi i katundit. Quhej Shaban Jashari.

Tridhjetë vite më vonë, genius loci i Prekazit do të ngrinte sërish krye në kullën e Tahir dhe Nebih Mehës. Dhe dhjetë vite më pas do të fillonte epoka e Adem Jasharit.

Më 5 mars 1998, ky shpirt i vjetër i kryengritjes mori trajtën e tij më të lartë historike dhe kombëtare.

Flakët dogjën shtëpitë dhe bresheritë shuan jetët, por nuk e shuan atë shpirt. Përkundrazi, e bënë të dukshëm për të gjithë kombin.

Sepse vendet që kanë një genius loci të tillë nuk mund të pushtohen përgjithmonë. Ato mund të digjen, mund të rrënohen, por gjithmonë do të ringrihen. Dhe çdo brez do të gjejë brenda tyre të njëjtën thirrje të vjetër: kurrë mos e pranoni shtypjen e poshtërimin! Kurrë mos hiqni dorë nga ëndrra për liri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok